e diel, dhjetor 18, 2005

Protesta e Ministrave te 1990




Protesta e Ministrave te 1990

Alfred Uçi tregon historinë e ministrave të ‘90 që kërkuan dorëheqjen

“Alia dërgoi njerëz natën në shtëpitë e ministrave që donin të largoheshin”


Fatos Veliu
Sa befasues aq edhe i çuditshëm fakti, i cili dëshmohet për herë të parë sot, nëpërmjet rrëfimit të akademikut të njohur dhe ish- ministrit të Kulturës së Shqipërisë së viteve ‘90, prof. Alfred Uçit.
Para se studentët të ngriheshin në protesta në dhjetorin e atij viti, në qeverinë e drejtuar nga Adil Çarçani kishin filluar problemet e brendshme dhe tepër serioze. Rrënimi katastrofik i ekonomisë së familjes shqiptare dhe të shtetit të atëhershëm bënë që një grup prej nëntë ministrash, ndërmjet të cilëve ishte edhe vetë prof. Uçi, të kërkonin ndryshim të metodave dhe parimeve të punës për të ndryshuar gjendjen e paprecedentë ekonomike. Gjithsesi, situatat brenda asaj qeverie, e cila prezantohej në popull me një unitet kompakt dhe duke propaganduar me ovacione fitore pas fitoresh, të cilat “arriheshin” në çdo javë e ditë madje edhe çdo orë, kishin degjeneruar deri në atë fazë, saqë ministrat e rinj të cilët kishin hyrë vitet e fundit në qeveri të kërkonin rrëzimin e saj. Kanë qenë plot nëntë ministra që kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme nga kabineti, teksa kishin marrë parasysh edhe pasojat se një veprim i tillë do të sillte rrëzim të menjëhershëm të qeverisë. E vërteta është se, pas një dorëheqjeje të mundshme të tyre sistemi vetë do të pësonte një katastrofë, pasi një veprim i tillë do të sillte pasoja jo të këndshme në popull, sepse shprehja, “rrëzim qeverie” ishte i panjohur për 50 vjet me radhë. Dhe një ngjarje e tillë ka ndodhur jo në fillim të dhjetorit apo më pas, kur lëvizja studentore kishte marrë “zjarr”, por pikërisht në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit, kur për një muaj do të fillonin shkëndijat e para të lëvizjes së madhe, që do të merrte emrin historik, lëvizja e dhjetorit. E vërteta është se nëntë ministra tentuan disa herë të detyronin Adil Çarçanin dhe Ramiz Alinë për të miratuar dorëheqjen e tyre, derisa erdhi momenti kur qeveria nuk përballej më vetëm me protestën e ministrave të saj, por edhe me atë të mijëra njerëzve të shpërndarë. Gjithsesi, pas këtij përshkallëzimi, pesë prej këtyre ministrave, kur panë insistimin e lidershipit për të mbajtur në këmbë më sforcim të pajustifikuar qeverinë e tyre, protestuan dhe u larguan nga qeveria duke lënë në sekretarinë e saj aktin e dorëheqjes. Në momentet e rrëzimit të qeverisë “Çarçani”, pikërisht në shkurt të vitit 1991, kohë kur u rrëzua edhe monumenti i Enver Hoxhës, kishte vetëm një muaj që kishin marrë postet pesë ministrat e rinj. Gjithçka rreth asaj ngjarjeje, në dukje disi paradoksale, që nuk është bërë e ditur asnjëherë këto 15 vite demokraci, e tregon me detaje vetë prof. Uçi, i cili ka qenë protagonisti kryesor i asaj revolte dhe që mori ndëshkimin më të rëndë nga kolegët e tjerë që kërkuan dorëheqjen. Si lindi protesta e ministrave? Pse ata kërkuan me ngulm nga Ramiz Alia dorëheqjen? Debatet e bëra mes tyre dhe Alisë, përsa i përkiste problemit të ekzistencës së qeverisë. Çfarë ndodhi gjatë natës, kur ministrat “plangprishës” shkuan në shtëpitë e tyre. Fillimi i protestave popullore dhe situata e krijuar në kombinatin Poligrafik, i cili varej nga Ministria e Kulturës. Çfarë bëri ministri Uçi, kur gjashtëqind punëtorë kërkuan prej tij zgjidhje të situatave. Përplasja e tij me kryeministrin, Adil Çarçani, për veprimet që po