Agim Mero: Enveri na akuzoi për udhëzimet që kishte dhënë vetë
Agim Mero: Enveri na akuzoi për udhëzimet që kishte dhënë vetë
Fatos Veliu
“Çështjet që Enver Hoxha ngriti si akuza kundër nesh në plenumin e katërt të Komitetit Qendror në vitin 1973, i kishte iniciuar dhe udhëzuar vetë, jo shumë kohë më parë.
Që në 13 maj të 1970-ës, ai kishte folur fuqishëm për luftën që duhej bërë kundër konservatorizmit në radhët e shumë kuadrove, që i zinin pa të drejtë frymën rinisë dhe kishte bërë thirrje për një liberalizim të jetës së saj. Ndërkohë, unë jam personi që në prill të vitit 1971 kam konsumuar personalisht me të bisedën në lidhje me rininë, e cila u botua në buletinin politik të kohës dhe u punua me interes të madh nga të gjitha strukturat e partisë në rrethe, duke u bërë në këtë mënyrë një program i detyrueshëm për strukturat politike dhe shoqërore të kohës. Në atë takim, pavarësisht se procesverbali i botuar u transformua disa herë, ai më ka dhënë mua, si sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë, udhëzime të posaçme, të cilat nxisnin një frymë liberale në mënyrën e të jetuarit dhe të vepruarit të rinisë shqiptare. Ajo bisedë që unë bëra me të dhe që më vonë u bë program për të ardhmen, vinte theksin për një luftë të papajtueshme me kuadrot konservatorë dhe jo ndihmës të rinisë”. Kjo është një pjesë e dëshmisë së Agim Meros, njeriut kryesor që ka drejtuar rininë shqiptare për një kohë të gjatë të periudhës komuniste dhe që në plenumin e katërt u vendos në shigjetat e kritikave të Enver Hoxhës dhe të të gjithë anëtarëve të tij. Agim Mero, dikur në hierarkinë që përfaqësonte rininë shqiptare, kishte marrë personalisht udhëzime të posaçme nga Enver Hoxha, të cilat bënin fjalë për një liberalizim të dukshëm të jetës së rinisë. Por vetëm pak kohë më vonë, pikërisht në vitin 1973, kur Enver Hoxha vendosi që të japë një goditje në kulturë, bashkë me Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën, në qendër të goditjes u vendos edhe Agim Mero. Akuzat ndaj tyre ishin ato që ai kishte udhëzuar pikërisht në takimet e deklaruara më sipër. Asnjë shqiptar që ka jetuar në atë kohë nuk e harron atë periudhë, kur në Shqipëri, pas një farë liberalizimi, është bërë një plenum i egër, i cili çoi dorën e hekurt mbi njerëzit që deri atëherë kishin drejtuar kulturën dhe artin. Pas tij nuk do të goditej një njeri apo dy, siç ishte Paçrami, Lubonja e Mero, por një administratë e tërë nëpërmjet një reaksioni zinxhir nga qendra në bazë, të cilët do të akuzoheshin për sabotimin e madh, duke devijuar vijën e partisë në kulturë. Eshtë fakt i njohur për opinionin se, në vitin 1971, në buletinin politik të Komitetit Qendror të PPSH-së është botuar një material, i cili bënte fjalë për një bisedë ndërmjet Enver Hoxhës dhe sekretarit të Komitetit Qendror të Rinisë, Agim Meros. Flitej për detaje të spikatura, të cilat duhej të kiheshin parasysh nga kuadrot e partisë, që Rinia të ndërgjegjësohej dhe të jetonte disi jashtë kornizave të hekurta ku e kishin siguruar njerëzit konservatorë. Me një udhëzim të veçantë nga Komiteti Qendror i Partisë, ai material u punua dhe u programua për zbatim nga të gjitha strukturat e partisë në bazë. Por, çuditërisht e vërteta e asaj bisede ka qenë krejt ndryshe. Do të kalonin më shumë se 30 vjet që nga ajo kohë, kur do të hapej sipari i plenumeve që do të “prodhonin” armiq në të gjitha fushat, kur do të mësohej fakti i çuditshëm se vetë Enveri kishte udhëzuar veprimet, që më mbrapa kishte dënuar njerëzit e kulturës. E vërteta që nuk është njohur asnjëherë mbi atë që thuhej se po ndodhte në kulturë është krejt ndryshe. Gjithçka në Festivalin e 11-të dhe akuzat mbi kuadrot më të lartë të kulturës dhe