e shtunë, janar 07, 2006

Alia para Byrosë në janar ‘91: PD-ja na bëri ultimatum për zgjedhjet




Fatos Veliu
“Zoti Alia, ne si Parti Demokratike e porsakrijuar, ju kërkojmë në mënyrë ultimatuese shtyrjen e zgjedhjeve të përgji-thshme parlamentare, në të kundërt do të mundësojmë dështimin e tyre.
Ne në këto zgjedhje kemi vendosur të hyjmë si të barabartë me ju të Partisë së Punës dhe për këtë duam të paktën tre muaj afat për të marrë masa organizative. Në qoftë se ju nuk lëshoni pe, atëherë ne do t’i bëjmë thirrje popullit për t’i bojkotuar ato”.Eshtë ky një pjesë e dialogut të bërë mes liderit të viteve të fundit të Shqipërisë komuniste, Ramiz Alisë dhe përfaqësuesve të partisë së parë opozitare të porsakrijuar, e cila ishte mundësuar vetëm pas 50-vjetësh sundimi komunist. Gjithçka rreth asaj që ka ndodhur plot 15 vjet më parë, pikërisht më 8 janar të vitit 1991, mund të duket si një dialog i zakonshëm, por e vërteta është krejt ndryshe. Byroja Politike e Partisë së Punës, e cila kishte sunduar me dorë të hekurt mbi jetën dhe veprimtarinë e vendit (si organi suprem që drejton shtetin komunist) bazuar mbi parimin se, në drejtim ishte vetëm Partia, në vitin 1991 po kalonte momentet më dramatike. Traumatizimi nga ajo që po ndodhte i atyre njerëzve që quheshin byroistë, të cilët ishin mësuar me brohoritma histerike të popullit, duke u valëvitur portretet në çdo ballkon, sallë, bulevard e kudo, kishte arritur ekstremet. Askush deri në atë moment nuk e kishte menduar se do të vinte një ditë dhe nga radhët e masës së thjeshtë të popullit, të cilin e kishin trajtuar si një turmë amorfe, do të dilte një përfaqësi, e cila në emrin e një partie të porsakrijuar do t’u vinte kushte dhe dhe t’u jepte ultimatume atyre që quheshin “byroistë”. Dhe ja, tashmë kur bashkëpunëtori më i afërt i Enver Hoxhës, Ramiz Alia, i cili kishte vetëm 5 vjet që drejtonte shtetin, pas vdekjes së paraardhësit të tij po përballej me urdhra të tilla për të shtyrë zgjedhjet apo për të realizuar këtë apo atë kusht ndaj atyre që kërkonin t’i zinin vendin. Bisedën historike që ai bëri me opozitën e parë do ta transmetonte para Byrosë Politike hollësisht që të nesërmen, më 9 janar (1991). Para asaj byroje, që deri në ato momente nuk dinte se çfarë do të thoshte “ultimatum” dhe “kusht”, ndërsa do t’i tregonte se çfarë i kishin kërkuar opozitarët në takimin dy orësh, Alia do të kërkonte se çfarë qëndrimi do të mbante përballë opozitës. Si do të vepronin përballë armiqve të tyre, siç i konsideronin në atë kohë anëtarët e Partisë Demokratike.Gjithçka që ai bisedoi më 9-10 janar me Byronë Politike (të cilën e mblodhi posaçërisht me urgjencën më të madhe) në atë kohë është zbardhur nën sekretin më të madh dhe është ruajtur nën masa të rrepta sigurie, aq sa asnjëherë dhe askush nuk mësoi dot asnjë fjalë. Çfarë u bë në atë 9 janar brenda sallës misterioze të selisë së KQ të PPSH-së? Cila ishte situata që u përcolli Ramiz Alia vartësve të vet? Kush ishte mendimi i tij dhe çfarë u kërkonte atyre? Cili ka qenë reagimi i menjëhershëm i byroistëve, kur mësuan për ultimatumet e PD-së. Dialogët që ata bënë me Alinë. Kush ishte mendimi dhe kërkesat e Pali Miskës, Adil Çarçanit, Hekuran Isait, Xhelil Gjonit etj.? Situata ekstreme e krijuar brenda asaj salle misterioze, kur të gjithë ata,. Të cilët deri në ato çaste quheshin kolegë, filluan të akuzonin njëri-tjetrin në mënyrë vulgare, duke arritur deri te privilegjet e padrejta që kishin siguruar familjet e tyre. Gjithçka bëhet e mundur vetëm sot, kur kanë kaluar plot 15 vjet nga ai takim. Procesverbali origjinal i plotë, që deri tani është ruajtur nën siglën “Top-Sekret” është siguruar nga redaksia e gazetës “Panorama” dhe po shikon për herë të parë dritën e botimit, pa asnjë ndryshim.
