e mërkurë, dhjetor 28, 2005

Agim Mero: Nexhmija ndryshoi procesverbalin e bisedës me Enverin



Agim Mero: Nexhmija ndryshoi procesverbalin e bisedës me Enverin


Fatos Veliu
Një bisedë interesante e bërë në vitin 1971, mes Enver Hoxhës dhe kreut të Rinisë së asaj kohe, Agim Meros, i dha më shumë hov liberalizimit të nisur në jetën e vendit pas një fjale të ngjashme që Enveri kishte mbajtur një vit më parë para rinisë së shkollave të mesme të kryeqytetit.
Ajo bisedë e kreut të shtetit me atë të rinisë, që bënte fjalë më së shumti për lirinë e të vepruarit të rinisë dhe luftën që duhej të bëhej kundër konservatorizmit që kishte uzurpuar gjithçka, nxiti një frymëmarrje të paparashikuar jo vetëm në radhët e rinisë, por edhe në ato të kolektivave punonjëse, apo në letërsi dhe arte. Kjo histori e ndodhur dya po më shumë vjet para se të bëhej plenumi i Katërt i Komitetit Qendror të Partisë, ku Enver Hoxha do të thërriste me të madhe se armiqtë deformonin vijën e Partisë, madje vetë Meron do ta akuzonte si njeri që kishte guxuar të keqpërdorte orientimet e tij, ka qenë më së shumti enigmatike për njerëzit e thjeshtë. Askush nuk dinte se çfarë ishte biseduar në të vërtetë mes Enver Hoxhës dhe Agim Meros, pasi, siç mësohet sot, edhe ai material i botuar pothuajse u tjetërsua krejt nga njerëzit e kontrolluar nga zonja Hoxha. Kjo ishte arsyeja që edhe njerëzit e zakonshëm mund ta kenë konsideruar plenumin e katërt një fitore të paimagjinueshme të Partisë, e cila kishte “treguar” edhe një herë atë “vigjilencën” e saj vitale për të mirën e popullit e të atdheut. Por sot, kur kanë kaluar afërsisht 35 vjet, nga ajo kohë dhe kur vetë ish-kreu i Rinisë që ka bërë personalisht bisedën me Enverin, ku ka marrë gojarisht orientimet e tij për një rrugë ndryshe për rininë, rrëfen për herë të parë atë histori për gazetën “Panorama”, mëson saktësisht atë që ka ndodhur në kulisat e asaj godine që quhej Komitet Qendror. Cilat kanë qenë intrigat e organizuara mbi njeriun, që kreu mëkatin e madh që kërkoi një takim me kreun absolut të shtetit për t’i transmetuar atij disa shqetësime. Pse Hysni Kapo e kërkoi Meron në takim, që të nesërmen e bisedës me Enverin. Çfarë i tha ai, dhe mbledhja e provokuar e aparatit pikërisht për atë gjë. Referimi që Mero bëri para aparatit të Komitetit Qendror dhe pse u konsiderua ai referim disi i dyshimtë, nëse ishte thënë saktësisht nga Enver Hoxha, apo jo. Çfarë bëri Nexhmije Hoxha me procesverbalin e zbardhur dhe pse ajo kërkoi që para se të botohej të ripunohej edhe një herë. Kush ishin ata, të cilëve Nexhmija u besonte materiale të tilla, ku kishin të drejtë të hiqnin dhe të shtonin ato që duhej të thuheshin nga bashkëshorti i saj, duke arritur deri aty sa të tjetërsonin krejt bisedat, etj. Gjithçka mësohet për herë të parë nga rrëfimi që vetë Agim Mero bën në vijim të shkrimit të mëposhtëm.Zoti Agim, siç konstatohet edhe nga procesverbali i mbajtur gjatë takimit që ju, si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë keni pasur me Enver Hoxhën, më 28 prill të vitit 1971, pjesë të të cilit gazeta i botoi në dy numrat e kaluar, në atë moment i është kushtuar një rëndësi e madhe liberalizimit dhe luftës për t’i dhënë frymëmarrje jo vetëm rinisë, por gjithë jetës së vendit. Pavarësisht asaj që thoni se “duke parë atë që ndodhi në plenumin e katërt, ajo ka qenë një grackë e Enver Hoxhës, por gjithsesi do të donim të dinim se çfarë ndodhi në të vërtetë në drejtim të liberalizimit të jetës së vendit dhe kryesisht asaj të Rinisë. Pra, fjala është nëse filloi me të vërtetë liberalizimi i pretenduar? A ndikoi ajo bisedë për vazhdimësinë e atyre që kërkuat te Enver Hoxha, si vijoi veprimtaria juaj pas atij takimi, i cili u bë shembull për të gjitha strukturat e shtetit.