Alia para Byrosë së ’91-shit: Partia Demokratike po na merr pushtetin
Alia para Byrosë së ’91-shit: Partia Demokratike po na merr pushtetin
Ai deklaronte se ekonomia e shkatërruar e vendit po favorizonte opozitën
Fatos Veliu
Ishte 9 janari i vitit 1991. Byroja Politike e KQ të PPSH-së prej disa orësh, nën drejtimin e Ramiz Alisë, vazhdonte një takim nga më të jashtëzakonshmit që mund të ishin njohur në 50 vjetët e sundimit komunist.
Një ditë më parë, Alia kishte pasur një takim të veçantë me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të porsakrijuar. Në atë takim, ndryshe nga si ishte mësuar, Alia kishte marrë ultimatum që të shtynte patjetër zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat ishin caktuar të bëheshin në 10 shkurt (1991), pra një muaj më pas atij takimi. Kërkesa e tyre kufizohej qoftë edhe me një shtyrje tremujore. Këtë ultimatum opozitarët e parë e bënin me pretekstin që të kishin kohë të merrnin masa organizative, që edhe ata të hynin në zgjedhjet si të barabartë me Partinë e Punës. Pikërisht, atë bisedë dyorëshe që Alia kishte bërë një ditë më parë me ta, e cila ishte shoqëruar vazhdimisht me tone të ashpra, ultimatume, kundërshtime e përplasje etj., ai po e transmetonte në mënyrën më të hollësishme para Byrosë, të cilën e kishte mbledhur me urgjencë. Ramiz Alia përcillte para vartësve të tij byroistë, jo vetëm dialogun e tensionuar që kishte bërë me njerëzit që donin t’i merrnin pushtetin, por edhe për situatën e disfavorshme që ishte krijuar në të gjithë vendin, aq sa ai pranonte se nuk mund ta kishin më nën kontroll. Ai flet për një përfshirje greviste të shumë kolektivave të sektorëve prodhues të vendit. Ndërkohë që Alia bënte atë rezyme, ai vazhdonte t’u kërkonte mendim byroistëve nëse duhej të shtyheshin zgjedhjet apo të bëheshin në kohën që ishtin caktuar, pra në 10 shkurt. Gjithçka rreth asaj që ka ndodhur brenda sallës së Komitetit Qendror, ku byroistët për herë të parë shqyrtonin një situatë që u kishte dalë nga kontrolli, bëhet e mundur vetëm tani, kur kanë kaluar plot 15 vjet nga ajo ditë. Gjithçka mundësohet kur redaksia e gazetës “Panorama”, e cila ka siguruar procesverbalin origjinal të asaj mbledhjeje, që deri tani ka qenë i ruajtur nën logon “Top-Sekret”. Kush është saktësisht ekspozeja që Alia bën para byroistëve? Cilat janë bisedat që ai pranon se ka bërë me Partinë Demokratike dhe çfarë reagimi bëjnë kolegët e tij, të cilët vazhdojnë të kërkojnë kredibilitet edhe në një kohë që vazhdojnë të sigurojnë bukën e popullit, duke përdorur thesarin e paprekshëm të tij, pasi vendi ishte pllakosur në një krizë ekonomike të papërballueshme.