ndërmerrnin dhe akuzat e këtij të fundit ndaj ministrit të Kulturës, duke i thënë se nuk kishte besim te partia, gjë që do të thoshte se me këtë akuzë e priste një ndëshkim serioz etj. Profesor Uçi, deklaruat se në vitin 1990, pak kohë para se të fillonin protestat e studentëve, ju me disa ministra të asaj kohe keni kërkuar rrëzimin e qeverisë ku bënit pjesë. Si mund ta vërtetoni një deklarim të tillë?Para se t’ju shpjegoj se si kanë rrjedhur ato ngjarje dhe çfarë ndodhte brenda radhëve tona të kabinetit qeveritar, mund t’jua vërtetoj atë që deklarova, me faktin që nuk mund të mohohet se dorëheqjet ne i kemi kërkuar me shkrim, dhe pas kësaj jemi larguar nga qeveria. Kërkesën tonë të parë e bëmë në fillim të nëntorit 1990 dhe kur nuk na u miratua, atë e përsëritëm disa herë. Pas kësaj, kur shikonim hezitim nga lidershipi për të ruajtur të paprekur qeverinë, ne u detyruam të largoheshim demonstrativisht nga mbledhja e saj, duke lënë në sekretari vetëm deklaratat e dorëheqjes. Ky veprim ekstrem dhe demonstrativ ndodhi pikërisht në muajin janar të vitit në vazhdim, pra në 1991, kur u bë mbledhja e parë e qeverisë. Ku është një fakt i njohur, pasi ne jemi larguar nga qeveria “Çarçani” shumë më para se ajo, e detyruar nga protestat, të rrëzohej përfundimisht.Pas këtij veprimi, në shenjë hakmarrjeje, mua nuk më lanë të punoja në Akademinë e Shkencave, siç ishte ligji për punonjësit shkencorë, por më nxorën në pension me 40 mijë lek të vjetra. Faktikisht, unë kisha kërkuar të largohesha nga qeveria, por nuk kisha kërkuar të dilja në pension, pasi, sipas ligjit, akademikët nuk dilnin në pension. Një ndëshkim i tillë i menjëhershëm mua m’u bë për kundërvënie për atë akt që kryem. Madje, unë kam bërë edhe debat me Adil Çarçanin, kur më thirri dhe më tha me inat dhe ironi se, ma kishin plotësuar dëshirën dhe më kishin nxjerrë në pension. Por, kjo histori vjen më pas rrëfimit tonë.Mund të ma shpjegoni?Për arsyet që ju tregova më lart, të cilat i përsërita disa herë, ku në thelb të shkakut të protestës sonë ishte fakti se, ne arritëm të kuptonim se qeveria që përbënim ishte një qeveri e cila nuk kishte asnjë mundësi të përmirësonte kushtet ekonomike në të cilat ishte zhytur vendi, kërkuam të largohemi vetë prej saj. Kjo ndodhi edhe për një arsye madhore, e cila na revoltonte më shumë se çdo gjë tjetër. Ajo ishte mënyra se si vazhdonte të drejtonte udhëheqja më e lartë. Pavarësisht se ku po shkonte vendi, ata vazhdonin të synonin drejtimin me të njëjtat forma dhe metoda pa menduar asnjëherë për dorëheqje apo për zëvendësime. Vetëm në fund, kur u detyrua nga protestat e studentëve, Ramiz Alia arriti të pranojë para Byrosë së tij Politike se, midis tyre nuk ishte askush me gjuhë të huaj dhe se nuk kishin se kë të dërgonin në krye të një delegacioni parlamentar, pasi mungonin intelektualët. Por, kemi parasysh edhe tjetrën, kur kohë më parë ne kërkonim rrëzim të qeverisë, ai deklaronte se, dhe bar do të hamë dhe gjak do të derdhim dhe nuk do të lëshojmë pushtet. Të gjitha këto bënë që ne të shkojmë te Ramiz Alia dhe t’i thoshim se kërkonim largim nga qeveria. I mbani mend emrat e atyre ministrave?Pak a shumë po. Kam qenë unë, që isha ministër i Kulturës, Ylli Bufi, i cili ishte ministër i Industrisë së Lehtë, ministri i Ndërtimit, Ismail Ahmeti, ministri i Shëndetësisë, Ahmet Kamberi, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, ministri pa Portofol, Farudin Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Industrisë Mekanike, Pandi Carapuli, i cili ishte anëtar kabineti etj.Si ndodhi saktësisht?Ka