Çfarë ka ndodhur në të vërtetë pas atij takimi, enciklopedinë time se si kalova nga një zyrë në tjetrën dhe si vijoi historia e procesverbalit të bisedës së zbardhur, i cili u mor në dorëzim nga Nexhmije Hoxha dhe para se të botohej në buletinin e Komitetit Qendror u ripunua pothuajse plotësisht, është jo vetëm befasuese, por edhe gati e pabesueshme. Vetëm kur u godita edhe unë, madje kur u cilësova nga vetë Enver Hoxha si njeri që kisha guxuar t’i deformoja bisedën, kuptova se isha përdorur nga ai për vetë pozicionin që kisha në krye të rinisë, që nëpërmjet asaj bisede ai të transmetonte në bazë mendimet e tij gjoja liberale. Këtu ishte gjithë loja e nisur që përfundoi në tragjedi të shokëve tanë dhe timen gjithashtu.Çfarë ndodhi në të vërtetë?Kur unë do të largohesha nga zyra e Enver Hoxhës pas asaj bisede të gjatë dhe të detajuar që bëmë, ai nuk harroi të më falënderonte edhe një herë, duke më porositur që të shkoja sërish në zyrën e tij, për ta informuar personalisht për çdo problem që të kisha, “sepse, - tha ai, - kush ka rininë me vete, ka të ardhmen”. Pas kësaj, do të fillonin historitë që unë nuk e dija se do të vijonin aq gjatë dhe ajo bisedë do të merrte ato përmasa. Konkretisht menjëherë do të thirresha nga Hysni Kapo.Kur dhe përse të thirri Hysni Kapo?Hysniu më thirri që të nesërmen e takimit me Enver Hoxhën, pra më datën 29 prill (1971). Kur unë kujtova se ajo bisedë që kisha kërkuar vetë për të informuar, u mbyll me largimin tim nga zyra e tij, më njoftojnë se Hysni Kapo më kërkonte me urgjencë në zyrën e tij. Shkova menjëherë. Sa më pa në derë, u çua në këmbë dhe më përqafoi me dashuri, duke më thënë: “Bëre shumë mirë që shkove te shoku Enver për gjithë ato probleme që kishit konstatuar. Vetë shoku Enver ka mbetur shumë i kënaqur nga ai informacion dhe na ka hequr një dru të mirë neve si aparat, që nuk e kishim njoftuar më parë për gjithë ato gjëra, saqë do ta mbajmë mend mirë. Madje shoku Enver, saktësisht më tha: “Çfarë bëjnë gjithë këta instruktorë të Komitetit Qendror të Partisë që nuk kanë mundur t’i konstatojnë dhe t’i ngrenë më parë tërë ato probleme”. Prandaj, për t’i dhënë rëndësinë e duhur zgjidhjes së tyre, të cilat shoku Enver na i vuri si detyra emergjente, që nesër do të organizojmë mbledhjen e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë ku t’i do të përsëritësh edhe një herë të gjithë bisedën që konsumuat me shokun Enver”.U bë mbledhja?Patjetër që u bë, por që me takimin që kisha bërë me Hysni Kapon filluan edhe shqetësimet e mia, pasi nuk ishte e thjeshtë që të përsërisje e të ripërsërisje probleme të tilla që më së shumti kishin karakter politik, sepse në këtë mënyrë bëje aventurë. Gjithsesi unë kuptova që kisha hyrë në një valle, nga e cila nuk e dija si mund të dilja. Mbledhja e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së u bë paraditen e së nesërmes, pra të 30 prillit.Si vijoi?Menjëherë sapo filloi mbledhja, Hysni Kapo bëri një hyrje të shkurtër, ku informoi aparatin për takimin që kisha zhvilluar me shokun Enver, gjatë të cilit kisha ngritur një sërë problemesh, që vetë shoku Enver i kishte