e hënë, dhjetor 19, 2005

Ministri Uçi para Adil Çarçanit: Më je bërë si Jakomoni



Ministri Uçi para Adil Çarçanit: Më je bërë si Jakomoni


Fatos Veliu

Ishte fillimi i vitit 1991, kur protestuesit në mbarë vendin kërkonin me forcë ndryshime rrënjësore në strukturat e shtetit të trashëguar nga periudha 50-vjeçare.
Në atë kohë kur qeveria komuniste, e drejtuar nga Adil Çarçani, do të bënte mbledhjen e parë për vitin 1991, një grup ministrash ndërmjet të cilëve ishin profesor Alfred Uçi, Skënder Gjinushi, Ylli Bufi etj, me qëllim që të përshpejtonin rrëzimin e saj për vetë faktin se ajo mundohej të mbahej në këmbë me propagandë false, u larguan në mënyrën më protestante, duke depozituar në sekretari deklaratat për dorëheqje të parevokueshme. Qeveria, në momentet që po kalonte, duke qenë përballë protestave të mëdha të studentëve të mbështetura nga masat popullore, i numëronte orët e fundit me sforcim të paparë. Ngjarja e çuditshme, që në dukje i ngjan një paradoksi, ka ndodhur 15 vjet dhe sot e dëshmon për herë të parë ish-ministri i Kulturës së asaj kohe, akademiku Alfred Uçi. Profesor Uçi, gjatë kësaj dëshmie të dhënë ekskluzivisht për gazetën “Panorama” me rastin e 75-vjetorit të tij, tregon detajet më të pabesueshme të asaj kohe, të cilat kanë ndodhur brenda radhëve të kabinetit qeveritar të drejtuar nga Adil Çarçani, i cili ndërkohë përballonte revoltën të mijëra e mijëra demonstrues. Cilat ishin shkaqet që ministrat e kabinetit, mes të cilëve ndodhej edhe profesor Uçi, kërkonin vazhdimisht nga Ramiz Alia dorëheqje nga kabineti qeveritar. Debatet që bënë me Ramizin në zyrën e tij. Pse nuk u miratohej dorëheqja dhe si ndodhi që ministrat bënë deklaratat e dorëheqjes së parevokueshme, duke u larguar me protestë nga mbledhja e qeverisë. Si operoi nomenklatura e lartë e shtetit, e cila filloi të miratonte dorëheqjet ndërkohë që mendonte për jetëgjatësinë e qeverisë. Situata e krijuar në zyrën e Adil Çarçanit, kur ai thërriti ministrin Uçi për t’i komunikuar daljen në pension. Momentet kur Uçi akuzoi Çarçanin se ishte bërë si Jakomoni.
Zoti Uçi, është e vërtetë se edhe punëtorët e ndërmarrjeve që vareshin nga Ministria e Kulturës të cilën ju drejtonit u çuan në protesta?U solidarizua e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm ndërmarrjet që vareshin nga ministria që drejtoja unë. Ishte e natyrshme se një veprim i tillë do të ndodhte, por mua më vinte inat se reagimi i brendshëm ishte i vonuar. Konkretisht, në përgjigje të pyetjes suaj unë po ju them se, në ndërmarrjen e Poligrafikut u çuan në këmbë më shumë se 600 punëtorë. Ata ishin mbledhur në atë ndërmarrje edhe nga njësitë e tjera simotra. Punëtorët, në radhë të parë shprehnin solidarizimin me studentët protestues të Qytetit Studenti, por ndërkohë ata kishin edhe kërkesa të ndryshme, të cilat gjithashtu ishin me karakter politik. Njëra prej tyre, me sa mbaj mend, ka qenë kërkesa se përse njerëzit që kishin vende komode dhe ishin pjesë e hierarkisë së lartë nuk dilnin në pension?
Çfarë bëtë ju si përfaqësues i qeverisë dhe si ministër për të plotësuar kërkesat e tyre?Kur ndodhi protesta e punëtorëve të Poligrafikut duhet të ketë qenë data 4 apo 5 dhjetor 1990. Unë menjëherë dhe në mënyrën më urgjente shkova para tyre dhe kur i dëgjova me vëmendje kërkesat që kishin ngritur si pretendim, u dhashë të drejtë për gjithçka. Shumë kërkesa vareshin nga dikasteri që unë drejtoja, pra nga Ministria e Kulturës, dhe unë u premtova sinqerisht se do të ulesha menjëherë dhe brenda një kohe rekord se do të bëja plotësimet e tyre. Ndërsa në lidhje me kërkesën e tyre që bënte fjalë për të dalë në pension personalitetet e larta të shtetit, indirekt ishte edhe për mua personalisht. Unë i garantova se, pasi të kalonin dhjetë ditë, pra më datë 15 dhjetor, dhe unë të mbushja 60 vjeç, do të kërkoja largimin menjëherë nga detyra e lartë e administratës së shtetit, për t’u marrë me punët e mia krijuese dhe hulumtuese. Ndërkohë u dhashë garanci se, meqë të gjitha kërkesat nuk ishin në kompetencën time, do t’i çoja menjëherë në zyrën e Ramiz Alisë dhe në strukturat e tjera të larta të shtetit.