qenë fillimi i nëntorit 1990. Datën nuk e mbaj mend. Kërkuam Ramiz Alinë dhe e takuam. I kemi thënë se kërkonim të largoheshim nga qeveria.Menjëherë pas kësaj kërkese, ai është vrenjtur dhe na është drejtuar me fjalët alarmante për të na detyruar të reflektonim, se një veprim i tillë çonte në rrëzim të qeverisë, gjë që deri në atë kohë fjala “rrëzim” as që mund të përdorej si shprehje. Ne, për t’i treguar atij se puna kishte ardhur në atë pikë që duhej të mendohej edhe rrëzimi i qeverisë i thamë: Le të rrëzohet, ka të tjerë që e bëjnë, ndoshta edhe më mirë! Si veproi Ramiz Alia pas kësaj?Siç të thashë, ai nuk e priste që nëntë ministra të kërkonin në një kohë dorëheqjen. Një veprim i tillë nga ana e jonë ishte i pakonceptueshëm prej tij për atë kohë. Gjithsesi, me sa kuptuam nuk kishte aspak dëshirë që në atë moment të na i plotësonte kërkesat për arsyen që tha, se një veprim i tillë, sipas tij ishte kapitullim. Duke pasur qëllim ruajtjen me çdo kusht të qeverisë, ai na kërkoi me insistim që të mos ndodhte një fenomen i tillë. Kush është biseda që bëtë me të në atë takim?Në emër të të gjithë kolegëve të mi ministra, si më i madh në moshë, kur ishim para Ramizit, çështjen e dorëheqjes ia shtrova unë. Ai, pasi dëgjoi me vëmendje deklaratën time, fillimisht ruajti disi atë qetësinë karakteristike, pastaj u irritua menjëherë dhe tha se, një veprim i tillë do të thoshte të rrëzohej qeveria. Këtë fakt ai e ngriti në mënyrë të tillë që ne të bllokoheshim për atë iniciativë që kishim marrë. Pas këtij konkluzioni të kreut të shtetit, me të njëjtën qetësi dhe vendosmëri unë ia ktheva se, e kishim menduar vetë edhe këtë përfundim të qeverisë pas largimit tonë, por gjithsesi ne ishim të vendosur për të përfunduar largimin tonë nga kabineti. Kur dëgjoi këtë përgjigje Ramizi më tha: “Po kush do ta bëjë detyrën e kryeministrit po ra qeveria?” Atëherë unë ia ktheva: “Ti mund ta bësh shumë mirë edhe atë detyrë. Ashtu siç kishin ardhur punët nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër”. “Pse çfarë do të bëhem unë, Bush?!”, vijoi ai në të tijën, ndërkohë që për të më treguar se nuk shkonte një pushtet i tillë në duar të një njeriu tundi karrigen në shenjë treguese. Unë nuk e zgjata më për të treguar se edhe në atë mënyrë si ishin strukturat, nuk kishin më pak pushtet, por që fjala ime ishte te funksionet e përkohshme që duhej të mbanin ata njerëz.Dhe çfarë ndodhi më tej?Ne u larguam, por në rrugë shumë sekrete dhe tepër konfidenciale kam mësuar se, gjatë asaj nate në dyert e shtëpive të disa prej atyre kolegëve që kishin qenë në zyrën e tij për të kërkuar dorëheqje, shkuan të dërguarit e Alisë për t’i bindur që të mos bënin veprimin e nisur, pasi një veprim i tillë ishte i dëmshëm për vendin.U pranua nga ata kjo kërkesë e Alisë?Deri diku edhe ka bërë efekt por unë nuk kam dëshirë dhe qëllim të përmend emra. Gjithsesi, pas disa ditësh ne insistuam sërish duke e përsëritur të njëjtën kërkesë edhe në prezencë të Adil Çarçanit. Edhe në atë rast kemi folur në të njëjtën mënyrë. Me të njëjtët tone dhe të njëjtën vendosmëri. Në atë debat ka hyrë fuqishëm jo vetëm Ramizi, por edhe Adili. Ai tepër i revoltuar për atë që i dëgjonin veshët m’u kthye mua se, me mendime të tilla nuk kisha besim te Partia. Kjo mënyrë ndërhyrjeje ishte për të më bërë presion se po bëja gabime politike, duke lënë të kuptoja se, një veprim i tillë do të më kushtonte. Megjithatë në ato momente ne kemi qenë shumë të vendosur dhe nuk pyesnim shumë. Kështu që, vijuan debatet për një kohë të gjatë. Me atë lloj deklarate duke e mbyllur