e diel, janar 08, 2006

Ja ç’na punoi Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive në Kremlin




Dikë e kishin ekzekutuar, dikë e kishin vrarë në fshehtësi. Ata organizuan një sistem të tillë: në qoftë se dikush ishte dënuar, dhe këtë e piketonin Hoxha, Shehu dhe Balluku, atëhere ata të tre i jepnin dënimin.Mjaftonte që ata të tre të binin në një mendje, që ky apo ai njeri ishte i dëmshëm dhe ata gjenin mënyrën për ta likuiduar fshehurazi. Dhe ky njeri zhdukej shumë shpejt. E gjitha kjo ishte shumë e ngjashme me sistemin që përdorte Stalini. Edhe ai kështu vepronte përmes Beria’s dhe personave të tjetrë të tillë. Në këtë mënyrë edhe Stalini likuidoi mjaft njerëz të devotshëm. Ja, pra, se çfarë gjendje u krijua në Shqipëri. Ajo u kthye në sëmundje ndaj demokracisë së vendit, ndaj jetës shoqërore dhe partiake. Këtë rrugë unë e konsideroja të pashmangshme. Pikërisht nga kjo ndodhi prishja. Po si ndodhi kjo prishje sipas etapave? Para së gjithash, ne morëm vesh se shqiptarët po zhvillonin me kinezët bisedime që drejtoheshin kundër Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe partive të tjera motra. Më përpara ne s’kishim fakte të tjera. Në atë kohë, përmes Bashkimit Sovjetik erdhi nga Kina një delegacion shqiptar. Në Komitetin tonë Qendror erdhi një shqiptare, (Liri Belishova), një nga njerëzit më të ndershëm. Mendoj, se tani ja kanë marrë frymën, të mjerës. Gestapoja nuk e vrau, ndërsa “vëllezrit e saj” e morën vesh këtë veprim të saj dhe e likuiduan për atë që, ajo si një komuniste e sinqertë erdhi tek ne në Komitetin Qendror dhe na tregoi se çfarë biseduan kinezët me shqiptarët dhe se shqiptarët ranë dakod me kinezët. Ne, nga naiviteti ynë, sapo u njoftuam për këtë, vrapuam tek Shehu i cili në atë kohë ishte tek ne në spital, duke i treguar gjithshka e duke e pyetur se si mund të ndodhte kjo që në Kinë është zhvilluar një bisedim i tillë? Shehu veçse u çua nga krevati dhe menjëherë fluturoi për në Shqipëri. Prishja përfundimtare u konturua, kur në Bukuresht u zhvillua kongresi i radhës i Partisë Komuniste të Rumanisë. Ne vendosëm të mblidheshim atje për të këmbyer mendime për problemet ndërkombëtare, duke përfshirë këtu problemet e marrëdhënieve midis partive komuniste dhe, më konkretisht, ato që ishin midis partive të tjera komuniste dhe Partisë Komuniste të Kinës. Unë po flas këtu jo vetëm për Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partinë Komuniste të Kinës. Jo, ky problem u përkiste edhe partive të tjera motra. Kur u mblodhëm ne, krejt papritur për mua shqiptarët dolën hapur kundër nesh dhe në përkrahje të Kinës. Nuk më kujtohet tani mbiemri i përfaqësuesit të Partisë së Punës të Shqipërisë në kongresin e Bukureshtit. Por unë e pyeta: -“ Si është puna?” Ai m’u përgjigj: -“ Shoku Hrushov, nuk po kuptoj asgjë. Por kam marrë direktivën të mbështet kinezët “. Ne menduam, se ende nuk kishte mbaruar gjithshka dhe deshëm të bënim gjithshka, për të rivendosur marrëdhëniet miqësore me shqiptarët. Mirëpo, me gjithë përpjekjet tona, nuk arritëm gjë. Ndërsa, kur më 1960 u mblodhën në Kremlin në Konferencën ndërkombëtare të partive komuniste dhe partive të tjera motra, Hoxha mbajti një fjalim antisovjetik dhe akuzues. Ai ngërdheshi dhëmbët më keq se kinezët. Atëhere shumë më mirë diskutoi Dolores Ibaurruri, një nga revolucionaret më të vjetra, njeri besnik i lëvizjes komuniste. Ajo tha: -“ Si është kështu kjo punë? Fjalimi i Hoxhës është si punë e qenit, të cilit i japin bukën dhe ai i hidhet e kafshon dorën e atij që ia dha”. Kjo u tha shumë saktë. Kështu që konflikti me Shqipërinë u thellua për probleme tepër parimore. Liderët shqiptarë me metodat e tyre të vrasjeve të fshehta dhe të hapura, krijuan një parti e cila qëndronte e bashkuar vetëm