e hënë, dhjetor 26, 2005

Enver Hoxha: Thanas Nano nuk i kupton shijet e rinisë për këngë moderne



Enver Hoxha: Thanas Nano nuk i kupton shijet e rinisë për këngë moderne


Fatos Veliu
Zbardhet pas 35 vjetësh procesverbali origjinal i bisedës së famshme të Enver Hoxhës me kreun e rinisë shqiptare, i mbajtur në 28 prill të vitit 1971. Ishte pikërisht ajo bisedë, që i dha një hov akoma më të madh liberalizmit të nisur pas një fjalimi, që Hoxha kishte mbajtur para rinisë së shkollave të mesme, një vit më parë, më 13 maj, 1970.
Ai procesverbal i mbajtur në atë bisedë të bërë për më pak se një vit e gjysmë para se të zhvillohej Festivali i XI i Këngës në Radiotelevizion dhe i zbuluar vetëm pak ditë më parë në Arkivin Qendror të shtetit nga redaksia e gazetës “Panorama”, për herë të parë hedh dritë mbi të vërtetën e mendimeve dhe orientimeve të vetë Enver Hoxhës, i cili në njëfarë mënyre urdhëronte demokratizimin dhe liberalizimin e jetës së rinisë shqiptare, duke luftuar në mënyrë të vazhdueshme burokracinë që karakterizonte kuadrot e vjetër. Çuditërisht, për herë të parë konstatohet se, pikërisht për ato mendime dhe porosi, të cilat Enver Hoxha i shtron para Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Rinisë, ai ka akuzuar Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën jo më shumë se një vit e gjysmë më pas, kur u mbajt pikërisht plenumi i katërt i Partisë (1973). Në plenum, ai do t’i akuzonte kuadrot e artit dhe të kulturës për devijim të rrugës së partisë dhe për nxitje të frymës liberale. Më e çuditshmja është se, edhe vetë kreun e rinisë, të cilit nga sa shikohet edhe në këtë material të dokumentuar, i ka dhënë personalisht porositë për të intensifikuar luftën kundër konservatorizmit të vërejtur të kuadrot e partisë, më vonë e akuzoi se kishte devijuar me qëllim porositë dhe bisedën e tij. Me këto lloj akuzash, të cilat iu referuan plenumit të katërt, Enveri i degjeneroi për tri ditë me radhë kuadrot kryesorë Fadil Paçarmin, Todi Lubonjën dhe Agim Meron. Më pas, ai mori masa ndëshkuese për ta deri në shkarkime, burgosje dhe përçudnime. Ai plenum veproi dhe funksionoi sikur Enver Hoxha të mos kishte dhënë më parë asnjë orientim dhe asnjë detyrë për liberalizim, apo për të luftuar konservatorizmin, sikur ai të mos kishte folur as në 13 maj të 1970 dhe sikur të mos e kishte takuar fare Agim Meron më 28 prill të vitit 1971. Jo vetëm kaq, por zbulimi i veprimtarisë së këtyre kuadrove, e cila u konsiderua antiparti, u quajt si një fitore e jashtëzakonshme për partinë dhe popullin, për vetë faktin se kishte mundur të shpëtonte artet dhe letërsinë nga ata armiq të rrezikshëm. Vetëm sot, pas 35 vjetësh nëpërmjet dëshmisë së vetë Agim Meros, por kryesisht pas zbardhjes së procesverbalit të 28 prillit, i cili siç deklaron vetë Agim Mero, para se të punohej me kuadrot në bazë është deformuar dhe ripunuar disa herë, nën kujdesin e Nexhmije Hoxhës. Por, nga sa lexojmë në rreshtat e këtij procesverbali origjinal, mësohet se e vërteta e madhe mbi ato që ka urdhëruar vetë Enver Hoxha, me qëllim që të krijonte klimën e liberalizimit në Shqipëri, por që vetë Agim Mero e konsideron një dredhi të tij për të futur në grackë njerëzit që kishte vendosur të hiqte qafe. Nëpërmjet radhëve të tij saktësohet se, cilat kanë qenë kërkesat dhe informacioni që Agim Mero i ka dhënë Enver Hoxhës