se ishim në pritje të lirimit nga detyra, u larguam nga zyra. Ky është momenti që ju nxorën në pension?Pas asaj që ndodhi në zyrën e Ramizit, nuk vonoi shumë dhe protestat popullore morën përpjestime të paparashikuara. Ato arritën në një pikë që nuk diskutohej më kthimi mbrapa. Vetëm lidershipi i qeverisë nuk kishte sy për ta parë, apo nuk donte ta kuptonte atë realitet të cilin neve ministrat që kishim kërkuar dorëheqje kohë më parë, në një farë mënyre kishim dhënë sinjalin se situata në popull kishte arritur kufijtë e katastrofës. Gjithsesi, në këtë lloj tensioni po kalonin ditët e muajit dhjetor(1990) deri sa u lejua pluralizmi politik. Megjithatë, nga qeveria e jonë kishte tendenca për të mos lëshuar fill pavarësisht si erdhën situatat në fund kur nuk kishte më rrugëzgjidhje, pasi rrëzimi i monumentit të Enverit nuk la më vend për okazione të tjera veç rrëzimit të qeverisë. Por gjithsesi, shumë kohë më parë se ajo të rrëzohej, neve një grup ministrash që kërkuam largim prej sajë me qëllim që ajo të rrëzohej sa më shpejt në mënyrën më tendencioze na larguan përfundimisht jo vetëm nga qeveria por edhe nga puna në administratë. Ky ishte momenti që për hakmarrjeje për atë që bëmë na detyruan për të dalë në pension. Megjithatë për kohën që jam duke të folur, pra për momentet kur protestat po shpërthenin gjithandej dhe neve pavarësisht se kishim kërkuar largimin insistonin të na mbanin në qeveri, na ndodhën edhe vetë probleme në ndërmarrjet që mbulonin dikasteret tona...
Gjyshin e profesor Uçit e solli në Shqipëri Ismail Qemali
Gjyshi i Alfred Uçit quhej Kristo Shqiptari (Uçi) dhe ishte me origjinë nga fshati Oçisht i Devollit. Një pjesë të madhe të jetës ai e kaloi në Stamboll, ku kishte shkuar me të atin. I ati kishte një kafene të tijën në Stamboll, në të cilën mblidheshin për të pirë kafenë çdo ditë rilindasit e shquar të kombit, si: Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jani Vreto etj. Pas Lidhjes së Prizrenit, ndaj këtyre patriotëve filloi përndjekja otomane, kështu që ata u detyruan të ndërronin vendbanim. Në atë kohë babai i Kristos (pra gjyshi i prof. Uçit) së bashku me Jani Vreton u zhvendosën në Rumani. Aty, ai ndërtoi sërish një lokal të madh, ku e ndihmonte edhe i biri (Kristo). Në shtëpinë e tyre në Rumani, bëri konak Ismail Qemali, pikërisht në kohën kur ishte nisur për të ardhur në Shqipëri për të shpallur pavarësinë. Prej andej, Qemali u nis për në Austri, nga ku do të vazhdonte rrugën për në Shqipëri. Gjyshi i prof. Alfred Uçit, Kristo, më pas ka ardhur nga Rumania për të jetuar përfundimisht në Shqipëri. Kjo ndodhi pas një letre që i shkroi Ismail Qemali në vitin 1912, kur ishte kryeministër i vendit.Për këtë fakt mësojmë se, kur u krijua qeveria e parë shqiptare më 1912, kryeministri Ismail Qemali, ashtu siç veproi me disa patriotë shqiptarë që jetonin nëpër botë, të cilët kishin profesione të ndryshme, i bëri edhe një letër gjyshit të Kristo Shqiptarit (Oçishtit). Nëpërmjet asaj letre ai i shkruante Kristos që të kthehej në Shqipëri, pasi tashmë që ajo ishte vend i pavarur. Në qeverinë e ti ai kishte nevojë për profesionin e tyre. Në atë letër ai i kishte propozuar vendin e fotografit të qeverisë, që për atë kohë, ai ishte një pozicion tejet i veçantë. Pas kësaj oferte, Kristo filloi të “eliminojë” pasurinë e patundshme që kishte në Rumani. Ai arriti të shesë lokalin dhe të përfundojë të gjitha procedurat për t’u nisur më pas në Shqipëri. Por, sapo Kristo Shqiptari (Uçi) mbërriti në atdhe, qeveria e Qemalit u rrëzua. Pas kësaj ai filloi të punonte në bujqësi.