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE
KOMITETI QENDROR
Sektori i Përgjithshëm
PROCESVERBAL I MBLEDHJES SE BYROSE POLITIKE TE KOMITETIT QENDROR TE PARTISE 9-10 janar 1991Byroja politike e KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë, në mbledhjen e datës 9-10.1.1991, diskutoi lidhur me propozimet që janë bërë për shtyrjen e zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin Popullor.Mbledhjen e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH.Marrin pjesë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike të KQ të PPSH, shokët: Adil Çarçani, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Pali Miska, Xhelil Gjoni, Kiço Mustaqi, Llambi Gegprifti, Niko Gjyzari si dhe sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, shokët: Abdyl Backa dhe Spiro Dede.Mungojnë me arsye shokët: Vangjel Çërrava dhe Xhemal Dymylja.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
SHOKU RAMIZ ALIA: Ju thirra të bisedojmë për gjendjen e krijuar në prag të zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin Popullor.Me kërkesën e tyre dje takova përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët përsëritën dhe një herë kërkesat e tyre.E para, për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve, sepse ky ligj, sipas tyre, doli para se të krijoheshin subjektet e reja politike dhe e ndan Partinë e Punës efektivisht në pesë pjesë, duke i dhënë mundësi asaj që të paraqitet me pesë kandidatë.E dyta, për shtyrjen e zgjedhjeve tre muaj, pasi janë të papërgatitur, nuk janë në kushte të barabarta me Partinë e Punës dhe me subjektet e tjera elektorale nga pikëpamja materiale dhe e mundësive efektive të propagandës.* * *Para se të hyj në thelbin e problemit, u thashë se dua një përgjigje të saktë nga ju. Primare keni çështjen e demokratizimit të vendit, interesat e atdheut, përparimin dhe zhvillimin e mbarë të tij apo marrjen e pushtetit? Natyrisht, ata u përgjigjën se kanë për qëllim demokratizimin, shtetin ligjor, të shëndoshin gjendjen ekonomike, politike e të tjera, por kuptohet që kjo është e lidhur edhe me çështjen e pushtetit.* * *Në qoftë se udhëhiqeni nga interesat e atdheut, të zhvillimit ekonomik e politik dhe stabilitetit të vendit e të tjera, u thashë, unë po ju them që gjendja aktualisht është jashtëzakonisht e rëndë, në një krizë ekonomike dhe politike, në një situatë që vendi mund të destabilizohet nga çdo pikëpamje dhe çdo veprim i gabuar yni mund të ketë konsekuenca katastrofike. Gjendja ekonomike, siç e shihni, është shumë e keqe, por edhe gjendja politike nuk është shumë e mirë, njerëzit nuk punojnë, por po rrinë rrugëve, nëpër mbledhje nëpër mitingje, po merren me muhabete. Ndërkohë ata ndërhynë dhe thanë që të tëra mitingjet e Partisë së Punës janë bërë brenda orarit zyrtar. Domethënë u kemi dhënë ne argumente atyre.* * *Në vazhdim iu thashë që “zgjedhjet duhet të bëhen sa më shpejt, në mënyrë që të krijohet një stabilitet politik në vend, gjë që do të inkurajojë dhe marrëdhëniet me botën e jashtme e do të krijohen premisa për t’u marrë seriozisht me çështjet e ekonomisë dhe të zhvillimit të vendit. Ky është qëndrimi që duhet të mbajë çdo patriot, çdo njeri i ndershëm i këtij vendi. Ju thoni se keni për qëllim mbarëvajtjen e vendit, atëherë nuk ka pse të mos jeni të një mendje për këtë çështje”.* * *Teza e tyre ishte që “nuk bëhemi dot gati, as kandidatët nuk i gjejmë dot deri në kohën që ka mbetur për zgjedhjet. Po dhe sikur të bëhen këto zgjedhje në kohën e caktuar”, thanë,”për mendimin tonë situata do të jetë po aq e rëndë sa është sot, sepse në opinionin publik ndërkombëtar nuk fitojmë gjë, zgjedhjet do të konsiderohen unilaterale, për arsye se bëhen nga Partia me të gjitha levat e veta. Pra, nuk do të kenë pamjen e një pluralizmi të vërtetë. Për rrjedhojë, gjendja politike do të mbetet e njëjtë. Po dhe gjendja ekonomike nuk besojmë se do të pësojë ndonjë ndryshim të madh, duke marrë parasysh se imazhin në sytë e botës Shqipëria nuk e përmirëson”.