Ramiz Alia: S'do te lejojme krijimin e asnje partie tjeter ne Shqiperi
Levizja studentore
Reagimi i byrose
Zbardhen pamjet filmike të punimeve të Byrosë së ‘90
Ramiz Alia: S’do lejojmë krijimin e asnjë partie tjetër në Shqipëri
Fatos Veliu
Fillimi i vitit 1991 u shoqërua me grumbullime studentësh të Universitetit të Tiranës, i cili në atë kohë mbante emrin “Enver Hoxha”. “Duam drita dhe kushte më të mira për studim”, ishin kërkesat e tyre të para ato që grumbulluan rreth vetes jo me dhjetëra e dhjetëra, por qindra e qindra studentë.
E ndërsa grumbujt e tyre u bënë turma, filloi një organizim i përsosur, ku tashmë ata drejtoheshin nga një përfaqësi dhe kishin përpiluar në letër një platformë të qartë, por jo më vetëm me kërkesa ekonomike, por tashmë edhe politike. Në atë atmosferë ato kërkesa i shkuan në formë ultimatumi kreut të shtetit të asaj kohe, Ramiz Alisë. Ndërkaq masiviteti i organizuar i studentëve tashmë kundërshtonte hapur diktaturën e instaluar prej 50 vjetësh në Shqipëri. Ndërkohë kërkonin nga strukturat e vjetra të shtetit të dilnin mbi ideologjinë e tyre të vjetër dhe të pranonin pluripartizmin në Shqipëri, i cili deri atë ditë kishte qenë “Tabu” për të gjithë. Por çfarë ndodhte ndërkohë në zyrat e shtetit të kuq, që drejtohej nga Alia, në një kohë që mbi tavolinën e tyre ndodhej një promemorie në formë ultimatumi, i nënshkruar dhe i mbështetur jo më nga qindra, por nga mëse pesë mijë vetësh. Pikërisht në atë moment Ramiz Alia, menjëherë sa pa precipitimin e kësaj situate deri në atë shkallë, mblodhi në mënyrën më urgjente Byronë Politike të Komitetit Qendror të partisë që drejtonte, e cila njihej me emrin “Partia e Punës”. Në atë Byro, ai do të diskutonte për herë të parë, jashtë të gjitha kornizave dhe termave ideologjike e politikë me të cilët kishin folur deri atëherë. Ai do të shtronte për herë të parë se, sistemi, të cilin ata përfaqësonin kishte dështuar plotësisht dhe autoriteti i klasës së tyre politike kishte rënë shumë në popull. Por çfarë ndodhi me byroistët konservatorë dhe enveristë, të cilët pranonin t’u qëndronin strikt mësimeve të Enverit, pavarësisht se evoluonin kohët dhe situatat. Tensioni i Ramiz Alisë para atyre njerëzve, të cilët nuk arrinin ta kuptonin qëllimin me të cilin kishte ardhur në atë mbledhje, e cila i paraprinte asaj të plenumit, që do të mbahej vetëm për pak ditë pas asaj të Byrosë. Cilat ishin qëndrimet e byroistëve, kur Alia kërkoi reformimin me njerëz të rinj të krejt Partisë së tyre të Punës. Pse ata mundoheshin të mos “lëshonin” pe. Çudia e ndodhur në momentin, kur kërkuan të largonin studentët në shtëpi. Këmbëngulja e Alisë për të bindur kolegët e hierarkisë së lartë se, kohët kishin ndryshuar dhe duhej të ndryshonte edhe situata e partisë së tyre. Guximi i tij për të pranuar të vërteta të padiskutueshme, të cilat, sipas tij, kishin sjellë irritimin e popullit, etj. Gjithçka rreth asaj dite, e cila është regjistruar në historinë e shtetit komunist, si dita që u diskutua për herë të parë pas 50 vjetësh mbi ndryshimet që pritej të bëheshin në Partinë e Punës, bëhet e qartë për opinionin vetëm tani kur redaksia e gazetës “Panorama” bën të mundur zbardhjen e pamjeve filmike të cilat ndodhen në arkivin e ish-Partisë së Punës, brenda arsenalit të Arkivave të Shtetit. Për etikë dokumentacioni redaksia bën vetëm korrigjimet drejtshkrimore, ndërkohë që boton të detajuar gjithçka të filmuar nga kamerat në atë mbledhje të rëndësishme të Byrosë Politike. 16 Prill 1990
