e diel, dhjetor 25, 2005

Agim Mero në ’71-shin: Shoku Enver, Partia po i zë frymën rinisë




Agim Mero në ’71-shin: Shoku Enver, Partia po i zë frymën rinisë


Fatos Veliu
Ka qenë një takim ndërmjet Enver Hoxhës me kreun e Rinisë shqiptare të viteve ‘70, Agim Meron, ajo që i dha një nxitje disi të dukshme liberalizimit të jetës në Shqipëri. Çuditërisht, ai takim, i kërkuar nga vetë Mero më 27 prill të vitit 1971 për t’u konsultuar me Hoxhën në lidhje me problemet që kishin dalë në zbatim të porosive që ai kishte dhënë për liberalizimin dhe luftën kundër konservatorizmit, u realizua urgjentisht.
Ishte data 28 prill kur ai, pas tetë vjetësh në krye të rinisë shqiptare, si sekretar i parë i Komitetit Qendror të saj, zhvillonte takimin e parë me kreun e shtetit, por që ai nuk do ta mendonte asnjëherë se ajo bisedë e nisur si e zakonshme do të luante një rol të tillë në atë periudhë, aq sa çuditërisht nga strukturat më të larta politike të shtetit do t’i bëhej një jehonë e jashtëzakonshme. Do të sistemohej, do të reduktohej dhe do të punohej në organizmat e Partisë nga qendra në bazë, derisa të arrihej në një program pune për të gjitha kolektivat e punës. Pikërisht në atë takim, Enver Hoxha i kishte vënë qëllim vetes t’i jepte edhe një shtytje iniciativave që kishte rekomanduar para rinisë shkollore një vit më parë, (më 13 maj 1970) si dhe një bisedë që kishte iniciuar me të njëjtën ide në një takim të sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë. Pas atij sulmi të kreut të shtetit drejt liberalizimit, jeta në vend, sidomos veprimtaria e rinisë, filloi të kishte tendenca drejt modernizimit dhe ambicieve bashkëkohore. Ato tendenca, të cilat u vunë re kryesisht në rininë kryeqytetase dhe asaj të qyteteve të mëdha, konstatoheshin në mënyrën e të sjellurit, të të veshurit e të kënduarit. Ajo frymëmarrje po përhapej edhe në krijimtarinë e shkruar dhe atë të programacioneve artistike. Por, pas kësaj, papritur e pakujtuar, pikërisht pak muaj pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion, Enver Hoxha shpërtheu në histerizëm. Partia kishte zbuluar se në Shqipëri po bëhej hataja. Ishin, të gjithë kuadrot drejtues të sektorëve më të rëndësishëm të artit, kulturës dhe propagandës, siç ishin Todi Lubonja, Fadil Paçrami etj., të cilët u shpallën njerëz heretikë të sistemit që u ndëshkuan. Jo vetëm kaq, por për heretizmin e tyre që kishin bërë në drejtim të devijimit të rrugës së Partisë, u sensibilizua i gjithë opinioni. Jashtë kësaj skeme ndëshkimi nuk mbeti as vetë ish-kreu i Rinisë, Agim Mero. Nga redaksia e gazetës “Panorama” mundësohet procesverbali sekret i mbajtur nga Haxhi Kroi, gjatë takimit të tij me Enver Hoxhën. Askush nuk e ka mësuar të vërtetën e asaj periudhe të liberalizimit. Askush nuk ka mësuar se kush ishin orientimet personale që Enver Hoxha bëri me Agim Meron, në 28 prill të vitit 1971, ku për të njëjtat orientime që ai kishte dhënë, dënoi kuadrot e kulturës edhe vetë Meron, duke e cilësuar si njeri që kishte deformuar me qëllim fjalimin e Enverit. Por, kush ishte e vërteta e asaj bisede dhe si u zhvillua ajo? Çfarë ndodhi pas mbarimit të takimit të Agim Meros me Enver Hoxhën. Peripecitë e procesverbalit, i cili para se të botohej nën kujdesin direkt të Nexhmije Hoxhës u tjetërsua dhe u rikuperua disa herë.Zoti Agim, si kishte mundësi që Enveri të thoshte se takimi me ty ishte nga më të vlefshmit, kur për tetë vjet me radhë sa ishit në krye të Rinisë, ju takoi vetëm