nga frika. Ata s’mundën të pranonin vendimet e Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Prandaj në luftën kundër Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik ata, ashtu si dhe kinezët, nxorrën si mburojë emrin e Stalinit. – Stalini – ja ideali! Stalini – ky është marksist – leninist, të gjithë të tjerët janë revizionistë. Domethënë, revizionist është ai që del kundër vrasjeve të fshehta dhe të hapura, ai që është për demokratizimin e jetës së partisë dhe të vendit. Liderëve shqiptarë iu duk se nuk ishin në rrugë të drejtë me njerëz të tillë. Kjo, sigurisht, ishte një tragjedi e vërtetë për popullin shqiptar. Askush, asnjë njeri me logjikë të shëndoshë s’mund ta merrte me ment se një udhëheqje e tillë mund të gëzonte besimin dhe respektin e popullit të vet, të partisë së vet. Ata ishin të detyruar të duronin. S’ke nga t’ja mbash! Kështu u gjendëm edhe ne në kohën e Stalinit. Stalini çfaroste kuadrot drejtuese të partisë, gjë që na kushtoi mijëra koka njerëzish të ndershëm, ndërsa të gjithë thërrisnim:” Rroftë Stalini! Stalini – miku më i mirë i popullit. Stalini – babai i popullit!” Me sa duket, Hoxhën nuk e quajnë kështu. Ai është ende i ri në moshë, por këtë gjë e dëshiron. Sipas konceptit të tij, kjo mund të arrihej vetëm duke e mbajtur partinë dhe popullin në frikë, duke e nënshtruar atë me anën e kërcënimit dhe të dhunës. Të njëjtën politikë ndjek edhe Mao. Sa herë të hapësh radion, të njëjtën gjë do të dëgjosh. Ju flet Kina ju flet dhe Tirana. Gjuhët janë të ndryshme, por esenca është e njëjtë. Liderët e tyre udhëhiqen nga koncepti se populli është pleh, ndërsa udhëheqësit janë gjeni. Prandaj tek ata nuk janë udhëheqësit për popullin, përkundrazi, populli është për udhëheqësit. Kur jam takuar me Maon dhe kam biseduar në kohën e marrdhënieve tona më të mira, në shumë probleme s’munda dot ta kuptoja. Atëhere pozicionin e tij e përqasa me disa veçori të të menduarit kinez, me disa veçori historike të kombit kinez. Njëherë gjykimet e tij më dukeshin tepër të thjeshta, ndërsa herën tjetër më dukeshin tepër të ndërlikuara. I përmenda atij parrullën “Le të lulëzojnë njëqind lule”. Kjo do të thoshte që të zhvilloheshin të gjitha rrymat e kulturës. Tani kjo është e qartë për çdo njeri, se ishte provokacion. Kjo parrullë u hodh me qëllim që njerëzit të shpreheshin hapur dhe më pas të qëroheshin hesapet me ato “lule” që nuk ishin të përshtatshme nga aroma dhe nga ngjyra (fryti) . Ose parrulla tjetër, e cila gjithashtu u hodh nga Mao dhe u përvetësua nga Hoxha:” Të mos trembemi nga imperializmi, imperializmi është një tigër prej letre”, domethënë tigër, që nuk është i rrezikshëm. Për ne kjo ishte e pakuptueshme. Kjo parrullë ishte hedhur qysh atëhere kur ekzistonin marrëdhënie të mira. Ne në atë kohë s’mundëm ta përbuznim atë parrullë, duhej të mos e përfillnim, sepse atë e kishte hedhur miku ynë Mao, udhëheqësi i popullit kinez. Me parrullën “tigër prej letre” u mbajtën për një kohë të gjatë, ndërsa tani, sepse kanë heshtur dhe nuk po e përsëritin. Nuk e di, e kanë hequr apo pasi ja kanë pirë lëngun, kanë hedhur parrulla të tjera. Kjo është e pabesueshme: Imperializmi amerikan – tigër prej letre? Por tigri është një grabitqar tepër i rrezikshëm, ndërsa SHBA – nuk është copë letër. Kur tashmë kisha dalë në pensoin, dëgjova një herë në radio një intervistë, të cilën Çen J ja kishte dhënë një shkrimtari amerikan. Ai i bëri pyetjen e drejtpërdrejtë: - Duke u bazuar në thëniet e Maos, SHBA mendon se ju doni të ndizni luftën. A është e vërtetë? Çen J u përgjigj: - Jo, ne nuk duam luftë dhe do të luftojmë vetëm në rast të një sulmi të drejtuar në teritorin e Republikës Popullore të Kinës. Kjo atëhere më la mua thjesht një ndjenjë të keqe. Kjo ishte një