në atë takim. Cili ishte reagimi i këtij të fundit ndaj propozimeve të kreut të rinisë. Çfarë tha ai për Thanas Nanon, i cili në atë kohë ishte drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit, por që çuditërisht edhe pas plenumit të katërt kur do të goditej Lubonja, Nano pavarësisht se çfarë kishte shprehur Hoxha në atë bisedë, do të rikthehej sërish në krye të Radiotelevizionit si dorë e fortë. Gjithçka bëhet e mundur nëpërmjet botimit të detajeve më të spikatura të atij procesverbali të veçantë.SHOKU ENVER HOXHA: Sa komunistë ka zakonisht një organizatë bazë partie në një shkollë?SHOKU AGIM MERO: Në shumë raste katër-pesë komunistë. Përsa u përket problemeve që ngritët ju në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror për rininë, ne jemi shumë entuziastë, sepse ato janë me të vërtetë ashtu si i ngritët ju. Nga ana tjetër, pa bërë një kthesë të rëndësishme në metodën e punës sonë, neve na duhet të godasim me forcë në shumë probleme, zgjidhja e të cilave mendoj se nuk varet vetëm nga ne. Jeta e rinisë është e pashkëputur nga gjithë jeta jonë...Ne kemi diskutuar edhe problemin e aktiviteteve paralele që organizohen në qendrat e punës, si nga Organizata e Rinisë, ashtu edhe nga ajo e bashkimeve profesionale. Ne kemi shtruar detyrën që Organizata e Rinisë në qendrat e punës të merret me problemet kryesore, të thotë aty fjalën e saj, për të gjitha problemet që dalin. Kjo, mendojmë ne, është e drejtë, por si të merren organizatat e rinisë me këto probleme, kjo është një çështje që duhet parë më mirë nga ana jonë. Në një qendër pune, ne bëjmë pyetjen nëse duhet ta diskutojmë atje çështjen e cilësisë së prodhimit? Unë u thashë, duhet, por rinia të mos e diskutojë këtë problem, ashtu siç diskutohet në brigadë, apo në organizatën profesionale, sepse një gjë e tillë do të shkaktojë përplasje të panevojshme.Çështja e fundit që kisha për të ngritur para jush, shoku Enver, është ajo që ka, apo nuk ka predispozicion nga të gjithë për ta kuptuar rininë? Në përgjithësi them po, por jo gjithmonë. Nuk e kuptojnë të gjithë si duhet rininë. Ka shumë shfaqje konservatore, sidomos në shkolla. Atje, pa i marrë leje drejtorit, rinia nuk mund të bëjë as edhe një mbrëmje. Të rinjtë kanë dëshirë, bie fjala, të organizojnë mbrëmje dëfrimi, mirë po me zor sigurojnë orkestrën, sepse për këtë duhet të paguajnë një shumë lekësh. Magnetofona s’kanë, po as Radio Tirana nuk transmeton muzikë vallëzimi për rininë, të paktën një ose dy herë në javë. Kur fola një herë për këtë problem me drejtorin e Radios, shokun Thanas Nano, ai m’u përgjigj se rinia nuk pëlqen atë muzikë që vëmë ne. Sipas tij, kjo punë është e zorshme të bëhet? Pikëpamja e tij nuk më duket e drejtë, sepse mendoj se është diçka që mund të bëhet?SHOKU ENVER HOXHA: Me sa duket shoku Thanas nuk qenka në gjendje të kuptojë kërkesat e drejta të rinisë.SHOKU AGIM MERO: Ai ankohej, duke pretenduar që të rinjtë nuk e dëgjokan Radio Tiranën. Kur i pyeta studentët për këtë çështje, njëri prej tyre më tha me sinqeritet e pa ndrojtje se tri herë në javë dëgjonte Radio Romën, sepse ka programe të posaçme me muzikë për të rinjtë që nuk i ka Radio Tirana...Këto ishin disa çështje për të cilat kisha dëshirë t’ju vija në dijeni, shoku Enver.SHOKU ENVER HOXHA: Shumë mirë bëre që erdhe. Këto probleme që shtroni ju janë të rëndësishme dhe duhen