një herë?Eshtë e vërtetë që kur e takoje të fliste për veprime të domosdoshme, që duhej të kiheshin parasysh, pavarësisht se vetë nuk i kishte aspak parasysh. Ashtu ndodhte edhe në atë rast që ai vetë pranonte se takimin me kreun e Rinisë e kishte të domosdoshëm, por që e vërteta është se ne më parë nuk kishim pasur asnjë takim të tillë. Megjithatë, unë e dëgjoja me shumë emocion, për faktin se nuk dija si do të dilja nga ajo bisedë. A do të më kujtoheshin mirë problemet dhe a do t’i argumentoja mirë ato, apo jo? Por, gjatë kësaj hyrjeje të Enver Hoxhës para se të fillonim të hynim në temë, ai sikur filloi të më çtensiononte. Pastaj vijuam biseda të ndryshme, ku me ndërhyrjet e mia dhe të atij, pothuaj m’i hoqi ato streset e fillimit. Gjatë bisedës më përsëriti disa herë shprehjen se, “Kush ka rininë me vete ka të ardhmen”, prandaj më porosiste që të shkoja përsëri. Por unë, jo që nuk do të shkoja, por do të kaloja gjithë ato peripeci për atë takim, madje, jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që do të ndiqnin udhëzimet që ai dha, pikërisht në atë takim procesverbalin e të cilit ju tashmë e keni siguruar dhe që do të bënit mirë ta botonit, qoftë edhe me shkurtime. Vetëm nëpërmjet botimit të procesverbalit origjinal lexuesi do të kuptojë të vërtetën e madhe, të cilën unë e deklaroj sot, nëpërmjet kësaj interviste. Nëpërmjet rreshtave do të shfaqen orientimet e Enver Hoxhës për liberalizim të rinisë, gjë që më vonë do ta mohonte me demagogjira të pafundme me të cilat do të dënonte njerëzit që vetë i kishte aprovuar për të drejtuar sektorët më delikatë të shtetit siç ishin; rinia, televizioni, kultura, artet etj.Ja çfarë shkruhet në atë procesverbal të mbajtur më datë 28 prill të vitit 1971, gjatë takimit të Agim Meros me Enver Hoxhën, i cili u botua në buletinin e Komitetit Qendror të Partisë dhe që u punua me orientim të posaçëm nga të gjitha strukturat e partisë në rrethe:TAKIMI I SHOKUT ENVER HOXHA, SEKRETAR I PARE i KQ TE PARTISE ME SHOKUN AGIM MERO, SEKRETAR I PARE I KQ TE BRPSH, ME DATE 28.4.1971SHOKU ENVER HOXHA:Si shkojnë punët në Organizatën e Bashkimit të Rinisë?SHOKU AGIM MERO:Nuk ka ndonjë çështje të veçantë preokupante, shoku Enver, se problemet që na kanë dalë e na dalin në punën e përditshme ne i zgjidhim vazhdimisht me shokët e aparatit të KQ të Partisë, të cilët janë të gatshëm të na dëgjojnë dhe të na ndihmojnë.Me rastin e këtij takimi, dëshiroj t’ju informoj pak se si kemi kuptuar ne dhe si punon organizata e rinisë për të zbatuar porositë që dhatë ju, më 13 maj të vitit të kaluar, në takimin që patët me studentët, t’ju vë njëkohësisht në dijeni si i kuptojmë ne dhe sidomos unë vetë, këshillat që dhatë ju në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të Partisë, kur u diskutua për rininë. Pas mbledhjes së Sekretariatit të KQ unë kam marrë shumë takime, kryesisht me të rinj e të reja, me kuadro të rinisë e të Partisë në Tiranë, Korçë, Lushnjë dhe në disa rrethe të tjera. Kam folur me to për mendimet që shprehët ju në mbledhjen e Sekretariatit dhe tani dëshiroj t’ju them juve ndonjë mendim të tyre.SHOKU ENVER HOXHA: Shumë mirë, ne na interesojnë mjaft mendimet e shokëve.SHOKU AGIM MERO: Problemet që ngritët ju në takimin me studentët më 13 maj të vitit të kaluar, mendoj se nuk u punuan keq. Për t’i kuptuar dhe zbatuar porositë që dhatë ju është bërë një punë më e mirë kryesisht në shkolla. Atë që u bë, me të vërtetë e kemi quajtur si një shkundje të