Ia dorëzuat Alisë?Ashtu siç u premtova punëtorëve protestues, sa u largova prej tyre, shkova menjëherë në selinë e Komitetit Qendror të Partisë. Aty kërkova një takim të posaçëm me Ramiz Alinë, që po drejtonte një mbledhje të komitetit.
Ju nuk merrnit pjesë në atë mbledhje?Unë nuk isha anëtar i Komitetit Qendror. Isha vetëm anëtar i kabinetit qeveritar. Kërkesa ime iu transmetua menjëherë dhe Ramizi doli nga mbledhja. Unë i shpjegova me hollësi atë që po ndodhte me 600 punëtorët në kombinatin Poligrafik, ndërkohë që i dorëzova në dorë kërkesat e tyre, duke i dhënë edhe shpjegimet e nevojshme.
Dolët në pension në datën 15 dhjetor siç u kishit premtuar punëtorëve të Poligrafikut?Nuk ishte fjala thjesht për pension, pasi unë isha punonjës shkencor dhe për ne kishte një ligj të posaçëm. Sipas këtij ligji nuk dilnim në pension, por vazhdonim punën krijuese në Akademinë e Shkencave. Në këtë prizëm dhe në bazë të kërkesës së punëtorëve të kombinatit Poligrafik, fjala ishte për largimin në moshën e pensionit nga postet e larta prej të cilave rridhnin privilegje. Kështu që unë i kisha vënë vetes detyrë të largohesha nga posti i ministrit dhe të vazhdoja punët e mia në akademi. Atë që kisha vendosur do ta bëja pavarësisht se qeveria do të ishte jetëgjatë apo jetëshkurtër, kjo pak më interesonte. Më dhimbsej gjithë ajo lëvizje e nisur dhe e përkrahur nga ata mijëra e mijëra njerëz, ndërkohë që nga qeveria kërkoheshin forma dhe mënyra për të kapërcyer momentet e vështira, me qëllimin si e si të mbanin pushtetin e tyre. Kur 15 dhjetori kaloi dhe unë tashmë isha plot 60 vjeç, pikërisht mosha kur sipas ligjit të atëhershëm dilje në pension, prita dhe kërkova sërish largim nga detyra. Isha i motivuar nga ana morale se ne, ashtu siç ju thashë pak më lartë, nuk ishim një e dy kolegë, por një grup i tërë që nuk ishim dakord me atë rezistencë të qeverisë. Prandaj, me luftën tonë nga brenda mendonim se do të ndihmonim lëvizjen demokratike. Kjo ndihmë që ne po bënim nga brenda, pavarësisht se nuk është propaganduar ndonjëherë, ishte një ogur i mirë për të ardhmen e demokracisë dhe të ekonomisë së popullit.
Megjithatë nuk arritët ta plotësoni premtimin që kishit bërë para punëtorëve, pasi siç po kuptojmë ju keni vazhduar të qëndroni në postin e ministrit edhe pas datës 15 dhjetor. Si mund t’i konsiderojmë veprimet tuaja se ishin ndihmë për lëvizjen demokratike kur nga sa shihet, rezultati i iniciativës suaj nuk ishte pozitiv?
Së pari, dua t’ju bëj të ditur se që në momentin e parë, kur ne kërkuam para Ramiz Alisë largimin tonë nga detyrat ministrore, veprim ky që ka ndodhur të paktën më shumë se një muaj para se të nisnin protestat studentore, ka qenë një sinjal i fuqishëm për autoritetet më të larta të shtetit të atëhershëm, duke përfshirë që nga ato politike deri te të ekzekutivit. Ndërsa, për sa i përket asaj që ne kishim vendosur për t’u larguar nga qeveria, duke marrë parasysh koston që ky veprim kishte për pushtetin e atëhershëm të cilin e ndienim mirë që po jepte shpirt pavarësisht jehonës që mundohej të bënte, ne arritëm ta bënim një veprim të tillë të paimagjinueshëm për atë kohë; u larguam në mënyrë demonstrative nga salla e mbledhjes së qeverisë dhe dorëzuam në sekretarinë e saj deklaratat e dorëheqjes me shkrim. Me atë kërkesë donim të tregonim se që nga ai moment nuk e konsideronim veten më ministra. Pra, nuk do të ishim më në mbledhjen e qeverisë.