zgjidhur drejt nga Partia dhe rinia së bashku. Unë jam dakord me të gjitha mendimet e tua, për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë rininë, se më duken të drejta. Ne duhet të përpiqemi të kapërcejmë një sërë vështirësish që paraqiten sot, dhe që do të paraqiten edhe nesër në punën tonë me rininë.Nuk është zhdukur akoma kudo konservatorizmi, përsa i përket edukimit të rinisë. Konsiderata e njerëzve në rrugën e Partisë nuk është forcuar akoma si duhet ndaj të rinjve dhe të rejave. Në disa drejtime, sidomos në kërkesat morale, ka shfaqje të konservatorizmit të theksuar. Kjo duket qartë në dyshimin e tepruar të disave tek të rinjtë e të rejat, ndërsa realisht është e shëndoshë. Këta njerëz konservatorë nuk e kuptojnë që pikëpamjet e tyre të sëmura për rininë i sjellin asaj një dëm të madh. Ka të tjerë, që nën maskën e ruajtjes së të rinjve, ose të rejave nga veset e këqija, përgjithësojnë ndonjë gabim që ka bërë ndonjëri dhe akuzojnë kështu padrejtësisht gjithë rininë tonë. Kjo është krejtësisht e gabuar dhe gjithashtu e dëmshme. Rinia jonë është e pastër. Vija e Partisë synon që të pastrohen nga rrënjët të gjitha veset e këqija, format e ndryshme të degjenerimit kapitalist e revizionist, mbeturinat borgjeze e mikroborgjeze që shfaqen aty-këtu si kudo edhe në punën dhe jetën e të rinjve. Njerëzit konservatorë, duke iu qepur pas rinisë kujtojnë se i “ruajnë” të rinjtë dhe të rejat që të mos bëjnë ndonjë veprim të papëlqyer, kur këta organizojnë mbrëmje dëfrimi etj., por gabojnë, pse gjatë mbrëmjeve, ose në çdo aktivitet tjetër, ata nuk kanë si bëjnë gjëra jo të hijshme...... Më kanë thënë se në Tiranë dhe në disa qytete të tjera ka filluar të duket fenomeni i të lypurit. Ky fenomen nuk ka bazë ekonomike tek ne, ku është siguruar për të gjithë e drejta e punës, por këta që lypin janë disa rrugaçë e parazitë, madje edhe djem të punëtorëve, që sillen rrugëve kur prindërit i kanë në punë. Përderisa prindërit marrin dy rroga, kjo do të thotë se për këta fëmijë nuk diskutohet çështja se nuk kanë të hanë, të vishen, etj., por veprojnë kështu, në kundërshtim me normat e moralit shoqëror, sepse janë lënë jashtë sferës së edukimit nga ana e familjes, e Organizatës së Pionierit, Organizatës së Rinisë. Shtëpitë e pionierëve nuk kanë vende ku mund të vënë të gjithë pionierët për t’u aktivizuar. A do ta lejojmë ne të përhapet fenomeni i të lypurit, që ka filluar të nxjerrë veshët, sa të bëhet një plagë shoqërore? Jo, prandaj krahas punës së madhe edukative dhe bindëse që do të bëjmë, të sigurojmë jo një, por 21 qoshe, ku të mblidhen të tillë fëmijë, që luajnë e bredhin rrugëve pa kontroll. Këto medoemos do të bëhen, se parandalimi i të tilla shfaqjeve është një çështje politike e Organizatës së Rinisë, e Frontit, e Gruas. Ky problem është një çështje e madhe shoqërore.Këtu në Tiranë, kam një vajzë xhaxhai, së cilës një ditë i shkova për vizitë. Ajo e ka apartamentin në katin e parë. Por çfarë të shikoje në atë ndërtesë? Në të gjithë apartamentet e katit të parë, dritaret i kishin të mbrojtura me hekura, që të mos u hyjnë hajdutët. Ata më treguan për disa raste të shëmtuara të vjedhjes së televizorëve dhe sendeve të tjera. Unë i kisha dëgjuar për disa gjëra, si për shembull, për disa djem në Tepelenë, që shkuan në një kooperativë bujqësore për të vjedhur delet, siç bënin disa njerëz