organizatës së rinisë. Megjithatë, këtë punë jemi përpjekur ta shikojmë me syrin kritik, kemi nxjerrë gjithashtu disa konkluzione edhe për ndonjë gjë që nuk është kuptuar si duhet. Të gjitha këto tani po i shikojmë më mirë lidhur ngushtë me porositë e fundit që dhatë ju në mbledhjen e Sekretariatit të KQ. Ato që folët vitin e kaluar për mbledhjet e organizatave të rinisë u panë në disa raste në mënyrë të njëanshme, u kuptuan ngushtë, sikur çdo gjë ne do ta zgjidhim me mbledhjet. Sigurisht edhe ato kanë rëndësi të madhe, se i shërbejnë forcimit të organizatës së rinisë, por kuptimi i njëanshëm, vlerësimi i tepruar i tyre, sikur këto janë gjithçka, nuk është i drejtë. Në shkolla ekziston akoma një pikëpamje e ngushtë për forcimin e organizatës së rinisë. Kjo nganjëherë kuptohet me zbatimin e ngurtë të disa rregullave organizative, si për shembull, me atë që në mbledhje të behët apeli, të rinjtë të tregojnë teserat, me zgjedhjen e presidiumit, mbajtjen e protokollit etj. Ky mendoj unë, është një kuptim formal i rregullave të organizatës. Neve na bie barra të punojmë shumë në këtë drejtim për të kuptuar thellë vetë drejtuesit se organizata e rinisë dhe jeta e saj nuk kanë të bëjnë vetëm me mbledhjet apo zbatimin e disa rregullave, disa nga të cilat janë të nevojshme, por pa menduar për t’i kuptuar e zbatuar ato si slogane.SHOKU ENVER HOXHA:Nuk e kisha dëgjuar deri tash që në mbledhjen e organizatës së rinisë u bëka apeli. Përse veprohet kështu, kur të rinjtë e njohin njëri-tjetrin dhe merret vesh menjëherë kush ka ardhur për të marrë pjesë në mbledhje dhe kush jo?SHOKU AGIM MERO: Apeli nuk bëhet gjithmonë, por raste të tilla ndodhin. E keqja është që këto gjëra i kërkojnë disa kuadro të rinisë apo ndonjë komunist, që shkon si i deleguar në mbledhjen e organizatës sonë. Një student i vitit IV të Inxhinierisë tregonte se, kur kishin bërë mbledhjen për zgjedhjet, i deleguari i organizatës së partisë u pat tërhequr vëmendjen, që nuk kishin gjetur beze të kuqe për presidiumin.Problemet që ngritët ju vitin e kaluar për rininë, shoku Enver, në fillim nuk u kuptuan drejt as nga ana e organizatave të partisë në shkolla, as nga vetë mësuesit, ato u konsideruan si probleme që i takojnë vetëm organizatës bazë të partisë të shkollave, me qëllim që të kuptoheshin më drejt dhe t’u hyhej më thellë problemeve që kini ngritur ju. E thashë këtë se ka rrezik që edhe problemet që ngritët ju në mbledhjen e Sekretariatit, të na i lënë vetëm neve që merremi me rininë. Unë nuk kam kundërshtim, se përgjegjësi shumë të madhe për rininë kemi ne vetë, sepse për këtë punë jemi ngarkuar, por, siç ka theksuar gjithmonë Partia, punën e rinisë nuk e bën vetëm organizata e rinisë. Në shkolla ka shumë probleme të rinisë, mirëpo, duke qenë se shumë nga organizatat bazë të Partisë të shkollave janë të dobëta, këto në shumë raste nuk u bëjnë dot ballë zgjidhjes së drejtë të problemeve.SHOKU ENVER HOXHA: Në të gjitha shkollat mendoni se është kjo gjendje?SHOKU AGIM MERO:E kam fjalën sidomos për shkollat e mesme, ku mund të ketë edhe disa arsye objektive. Këto organizata janë mjaft të vogla e amorfe, diku me dy e tre mësues, diku dy-tre shkolla bashkë formojnë një organizatë partie, po një organizatë e tillë nuk u bën dot ballë të gjitha problemeve të rinisë në shkolla të ndryshme. Sekretarët e organizatave bazë të Partisë në shkolla, në fakt, janë të preokupuara për problemet e rinisë, por ndjejnë vështirësi për t’u hyrë e për t’i kuptuar ato në gjerësinë e nivelin që kërkohet. (Vijon nesër)