SHOKU RAMIZ ALIA(vijon fjala e tij nga numri i kaluar, ku bën një rezyme të asaj që ka biseduar me përfaqësuesit e PD-së, të cilët i kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve). . . “Ju nuk e dini”, u thashë, “që në Kosovë ka 15 mijë ushtarë dhe që ne jemi të detyruar të mbajmë në kufi 20 mijë ushtarë për t’iu bërë ballë, gjë që e rëndon jashtëzakonisht shumë ekonominë. Se mos aty, se keni bërë një proçkë duke i thënë shtypit të huaj që qeveria shqiptare është e interesuar t’i përzërë grekët nga territori i saj. Mos harro që ky është një krim kombëtar, prandaj matu për gjërat që thua”.* * *Gjithashtu, u tërhoqa vëmendje që të kenë kujdes dhe për një gjë tjetër. Të ruajnë sensibilitetin e popullit, se ai është tepër sensibël në disa gjëra. Për shembull, është shumë sensibël në çështjen e Luftës Nacionalçlirimtare, se ka derdhur gjak për fitoren e saj. “Të ofendosh luftën”, u thashë, “është e palejueshme. Ajo ka pasur një komandant të përgjithshëm, që e ka udhëhequr atë gjatë gjithë kohës së saj, prandaj duhet të kini kujdes në këtë çështje”.“Ne nuk e ofendojmë luftën”, thanë, “dhe nuk kemi folur asnjëherë kundër Enver Hoxhës. Madje, në një miting, kur dikush nga masa tha: ‘poshtë!’ nga tribuna i thamë që nuk flasim për ‘poshtë’ po për ‘rroftë’ dhe për të ecur përpara. Nuk i shikojmë këto, pavarësisht që kemi vërejtje”.“Vërejtje mund të keni për kë të doni dhe për çfarë të doni, është e drejta juaj”, u thashë “por, duhet të kini kujdes për disa gjëra që janë të shenjta dhe të paprekshme për popullin, ruajuni nga kjo, sepse mund të tërhiqni mbi vete një urrejtje të madhe popullore”.* * *Konkluzioni i gjithë këtij takimi ishte që ata nuk marrin pjesë në zgjedhje, duke deklaruar se “do të abstenojmë, do t’i bojkotojmë zgjedhjet, do t’i bëjmë thirrje popullit në forma të ndryshme, që të mos marrë pjesë në to”.* * *Natyrisht, kjo situatë implikon disa probleme që ia vlen të shkëmbejmë mendime. Eshtë fakt se ideja e shtyrjes së zgjedhjeve ka dalë jo vetëm nga këta në mitingjet e tyre, po edhe nëpër mbledhje të ndryshme, madje dhe në mbledhjet që po bëhen tani për paraqitjen e kandidatëve për deputetë, siç ka dalë dhe në qendra pune. Kështu, minatorët e Valiasit nuk kërkojnë vetëm ngritjen e pagës po u është lënë shteg dhe kërkesave në fushën politike, siç është për shtyrjen e zgjedhjeve.* * *Eshtë e vërtetë që ne e kemi diskutuar një herë çështjen e zgjedhjeve dhe nuk mund të mos e diskutojmë më, por meqenëse lindin herë pas here probleme të reja, është e mira t’i diskutojmë dhe të parashikojmë më tej, sepse fatkeqësisht parashikime nuk ka shumë, vetëm si ta zgjidhim këtë apo atë problem që na ka dalë, pa pasur parasysh që kemi të bëjmë me luftë të rreptë, e cila shkallëzohet sipas disa ligjeve të caktuara, që tashmë për ne nuk janë të panjohura. Ka një eksperiencë të Evropës Lindore, por ka shumë pak përpjekje bëhen për ta njohur atë, qoftë për të dhënat e veta negative, qoftë dhe për të parë veprimtarinë konkrete të armikut kundër komunizmit. Kjo eksperiencë na tregon që armiku synon pushtetin.* * *...Të supozojmë që zgjedhjet do të bojkotohen nga kjo parti, (P.D shënimi im FV) po mundet dhe kjo nga subjekte të tjera politike që do të dalin. Ç’ndikim do të ketë kjo në zgjedhjet në disa zona? Kur themi në disa zona, kam parasysh qytete të tilla siç janë Shkodra, Durrësi, Kavaja, Elbasani, Vlora, Fieri, Lushnja, Korça. Zgjedhjet do të bëhen apo nuk do të bëhen dot fare? Kjo është e para.