* * *Më një fjalë, ata ngulin këmbë që zgjedhjet duhet të shtyhen, të bëhen në kushte më të favorshme më demokratike e të tjera. Fundi i fundit, thanë, “tre muaj kohë po kërkojmë”. Në këto tre muaj nuk ka për të ndodhur ndonjë gjë, përkundrazi duhet t’i bashkojmë të tëra forcat, që të shkojmë përpara e të tjera.* * *Gjatë takimit prej rreth dy orësh me ta, përveç kësaj çështjeje ata shtruan dhe disa ankesa; Se janë ta kufizuar në veprimtarinë e tyre; Se nuk i ndihmon kush, përkundrazi u nxjerrin pengesa policia dhe Komitetet e Partisë në rrethe; Se nuk kanë mjete materiale e të tjera. Këtu unë ndërhyra e u thashë që “të futeshin në ato çështje, se nuk ishte ky objekti i takimit tonë”.“Duke parë argumentin që jepja unë, në qoftë se nuk ka mundësi të shtyhen zgjedhjet tre muaj”, thanë, “atëherë shtyrja të bëhet dy muaj. Ne lëshuam, kurse ju nuk po lëshoni asgjë”, thanë. “Këtu nuk është puna të lëshoni ju apo të lëshoj unë”, u thashë, “po problemi është te situata e vendit, që duhet të na preokupojë të tërëve. Për mua nuk ka rëndësi se sa vende do të fitojë kjo parti apo ky grup elektoral në zgjedhje, por që të formohet Kuvendi i ri Popullor, i cili duhet të aprovojë Kushtetutën, duke i hapur rrugë shtetit ligjor e të tjera. Dhe ju nuk duhet t’i jepni rëndësi të madhe kësaj, u thashë, se në vend të 50 vendeve që ka parashikuar Sali Berisha, mund të fitoni 40 apo 60 vende”. U hodh e tha ai “që nuk kam bërë asnjë parashikim”. “Nga Zëri i Amerikës e kam dëgjuar”, i thashë, “po të jetë nevoja ta dërgoj që ta dëgjosh dhe ti”. * * *“Në qoftë se ju”, u thashë, “keni hallin e pushtetit, ju japim dhe një alternativë tjetër: më 1992, sipas ligjit duhet të bëhen zgjedhjet për pushtetin lokal, i cili është determinant, se paralizon tërë vendin. Po të doni, ato mund t’i afrojmë, t’i bëjmë nga fundi i vitit 1991 dhe po të fitoni atje, i paralizoni organet qendrore për njëherësh. Pra e keni dhe këtë mundësi, ashtu siç ka dhe një mundësi tjetër, që pas zgjedhjeve do të formohet qeveria, organizmat e ndryshme e të tjera dhe po të jeni të dispozuar dhe ju, pavarësisht nëse merrni apo nuk merrni pjesë në zgjedhje, fitoni apo nuk fitoni shumë vende, me mirëkuptim mund të shikohet çështja që dhe ju të keni rolin në interesat e mëdha të atdheut. Mua kjo më preokupon”, u thashë, “asnjë çështje tjetër nuk shtroj si primare”.* * *Pasi panë që unë ngula këmbë në pikëpamjen që thashë se zgjedhjet duhen bërë sa më parë dhe në kohën që janë caktuar, ata pohuan se, “në kushtet që janë nuk do të marrin pjesë, se do t’i bojkotojnë zgjedhjet, do të bëjnë thirrje që njerëzit të mos marrin pjesë në to dhe se do të vazhdojnë ta kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve deri në ditën e fundit”. * * *“Eshtë e drejta juaj”,u thashë, “që të mos merrni pjesë në zgjedhje, ashtu siç mund të bëni dhe thirrje që populli të mos shkojë në votime, por në qoftë se ju do të vazhdoni në këtë rrugë, kjo do të thotë që ju kërkoni të pengoni zhvillimin e zgjedhjeve, duke rënë kështu në kundërshtim me ligjin, i cili është i rreptë ndaj atyre që pengojnë zhvillimin normal të zgjedhjeve”. Ndërkohë reaguan menjëherë, duke thënë që “këtë nuk e bëjmë për të penguar, por duam t’i themi popullit arsyet pse ne nuk marrim pjesë në zgjedhje”. Eshtë tjetër problem u thashë që t’i thoni popullit se “nuk marrin pjesë në zgjedhje për këto dhe ato arsye”, por të pengoni zhvillimin e zgjedhjeve me veprime të atilla që çojnë në destabilizim të situatës kjo është e kundërligjshme dhe e rrezikshme. Ju tashmë jeni një udhëheqje kombëtare ndaj duhet të keni një vizion më të plotë mbi situatat dhe të shikoni që në vend ka gjithfarë faktorësh të interesuar për destabilizim. Ne jemi për atë që vendi të stabilizohet thanë u kemi bërë thirrje punëtorëve që të punojnë të mos largohen nga puna e të tjera...