Në prodhim ku u dërgua për ndëshkim fitoi simpati absolutePunëtorët e Laçit në ‘90 i bën thirrje PPSH-së, që Mero të bëhej deputet
Ka qenë viti 1990, kur Agim Mero, i cili ishte dërguar për ndëshkim në qytetin e Laçit që prej vitit 1973 kishte fituar besimin dhe dashurinë e njerëzve dhe të kolektivave të ndërmarrjes së madhe të ndërtimit, ku punonte si inxhinier zbatues. Për 18 vjet me radhë midis ndërtuesve ai kishte treguar thjeshtësi dhe një kulturë të rrallë dhe respektohej çuditërisht nga të gjithë. Gjithsesi, këtë fakt ai e vuri re vetëm në momentin që u shpallën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në ato zgjedhje ndodhi që u bë një farë tolerimi për masën e anëtarësisë së thjeshtë të Partisë së Punës dhe të kolektivave punonjëse. Konkretisht, ishte dhënë udhëzimi që për të përcaktuar kandidatët për deputetë të Kuvendit Popullor, për herë të parë do të ndiqej një praktikë e tillë; një pjesë do të delegoheshin nga lart, ndërsa pjesa tjetër do të propozohej nga kolektivat dhe masat e tjera në bazë. Një gjë e tillë bëhej me porosi të Ramiz Alisë për të marrë në Kuvend njerëz me kredibilitet në popull, me qëllim që të ekuilibronte tensionet që mund të kishte baza. Në Laç kishte dy zona elektorale, gjë që do të thoshte se njëri kandidat do të propozohej nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës, ndërsa tjetri do të propozohej nga masat. Konkretisht, nga lart u delegua emri i kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Laçit. Kur erdhi momenti që punëtorët e ndërmarrjes së madhe të ndërtimit do të propozonin një emër për zonën e tyre, Agim Mero, u befasua. Papritur dhe pakujtuar, në mënyrë unanime, ata propozuan njëzëri emrin e tij, për t’i përfaqësuar në Kuvendin Popullor. Të kthehej sërish në Parlamentin komunist, nga ku ishte flakur mizorisht? Ai nuk mund ta kapërcente pa emocione një situatë të tillë. E kishin përzënë nga Tirana dhe nga forumet e larta të shtetit, si njeri me njëmijë e një të zeza. Ishte dërguar në atë vend për izolim dhe njerëzit donin sërish ta çonin atje. Por, ashtu siç ai e mendonte ndodhi. Emri i Agim Meros, jo vetëm që u fshi menjëherë nga lista e kandidatëve, por u paralajmëruan edhe njerëzit që e mbështesnin. Nuk duhej kurrsesi të dilte për deputet një armik i Partisë. Kjo e diziluzionoi aq sa edhe e gëzoi atë. Të paktën kuptoi se njerëzit e thjeshtë e donin. Surpriza tjetër për Agim Meron ishte rezervuar më pas. Ata njerëz, vetëm pak kohë më vonë, kur Shqipëria do të hynte në zgjedhjet e para pluraliste, do ta dërgonin në Parlament si deputet të Partisë Demokratike, me 70 për qind të votave. Këtë kandidaturë do t’ia kërkonin vetë Sali Berishës, një përfaqësi e punëtorëve.

neser do te lexoni
Vazhdon zbardhja e procesverbalit sekret, që identifikon bisedën origjinale të Enver Hoxhës me kreun e Rinisë shqiptare, Agim Mero, të mbajtur më 28 prill 1971. Cilat janë orientimet e vërteta të Enver Hoxhës mbi liberalizimin e Rinisë?
Vërejtjet e Enver Hoxhës për drejtorin e Përgjithshëm të Radiotelevizionit, Thanas Nanon, të cilin e konsideron si njeri që nuk kupton dot kërkesat e rinisë në drejtim të transmetimit të këngëve të pëlqyeshme nga ajo.
Mendimet e çuditshme të Hoxhës, të cilat i shfaq para Agim Meros në formë orientimesh mbi luftën që duhet bërë kundër njerëzve konservatorë në drejtim të lirisë që duhet t’i japin rinisë, dhe besimin që ata duhet të kenë te morali i saj.