konsideruar shumë të drejta dhe kishte dhënë urdhër që të merreshin masa emergjente për rregullimin e tyre. Pas kësaj, ma kaloi fjalën mua për të referuar ato që kishim biseduar dy ditë më parë në zyrën e Enver Hoxhës. Unë, sigurisht fillova të kujtoja gjithçka që kisha biseduar, të cilat i kisha regjistruar më së miri jo vetëm në kokën time, por edhe në letër. Për hir të së vërtetës, gjatë atyre sqarimeve që bëra, unë fola disi më shumë nga çfarë kishte thënë Enveri për rininë. Megjithatë, gjatë fjalës sime vija re në auditor, se tek-tuk shikohesha edhe me habi. Arsyen e mësova më vonë, kur ma thanë vetë.Çfarë të thanë?Pasi mbarova atë që më ishte kërkuar, Hysni Kapo lejoi një pushim të shkurtër. Në momentin që zbrisnim shkallët për të shkuar në kafen që ndodhej në bodrumin e selisë së Komitetit Qendror, ndihmësi i Hysni Kapos, i cili tashmë ka vdekur më tha: “Për nder, po të mos thoshe se këto që përmende në këtë mbledhje i ka thënë shoku Enver, unë do të të quaja revizionist”. Kjo thënie e tij ishte edhe diçka e zakonshme, por mund të merrej edhe me një farë shqetësimi, sepse ishte një ndërhyrje që mua m’u duk si tepër interesante, pasi linte të kuptoje se atyre nuk u kishin pëlqyer ato lloj argumentimesh që ishin bërë. Kjo kishte rrezikun tjetër se nesër mund të mohohej saktësia e thënieve nga Enver Hoxha, ashtu siç ndodhi në të vërtetë dhe përgjegjësia e gabimit politik mbetej mbi mua. Këtu u mbyll historia e bisedës?As që bëhej fjalë që të mbyllej këtu, se ajo hapej kur s’e mendoje. Madje edhe dy vjet më vonë kur u përjashtova nga partia, ndodhi ajo që i trembesha, pasi do të më përmendej nga Enver Hoxha se kisha tjetërsuar bisedën që kisha bërë me të. Ndërsa pas mbarimit të mbledhjes së aparatit të Komitetit Qendror, ku me porosi të Hysni Kapos unë do të ripërsërisja të gjithë bisedën, që kisha bërë me Enver Hoxhën nuk do të kalonin veç dy ditë kur do të thirresha sërish, por këtë herë nga Nexhmije Hoxha.Përse të thirri Nexhmije Hoxha?Nexhmije Hoxha më thirri së bashku me Hamit Beqen, i cili në atë kohë punonte në aparatin e Komitetit Qendror. Kur shkova tek ajo, më dha në dorë disa fletë formati, në të cilat ishte biseda e zbardhur që kisha bërë me Enverin. Kur e pashë i habitur për të kuptuar se çfarë thuhej me këtë mënyrë ajo m’u drejtua: “Këtë material do ta ripunoni edhe një herë me Hamit Beqen, sepse do të botohet në buletinin e Komitetit Qendror të Partisë”. Ajo theksoi gjithashtu se, një veprim i tillë bëhej duke pasur parasysh faktin se, Enveri kishte bërë një bisedë të lirë dhe të papërgatitur, ku mendimet e tij duhej të sistemoheshin në një formë të atillë, që të jepeshin si orientime për bazën.Si e konsideruat këtë fakt, që materiali do të botohej në buletinin më të rëndësishëm të kohës?Detyrimisht një fakt i tillë ishte shumë pozitiv për mua, por nuk e dija se ai do të ndryshonte katërcipërisht.E ripunuat?Patjetër. Me Hamit Beqen ndenjëm dy ditë, duke i parë me vëmendje problemet që ngriheshin, mënyrën si ngriheshin dhe përgjigjet që duhej të jepte Enver Hoxha pa harruar edhe mënyrën se si ai do t’i jepte ato. Pastaj ia kthyem sërish Nexhmijes.Ishte e kënaqur ajo pas atij ripunimi që i bëtë procesverbalit?Pasi e pa me vëmendje ajo nuk u kënaq, por na i ktheu edhe një herë për ta riparë më mirë, pasi duheshin bërë edhe disa korrigjime me karakter parimor. “Duhet pasur parasysh fakti,- tha ajo-, që ajo ishte një bisedë e lirë, prandaj duhet të