propagandës në vend ka qenë e stisur jo vetëm në mënyrë të kujdesshme, por edhe në mënyrë vulgare nga vetë Enver Hoxha. Ajo frymë liberale që ai tentoi të fuste në jetën e vendit për ish-kreun e Rinisë, Agim Meron, duhet të ketë qenë vetëm një testim për njerëzit që e rrethonin, me qëllim që të fillonte një eliminim të menjëhershëm. Por cilat janë ngjarjet që kanë shoqëruar periudhën përpara Festivalit të 11-të dhe plenumi IV i KQ të PPSH-së. Cila ishte ideja e Enver Hoxhës në vitin 1970, kur ai kishte folur para rinisë adoleshente të shkollave të mesme të Tiranës. Si u kuptua ajo fjalë nga njerëzit dhe kuadrot e lartë të Partisë së Punës në qendër dhe në bazë. Pse pas asaj fjale atmosfera politike në Shqipëri filloi të shokohet. Cila ishte e vërteta e bisedës që Enver Hoxha ka bërë me Agim Meron. Si vijoi historia e riedukimit dhe rikuperimit që ai kishte bërë me Meron? Çfarë ndodhi me atë bisedë të bërë rastësisht dhe që u përdor si një nga dokumentet bazë për t’i dhënë jetës frymë liberale. Historia e ndryshimit të situatës, e cila në mënyrë të menjëhershme kaloi nën sundimin absolut të konservatorëve. Alarmi që çoi klanin e Enver Hoxhës në këmbë dhe urdhri për të pastruar njerëzit që kërkonin frymën e lirisë mes tyre. Gjithçka rreth asaj situate, e cila u regjistrua fuqishëm në faqet e historisë komuniste si një ngjarje e rëndë që shpalosi një epope të përgjakshme, ku do të kalonte shteti i kuq, tregohet për herë të parë nga Agim Mero, njeriu që ishte protagonisti kryesor i asaj periudhe dhe si njeriu që konsumoi personalisht me vetë Enver Hoxhën gjithçka që u diskutua më vonë në plenum dhe në popull. Zoti Mero, në periudhën e Shqipërisë komuniste kanë ndodhur shumë fushata goditjesh e spastrimesh në disa sektorë të shtetit të atëhershëm, ku shumë njerëz të hierarkisë më të lartë, madje bashkëpunëtorë të vjetër të Enver Hoxhës, u shpallën “heretikë” dhe u “kryqëzuan” në emër të pastërtisë së vijës së partisë dhe të çështjes së madhe të marksizëm–leninizmit. Por, ndërsa të gjitha ato fushata përkujtohen zakonshëm nga historia dhe populli, ajo që ndodhi në kulturë qëndron para çdo kujtese si fasadë e pashmangshme për vetë faktin se goditja që u bë aty nga Enver Hoxha, pikërisht nëpërmjet plenumit IV të ‘73-shit, hapi një histori të re në rrugën që do të bënte në vazhdim Shqipëria komuniste. Ajo ishte pikërisht rruga e përgjakjes, pasi pas vitit 1973, kur u mbajt plenumi i katërt, nuk kishte plenum që të mos bëhej një goditje dhe të mos ndërmerrej një fushatë. Ju jeni njeriu që e përjetuat fuqishëm historinë e atij plenumi që nisi serialin e fushatave të luftës kundër armiqve të partisë dhe të marksizmit. Donim të dinim se si nisi ajo histori e pabesueshme që filloi të ndjehej në kulturë dhe çfarë ka ndodhur në të vërtetë në atë periudhë, duke filluar para dhe pas plenumit të famshëm? Eh... . Rruga që u bë për të vajtur tek ai plenum, ku Fadil Paçrami, Todi Lubonja dhe unë, pavarësisht se në fund do të më kursenin për të më goditur më mbrapa, u shpallëm likuidatorë dhe shtrembërues të vijës së partisë, ishte disi e gjatë dhe shumë e çuditshme. Kjo për faktin se gjithçka që u tha dhe u dënua në atë plenum, ishte inspiruar dhe frymëzuar nga vetë Enver Hoxha. Çudia më e madhe ishte se në plenum u fol më shumë për gjëra abstrakte, të cilat mund të pranoje se ndodhnin ashtu, siç mund të pranoje të kundërtën, pasi të tilla të larmishme mund të ishin edhe argumentet që mund të sillje për burokratizmin apo liberalizmin, etj. Ishte vërtet një çudi për mënyrën se si u zhvillua ai plenum, pasi siç e thatë edhe ju ai ishte i pari që merrte masa të tilla ndaj njerëzve që, siç u tha aty, kishin nxitur frymën liberale, kishin