* * *E dyta, fitojmë gjë? Ç’efekt do të ketë kjo brenda dhe jashtë vendit? Sepse zgjedhjet do të shpallen, nuk mbahen sekret jo vetëm për arsye se komisionet duhet të jenë detyrimisht publike, por kësaj here nuk mund të evitojmë as prezencën e gazetarëve ose përfaqësuesve të ndryshëm të huaj, që natyrisht do t’i zgjedhim.Kjo çështje duhet menduar, duke marrë parasysh konsekuencat negative dhe pozitive që do të ketë çfarë fitojmë dhe çfarë humbim. Pra, sipas variantit të parë bojkotimit të zgjedhjeve, duke pasur gjithmonë parasysh eksperiencën e të tjerëve, ndaç eksperiencën bullgare, ndaç atë rumune etj. * * *Në rastin tonë konkret është eksperienca bullgare. Kundërshtimi mund të jetë me anë të grevave ose të manifestimeve, qofshin këto dhe paqësore, por që janë shqetësuese. Manifestimet mund të jenë të llojeve të ndryshme, dalja e njerëzve në qendër të qytetit para Kryeministrisë, para Presidiumit të Kuvendit Popullor, para Komitetit Qendror të Partisë, grumbullim njerëzish që bërtasin, bëjnë grevë, rrinë tërë ditën dhe tërë natën në një vend të caktuar siç ka ndodhur në vendet e tjera të Evropës Lindore.Natyrisht këto veprime që në pamje të parë janë shumë paqësore, do të paralizojë plotësisht ekonominë sepse të tëra pleksen me një fenomen tepër negativ që kemi aktualisht në vendin tonë, mungesat e mëdha në fushën e ekonomisë. * * *Faktori ekonomik është një nga faktorët kryesorë që i inkurajon ose u jep peshë të madhe politike veprimeve të opozitës. Punonjësit e kombinatit të tekstileve në Tiranë nuk punojnë, sepse nuk kanë lëndë të parë, nuk kanë avull se nuk u ka ardhur qymyri, për këtë gjë nuk punon dhe TEC-i. Minatorët e minierës së Valiasit kërkojnë t’u ngrihet paga dyfish. Po nuk është vetëm Valiasi dhe kombinati i tekstileve. Pika të dobëta në Tiranë, përveç këtyre dy objekteve janë kombinati i autotraktorëve, që është gjithashtu në një situatë jo të mirë, studentët që ndodhen në një gjendje shumë të keqe, veçanërisht për ngrohjen. Kurse bashkimet profesionale bëjnë sehir. Ky subjekt elektoral në vend që të vejë të rrëmbejë flamurin në Valias apo gjetkë e të thotë që avash djema, çfarë kërkoni, në qoftë se është nevoja për të kërkuar, do t’ia kërkoj unë qeverisë, largohet andej, domethënë shkëput kontaktin me atë klasë e cila do të votojë për këtë subjekt.* * *Po nuk është vetëm Tirana që ka këto pika të dobëta. Shikojmë që edhe miniera e Memaliajt është po në të njëjtën situatë. Po ashtu minierat e Qafës së Barit, Krastës etj.SHOKU BESNIK BEKTESHI:Dje filluan grevën edhe minierat e qymyrit në Verdovë, në Bitinckë dhe në Rehovë.SHOKU XHELIL GJONI:Dhe në minierat e bakrit, kromit, qymyrit është kjo situatë.SHOKU RAMIZ ALIA:Kjo do të thotë që Ministria e Industrisë së Minierave dhe Energjetikës nuk i ka nën kontroll drejtoritë e minierave. Në Rumani për të mposhtur studentët përdorën minatorët. Po minatorët tanë a vijnë të vendosin rregull në Tiranë? Asnjë nuk vjen. Të gjithë janë me studentët. Kjo tregon që puna e Partisë, e organeve shtetërore dhe e gjithë organizmave që kemi, është jashtëzakonisht e dobët.Ne themi që nuk është tërë Shqipëria si Tirana. Kjo është e vërtetë por edhe në Vlorë që ka qenë ndër qendrat kryesore të luftës dhe Bregu i Detit, duke filluar që nga Dhërmiu e deri në Borsh, dhe Vunoi, një qendër që ka heronj e luftëtarë sa të duash, janë paralizuar, infektuar me arratisje etj. Në Ramicë u krijua dega e Partisë Demokratike, në Tragjas ka elementë të ndryshëm, që dalin me Partinë Demokratike. Mitingu i kësaj partie në qytetin