trajtohen akoma më qartë problemet”. Unë i thashë që “më mirë ta marrë ta punojë vetëm Hamiti, sepse unë e kam të zorshme ta përpunoj. Ai e di mirë se ku të vendosë theksin, ashtu siç di se çfarë të heqë dhe çfarë të shtojë”. Këtë e thosha sepse Hamit Beqa ishte punonjës i aparatit dhe dinte si t’i trajtonte çështjet, pasi i thoshin se ku synohej me këtë, apo atë fjalim. Sikur të priste një reagim të tillë, Nexhmija u dakordua menjëherë dhe ia kaloi atë Hamit Beqes që ta ripunonte vetëm. Kështu që para se ai material të botohej në buletinin e Komitetit Qendror u ripunua nga e para nga Hamit Beqa.Pastaj u botua?Nuk e di nëse ka vënë dorë edhe dikush tjetër, por ai u botua vetëm pasi u ripunua krejtësisht aq sa u ndryshua fare. Pas botimit të tij, u dha porosi në të gjitha Komitetet e Partive në rrethe, që të punohej në mënyrë të organizuar dhe të dilnin me objektiva konkretë. Dhe ashtu ndodhi në të vërtetë. Në të gjitha strukturat e Partisë së Punës në të gjithë Shqipërinë, u punua biseda që kishte bërë Enver Hoxha me Sekretarin e Parë së Komitetit Qendror të Rinisë, pra me mua, por që në atë material në të vërtetë ishte ndryshuar gjithçka. Vetëm emri im u duhej për të transmetuar mesazhet në bazë, pra, për të nxituar atë që e quajtën liberalizëm dhe në të vërtetë në atë periudhë u ndje goxha, deri në momentin që dha goditjen e tmerrshme Enver Hoxha dhe bëri thirrje sërish, si më parë për të luftuar liberalizimin.Ku u vu re?Gjithçka që ndodhi deri në atë moment, kur u botua ai material i ripunuar filloi të reflektohej në gjithë jetën e vendit, por kryesisht te rinia. U bënë shumë ndryshime në metodën dhe format e punës si dhe në strukturën organizative të saj. Pra, në njëfarë mënyre sikur filloi të merrte ajër puna me rininë. Por nuk do të vononte dhe ndryshimet do të fillonin sërish të frenoheshin deri në shpërthimin historik të Enver Hoxhës në plenumin e katërt. Fakt ishte se pavarësisht nga sa u tha e si u veprua, në vitin 1972 do të ndihej sërish dora e hekurt e njerëzve konservatorë reagimi i të cilëve do të ishte dominues. Pas kësaj, u vendos të largohesha edhe unë nga kreu i Rinisë dhe të kaloja me detyrën e rektorit të Universitetit, nga e cila do të shkarkohesha në plenumin e katërt të 73-shit.Zoti Mero, kur filloi goditja personale ndaj jush, e cila do të vijonte jo vetëm në plenumin e katërt, por më tej derisa të përjashtoheshit përfundimisht nga Partia, pasi kam parasysh se thatë se gjithçka e nisur mbi ju ka qenë pikërisht ajo bisedë që bëtë me Enver Hoxhën?Kur thashë se filloi të marrë forcë sërish mendimi konservator do të thoshte se, ato porosi që Enver Hoxha kishte dhënë për rininë nëpërmjet bisedës me mua dhe që u botua në buletinin e KQ, duhej të anuloheshin. Konservatorët nuk mund të lejonin atë lloj frymëmarrje që kërkonte rinia.Në këtë mënyrë, për të anuluar atë që ishte thënë në emër të Enver Hoxhës për liberalizimin, do të fajësohesha unë dhe të tjerët, me akuzën për keqpërdorim të fjalës së Enver Hoxhës. Me këtë punë, pra, për të bërë këtë lloj kthese, duke fabrikuar akuzat e para ndaj nesh sërish merrej vetë Nexhmije Hoxha, e cila provokoi një mbledhje të posaçme të Komitetit Qendror. Atë mbledhje që e drejtoi vetë ajo dhe që u mblodh posaçërisht për fjalën e Enver Hoxhës gjatë bisedës që kishte bërë me mua në 28 prill, për herë të parë ajo do të më lëshonte akuzat direkte. Kuptohej, në këtë rast ambienti konservator ishte shumë i fortë...