dashur të vinin vijën e partisë në binar të tillë që ta shmangnin nga mësimet e marksizëm-leninizmit, etj. Por unë mendoj se gjithçka ka qenë e planifikuar nga Enver Hoxha, që gjeti një shkak për të ndezur zjarrin dhe ai shkak ishte gjoja irritimi i tij për Festivalin XI të Këngës në RTV, që mua më duket se ai nuk e kishte parë fare. Thatë se veprimet, kryesisht ato liberale që u dënuan në atë plenum, ishin udhëzuar dhe frymëzuar nga vetë Enver Hoxha. Mund ta sqaroni atë fenomen të cilin shqiptarët nuk e njohin?Një gjë e tillë është shumë e vërtetë, pasi jo vetëm që Enver Hoxha foli në takim publik të planifikuar dhe të programuar, por ai u ka mëshuar personalisht para meje të gjitha ideve që flisnin për një liberalizim dhe ndërgjegjësim të jetës dhe mënyrës së të vepruarit të rinisë. Kjo është ajo që unë jam në gjendje t’i jap opinionit në këtë dëshmi, pasi unë jam njeriu që bisedova me Enver Hoxhën, pikërisht në zyrën e tij, kur ai tha tekstualisht se duhet të mos lejohen njerëzit konservatorë për të ndrydhur rininë. Por, çuditërisht edhe biseda që ai bëri me mua si sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë u transferua absolutisht edhe masat që u morën, duke pasur parasysh fjalimet dhe udhëzimet e tij, u konsideruan më mbrapa si veprime antiparti. Ishte me të vërtetë një enciklopedi e pabesueshme.Thatë se gjithçka kishte nisur para se të mblidhej plenumi i katërt, pikërisht kur Enver Hoxha dha hov për liberalizim të jetës së rinisë. Si ka ndodhur saktësisht?Ishte maji i vitit 1970, kur Enver Hoxha kishte planifikuar të mbante një fjalim me rininë e shkollave të mesme. Unë, si sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë që isha në atë kohë, mora masa dhe dhashë udhëzime për të organizuar një takim me një përfaqësi të zgjeruar me nxënës të dalluar të shkollave të mesme të Tiranës. Çuditërisht, siç nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, në atë takim që u zhvillua saktësisht në 13 maj (1970), ai foli për luftën kundër sektarizmit dhe konservatorizmit në punë. Kryesisht idetë dhe direktivat që kishin shoqëruar fjalimet e tij deri në atë vit kishin qenë gjithnjë e më shumë për t’i mëshuar luftës kundër liberalizmit. Pikërisht ai fjalim, që u mbajt para rinisë së shkollave të mesme, të cilat përbëjnë edhe adoleshencën, dukej sikur po u jepte frymë formave liberalizuese të jetës së vendit dhe kryesisht të rinisë.U kuptua saktë thelbi i qëllimit të Enver Hoxhës me atë fjalim?Sigurisht që nuk u kuptua saktë ai lloj fjalimi që kishte ndryshuar rrënjësisht nga të gjithë sa kishte mbajtur më parë. Ky moskuptim ndodhi kryesisht në rrethe.Po ju personalisht, si njeriu kryesor që drejtonit rininë shqiptare, e ndjetë se Enver Hoxha me të vërtetë po bënte thirrje për liberalizim të jetës së vendit dhe kryesisht të rinisë?Të them të drejtën, pavarësisht se unë atëherë isha shumë afër nomenklaturës së lartë politike, pasi siç thashë kryeja detyrën e lartë të sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Rinisë, jam befasuar nga ajo frymë që shoqëroi fjalimin e Enverit. Megjithatë ne nuk mundeshim të keqinterpretonim fjalimet e Enver Hoxhës, pasi menjëherë shpalleshim armiqtë më të rrezikshëm të sistemit. Ato ishin programe për të gjithë shoqërinë dhe shtetin. Në atë mënyrë, ne duhej ta zbërthenim atë dhe të vinim direktiva të detajuara për t’u zbatuar në bazë. Duke parë atë që ndodhi më mbrapa, kur Enver Hoxha akuzoi njerëzit e hierarkisë së lartë të sektorit të kulturës për veprime të cilat ai i quante gabime, por që ato ai i kishte iniciuar dhe i kishte pranuar vetë, unë mendoj se Enver Hoxha duhet të ketë bërë një provë për të parë pulsin e kuadrove dhe të njerëzve që e rrethonin...