e Vlorës ishte goxha i madh, ku u fut deri dhe drejtori i shpim-kërkimit të naftës.Nuk mund të them që janë infektuar të gjithë njerëzit po fakti është që këta të Partisë Demokratike kanë gjetur bazë dhe elementë për të kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Në këto kushte të reja që janë krijuar kam përshtypjen që si Partia, ashtu edhe organet shtetërore janë paralizuar, nuk po shikojmë asnjë reagim nga ana e tyre.Kjo është gjendja që desha t’ju them për të cilën shokët të japin mendime si të veprojmë.SHOKU PALI MISKA:Gramoz Pashkoja foli dje në radio dhe bëri një presion shumë të madh, duke thënë që në rast se nuk do të shtyhen zgjedhjet, situata do të rëndohet jashtëzakonisht. Ndërsa për çështjen e pranimit në KSBE tërë fajin na e hodhi neve. Pastaj tha “që në rast se nuk bëhet shtyrja e zgjedhjeve dhe për t’u pranuar në KSBE i bëjmë kot përpjekjet”. Pra, presionet janë të mëdha siç i keni dëgjuar dhe vetë, por më të egra më brutale më të ashpra i kanë bërë në mitingjet që kanë organizuar.Natyrisht po të zhvillohej normalisht situata për Partinë do të ishte shumë e favorshme që të mos e shtynin datën e zgjedhjeve, jo vetëm pse jemi përgatitur deri në këto momente për to, por do të pranonim dhe fjalët e njerëzve që “ja i shtynë, ranë nën presionin e tyre”. Kjo do të ketë një tjetër situatë që duhet ta përballojë Partia.Por, me këtë rrugë që kanë nisur këta kam mendimin se zgjedhjet duhet ti shtyjmë dy a tre muaj. Bojkotimi është një anë po këta do të bëjnë presione të tjera para bojkotimit. Përvojë në këtë punë siç e tregon deri tani situata nuk kemi nuk jemi mësuar me kundërvënie, me ballafaqime etj.Ju keni të drejtë të thoni pse nuk i mendojmë ca gjëra që më përpara, po si ti mendosh?SHOKU RAMIZ ALIA:Këtu kemi faj të tërë, sepse të gjithë lexoni materialet që nga axhanset për ngjarjen e Bullgarisë, Rumanisë, Çekosllovakisë, Polonisë, Gjermanisë Lindore, Hungarisë e Bashkimit Sovjetik po kam përshtypjen që asnjë nga ju nuk tërheq vëmendjen mbi to, vetëm sa i lexoni për kuriozitet. Duhet ët jemi realistë në gjërat që ndodhin e të mësojmë dhe nga eksperiencat negative e të tjerëve.SHOKU PALI MISKA:Do të vijë puna nesër që të krijohet partia tjetër dhe do të kërkojë edhe ajo të shtyhen zgjedhjet, se do të thotë që nuk jam përgatitur. Ne do të veprojmë sipas situatave që krijohen. Ose ne mund ti bëjmë zgjedhjet siç i bëri Bullgaria po dhe pas zgjedhjeve vazhduan presionet, derisa dhanë dorëheqjen Mlladenovi dhe Llukanovi. Para situatës që është krijuar ne duhet të zgjedhim atë që është më pak e dëmshme. Siç e kanë zënë ata nuk ndahen nga kërkesat e tyre. Nuk e di si mund të jenë bërë muhabetet në takimin me ju, po nuk besoj të jenë zhvilluat qetë-qetë. Ata janë me mllefe të mëdha dhe këtë e shfaqin kudo që venë.SHOKU RAMIZ ALIA: Sigurisht që kanë mllefe. Mllefi i tyre është pushteti. Duke biseduar, njëri nga ata Arben Imami, tha që “programin ekonomik ne e kemi më të mirë nga ju”. “Kur qenka kështu”, u thashë, “ma thoni mua si president se ç’përmban, që ta aplikojmë, se shpëtojmë ekonominë”. Mirëpo ai ngeci, se nuk dinte gjë. Ndërkaq u hodh Gramoz Pashko që e kisha në anën tjetër e tha që “ne duhet medoemos të marrim ndihma nga jashtë”. “Eshtë shumë e thjeshtë të marrim ndihma nga jashtë”, u thashë, “dhe ne kemi kërkuar po kush të jep?E keni parë ç’po ndodh me Bullgarinë dhe Rumaninë?” “Po atje janë akoma komunistët në pushtet”, tha.SHOKU SPIRO DEDE:“Domethënë të ikin komunistët nga pushteti”, thotë ai...