para Çlirimit. Të tilla shfaqje të urryera, sado që disa keqbërës do të futen edhe në burg, vetëm me masa administrative nuk mund të luftohen, prandaj të përpiqemi para së gjithash, të edukojmë drejt masën e rinisë. S’ka dyshim se këto ngjarje vërtetohen nën ndikimin e shfaqjeve televizive të huaja. Kur më tregonin për gjëra të tilla, si për imitimin e të huajve në veshje etj., unë u thosha disa njerëzve: - Mos ekzagjeroni, - por tani dhe vetë shikoj shumë të rinj me leshra të gjata...SHOKU AGIM MERO: Disa nga botimet e së kaluarës janë bërë si libra të verdhë. Për shembull libri “Tre shokët”, që vetë e kemi botuar para disa vjetësh, tani nuk lejohet të qarkullojë, megjithatë fshehurazi lexohet, prandaj pavarësisht nga të metat që ka, duhet të diskutojmë për të. Në televizor është transmetuar nga Italia filmi “Lufta dhe Paqja”, të cilin e ndoqën me shumë interes shumë nga njerëzit tanë. Pati edhe disa intelektualë të papjekur që e vlerësuan shumë, por filmi ishte me karakter revizionist, nuk nxirrte karakterin popullor të luftës së 1812. Këtë aspekt filmi e injoronte, prandaj ne përgatitëm një artikull për gazetën tonë, mirëpo shokët e redaksisë nuk ishin dakord, duke menduar se do të dilte problemi se ku ishte parë ky film. Unë mendoj se nuk duhet të jemi kaq të ngurtë, pse romani është lexuar nga shumë njerëz, prandaj tek ne kanë dije mbi përmbajtjen e tij.SHOKU ENVER HOXHA:Në disa raste vërehet ngurtësi në trajtimin e problemeve dhe njëfarë dyshimi e frike për disa gjëra, për të cilat duhet të kihet më shumë besim e të mbahet më shumë përgjegjësi. Nuk është e drejtë të alarmohemi në mënyrë të tepruar dhe të përgjithësojmë pa vend disa shfaqje negative, që janë të rastit në jetën e rinisë sonë. Të metat t’i luftojmë me anë të një edukimi të shëndoshë të njerëzve, por ky edukim nuk mund të kryhet me sukses, nëse kërkesat e njerëzve për ngritjen ideologjike të tyre nuk i kuptojmë në lidhje të ngushtë me periudhën që jetojmë. Përgjithësimet që bëhen dhe konkluzionet që arrihen duhet të lidhen patjetër me aktualitetin dhe rezultatet të mos krahasohen vetëm me kohët e shkuara, me moralin e kaluar që konservatorët e quajnë gati moral komunist. Kështu nuk dilet në rrugë të drejtë. Derisa shtrohet me të madhe që gruaja të dalë në punë, në jetë e në shoqëri, derisa i thuhet vajzës ta zgjedhë vetë burrin dhe të luftojë kundër atyre që duan të të luftojnë, duhet njohur që në këtë proces ndryshimesh të gjërave pozitive që vërehen kudo, do të ngjasin aty-këtu edhe gabime, do të bëhen shkurorëzime, do të ndodhë edhe ndonjë fatkeqësi. Mund t’i thuhet vajzës të rrijë me shokët dhe të mos ndiejë asnjë simpati, ose dashuri për ndonjërin, të ndrydhë ndjenjat, duke i thënë indirekt se burrin do t’ia gjejë babai, ose nëna? Çdo prind duhet ta këshillojë vajzën, apo djalin që ta zgjedhë me dashuri, po edhe me logjikë shokun ose shoqen e jetës, që të jetë njeri i mirë, i ndershëm, patriot, të dojë popullin dhe partinë, etj. Në këtë rrugë duhet të ecim ne. Megjithatë, nuk do të thotë se në jetë s’mund të bëhen gabime, vetëm ne duhet të përpiqemi që gabimet të vërtetohen sa më pak dhe ato që ndodhin të riparohen në rrugën e drejtë të Partisë dhe jo sipas mendjes së mykur të disa konservatorëve.SHOKU AGIM MERO:Nuk kam gjë tjetër, shoku Enver, ju faleminderit shumë për bisedën dhe këshillat që më dhatë...

