e martë, dhjetor 13, 2005

Mbledhja e Byrose Politike kur mbriti ultimatuni i studentve



Levizja Studentore 90
Mbledhja e byrose

Mbledhja e Byrosë kur mbërriti ultimatumi i studentëve

Byroja Politike në ’90: Të mbyllim universitetin që të shuhen protestat


Fatos Veliu
Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës është mbledhur në sallën e posaçme të saj, në të cilën për 45 vjet me radhë ka drejtuar fuqishëm shtetin e diktaturës së hekurt.
Në atë sallë, për 45 vjet me radhë byroistët do të merrnin vendime ekonomike, politike, madje do të përcaktonin edhe fatin e dhjetëra kolegëve të tyre, si të dalë nga “rruga e Zotit”. Por ata asnjëherë nuk e kishin menduar se do të mblidheshin për të diskutuar një temë të tillë, si ajo që po diskutonin në atë fillim dhjetori të vitit 1990, i cili do të regjistrohej fuqishëm në historinë shqiptare si viti vendimtar për të ardhmen demokratike të popullit. Ramiz Alia kishte filluar para byroistëve të pasqyronte situatën, e cila pak a shumë njihej, sepse kishte ditë të tëra që lëvizja studentore, e nisur me disa kërkesa ekonomike kishte marrë përmasa të tilla dhe nuk mund të ndalej. Jo vetëm kaq, por tashmë ajo drejtohej nga një shtab apo komision i zgjedhur, i cili kishte marrë përsipër jo vetëm të bënte një program dhe platformë mbi të cilën do të vazhdonte veprimtaria e studentëve kryengritës, por për të qenë në koherencë edhe me ligjet e kohës, kishte nisur edhe një ultimatum në drejtim të organeve më të larta ligjvënëse të shtetit. Thelbi i asaj promemorieje, e cila kërkonte të lejohej pluralizmi politik në Shqipëri si shkalla më e domosdoshme për të nisur rrugën e vet demokracia, i kishte shokuar byroistët. Gjithçka rreth asaj historie, që për mentalitetin dhe pjekurinë e sotme politike mund të duket enciklopedi, mësohet vetëm tani. Në redaksinë e gazetës “Panorama” bëhet e mundur zbardhja e pamjeve filmike të siguruara në ish-arkivat e PPSH-së, në të cilat është regjistruar mbledhja e parë e Byrosë Politike, e zhvilluar në momentet kur Alisë i mbërrin në zyrë peticioni i parë i studentëve. Përveç rregullimeve ortografike, redaksia nuk bën asnjë ndërhyrje tjetër.(Në momentet që Ramiz Alia deklaronte: “ Studentët kërkojnë që forca e re politike që mund të dalë prej tyre të lejohet të hyjë në zgjedhje”, byroistët që dëgjonin si të shokuar për atë që ndodhte, gjetën momentin për të treguar se ishin me kredibilitet në popull, prandaj u përgjigjën: “Po të duan le të hyjnë në zgjedhje”. Kjo tregonte se ata ishin shumë larg realitetit, pavarësisht se Alia ua bënte të qartë. Ndërkohë, bëhen edhe ndërhyrje të tjera, ku byroistët vazhdojnë të tregojnë mosbesim se do t’u japë populli votë përfaqësuesve të studentëve, por Alia i ndërpret menjëherë) Ramiz Alia: Prit, prit, prit, prit, prit, prit…, para se të shkojmë atje që po t’i zgjedhin, mund të marrim edhe tjetrën që po të na zgjedhin edhe neve pastaj! Eshtë tjetër problem ai pastaj. Problemi është: Ne kemi thënë që teza e jonë ka qenë deri tani që e kemi thënë nëpër mbledhje, plenume, kongrese etj., kemi thënë që, “ne pranojmë pluralizëm mendimi, por nuk pranojmë pluralizëm partiak”. Kupton? Edhe që neve pranojmë vetëm këto lloj subjektesh politike, këto që kemi sot.( Ndërhyrje mendimesh nga salla (të pakuptueshme) por që Alia kërkon shpjegime)Ramiz Alia: Çfarë? Si. E po, si pra?Lenka Çuko: Mirë po nuk janë të gjitha ashtu, thonë disa vajza që venë nëpër dhoma dhe…Ramiz Alia: (E ndërpret) Vetëm mos harro që nuk është vetëm problemi i universitetit këtu. Shiko se edhe në Korçë filluan.(Sërish ndërhyrje nga salla në grup, ku ndërsa pranojnë se protestat kanë përfshirë më gjerë sa diskutohet, përmendin secili nga një emër rrethi)Lenka Çuko: Të lëshojmë se bëjnë presion ata, dhe ne lësho këtu dhe lësho atje! S’bëhet kjo! Viti i ri po vjen. 10-15 ditë mund t’i nisim para . . . .Hekuran Isai: Si mund të mbyllen shkollat. . . duhen justifikuar. . . (Ndërkohë që ka ndërhyrje të tjera për të plotësuar mendimet).Muho Asllani: Shkollat mund të mbyllen me këtë pikësynim që....., jo, jo mund të mbyllet për të bërë riparimin e konvikteve, për të bërë riparimin e kaldajave, për të rregulluar gjendjen e mensave. . . . (Sërish