Në vitet ’90 Shqipëria harxhonte thesarin e paprekshëm për bukë
Pas vitit 1985, kur Shqipërinë komuniste e drejtonte Ramiz Alia, mësohet se ekonomia po rrënohej në mënyrë të përshpejtuar, deri sa në vitin 1990 arriti në pikën e katastrofës. Një gjë e tillë ndodhi jo vetëm për mosrealizim planesh, që u bënë si fenomene të zakonshme pothuajse në pjesën më të madhe të ndërmarrjeve prodhuese, por edhe për shkak se në atë kohë u prenë dhe shumë ndihma ekonomike, që kompensonin kërkesat e domosdoshme të tregut. Mirëpo, pasojat pas mosrealizimeve të vazhdueshme arritën në pika tepër kritike, duke bërë që të ndodhte ajo që nuk ishte menduar asnjëherë. Kështu, nga deklarata e kryetarit të komisionit të Planit të Shtetit të asaj kohe, Niko Gjyzari, mësohet se, “në vitin 1990 ishin konsumuar plotësisht të gjitha rezervat e shtetit. Jo vetëm kaq, por pas kësaj u arrit të përdorej dhe thesari i shtetit, i cili ishte në flori (në shufra dhe në monedha). Sigurisht, monedha ishte në sasi të vogël, por ishte në shufra floriri. Në atë kohë, sasi të vogla floriri prodhonim edhe në vend. Mirëpo, harxhimi i atij thesari që filloi në vitet ‘90 bëhej kryesisht për grurë, pasi ngeli shteti fare pa bukë. Por, me atë thesar u blenë edhe elementët më të domosdoshëm, duke filluar që nga ushqimet deri te ilaçet emergjente për spitalet. Kështu, veç grurit blihej sheqer, vaj, oriz, makarona dhe dhjetëra lloje ilaçesh, për nevojat e spitaleve për të sëmurët e shkallëve dhe diagnozave të rënda.Në atë kohë floriri mbahej në bankën e shtetit, (pasi atje ka vende të posaçme) dhe në tunelet e posaçme të Skraparit. Atje ishin përshtatur posaçërisht për atë gjë. Ishin tunele dopio të mbyllura hermetikisht dhe tepër të siguruara.Gjithsesi, harxhimi i tij bëhej në përputhje të plotë me të gjitha sanksionet ligjore. Në fillim u evidentua, u dokumentua, u mblodh komisioni i posaçëm, që kishte kompetencë për përdorimin e tij. U parashikua situata dhe së fundmi u vendos. Floriri i kalonte Zvicrës dhe ajo e kthente në dollarë, me të cilën blenim produktet e përmendura. Me situatën e vështirë për jetesën e popullit në atë kohë ishte e vetmja rrugë që i kishte ngelur udhëheqjes. Mbaj mënd që çdo ditë mblidhej kryesia e Këshillit të Ministrave dhe diskutonte gjendjen e rëndë ekonomike. Kërkoheshin rrugëzgjidhje dhe mundësi. Por, mundësia e vetme ishte vetëm ajo”.
Për harxhimin e floririt kishte ligj të posaçëm
Në kohën e shtetit komunist përdorimi i thesarit të shtetit, i cili ishte në shufra dhe monedha ari, bëhej sipas një ligji të posaçëm. Sipas atij ligji, thesari i shtetit shqiptar ishte i paprekshëm. Ai duhej të përdorej vetëm në situata katastrofike për vendin, pra kur të pllakoste zia e bukës. “Unë mund të them se”, deklaron Niko Gjyzari, i cili ka qenë udhëheqës i asaj kohe, “ajo situatë për të cilën ruhej thesari erdhi. Nuk na kishte shkuar në mendje se diçka e tillë do të ndodhte, por fakti është fakt. Në vitet ‘90 nuk plotësoheshin më planet. Situata arriti deri aty, saqë nuk kishte më bukë në treg, gjë që do të thotë se shteti kishte marrë fund. Akoma më e rëndë u bë ajo situatë për ekipin drejtues të shtetit, ku veç krizës që po kalonte vendi po i bëhej kudo edhe bllokadë ekonomike. E keqja e atij ekipi qëndronte se ishte një ekip konservator, që u ndenji strikt ligjeve dhe dogmave të trashëguara dhe nuk ishte në gjendje të përpunonte legjislacionin në përputhje me kushtet e reja politike dhe ekonomike që kishin ardhur. Atëherë u bënë disa tratativa, për t’i marrë ushqimet me kredi, por edhe ajo nuk u bë e mundur, pasi firmat private nuk t’i plotësonin kërkesat me financim të vonuar. Kushdo të kërkonte lekët në dorë”.
neser do te lexoni
Vazhdon dialogu i Ramiz Alisë me byroistët e mbledhur në 9 janar 1991. Cili është reagimi, kur mësojnë se situata e popullit po del nga influenca e tyre
Çfarë deklaroi Llambi Gegprifti, Adil Çarçani, Hekuran Isai etj. Kundërveprimi që u bën Ramiz Alia, i cili kërkon të koncentrojnë një përgjigje për PD
Aludimet absurde të byroistëve për t’u përballur me punëtorët grevistë në ndërmarrje të ndryshme. Mendimet e Pali Miskës, i cili shpresonte se mund të ulte minatorët e Valiasit
Kërkesat e tyre për të mbrojtur figurën e Enver Hoxhës, siç ishte ajo e LLambi Gegpriftit, i cili kërkonte të zbatohej ligji kur Azem Hjdari thërriste “Poshtë Enver Hoxha!”
<< Home