Ramiz Alia para plenumit të KQ të PPSh-sëRamiz Alia: Dy gjëra kurrë nuk do t’i pranojmë. E para çështjen e pluralizmit të partive, që do të thotë të lejojmë përveç partisë sonë, të ekzistojë një parti e Ballit Kombëtar, e Legalitetit apo çfarëdo emri të ketë. Këtë kurrën e kurrës, sepse kjo do të thoshte tradhti e Atdheut. Kjo do të thotë mbaroi pushteti popullor, mbaroi revolucioni... .. . . Çështjen e pronës private, për konsekuencë tregun e lirë të varur mbi pronësinë private, që po bëhet (Rrotullon dorën para fytyrës në formë rrethi) presion i madh në të katër anët. Sepse kjo do të thotë likuidim i socializmit. Hapja rrugë për bejlerët, për agallarët, për kapitalistët. Po të vijë puna deri këtu, ( bën pauzë të shkurtër për të treguar se mund të shtojë jashtë materialit të shkruar, ndërkohë që shton me ton më të ulët dhe disi konfidencial, “këtu jemi në Komitetin Qendror” pastaj vazhdon referimin e parapërgatitur), kini parasysh se edhe bar do hamë, edhe gjak do të derdhim. Kështu nuk shkon më dhe nuk mund të shkojë më tej, s’mund të shkojë asgjë.Viti 1991Mbledhja e Byrosë PolitikeRamiz Alia: Këtë mbledhje….(pauzë). Thashë të diskutonim pak para mbledhjes së plenumit të Komitetit Qendror, për këtë situatë që është krijuar. Eëëh…. (psherëtin i lodhur). Situata e krijuar është e rëndë, madje mund të them që është tepër e rëndë. Eëë…. I dini historitë, që u ngritën ata studentët. Shkaku ose sebepi, të themi, ishin të gjitha ato çështjet e gjendjes atje, por është e qartë që këtu nuk është ky si të thuash motivi. Ky është sebep, kupton…? Motivi është i lidhur. . .(pauzë), ngushtë, politik. Edhe në fakt dje në ato që kanë shkruar përfaqësia e studentëve që kërkojnë takim me mua, domethënë. . .(pauzë), po të shikosh kushtet e tyre, domethënë kushtet e tyre, janë politike.(Ndërkohë vendos syzet dhe vazhdon të shfletojë fletët e formatit që ka para duarve, të cilat fillon t’i lexojë). Kërkojmë fajtorët që kanë dhënë urdhër që të përdoret dhuna mbi studentët.. Kërkojmë që ata të gjykohen para Qytetit Studenti. Kërkojmë që të ngrihet një komision prej studentësh dhe mjekësh për verifikimin e studentëve të plagosur (Ngre kokën dhe thotë: “Kjo është kështu ordinere, si me thënë tashti vjen e bukura, pra ana politike, ndërkohë ul sërish sytë mbi letrat e shkruara ku lexon).. Kërkojmë pluralizëm politik si shkalla më e lartë e demokracisë së sotshme si pasojë.. Të lejohet krijimi i organizatës së pavarur demokratike të studentëve dhe intelektualëve të rinj, statuti i së cilës do të paraqitet për legalizim në Ministrinë e Drejtësisë.. Duam që kjo organizatë të ketë deputetët e vetë në Kuvendin Popullor.. Të botohen: Karta e OKB-së, Karta e Helsinkit Një dhe Dy, si dhe Karta e Parisit.. Kërkojmë liri të shtypit dhe të fjalës pa censurë.. Kërkojmë që të sqarohet opinioni publik mbi të vërtetën e lëvizjes studentore. Kërkojmë të gjenden rrugë dhe zgjidhje sa më efikase dhe më të shpejta për të dalë nga gjendja e krizës ekonomike në të cilën ndodhemi. Kërkojmë takim me presidentin Alia.