Kur dhe si ka ndodhur saktësisht kjo ngjarje sa e çuditshme, edhe paradoksale? Ka qenë fillimi i janarit të vitit 1991. Deri në atë kohë, me gjithë kërkesat tona të përsëritura, nuk na ishte pranuar dorëheqja. Atëherë, unë personalisht vendosa të mos rrija më as edhe një ditë në qeveri. Do të merresha me punët e mia krijuese në Akademinë e Shkencave. Për këtë kisha zgjedhur braktisjen e postit. E vërteta është se me mua u solidarizuan menjëherë të gjithë kolegët e mi. Me këtë mendje shkuam në mbledhjen e qeverisë. Si datë nuk e mbaj mend, por di që ka qenë saktësisht mbledhja e parë e qeverisë që u bë për atë vit, e cila pak a shumë duhet të ketë qenë ditët e para të janarit. Në atë mbledhje, nga kolegët që kishim kërkuar dorëheqjen ishim vetëm pesë ministra, pasi të tjerët rastësia e solli të mungonin për arsye detyrash. Ne, ashtu siç kishim vendosur, sa u ulëm në vendet e posaçme për të filluar mbledhjen, nuk e lamë kryeministrin Adil Çarçani për ta hapur atë, por u çuam në këmbë. Unë, në emër edhe të katër kolegëve të tjerë, i deklarova se po largoheshim nga qeveria në atë formë për shkak se nuk ishte realizuar procedura normale ligjore e shkarkimit tonë. Pas kësaj nuk e bëmë të gjatë, por u larguam menjëherë, ndërkohë që në sekretarinë e qeverisë lamë deklaratat e dorëheqjes së parevokueshme.
Kush ishin saktësisht ministrat që u larguan në atë mënyrë nga qeveria “Çarçani”?Kam qenë unë si ministër i Kulturës, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, ministri i Industrisë së Lehtë, Ylli Bufi, ministri i Ndërtimit, Ismail Ahmeti, dhe drejtori i Përgjithshëm i Industrisë Mekanike, që ishte ndërkohë anëtar i kabinetit qeveritar, Pandi Carapuli.
Çfarë bëri kryeministri Çarçani pas këtij veprimi të panjohur për 45 vite me radhë?Adil Çarçani, për të mos lëshuar autoritetin e qeverisë me qëllim që t’i qëndronin fort asaj motos që qeveria është e madhe, ndërsa “erërat” nuk kanë ndikim te ajo, vijoi procedurat për të filluar mbledhjen sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Në këtë moment, siç mësuam më mbrapa, ministri i Shëndetësisë, Ahmet Kamberi, i ka kërkuar kryeministrit që të mos fillonte mbledhjen e planifikuar, por të ndaleshin në veprimin e kolegëve që u larguan në atë mënyrë. Kamberi deklaroi para qeverisë se ai e konsideronte të drejtë largimin e kolegëve, prandaj edhe qeveria duhej të reflektonte dhe të mos vepronte sikur nuk kishte ndodhur gjë. “Për mendimin tim-i deklaroi ai kryeministrit-qeveria jonë që nga ky moment duhet të japë dorëheqjen, sepse s’ka asnjë bazë morale për të vazhduar ekzistencën”.
Çfarë bëri Adil Çarçani pas kërkesës së ministrit të Shëndetësisë, që mund të ketë qenë disi më e ashpër se juaja për faktin se ai i kërkoi rrëzimin urgjent të qeverisë?Atë ditë, ai mundi të rezistonte dhe të bënte në mënyrë të shkurtuar një si tip mbledhjeje ku më së shumti paraqiti plane dhe programe emergjente. Gjithsesi, Ahmet Kamberin nuk e harroi. Do të kalonte veç një ditë nga ajo mbledhje qeverie dhe pikërisht të pasnesërmen që në mëngjes, ai do ta thërriste në zyrën e tij, ku do t’i komunikonte shkarkimin e menjëhershëm nga posti i ministrit. “Që nga ky moment je i larguar nga qeveria”- ishin fjalët e Çarçanit. Ahmet Kamberi, nuk e bëri gjakun qeder dhe ia ktheu se, në atë moment do të ishte më e mira që të largoheshin të dy. Me këtë, ai i tregonte kryeministrit se do të ishte më mirë të kishte ikur gjithë qeveria.