thirrje e hapur për imperializmin amerikan mbi sulmin ndaj Vietnamit të Veriut. Kështu dhe ndodhi: Amerikanët e kuptuan drejt Maon dhe ndezën luftën me Vietnamin e Veriut. Kina nuk u përzie në këtë luftë, ushtarët e saj nuk e mbrojtën Vietnamin. Ndonëse “tigër prej letre”, ata e dinin se ky tigër mund të të mbërthejë për gryke. Kjo deklaratë e tillë provokuese u dha zemër agresorëve amerikanë, duke i shtyrë në sulmin e drejtpërdrejtë ndaj Vietnamit të Veriut. Një pozicioni të tillë i përmbahej edhe Hoxha. Në të vërtetë, çfarë të thuash tjetër për Shqipërinë? Kur sot thua- Shqipëria, kurrsesi s’mund të mos flasish për Kinën. Politika e Shqipërisë është pasqyrim i politikës që zhvillon Kina në Perëndim. Ose marrim një parrullë tjetër të Maos: - “Era nga Lindja do të fitojë mbi erën nga perëndimi”. Në plan të parë duket si një koncept i ngushtë klimaterik apo gjeografik. Por me Kinën ai i trembte të gjithë: Erërat e lindjes mund të fryjnë me një forcë të madhe. Po tregoj edhe një episod të konfliktit tonë me shqipërinë. Siç e kam përmendur, ne i dhamë Shqipërisë 12 nëndetëse. Kur marrëdhëniet u acaruan, vendosëm t’i kthenim në vend të gjitha nëndetëset dhe paisjet, që u kishim dhënë. Shqiptarët kundërshtuan. Në tri nëndetëse komandat ishin plotësisht shqiptare, në një ose në dy – të përziera. Ne mundëm të nxjerrim nëntë, ose tetë nëndetëse, ndërsa tri apo katër ngelën në Shqipëri, s’mundëm dot t’i nxjerrim. Ne madje prisnim edhe akte provokuese, agresive nga ana e shqiptarëve dhe kur nxorëm nëndetëset, nuk më kujtohet sa, ato dukeshin nga larg brigjeve të shqipërisë, të gatshme për ndonjë rast të tillë. Poqese autoritetet shqiptare do të përpiqeshin t’i mbanin me forcë, atëhere ato do t’i trembnin shqiptarët. Kjo, në të vërtetë, shënoi prishjen përfundimtare me Shqipërinë. Nuk e di, fituan gjë nga kjo shqiptarët? Mendoj, se humbën . Ne ndërpremë ndihmën, ndërpremë gjithshka. Mua nuk më është bërë e njohur se çfarë vështirësish u krijuan atëhere në Shqipëri, por qarkullonin tek ne fjalë se këtë ndihmë e kishin marrë mbi vete kinezët. Dhe më pas ata i dhanë ndihmë, por nuk e di, në ato përmasa që i dhamë ne apo jo. Mendoj, vështirë në përmasat tona, sepse në vetë Kinën u krijuan atëhere kushte tepër të vështira. Eshtë e vërtetë, që pesha specifike e kërkesave të shqiptarëve, në krahasim me atë të kinezëve, ishte shumë e vogël, kështu që ata mund të bënin diçka. Tani unë s’jam në gjendje të përcaktoj as me përafërsi sasinë e ndihmës, sepse ambasada jonë në Shqipëri ishte e izoluar dhe shqiptarët i ndërprenë vizitat tek ne. Njerëzit që kishin dëshirë ata i likuidonin. Ne humbëm mundësinë për të marrë ndonjë informacion. Po si do të ecte më tej? Mendoj se duhen bërë të gjitha përpjekjet, që konflikti në të cilin ndodhen tani Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe partitë e tjera komuniste me atë Kineze, të ngushtohet e të shuhet. Duhet arritur një situatë e tillë që lëvizja komuniste të bëhet njësh dhe monolite. Ky duhet të jetë qëllimi kryesor. Duhet të bëhet gjithshka për atë, që marrdhëniet tona të zbuten dhe më pas të kthehn në miqësore. Kjo do të jetë në interes të popujve të Bashkimit Sovjetik, në interes të të gjithë popujve paqedashës, në interes të popullit kinez, në interes të luftës për paqe, për bashkëekzistencë paqësore. Liderët kinezë e kanë kritikuar shumë herë Bashkimin Sovjetik, Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik për parrullën e bashkëekzistencës paqësore. Por kinezët është e pamundur t’i kuptosh gjithnjë. Atyre s’ja u gjen dot mendjen. Heraherës ata janë për bashkëekzistencë paqësore e heraherës janë kundër. Hëpërhë Shqipëria është lidhur pas bishtit të kinës.

Nikita Sergejeviç Hrushov Kujtime

Fragmente të zgjedhuraMoskë1997