PrecedentiKushtetuta komuniste kishte rrënuar ekonominë
Ish-kryetari i komisionit të Planit të Shtetit, Niko Gjyzari, në periudhën e fundit të shtetit komunist, në lidhje me ekonominë shqiptare të atyre viteve, deklaron: “Atëherë ekonomia jonë, jo vetëm që ishte e centralizuar, por ecte mbi disa traversa të pandryshueshme, të cilat ishin miratuar me Kushtetutë. Kështu p.sh., në çdo kërkesë apo tendencë që bëhej për importin e një malli apo kompleks mallrash duhej të kishe parasysh eksportin, pasi këto duhej të ishin në ballancën e raportit të drejtë. Nuk mund të bëje importin pa pasur nivelin e duhur të eksportit. Tjetër problem do të thosha unë, që mbrohej me Kushtetutë, ishte se nuk lejohej në asnjë mënyrë të merrej kredi apo hua nga jashtë. Gjithçka zgjidhej me të ardhurat që siguronte buxheti i shtetit.Gjithashtu, një nga kërkesat ligjore në zhvillimin ekonomik të vendit ishte se, duhej gjithmonë të ballancoheshin shpenzimet me të ardhurat. Këtu bëhej fjalë që duhej të harxhohej aq sa prodhohej dhe jo të dilje me dificit, madje kishe mundësi të harxhoje më pak për të krijuar fondin rezervë për nevojat e një situate të paparashikuar dhe tepër emergjente”.

Niko Gjyzari: Në vitet ‘90 ekonomia e shtetit komunist ishte katastrofë
Rezervat shtetërore të periudhës komuniste, të cilat ishin siguruar ndër vite me kursime të sforcuara, duke ia hequr tregut të konsumatorit të thjeshtë ishin: grurë, mish, konserva, sheqer, oriz, makarona, vaj … etj. Sasia e tyre ishte e parashikuar: gjithçka do të përdorej në mënyrë të tillë, aq sa populli mund të jetonte një vit normalisht, pa punuar fare. Ato rezerva mbaheshin, jo vetëm në depot e rezervave, por edhe në magazinat e posaçme të ndërmarrjeve e ndryshme ku prodhoheshin. Gjithçka që mbahej në këto magazina llogariteshin për interesat e rezervave të shtetit. Pastaj këto freskoheshin çdo vit. Prodhimet e reja kalonin në depot e rezervave dhe ato të depove kalonin në treg. Kështu që, sigurohej freskia dhe cilësia përdoruese e tyre. Nga deklarata e ish-kryetarit të komisionit të Planit të Shtetit të periudhës komuniste, Niko Gjuzari, mësohet se, në kohën e vdekjes së Enver Hoxhës, pra në vitin 1985, shteti trashëgoi një rezervë me tregues të kënaqshëm. Ajo përdorej për raste tepër të veçanta në situata të jashtëzakonshme, ku populli nuk kishte asnjë mundësi tjetër. Kjo përdorej me vendim të posaçëm të udhëheqjes së lartë. Por, Gjyzari deklaron: “Këto rezerva, që kur shkova unë në krye të komisionit të Planit të Shtetit në vitin 1985, pra menjëherë pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe deri në vitin 1990, filluan gradualisht të pakësohen nga viti në vit. Kjo ndodhte sepse pas vdekjes së Enverit nuk bëheshin planet, kështu që nuk kishte ngelur asnjë rrugë tjetër për të plotësuar tregun e popullit me asortimentet e domosdoshme. Pastaj u prenë dhe shumë ndihma ekonomike, që kompensonim kërkesat e domosdoshme të tregut. Mirëpo, pasojat pas mosrealizimeve të vazhdueshme arritën në pika tepër kritike, duke bërë që të ndodhte ajo që nuk ishte menduar asnjëherë. Kështu, në vitin 1990 ishin konsumuar plotësisht të gjitha rezervat e shtetit. Jo vetëm kaq, por pas kësaj u arrit të përdorej dhe thesari i shtetit”.

neser do te lexoni
Cilat ishin aludimet e Ramiz Alisë, kur Partia Demokratike do të bojkotonte zgjedhjet. Frika e tyre për situatën që opozitarët kishin në dorë, aq sa mund të shkaktonin greva edhe në qytetet më të mëdha
Prezantimi që Ramiz Alia po u bënte byroistëve për grevat dhe demonstratat në Tiranë, tëcilat mund të merrnin përmasa të mëdha, aq sa mund të arrinin para zyrave të tyre. Shembujt e tij në lidhje me ato që kishte konstatuar në vendet ish-komuniste
Ndërhyrjet e bëra në diskutimin e Alisë nga Xhelil Gjoni, Pali Miska, Spiro Dede, Besnik Bekteshi etj. Çfarë këshillonin ata në lidhje me situatën e krijuar dhe përgjigjet që duhej t’i jepnin opozitës