Juridikisht, vazhdonit të ishit ministra?Pas atij veprimi demonstrativ nuk mund të ishim më, pasi ne nuk do të shkonim më në zyrat tona dhe as në mbledhjet e qeverisë, por ata ndërsa na miratuan aktin e dorëheqjes, u hakmorën në një drejtim tjetër. Konkretisht mua, ndërsa më liruan nga posti, ashtu siç ta përmenda edhe më parë, nuk më lejuan të ushtroja veprimtarinë në Akademinë e Shkencave ku më takonte sipas ligjit, por më nxorën në pension me një pagë qesharake prej 40 mijë lekësh të vjetra. Kjo mund të ketë ndodhur një ditë më pasi kryeministri thërriti Ahmet Kamberin. Atëherë, ai thërriti mua. Kur i shkova në zyrë, ai më tha: “Ke kërkuar të japësh dorëheqjen. Po ta plotësojmë dëshirën dhe po të nxjerrim në pension”.Unë nuk e di si u mbusha me një mllef që nuk dija si ta shprehja për vetë mënyrën si më komunikonte shkarkimin, prandaj aty për aty iu ktheva: Në familjen time jemi mësuar me dëbime nga puna e shtetit, sepse kështu i është bërë edhe babait kur erdhi Jakomoni në Shqipëri.
Ç’ju tha Adili pas këtij krahasimi që i bëtë?E humbi fare dhe m’u kthye sikur të ishte në vitet ’80, duke më thënë: “Ti ke humbur besimin te Partia”.
Ju reaguat?Unë, aty për aty, në atë tension dhe dëshirë që kisha për t’iu kundërvënë, i thashë: Për një gjë ma plotësoni dëshirën shoku kryeministër, sepse nga kjo qeveri që kryesoni ju unë dal 2-3 javë para se të rrëzoheni. Kur dola nga zyra e kryeministrit, u ndesha me drejtorin e kuadrit të Kryeministrisë, i cili rrinte në korridor përballë derës së Çarçanit. Ai, kur më pa ashtu të skuqur dhe të nxehur, me atë dashamirësin e tij pa e ditur që unë e kisha kërkuar vetë një largim të tillë, më tha të mos ngutesha, por t’i shkruaja një letër direkt Ramiz Alisë, ku ta sqaroja për gjithçka kishte ndodhur.
Çfarë i thatë pas këtij sugjerimi? Të paktën nga sa ju thoshte ai, duke i shkruar Alisë mund të përfitonit të drejtën që të punonit në Akademinë e Shkencave ku kishit qenë para se të shkonit ministër?E çfarë t’i thosha drejtorit të kuadrit, kur ai jo vetëm nuk dinte gjë, por edhe tregohej pak naiv. Prandaj, unë ia ktheva shkurt: Pse, më di budalla ti mua? Këto veprime nuk janë bërë personalisht nga Adil Çarçani, por në bashkëpunim me Ramiz Alinë. Nuk mund të miratohet shkarkimi i një ministri pa dijeninë e njeriut kryesor të shtetit. Kështu që në atë moment që shënonte fillimin e janarit të vitit 1991 unë u përjashtova fare nga administrata e shtetit. Pas largimit tim nga posti, Adil Çarçani në intervale kohe thërriti të gjithë ministrat që kishin dorëzuar deklaratat e dorëheqjes për t’u komunikuar shkarkimin. Pra, këto shkarkime dhe zëvendësime Çarçani me Alinë i bënë një nga një, për të mos rrëzuar qeverinë. Por, pavarësisht nga përpjekjet e tyre maksimale për ta mbajtur në këmbë si “kufomë”, duke e “arnuar” pambarimisht, madje edhe në ditët e saj të fundit, ajo do të binte përfundimisht.Pra, sipas kësaj që dëshmoni, vërtetohet se ju i keni ndihmuar proceset demo-kratike të asaj kohe në një mënyrë të njëvleftshme me rininë studentore?Këtë gjë e dinë mirë politikanët e majtë dhe ata të djathtë, por nuk kanë qejf asnjëherë ta përmendin se në Shqipëri akoma vazhdohet të mbulohen shumë të vërteta historike. Kjo gjë bëhet për t’u marrë meritat njërit-tjetrit. Megjithatë, ne nuk e bëmë për t’u dukur, apo për të na ditur kush meritat, por e bëmë pasi e ndjemë thellë në ndërgjegjen tonë.
