Eduart Zaloshnja: Si e zgjodhem Berishen ne krye te levizjes studentore
Levizja studentore 90
Intervista
Protagonisti i lëvizjes së ‘90 tregon detajet e panjohura
Eduard Zaloshnja: Si e zgjodhëm Berishën në krye të Lëvizjes Studentore
Përballë Pashkos ai ishte më i përshtatshëm kundër diktaturës
Fatos Veliu
Fundi i vitit 1990 ishte ndoshta viti më i paparashikuar për historinë e periudhës komuniste të Shqipërisë. Papritur dhe pakujtuar, në Qytetin Studenti lindi një shkëndijë e një proteste spontane, e cila kishte si bazë kërkesat ekonomike.
Në një kohë rekord ajo protestë mori përmasa të paimagjinueshme, ndërkohë që kërkesave ekonomike iu bashkangjitën ato politike, për të cilat kishte aq shumë nevojë ky popull. Kaq duhej që lëvizja të merrte karakter të organizuar, aq sa përgatiti një ultimatum të qartë për autoritetet dhe strukturat më të larta të shtetit komunist. Ajo vetë filloi të ecte mbi një platformë të studiuar, duke u drejtuar nga një ekip i posaçëm intelektualësh. Pas kësaj, Shqipëria mori “flakë”. Zemrat e njerëzve që kërkonin ndryshim shpërthyen si “vullkan”, duke mos u trembur përballë asnjë kërcënimi të diktaturës dhe as kundër gjakderdhjeve të provokuara. Kështu, udhëheqja e shtetit të atëhershëm u urdhërua të rrëzonte qeverinë e vet dhe të lejonte pluralizmin politik. Dr. Eduard Zaloshnja, një ndër intelektualët e njohur të vendit, që ka qenë dëshmitar dhe protagonist i të gjitha ngjarjeve të ndodhura në Shqipëri në atë periudhë, tregon për gazetën “Panorama” të gjitha ngjarjet e atyre ditëve. Si u ndodh ai mes studentëve kur nisën protestat politike? Njohja me liderët e asaj kohe, Berishën, Imamin, Hajdarin, Pashkon etj. Si u krijua komisioni Nismëtar dhe pse u vendos që në krye të tij të vihej Azem Hajdari. Pse Edi Rama nuk u caktua në komisionin Nismëtar dhe përplasja e tij me Berishën ditën e parë të ardhjes pranë grupit iniciator të krijimit të partisë etj. Si një ndër pedagogët që iu bashkuat Lëvizjes Studentore të dhjetorit ‘90, ç’mund të na thoni për shkaqet e fillimit të kësaj lëvizjeje dhe platformën e saj?Lëvizja Studentore ishte një lëvizje spontane, që filloi me kërkesën për drita e ujë dhe që eventualisht arriti deri në kërkesën për krijimin e një partie opozitare. Dhe e gjitha kjo ndodhi në harkun e katër ditëve. Duke mos qenë fryt i një disidence të organizuar, siç ishte disidenca çeke, p.sh., nuk mund të pritej që kjo lëvizje të kishte një platformë të qartë për të ardhmen. Mos të harrojmë se vetëm një pakicë fare e vogël shqiptarësh në atë kohë kishin mundësinë të lexonin çka duhej për të krijuar një vizion të plotë rreth sistemit demokratik perëndimor. Ndjekja e lajmeve të RAI-it ishte atëherë për shumë nga ne e vetmja dritare nga mund të shihej se si funksiononte bota demokratike. Dhe ajo dritare padyshim që nuk ishte e mjaftueshme për të krijuar një vizion të plotë. Cilët ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore ju kanë lënë më shumë mbresë? Ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore, dy më të mëdhenjtë në moshë më kanë lënë mbresë të veçantë: Azem Hajdari, ndjesë pastë, dhe Shinasi Rama. I pari dallohej për një trimëri që Zoti e rezervon vetëm për heronjtë dhe i dyti dallohej për një nivel të lartë intelektual. Shinasiu po mbaronte fakultetin e dytë dhe përkthente nga disa gjuhë të huaja në atë kohë. A kishte kontradikta midis tyre? Kontradikta kryesore midis tyre ishte rreth Berishës dhe disa intelektualëve të tjerë, që nuk iu bashkuan lëvizjes studentore që në fillim. Ndërkohë që Azemi e pranoi menjëherë futjen e Berishës dhe intelektualeve të tjerë në drejtimin e partisë që lindi nga Lëvizja Studentore, Shinasiu ishte i mendimit që të përfshiheshin në drejtimin e saj vetëm ata pedagogë që iu bashkuan studentëve para takimit me Ramiz Alinë në 11 dhjetor. Ishte pikërisht këmbëngulja e Shinasiut shkaku që, në komisionin Nismëtar të partisë që u krijua nga ajo lëvizje, të futeshin gjashtë studentë e jo vetëm dy. Eventualisht, Shinasiu e humbi duelin me Azemin dhe pas një përplasjeje shumë të ashpër me Berishën në komisionin Nismëtar u largua nga partia. Me largimin e Shinasiut, dalëngadalë, Lëvizja Studentore u njehsua me partinë që lindi prej saj. Po ju, kur iu bashkuat Lëvizjes Studentore, para apo pas takimit të studentëve me Ramiz Alinë? Më datë 11 dhjetor 1990, studentët e Universitetit Bujqësor shpallën publikisht një peticion të ngjashëm me atë që shokët e tyre të Universitetit të Tiranës kishin shpallur një ditë më parë. Unë mbajta lidhje gjatë asaj dite me dy nga udhëheqësit studentorë, të cilët ishin studentë të mi. Ndërsa në mbrëmje shkova në Qytetin Studenti, ku ishin mbledhur me dhjetëra e mijëra tiranas. Atje takova Gramoz Pashkon dhe Elsa Ballaurin, të cilët i kisha njohur më parë. Bashkë me ta ishte edhe Sali Berisha e Besnik Mustafaj, të cilët i shihja për herë të parë. Disa minuta pasi u takova me ta, u morr vesh lajmi se Ramiz Alia kishte vendosur të lejonte krijimin e një partie opozitare. Në atë moment, filluam të përqafojmë njëri-tjetrin si të marrë, ndërkohë që turma gjigande e mbledhur në shesh brohoriste “Fitore!”. Nga ai moment, praktikisht, unë u bëra pjesë e grupit drejtues të Lëvizjes Studentore. Ç’mund të na thoni ndonjë gjë për Berishën e asaj nate? Që tek godina 15, në mënyrë të vetvetishme, Berisha mori rolin e drejtuesit që përcaktonte se, kush duhej të bënte çfarë. P.sh., mua më tha të bashkëpunoja për programin e bujqësisë me pedagogët e Universitetit Bujqësor, Rexhep Uka e Besnik Gjonkecaj (Gjonkecaj iu shmang bashkëpunimit); Pashkos i tha të përgatiste programin ekonomik etj. Në sytë e tij atë natë mund të dallohej qartë një ndriçim jo tokësor, ai dukej si një njeri të cilit, sapo i kishte caktuar Zoti një mision special. Fillimisht PD-ja u drejtua nga një komision Nismëtar. Si u përzgjodh ky komision ndër mijëra vetë që morën pjesë në Lëvizjen Studentore? Pas mitingut të 12 dhjetorit, ku u lexua programi i partisë, u grumbulluan në Pallatin Studenti të gjithë ata që kishin marrë pjesë në hartimin e programit, drejtuesit studentorë, si dhe intelektualë e punëtorë nga Tirana. Gjithsej bëheshim rreth 200 vetë. Në atë mbledhje, u vendos krijimi i komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike, si dhe departamentet e specializuara të saj. Në komisionin Nismëtar u zgjodhën 6 studentë, 4 pedagogë, 4 intelektualë, dhe 4 përfaqësues të ndërmarrjeve të Tiranës. Kryetar i komisionit Nismëtar u zgjodh Azemi. (Një anëtare e Komisionit Nismëtar më ka treguar më vonë se, Berisha i kishte thënë privatisht atë natë që Azemi do të ishte kryetar vetëm përkohësisht. Dhe kjo ishte hera e parë që ajo e takonte Berishën…)Kemi dëgjuar se Edi Rama ka marrë pjesë në atë mbledhje. Si