U akuzua së bashku me Lubonjën dhe PaçraminAgim Mero, njeriu që i shpëtoi plenumit IV
Agim Mero ka lindur në qytetin e Gjirokastrës, në vitin 1933. Në 1948-ën përfundoi arsimin 7-vjeçar në qytetin e lindjes dhe pas kësaj vazhdoi studimet në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, që i përfundoi në vitin 1952. Në vitet 1952-1957, Agim Mero kryen studimet e larta në kryeqytet, ku pavarësisht se atëherë nuk ishte krijuar akoma universiteti, ai i vazhdoi ato në Institutin Politeknik. Gjithsesi, diplomën e mori pikërisht nga universiteti që u krijua në përfundim të studimeve të tij, ku u diplomua inxhinier ndërtimi. Menjëherë pas diplomimit të tij si njëri prej kuadrove të para që u diplomua menjëherë me krijimin e universitetit, ai u emërua pedagog, duke u shënuar kështu në historikun e pedagogëve të parë që nisën rrugën e gjatë të universitetit. Menjëherë që në emërim, ai dha mësim në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ndërkohë që ka kryer edhe detyrën tepër specifike për kohën, pikërisht atë të sekretarit të rinisë së universitetit. Në vitin 1962, ai u caktua në një detyrë akoma më të lartë për atë kohë, që ishte ajo e sekretarit të Komitetit Qendror të Rinisë, ku mbulonte sektorin e propagandës. (Sekretar i parë ishte Todi Lubonja). Ndërsa, në shkurtin e vitit 1964 zgjidhet në hierarkinë më të lartë të Komitetit Qendror të Rinisë, pikërisht sekretar i parë i tij, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1972. Në vitin 1966, ai do të bëhej deputet i Kuvendit Popullor, ku do të zgjidhej në dy legjislatura radhazi për të vazhduar deri në vitin 1974. Jo vetëm kaq, por që nga viti 1970 Agim Mero ka qenë anëtar i presidiumit të atij Kuvendi. Në shkurtin e vitit 1972, kur do të linte detyrën e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Rinisë, Agim Mero, në atë kohë tepër i njohur në hierarkinë e lartë të shtetit për aftësitë e tij intelektuale, u caktua në një detyrë tjetër shumë të rëndësishme siç ishte ajo e rektorit të Universitetit shtetëror në Tiranë. Por tashmë, karriera dhe shkëlqimi i tij kishte rënë në sy të dashakeqësve lakmitarë, të cilët përbënin karakteristikën e asaj kohe. Pas atij fenomeni, Agim Mero nuk do ta kryente për shumë kohë detyrën e rektorit të Universitetit shtetëror të Tiranës pasi në korrik të vitit 1973, ai do të shkarkohej si person me shumë probleme parimore, të cilat kishin të bënin me vijën e partisë. Goditja ndaj tij, e cila do të fillonte që në plenumin e katërt të Komitetit Qendror të PPSH-së, në mars të vitit 1973, ku u “kryqëzuan” Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, nuk do të përfundonte vetëm me shkarkimin nga detyra e rektorit të Universitetit, ku do të përfundonte inxhinier zbatues në ndërmarrjen ndërtuese të Laçit, por ai do të zbriste nga anëtar në kandidat i Komitetit Qendror. Jo vetëm kaq, por rënia e tij do të vazhdonte edhe më vonë, kur pas dy vjetësh, pikërisht në vitin 1975, ai do të përjashtohej nga Komiteti Qendror ndërkohë që do të përjashtohej fare edhe nga partia. (Ka qenë pikërisht plenumi i qershorit, kur u goditën Pirro Dodbiba dhe ministri i Arsimit, Thoma Deljana, që shkarkoi përfundimisht Agim Meron). Pas kësaj ai do të vijonte të punonte si inxhinier zbatues në ndërmarrjen ndërtuese të Laçit për plot 18 vjet me radhë, pra deri në vitin 1991, kur në Shqipëri do të frynin erërat e demokracisë dhe ai do të vinte sërish në Parlamentin pluralist shqiptar, madje edhe në qeverinë e parë pluraliste.
neser do te lexoni
Çfarë ndodhi me rininë kryeqytetase pas fjalimit të Enver Hoxhës, të mbajtur para rinisë shkollore në 13 maj të vitit 1970. Ku filloi liberalizimi i saj
Pse Agim Mero vendosi që të bënte takim personal me Enver Hoxhën. Ku ishte meraku i tij që vendosi të denonconte kuadrot konservatorë të rretheve
Takimi i realizuar me Enverin, bisedat e para që ai zhvilloi me të në momentet kur ishte mbërthyer nga emocionet. Si vijoi takimi që do të bëhej program për të gjitha strukturat e shtetit
<< Home