e enjte, dhjetor 15, 2005

“Karroca e Ismail Qemalit” ka rënë në lumin Ibër



“Karroca e Ismail Qemalit” ka rënë në lumin Ibër

Koço Danaj

Janë me dhjetëra politikanë, diplomatë, analistë ndërkombëtarë që teksa flasin për statusin e Kosovës, nuk harrojnë të përdorin termin «kompromis». Por askush prej tyre nuk ka shkuar më tej për të thënë: Çfarë përfshin termi kompromis? Habitshmërisht, askush prej politikanëve shqiptarë nuk ka kërkuar deri më sot konkretizimin e termit kompromis. Kemi të bëjmë me prapaskenën e politikës euroatlantike, e cila nuk duket. Edhe ajsbergu e ka një pjesë mbi ujë, ndërsa kjo politikë është e «gjitha nën ujë». Por një gjë duket për sytë e qytetarit shqiptar që ka parë filmin Nëntori i dytë: Deri tani që po shkruajmë «Karroca e Ismail beut ka rënë në lumin Ibër», i cili ndan Mitrovicën e veriut nga ajo e jugut, Kosovën veriore nga Kosova tjetër. Aftësia e një politike të fillimshekullit të 21-të nuk është vetëm konstatimi, por më tepër, parashikimi. Përbën një postulat që statusi i ardhshëm i Kosovës do jetë në thelb një kompromis politik. Por midis kujt do jetë ky kompromis? Ai do të jetë kompromis midis konceptit amerikan për statusin e Kosovës që është «monist» dhe konceptit evropian që është pluralist. (Ka raste që edhe monizmi duhet për interesa pragmatiste). Qysh tani, në Evropë termi kompromis është i trefishtë: Kompromisi çek që do të thotë ndarje e Kosovës; kompromisi ballkanik që do të thotë autonomi e Kosovës, (është dosja “Kosovë” që nuk e pranoi presidentin Moisiu në Ohër); kompromisi i Brukselit që do të thotë pavarësi e kushtëzuar me kushtëzime të papërcaktuara deri më tani, etj. Ai do jetë kompromis midis konceptit euroatlantik për statusin e Kosovës dhe konceptit afrikano-aziatik. Sa kohë që do të jetë Këshilli i Sigurimit që do të vendosë për Kosovën, aq kohë politika shqiptare duhet të marrë parasysh edhe mendimin e «Naraj Singut» apo të atij policit që është nga Surinami. (Në Kosovë veprojnë në kuadrin e UNMIK policë nga 189 vende të botës). Shumica e tyre duan që të zgjatet sa më shumë statusi dhe kompromisi, prandaj ata janë të interesuar për bomba apo tensione serbo-shqiptare. Kësisoj, edhe kompromisi duhet të jetë i copëzuar në 189 copa. Ashtu si dhe sytë politikë duhen hapur në 189 pjesë. Ndërkaq, kompromisi lidhur me statusin e Kosovës do të ketë edhe disa cilësorë të tij: E para, ai do të jetë një kompromis i detyrueshëm, që do të thotë se nuk varet nga ëndrrat, dëshirat dhe perceptimet e shqiptarëve të Kosovës. Sa kohe që arbitri i statusit është një organizëm me disa shtete, sa kohë që Beogradi dhe Prishtina vetëm janë pozicionuar në llogore dhe Ahtisari vete dhe vjen sa në një llogore në tjetrën, për aq kohë kompromisi është i detyrueshëm. E dyta: Kompromisi është i dëshirueshëm. Askush nuk e thotë një gjë të tillë, por të gjithë e dëshirojnë. Kompromis do të thotë jetë dhe jetën e duan të gjithë, veçanërisht kur kanë bërë një luftë. Deklaratat e disave që flisnin për vetëpërmbajtje, kur NATO ishte në Bruksel, dhe flasin për pushkë tani që NATO është në Kosove, më shumë se patriotizëm janë aventurizëm. E treta: Kompromisi është i domosdoshëm. Shqiptarët në Kosovë kanë nevojë për kompromis. Atë që la përgjysmë lufta, duhet ta përfundojë paqja dhe dialogu. Thelbi i dialogut është kompromisi. Dialog nuk është poshtërim, ashtu si kompromisi nuk është kapitullim. E katërta: Kompromisi nuk duhet të jetë i dhunshëm. Ju kujtohet kompromisi i 9 marsit 97 në Shqipëri? Ishte një kompromis i përgjakshëm. Nuk duhet të jetë i tillë kompromisi i Kosovës. Ai nuk duhet të ngjajë as me marsin ‘97 në Shqipëri dhe as me marsin 2004 në Kosovë, ku u shkatërruan me dhjetëra kisha dhe manastire serbe. E pesta: Kompromisi duhet të ketë një kufi. Nuk ka kompromis abstrakt. Rregullat e lojës politike që po vendosen qysh tani duhet të kenë edhe këtë detaj: Cili është kufiri i kompromisit të shqiptarëve. Nuk bëhet fjalë për kompromis odash, as kompromis aventurierësh, as kompromis korrupsioni. Bëhet fjale për kompromisin që rilind jetën e qytetarit. Shqiptarët nuk duhet të kërkojnë, por të argumentojnë se kompromisi i tyre shkon deri te shteti i Kosovës. Deri më sot askush nuk flet për nënfishat e termit kompromis. Janë shqiptarët ata që duhet të flasin dhe t’i konkretizojnë qysh tani përbërësit e kompromisit. E kaluara e afërt dhe e largët ka avantazhe dhe disavantazhe për shqiptarët. Historia e rilindasve është për ta mësuar. Por politika e rilindasve nuk shkon për ta përdorur në vitin 2005. Ashtu si nuk shkon të thuash se shqiptarët e kanë bërë kompromisin duke mos kërkuar bashkimin e trojeve shqiptare. (Kur e kanë bërë këtë kompromis dhe kush e paska bërë?) Janë të tjera avantazhet e shqiptarëve, janë avantazhet që kanë të bëjnë me shtetin. Shqiptarët në Kosovë nuk kanë pse të vendosin kufij lidhur me lirinë dhe të drejtat e njeriut. Kufiri i tyre është vetëm e drejta për të bërë shtet. Deri më tani, në mënyrë figurative, karroca e «Ismail beut» ka rënë në lumin Ibër që ndan Kosovën veriore nga Kosova tjetër. U takon politikanëve të Kosovës ta nxjerrin nga lumi dhe ta çojnë në Prishtinë. Dhe së gjashti: Në funksion të këtij rrugëtimi shtetësie, çdo kompromis është i pranueshëm.