shpjegohet që ai nuk u zgjodh në komisionin Nismëtar apo në ndonjë nga departamentet e specializuara?Në fakt, Edi Rama mbërriti në mbledhje nga fundi i saj, kur zgjedhjet kishin përfunduar. Ai kishte qenë në Korfuz ato ditë për një ekspozitë personale. Sipas atyre që tha kur u fut në sallë, sapo kishte dëgjuar lajmin rreth lejimit të pluralizmit në Shqipëri, e kishte mbajtur frymën nga Korfuzi, në Igumenicë, në Kakavijë, e drejt e tek Qyteti Studenti. Që në kontaktin e parë me grupin e sapoformuar drejtues të PD-së, Rama e sfidoi Berishën, duke e kritikuar ashpër për falënderimet publike që i kishte drejtuar Ramiz Alisë, si dhe për thirrjet “Rroftë presidenti Alia!” në mitingun e parë të PD-së. Pas një shkëmbimi të tensionuar batutash midis Berishës e Ramës, u desh ndërhyrja brutale e Pashkos që Rama të ndërpriste debatin dhe të linte sallën i revoltuar. Pak vite më vonë, duke rikujtuar atë incident, Berisha do të shprehej në konfidencë se, “përzënia e Edi Ramës kishte qenë e vetmja e mirë që PD-ja kishte pasur nga Pashko”. Ndërsa muaj më vonë, Rama do të shprehej në një rreth miqsh se, “po të kishte qenë në Shqipëri natën e 8 dhjetorit 1990, padyshim që do të ishte vënë në krye të revoltës studentore që në fillim të saj, e ndryshe nga Azem Hajdari, i cili e mirëpriti bashkëpunimin me Berishën në 11 dhjetor, do ta kishte përzënë doktorin me motivacionin se dy net më parë ishte paraqitur tek studentët si emisar i Ramiz Alisë”. Eshtë i njohur rivaliteti midis Berishës dhe Pashkos në fillimet e PD-së. A qëndronin prapa tyre grupime të formësuara qartë apo ishte thjesht një rivalitet personal? Grupi i intelektualeve që u vu në krye të PD-së ishte një amalgamë njerëzish që i bashkonte dëshira për t’i dhënë fund regjimit komunist e për ta orientuar Shqipërinë drejt perëndimit. Ndër ta, vetëm Berisha dhe Pashko ishin intelektualët që ishin shprehur publikisht për ndryshimin e regjimit para dhjetorit ’90. Kështu që, ishte e natyrshme që ata të pozicionoheshin që në fillim si udhëheqës kryesorë të partisë që po lindte. Dhe jo rastësisht, këta dy personazhe politikë, ishin përfaqësuesit më tipikë dhe më të spikatur të dy kategorive dominuese të intelektualëve që përbënin në fillim grupin drejtues të PD-së: a-intelektualët e ardhur nga rrethet që kishin milituar me devocion në PPSH dhe që ishin shpërblyer për këtë gjë me poste të mira në kryeqytet; b-intelektualët që ishin lindur e rritur në Tiranë dhe që e kishin prejardhjen nga familje me peshë në strukturën shtetërore komuniste. Këta të dytët, ndryshe nga të parët, kishin mbështetur PPSH-në jo me ndonjë devocion të madh; ishin ekspozuar që herët ndaj ideve perëndimore; dhe ishin të bindur me kohë se sistemi totalitar duhej zëvendësuar me një sistem demokratik. Ndërkohë që, këta intelektuale ishin më pak të influencuar nga kultura klanore se ata që kishin ardhur nga rrethet, prapë nuk mund t’i shmangeshin origjinës së tyre nga nomenklatura komuniste. Ta do mendja se ata kishin pasur rastin të dëgjonin prindërit duke biseduar për favore që do t’ia kërkonin ose që ua kishin bërë miqve apo kushërinjve të tyre, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare. Si arriti Berisha të vihet në krye të PD-së? Rreth dy muaj pas themelimit të PD-së, kur ish-të burgosurve politikë filloi t’u dilte frika, rreth grupit të Berishës u bashkuan edhe intelektualë