Para Alisë president, bëri betimin qeveritar“Me Ramizin u takova në ‘90 kur u bëra ministër”
Gjatë kohës që Agim Mero ka punuar në Komitetin Qendror të Rinisë (fillimisht si sekretar i tij dhe më pas si Sekretar i Parë) marrëdhëniet e punës i ka pasur vetëm me Ramiz Alinë dhe më pak me Hysni Kapon. Bëhet e ditur se pavarësisht se ai ka mbajtur për tetë vjet detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Rinisë, çuditërisht me Enver Hoxhën është takuar vetëm një herë zyrtarisht, madje edhe ai takim është kërkuar nga vetë Merua. Gjithsesi puna 10-vjeçare në detyrat e larta të Komitetit Qendror të Rinisë, e lidhi shumë me Ramiz Alinë me të cilin krijoi një shoqëri të afërt, madje edhe konfidenciale. Megjithatë, gjithçka u fashit pas rrënimit që atij iu bë në plenumin e Kulturës, pas të cilit nuk vonoi shumë dhe u ndëshkua me epitetet e rrezikshme për kohën. Pas akuzave që ai mori jo vetëm nga Enver Hoxha, por edhe nga shumë liderë të nomenklaturës së lartë, ai u shkarkua nga të gjitha funksionet, ndërkohë që u përjashtua fare edhe nga Partia dhe u dërgua të punojë si inxhinier i thjeshtë zbatues në ndërmarrjen e ndërtimit të Laçit. Kjo për të do të thoshte se në çdo veprim, në çdo rreth shoqëror dhe në çdo gjë tjetër, të konsiderohej një njeri antiparti, që ishte hedhur poshtë për veprimet e tij që binin ndesh me vijën dhe rrugën e Partisë. Kështu që, ai ndërpreu marrëdhëniet, madje edhe takimet jo vetëm me Ramiz Alinë dhe me pjesën tjetër të nomenklaturës, të cilët dikur i kishte pasur shokë dhe kolegë, por edhe me kuadrot e Partisë në lokalitet. Por fati ka të papritura të tilla që as mund të imagjinohen. Kështu ndodhi edhe me Agim Meron, i cili u ndëshkua jo vetëm, duke u shkarkuar nga funksionet dhe duke u përjashtuar nga partia, por u dërgua edhe për të punuar në Laç. 18 vjet më vonë, pikërisht në vitin 1991, ai u rikthye jo vetëm në Parlamentin shqiptar, ku dikur kishte qenë anëtar presidiumi, por edhe ministër i Turizmit. Gjatë kësaj kohe u takua sërish me Ramiz Alinë, i cili tashmë ishte president i vendit. (marrëdhëniet mes presidentit, një ministri dhe deputeti njëkohësisht janë shumë të afërta). “Nuk mund të flas më shumë për momentin e takimit me ish-mikun tim të vjetër Ramiz Alinë- tregon tashmë Agim Mero,- por vetëm di që ai u gëzua shumë kur më pa sërish në pozicionet e larta të shtetit. Atë gëzim, siç mësova e kishte ndjerë që kur më kishte dekretuar në postin e lartë si anëtar të kabinetit qeveritar. Megjithatë, momenti i parë i takimit me të ishte mëse emocionues. Ai moment ishte pikërisht kur qeveria do të merrte portofolat dhe do të betohej para presidentit. Mbaj mend që Ramizi kur më pa më përqafoi me mall, duke bërë ndërkohë një lëvizje të dorës, si për të treguar që kaloi pas krahëve gjithçka që kishte ndodhur”. Pyetjes sonë nëse e ngarkon sadopak me faj Ramiz Alinë për ndëshkimin që pësoi, Merua i përgjigjet se Alia nuk kishte as një mundësi tjetër për të ndihmuar në atë kohë, madje ai shton se, dikur Alia e ka ndihmuar në fshehtësi, që vajza e tij të merrte të drejtë studimi.

neser do te lexoni
Si vijuan ngjarjet në lidhje me liberalizimin e jetës së rinisë, mbi bazën e orientimeve, që Enver Hoxha i kishte dhënë personalisht Agim Meros. Situata e krijuar kur Nexhmije Hoxha, në lidhje me atë bisedë mblodhi nën drejtimin e saj, posaçërisht aparatin e K.Q të PPSH. Akuzat e para që hodhi mbi vetë Meron
Mbledhjet e mëvonshme, që pasuan ato situata kur pas Nexhmijes do të vinte momenti, që vetë Enver Hoxha do ta konsideronte Meron si njeri që kishte “rrëshqitur” djathtas, madje do ta akuzonte edhe për keqpërdorim të bisedës së bërë me të. Akuzat e tjera që do të bëheshin mbi Agim Meron nga Vito dhe Hysni Kapo deri në rrënimin e plotë të tij.