ndërhyrje të shumta nga salla, të cilët mendojnë për mënyrat se si të mbyllen universitet për të shpërndarë studentët që protestojnë).Ramiz Alia: Ore vëllezër, po dale mor, po ku do t’i çojmë këta, në Afaganistan? (ngre zërin në formë të revoltuar se qëllimi i tij nuk kuptohet nga byroistët) Janë pesë mijë veta që do të shkojnë në rrethet tona. Janë gjithë këta që do të shkojnë në rrethet e tjera. E do shikoni se çfarë bëhet. Kjo…, kjo situatë që u bë në Tiranë kaloi në Durrës, kaloi në Kavajë, kaloi në Shkodër, kaloi në Fier, kaloi në… në… . Si, si kështu!? (sërish ndërhyrje pa radhë nga të pranishmit, por që gjithsesi tregojnë se binden nga ato që shtron Alia)Ramiz Alia: Pastaj a ikin a s’ikin edhe ata. Bllokohen edhe ata… Pse? Ë?Kurse ajo… ajo e presidiumit s’bëhet dot…. S’bëhet dot…, çdo gjë bëhet por… e para një herë duhet mbledhur Kuvendi. E dyta, ajo pastaj është çështje e qeverisë. Shtrohet problemi i qeverisë pastaj. Domethënë të bësh kështu… (ndërhyrje nga salla)Ramiz Alia: Po ç’funksione? Si mund t’i marrë ato? Po ç’kompetenca mund të marrë ai presidium me Xhafer Spahiun dhe me Lumturi Rexhën. (sërish ndërhyrje nga salla, të cilët sërish i ndërpret Alia).Ramiz Alia: Ore shok po dale se edhe ju shkoni shumë larg.Këtu është fjalë me sot e me nesër. (qesh në mënyrë të qëllimshme që nuk po kuptohet)Ç’zgjedhje të reja!? Po të ishte ashtu, edhe këtë mbledhje që bëjmë sot, ne kot e bëjmë se ja, në 26 kemi mbledhjen tjetër. . . . Në këtë pikëpamje them unë. Ja, unë i thashë sot shokut Vangjel. Janë komisione të ndryshme që do të bëjë Kuvendi. Delegacione të ndryshme të Parlamentit. Cili nga këta që ke ti këtu mund të të përfaqësojë?. . . . Ja, që ta vëmë në krye të një delegacioni, më thuaj cilin nga ata që ke aty ti? Që ta çojmë kupton, delegacion parlamentar në Austri. Njërin nga ata më thuaj.Ndërhyrje nga sallaRamiz Alia: Njërin më thuaj. Jo, jo, s’dua ashtu unë, por një vetëm.Nga salla: Sipas meje?Ramiz Alia: Po sigurisht, sipas teje, por ma thuaj njërin. Hë ma thuaj cilin? Ma thuaj cilin, të të them unë. Thuaje që të të them se çfarë gjuhe di. Nga salla: Përmendet emri i Luigj Pjetrit.Ramiz Alia: Çfarë gjuhe di? Anglisht di? Frëngjisht di? Hiçgjë s’di. Po, hiç. Luigj Pjetrin e njoh, ai i hidrocentralit është? Ai s’di shqip! Hë.. Luigj Pjetrin thotë.Nga Salla: Ndërhyn sërish byroisti që përmendi emrin e Luigj Pjetrit, ku ndërpritet nga AliaRamiz Alia: Jo, jo të lutem, po jo, jo, ti ma zgjodhe Luigjin…Ramiz Alia: Domethënë duhen bërë disa ndryshime në konkretizimin e programit të partisë në realitetin aktual. Natyrisht unë, kupton apo jo, nuk arrij dot ta paraqes plotësisht atë vijë të përgjithshme kupton, programin tonë të përgjithshëm, se pse do punë kjo. Se kjo do bërë në Kongresin e Partisë. Por, disa vija të përgjithshme unë do përpiqem t’i hedh këtu. Tashti, çfarë… themelore, çfarë ka këtu, disa gjëra. Domethënë e para një herë këtu unë paraqes çështjen, kupton (pauzë) …, ëë përveç karakterit të situatës së sotshme paraqes, si të thuash ëëë, të kërkesës që bëhet për të rishikuar vijën e Partisë. Për të rishikuar të kaluarën e Partisë. Dhe i jap përgjigje kësaj çështjeje duke theksuar, kupton, pra, duke thënë që ne nuk kemi ç’ti shikojmë të kaluarës. Dhe këtu ne mbajmë këtë qëndrim, në të cilin, si të thuash, qëndrimi parimor është kjo: (lexon) Padyshim në rrugën e partisë janë bërë edhe gabime. Kështu? Por, përgjegjës për ato nuk është e nuk mund të jetë një njeri i vetëm, kushdo qoftë ai. Përgjegjësi mbajmë të gjithë ne. Mban tërë partia.….Këtu fjala është që nuk duhet të jetë e nevojshme se unë bëra këtë e ti ma hedh mua e unë atij, kupton?. Këtu fjala është që ne kemi vepruar si një parti unike, kupton. Me një pikëpamje, me një synim dhe nuk mund të themi, kupton, që tufëzimin e bëri Adil Çarçani apo Ramiz Alia apo Enver Hoxha apooo, ku di unë kush tjetër. Këtë e bëmë të tërë. Një herë pas zgjedhjeve të Kuvendit popullor, në parti duhen bërë zgjedhjet e byrove të organizatave bazë, të Komiteteve të Partisë dhe të forumeve të tjera lokale të partisë, me qëllim, pra, ku do të zgjidhen edhe delegatët për kongres, kuptohet kjo. Por, qëllimi është që nga baza në qendër të vijnë njerëz të tjerë.