që e kishin kaluar jetën burgjeve e internimeve. Më i spikaturi ndër ta ishte Mandela shqiptar, Pjetër Arbnori. Një ndër faktorët që çoi në gravitimin e kësaj kategorie intelektualësh drejt Berishës ishte padyshim qenia e Pashkos, biri i një ish-udhëheqësi të lartë komunist. Një arsye tjetër ishte se, ata shihnin tek Berisha një udhëheqës më të ashpër e më të vendosur për të mundur totalisht PPSH-në. Afrimi i kësaj kategorie intelektualësh rreth Berishës e anoi drejt tij balancën në duelin midis grupit të Berishës e Pashkos. Dhe në zgjedhjet e para partiake që u bënë në shkurt 1991, Berisha, me vetëm një votë diferencë, fitoi. Ç’mund të na thoni për grevën e urisë në shkurt të ‘91-shit, e cila detyroi heqjen e emrit “Enver Hoxha” nga universiteti?Greva e shkurtit 1991 e pati zanafillën e vet në Universitetin Bujqësor. Një mëngjes të ftohtë të atij shkurti, kur arrita atje, pashë se studentët kishin dalë në grevë për të protestuar ndaj kushteve të këqija në konvikte. Pasi u konsultova me udhëheqësit e grevës, i bëra thirrje studenteve që të kërkonin dorëheqjen e Adil Çarçanit, me arsyetimin se, qeveria e tij ishte e paaftë të kujdesej jo vetëm për hallet e studenteve, por edhe të të gjithë popullit shqiptar. Ndërkohë, mora në telefon selinë e PD-së. Telefonatës iu përgjigj Arben Imami. Pasi i tregova se ç’po ndodhte, ai më tha se do të vinte menjëherë me Azemin dhe me studentë të tjerë nga Universiteti i Tiranës. Kur ata erdhën, turma studentore mori zjarr. Dhe pas fjalimeve që mbajtën Azemi dhe Imami, i sugjeruam udhëheqësve studentorë që greva të përkrahej edhe nga Universiteti i Tiranës. Atë natë, kur e diskutuam në selinë e PD-së iniciativën tonë, Pashko doli kundër me arsyetimin se, rrëzimi i qeverisë do të na nxirrte ne si parti të humbur. Në vend të qeverisë “Çarçani”, arsyetoi Pashko, do të vihej një qeveri më e moderuar, e cila mund të ishte më e suksesshme për të gënjyer votuesit e lëkundur. Ndërsa Berisha arsyetoi se rrëzimi i qeverisë do të kishte vlera simbolike që i tejkalonin minuset që përmendte Pashko. Pas debateve të gjata u vendos që të mbështetej greva e studenteve, por jo në mënyrë të hapur, pasi ne kishim nënshkruar një marrëveshje me qeverinë për pezullimin e grevave dhe protestave deri në zgjedhje. Grevës së studentëve, e cila konsistonte fillimisht vetëm në mosvajtjen në mësim dhe në aktivitete satirike, ku shpotitej nomenklatura komuniste (ato aktivitete ishin pararendëset e protestave satirike të MJAFT-it të sotëm), iu shtua eventualisht edhe kërkesa e heqjes së emrit “Enver Hoxha” nga Universiteti i Tiranës. Ndërsa në ditët e fundit të saj, ajo u bë shumë më serioze - u kthye në një grevë urie. Ç’mbani mend nga dita kur u rrëzua busti i diktatorit; e kemi fjalën për 20 shkurtin e vitit 1991? Atë ditë kisha planifikuar të shkoja në Rrëshen për të inauguruar themelimin e PD-së në Mirditë. Rreth orës 14:00, u nisa për rrugë dhe, po të mos kisha dëgjuar brohoritma rreth e qark, ndoshta do ta kisha humbur rastin të përjetoja një nga gëzimet më të mëdha që kam ndjerë në jetë. Sapo dëgjova brohoritjet, i thashë shoferit të më çonte te sheshi Skënderbej dhe pastaj të shkonte të lajmëronte në telefon themeluesit e PD-së në Rrëshen për anulimin e mitingut atje. Kur arrita në shesh, busti i Enverit po tërhiqej zvarrë, ndërkohë që mijëra njerëz të ngazëllyer e ndiqnin nga