(Pasi përfundon së lexuari kërkesat e studentëve, Alia palos sërish fletët që lexoi, ndërkohë që fillon të thotë)“Këto janë të gjitha kërkesat e tyre. Siç e shikoni janë të gjitha të karakterit politik. Por situata ka precipituar në kuptimin që. . . (fërkon sytë duke treguar lodhje), nuk janë vetëm studentët e universitetit, me ta bashkë po solidarizohet pothuajse gjithë rinia studentore në Tiranë. Edhe Instituti i Lartë Bujqësor, edhe Instituti i Fizkulturës edhe të gjitha. Bën hesap, sa edhe shkolla ushtarake që u tha se do të merreshin për të rregulluar. . ., për rendin si të thuash. . . Pati një kompani e tërë ( Nga salla: Një togë) Një togë e saj tha. . ., kupton që “ne jemi studentë dhe nuk vemi të luftojmë kundër tyre”. Thashë, ka një pakënaqësi e tërë, kupton ndaj organeve drejtuese. Të Partisë, të qeverisë, të shtetit në tërësi.Bën hesap, ata deri tani mbahen me mua si të thuash, në kuptimin që duan të dëgjojnë fjalën time, si të thuash, por vetë kjo që thonë, “Kërkojmë të takohemi me presidentin Alia fillon si të thuash, distanca. Një kjo. Kurse e dyta është kërkesa e tyre që unë të vete atje ku janë ata me mijëra veta, ajo si të thuash, është shqip për të më eliminuar apo diskretituar edhe mua. Pjesa e dytë është pjesa e egër. Pjesa e egër edhe kjo do llogaritur...
Alia në Kongresin e 10: Jemi vazhduesit e Enverit
Ramiz Alia: ( Mes duartrokitjesh të fuqishme, shoqëruar me thirrjet patetike “Parti-Enver jemi gati kurdoherë” që nga salla e Kongresit të 10 të PPSh-së). Për sa i përket vijës së përgjithshme, kongresin tonë të nëntë mund ta karakterizojmë si “Kongresin e Vazhdimësisë”. Ai shprehu qartë dhe dëshmoi fuqishëm se Partia jonë, mbarë populli ynë, do të ecin në atë rrugë që kanë ecur sot 45 vjet me shokun Enver Hoxha në krye.(Sërish duartrokitje të stuhishme nën thirrjet “Parti e Punës, Parti e Punës…”.“Sepse kjo do të thotë likuidim i socializmit. Hapja rrugë për bejlerët, për agallarët, për kapitalistët. Po të vijë puna deri këtu, ( bën pauzë të shkurtër për të treguar se mund të shtojë jashtë materialit të shkruar, ndërkohë që shton me ton më të ulët dhe disi konfidencial”.
neser do te lexoni
Vazhdon fjalimi i Ramiz Alisë para Byrosë Politike, në vitin 1991, kur në tavolinën e tij i kishte mbërritur ultimatumi për të krijuar Partinë Demokratike. Çfarë u sqaroi ai anëtarëve të Byrosë në lidhje me kërkesat e studentëve
Debati që bëri ai me byroistët për t’i bindur se nuk duhet të mendonin më si më parë. Fakti që u përmendi se, radhët e udhëheqjes ishin mbushur me injorantë, aq sa nuk mund të kryesonin dot asnjë delegacion
<< Home