Me këto që deklaroni sigurisht ju nuk keni ndërmend të minimizoni atë kontribut të rinisë studentore të dhjetorit të vitit 1990, e cila arriti të përmbysë dhunshëm sistemin që ishte krijuar si tabu në mendjet e shqiptarëve?Sigurisht, ashtu si ndodh kudo në ngjarjet e përmbysjeve të mëdha sociale, në vijë të parë gjithnjë del rinia. Por unë do t’ju thosha meqenëse është edhe 15-vjetori i atyre ngjarjeve historike që, të mos harrojmë se mbrapa asaj rinie qëndronin familjet e tyre, qëndronte një popull i tërë, i cili paralelisht vazhdonte të protestonte në qendra pune, duke u solidarizuar me atë rini. Por mos të harrojmë se mes asaj rinie studentore ishin edhe fëmijët tanë, ishin fëmijët njerëzve të afërt të ish-nomenklaturës. Pra, për të ardhur tek ajo që quhet fitore demokratike, duheshin forca të shumta dhe të gjithanshme se ndryshe një demonstratë apo protestë spontane nuk sjell asnjëherë fitore.Profesor, duke ju uruar edhe njëherë për 75-vjetorin tuaj, të rroni sa më shumë për të pasur sa më shumë botime të vlefshme për lexuesit dhe studiuesit tanë, me shpresën se do të kemi sërish rast për intervista në të ardhmen po ju them faleminderit.

Prof. Uçi, në universitet ka qenë shok i ngushtë me gruan e Gorbaçovit
Gjatë viteve 1949-1954, kur profesor Alfred Uçi vazhdonte studimet në fakultetin e Filozofisë, në Universitetin Llomonosov të Moskës ka qenë shok i ngushtë me filozofët më të shquar të shekullit XX të Rusisë, (ishte në një grup mësimor) të cilët ishin Merrab Mamarrdashvili dhe Vollvodja Smirnov (Logicjen). Por, profesori ka qenë edhe mik i afërt me të shoqen e Gorbaçovit, Raisën. Pas interesimit tonë, profesori shpjegon se me Raisën u njoh që në vitin 1949, kur shkoi në Universitetin e Moskës. Kjo ndodhi se ajo ishte në një grup mësimor me të. Gorbaçovi ishte gjithashtu student i atij universiteti, por ai nuk ishte në fakultetin e Filozofisë, ku ishte Rasia (edhe Uçi), por ishte në fakultetin e Juridikut. “Në konviktet e universitetit-tregon profesori-jetonim shumë keq për faktin se në atë kohë ishin duke u ndërtuar godinat e reja, pikërisht për të rregulluar fjetjen e studentëve. Kështu që nuk bënin asnjë investim në godinat ekzistuese, të cilat ishin veç disa kazerma të mëdha që vinin në formë katrori. Në njërin kënd të godinës flinin studentët e fakultetit tonë të Filozofisë. Të gjithë studentët ishim në një korridor. Në njërin krah të korridorit ishin djemtë dhe në krahun tjetër vajzat. Rastësisht, përballë dhomës time ishte ajo e Raisës, e cila qëndronte në dhomë së bashku me 14 vajza të tjera. Ishin shumë keq si kushte edhe për faktin se ishin ngjeshur shumë në një dhomë. Diagonal me këndin tonë të godinës së konviktit ishin vendosur studentët e fakultetit të Juridikut, me të cilët ishte edhe Gorbaçovi. Edhe ai ishte me katërmbëdhjetë shokë në dhomë. Ai ishte një vit mbrapa nesh sepse kishte ardhur një vit më vonë në universitet. Me Raisën ai ra në dashuri kur ishte në vit të tretë, ndërsa ajo në të katërtin. Po atë vit që u dashuruan, pra kur ishin studentë, ata u martuan. Rastësisht martesa e tyre, pra kur Gorbaçovi ishte në vit të tretë, në vitin 1951, dhe Raisa në vitin e katërt, ndodhi pikërisht pak kohë pas vdekjes së Stalinit. Pas martesës ata jetonin bashkë. Nuk mund ta besoni, por ajo është një histori shumë e çuditshme pasi ai e mori të shoqen studente në dhomën e tij, ku jetonte së bashku me shokët. Në një kënd, ai kishte vendosur dy gardëroba, me të cilat kishte rrethuar krevatin e tij dhe një komedinë të vogël, duke sajuar një tip dhome të vogël ku jetonte me Raisën”. Mësohet se Raisa, edhe në intervistat që ka dhënë pas shumë e shumë vitesh më vonë, ka bërë të ditur edhe faktin që ajo ka pasur miq nga Shqipëria, të cilët i vlerësonte për pamjen fizike dhe inteligjencën e tyre. Tashmë, fatkeqësisht ajo nuk jeton më.