pas. E ndoqa edhe unë deri te Qyteti Studenti, ndërkohë që vazhdimisht më dilte parasysh pamja e babait tim në shtratin e vdekjes; pak para se të kishte humbur vetëdijen në spital, ai e kishte drejtuar dorën nga portreti i Enverit, në një farë imitimi të zbehtë të shkrehjes së revolverit. Pasi arrita në Qytetin Studenti u takova me Blendi Gonxhen, i cili kishte qenë fytyra publike e grevës së urisë. Blendit i sugjerova të merrte Presidencën në telefon dhe t’i kërkonte Ramiz Alisë që brenda orës tetë të shpallej vendimi i heqjes së emrit të universitetit dhe rrëzimit të qeverisë sepse, përndryshe, turma e mbledhur në Qytetin Studenti do t’i drejtohej godinave qeveritare. Atij i pëlqeu sugjerimi im dhe të dy shkuam në një familje aty pranë, për të cilën na thanë se kishte telefon. Kërcënimit të Blendit, sekretari i Alisë iu përgjigj me përçmim. Por eventualisht, atë mbrëmje, emri i Enverit u hoq nga universiteti dhe qeveria dha dorëheqjen. Vonë, në darkën e 20 shkurtit, mbaj mend që Azemi, unë dhe Arben Imami u mblodhëm në shtëpinë e këtij të fundit për të festuar me ca gota raki rezultatin përfundimtar të asaj që kishim nisur të tre si pa dashje në një ditë të ftohtë të fillimit të shkurtit. Në jetën time nuk më ka shijuar kurrë ndonjëherë më shumë rakia.Në mbyllje, a mund të na tregoni pse u larguat nga PD-ja? Mbaj mend se kur propozova në Kuvendin e parë të PD-së që ajo, në vend të një kryetari të vetëm, të kishte një kryesi kolegjiale me rotacion 6- mujor. Berisha, i cili ishte ulur përkrah meje, u ngrit me vërtik dhe tha se, Kuvendi sapo kishte votuar për nenin e statutit që kishte të bënte me kryetarin. Unë iu kundërpergjigja me faktin se, drejtuesi i seancës (Arben Demeti) nuk kishte krijuar mundësinë për propozimin e amendamenteve. Pas insistimit tim, u lejova të propozoj zyrtarisht amendamentin rreth nenit. Dhe kur argumentova se, mjaft kishte vuajtur Shqiperia nga “prijësat legjendarë”, salla reagoi me indinjatë ndaj meje. Në atë moment, e ndjeva veten të huaj në partinë së cilës i kisha sugjeruar emrin dhe për të cilën kisha vite që ëndërroja të krijohej. Prej asaj dite, nuk kam qënë më anëtar i asnjë partie.
Kush është Eduard Zaloshnja
Eduard Zaloshnja lindi në Tiranë në vitin 1960. Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990 e gjeti pedagog në Fakultetin e Ekonomisë Agrare. Nën ndikimin e edukatës antikomuniste marrë në familje, iu bashkua në 11 dhjetor grupit të studenteve dhe intelektualëve që themeluan Partinë Demokratike. Në muajt e parë pas themelimit të PD-së, dr.Zaloshnja u mor me hartimin e programit ekonomik për bujqësinë, si dhe me sqarimin e tij publik në gazeta, televizion, radio, dhe nëpër qytete e fshatra të Shqipërisë. Në zgjedhjet e marsit ‘91, ishte kandidat për deputet në një zonë rurale. Por, rivalja e tij, e cila ishte kryetare e kooperativës së asaj zone, si shumë kolegë të saj, fitoi. Pas Kuvendit të parë të PD-së (Shtator ’91), dr.Zaloshnja u shkëput nga PD-ja dhe iu dedikua karrierës shkencore. Në janar 1992 shkoi në SHBA për të mbrojtur doktoraturën në ekonomi dhe, që prej asaj kohe ka jetuar në shtetin e Virxhinias. Aktualisht është kërkues shkencor në “Pacific Institute for Research and Evaluation”, ku merret me analizën ekonomike të aksidenteve në punë e trafik. Gjithashtu, ai shkruan rregullisht për faqen e komenteve të gazetës “Panorama”.