Laçianët i kërkuan Berishës kandidimin e tij Pas 18 vjetësh, Agim Mero u rikthye në Parlament
Emri i Agim Meros për njerëzit e Laçit, ku ishte dërguar për ndëshkim nga nomenklatura e lartë e Partisë së Punës, ishte kthyer në një figurë shumë të dashur. Punëtorët dhe të gjithë njerëzit, që në kohën që nuk ishte krijuar Partia Demokratike, u kishin bërë thirrje strukturave të partisë së kuqe, që ta rehabilitonin njeriun që kishin dërguar në Laç, pasi shumica e banorëve jepnin garanci absolute. Megjithatë, ata nuk reshtën t’i jepnin atij atë që kishte humbur, pra pushtetin. Për këtë gjë u shfrytëzua situata e dytë, që u krijua menjëherë pas zgjedhjeve të para parlamentare të vitit 1990, në të cilat ai ishte përjashtuar dhunshëm. Ajo situatë ishte pikërisht momenti kur në Shqipëri u krijua Partia Demokratike. Meqenëse, ish-Partia e Punës nuk kishte dashur ta rimerrte në gjirin e saj Agim Meron, në rastin e dytë, një përfaqësi e punëtorëve të ndërmarrjes së ndërtimit të Laçit, e cila përbëhej nga qindra njerëz, arritën në Tiranë, ku kanë kërkuar takim direkt me liderin e opozitës së parë shqiptare, Sali Berishën. “Në qoftë se doni mbështetje në qytetin e Laçit, dërgoni si kandidat për deputet Agim Meron dhe do të shikoni se nuk do të zhgënjeheni”, iu tha Berishës në atë takim. Pas kësaj, emri i tij nuk u diskutua fare, por në zgjedhjet e para pluraliste, pavarësisht se ishte nga Gjirokastra, ai u caktua si kandidat për deputet në zonën e Laçit. Dhe ndodhi ashtu siç pritej. Për atë kandidaturë votuan mbi 70 për qind e zgjedhësve të asaj zone. Kështu Agim Mero, kur u rikthye sërish në Tiranë, pas 18 vjetësh që ishte dërguar për ndëshkim në bazë, erdhi me imunitetin e deputetit. Jo vetëm kaq, por për të ishte rezervuar edhe një surprizë akoma më e papritur, pasi për të ishte planifikuar edhe posti i ministrit në qeverinë e parë pluraliste, të kryesuar nga Ylli Bufi.

neser do te lexoni
Vazhdon intervista e ish-kreut të rinisë shqiptare të kohës së liberalizimit, Agim Meros. Çfarë ndodhi pas takimit që ai bëri me Enver Hoxhën
Alarmi i Hysni Kapos për takimin, që Agim Mero kishte bërë me Enverin dhe urdhri që ai dha për ta thirrur atë me urgjencën më të madhe në zyrën e tij.
Cila ishte biseda e papritur që Hysniu bëri me Meron dhe porositë që ai i dha për të riprodhuar atë bisedë, para të gjithë aparatit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës.
Peripecitë e reja, që do të shoqëronin në ditët në vazhdim Agim Meron, pas bisedës që pati me Enver Hoxhën, si përfaqësues i rinisë. Thirrja që iu bë nga Nexhmija dhe urdhri i saj, që materialin ta ripunonte nga e para Hamit Beqa