HistoriaSi vendosëm që partia e re të quhej Partia Demokratike
Pasi ishte kthyer grupi i studenteve dhe i pedagogëve nga takimi me Ramiz Alinë, në orët e vona të datës 11 dhjetor u dëgjua nga të gjithë të pranishmit në Qytetin Studenti incizimi i plotë i bisedës me presidentin. Kur mbaroi dëgjimi i bisedës me Alinë unë kapa flamurin që një student e mbante në dorë dhe thirra “Rroftë Partia Demokrate!” Në atë moment, Azemi ma mori flamurin nga dora dhe më tha se kishin dhënë fjalën që partia të quhej e studenteve dhe e intelektualeve të rinj. Pasi ora kishte kapërcyer 12-ën, pra, kur kishte filluar dita e re, shumica e atyre që ishin takuar me Alinë, si dhe Berisha, Pashko, Mustafaj, Ballauri e unë, u futëm në godinën 15. Gjëja e parë që diskutuam ishte se si do ta quanim partinë e re që Alia kishte lejuar të krijohej. Berisha, i cili e hapi këtë diskutim, tha se, emri që i ishte premtuar Alisë për partinë e re nuk e përfaqësonte masën e njerëzve të mbledhur në Qytetin Studenti dhe as shumë të tjerë që do t’i bashkoheshin eventualisht asaj. Unë, duke i qëndruar idesë time fillestare, sugjerova emrin Partia Demokrate. Por, Arben Imami më kundërshtoi me arsyetimin se një parti me të njëjtin emër ishte parti kryesore në SHBA. Në vend të emrit që unë sugjerova, Imami propozoi emrin Lidhja Demokratike. Por, Berisha e kundërshtoi këtë emër me argumentin se, mund të krijohej përshtypja në opinionin ndërkombëtar se partia jonë do të ishte një degë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atëherë unë iu ktheva përsëri sugjerimit tim, por me një ndryshim të vogël, Partia Demokratike. Ballauri me shaka tha: “Pash Zotin, mos na kujto Frontin Demokratik!” Ndërkohë që të tjerët po qeshnin, Berisha rrinte i menduar. Pas disa çastesh ai tha me seriozitet: “Partia Demokratike më duket emër i goditur. Do të ishte mirë që të mos ekzistonte Fronti Demokratik, sepse, në fakt, emri më përshtatshëm për partinë tonë do të ishte pikërisht Fronti Demokratik. Sidoqoftë, emri Partia Demokratike më duket se e përçon idenë se ajo do të jetë një parti e të gjithë atyre që duan një sistem demokratik në Shqipëri”. Fjalët e Berishës i vunë vulën diskutimit mbi emrin e partisë. Pas emrit të partisë, diskutuam për programin e shkurtër, të cilin kishim premtuar se do ta shpallnim brenda ditës në Qytetin Studenti. Rreth orës 02:00, kur në kalendar ishte shënuar data 12 dhjetor, vendosëm të uleshim diku e t’i hidhnim në letër ato që kishim diskutuar. Unë sugjerova të shkonim në shtëpinë time, pasi ato ditë nuk kisha njeri në shtëpi. Por, Berisha e kundërshtoi sugjerimin tim me arsyetimin se, duhej të ishim sa më pranë studentëve. Ai tha se, pavarësisht nga përgjuesit që mund të ishin vënë në shtëpinë e Pashkos, atje ishte vendi më i përshtatshëm për të punuar për programin. Por, meqë ishim të lodhur, u vendos që të mblidheshim në mëngjes, pas disa orëve pushim. Pas kësaj morëm rrugën për në shtëpi
<< Home