e premte, qershor 09, 2006

Gjetja dhe verifikimi i radiostacionit të “Xhevdet Mustafës” në Divjakë



Informacioni për bandën, tre muaj para tek Enveri


Kujtim Boriçi

Dossier/ Në këtë numër, Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinier i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes për 12 vjet, sjell detaje interesante rreth zbarkimit në bregdetin e Divjakës, më 22 shtator 1982, të bandës së Xhevdet Mustafës, informacionin që kishte Enver Hoxha tre muaj para zbarkimit të saj. Zbulimi në këtë zonë, para ardhjes së bandës, të një radiotransmetuesi të vogël, verifikimi i tij nga specialistët, si dhe drejtimi i operacionit nga Enveri, duke anashkaluar krerët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Rendit. Në vazhdim do të lexoni:- Thirrja e kryeinxhinierit Shametaj nga ministri i Brendshëm Hekuran Isai, një muaj pas gjetjes së radios në Divjakë dhe interesimi për hollësi të mëtejëshme..- Zbarkimi i bandës së Xhevdet Mustafës më 22 shtator 1982 dhe marrja e drejtimit të operacionit nga Enver Hoxha.- Si ndërlidhej e komunikoi urdhrat me vartësit Enver Hoxha, që nga fillimi i operacionit e deri në asgjësimin e bandës.Edhe pse kanë kaluar rreth 24 vjet nga zbarkimi i bandës së “Xhevdet Mustafës”, në bregdetin e Divjakës, me synim të kryerjes së akteve terroriste, eliminimin fizik të Enver Hoxhës (akuza zyrtare ndaj saj), ende vazhdon të mbetet mister misioni i vërtetë i kësaj të quajture “bandë terroriste”. Jo vetëm për shkak se kjo ngjarje e rëndë u shoqërua me “prerje” kokash të udhëheqjes së kohës, por se dhe shumë dëshmi të dhëna më vonë nga protagonistë direkt të aksionit për shkatërrimin e “bandës së Xhevdet Mustafës”, shpesh janë të pasakta e kontradiktore. “Për mua, zbarkimi dhe operacioni për asgjësimin e bandës së Xhevdet Mustafës, i vlerësuar si desant detar dhe paralajmërues i mundshëm ndaj një agresioni ndaj vendit tonë, u vlerësua drejt, e sigurisht, nga Enver Hoxha, si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ai jo vetëm kishte situatën nën kontroll, por ishte më i mirinformuari së paku tre muaj më parë për zbarkimin saj në bregdetin tonë”, - tregon për gazetën Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinier i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes, e një nga dy specialistët që bllokuan e verifikuan radiostacionin e ndërlidhjes së kësaj “bande”, që u zbulua rreth tre muaj më parë në Divjakë..Pse Enveri “mënjanoi” vartësit në drejtimin operacionit Si rrallë ndonjëherë në afro katër dekada të pasluftës së Dytë Botërore, Enver Hoxha, në cilësitë e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmitarëve, që me marrjen e sinjalit dhe deri në asgjësimin e plotë të “Bandës së Xhevdet Mustafës”, ishte pothuaj në udhëheqjen direkte të operacionit. Në njëfarë mënyre, sipas dëshmive të publikuara viteve të fundit, edhe Kadri Hazbiu që ishte ministër i Mbrojtjes e reparte të ushtrisë, me urdhrin direkt të Enverit, dhënë shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, ishin ngritur në alarm. Edhe Hekuran Isai që ishte ministër i Brendshëm mësoi për zbarkimin e bandës vetëm pas shumë orëve të operacionit për asgjësimin e saj, e kanë pohuar direkt apo indirekt “mënjanimin” e udhëheqjes nga realizimi i kësaj detyre. Për mua, - tregon për gazetën Ibrahim Shametaj, kuadrot që kanë qenë drejtues të Ministrisë së Brendshme, me dashje apo pa dashje, harruan se në vendin ku zbarkoi banda e Xhevdet Mustafës në vitin 1982, para tre muajsh u gjet një radiostacion. Shpesh prononcimet e tyre se zbarkimi kishte devijuar pak nga vendi ku u gjet aparatura, sipas Shametajt, nuk janë bindëse, pasi ata, si drejtues të lartë e specialistë, nuk i pengoi kush që të mbanin nën kontroll edhe Divjakën, veçse padija, plogështia, neglizhenca, paaftësia apo thellimi në konkluzione logjike e shkencore. Ndërsa Enver Hoxha, nëpërmjet fijeve të informacionit, ka bërë vlerësimin real që nga gjetja e radiostacionit e deri te drejtimi i operacionit në zbarkim të bandës së Xhevdet Mustafës. Nuk përjashtohet edhe dyshimi i një lidhjeje të mundshme të Kadri Hazbiut (që më vonë u dënua me pushkatim), siç u përfol, rreth ardhjes dhe misionit të Xhevdet Mustafës, por, për Shametajn, specialistin e lartë të ndërlidhjes, personi që bllokoi e verifikoi radion e gjetur në Divjakë, vlerësimi rreth këtij fakti nga Enveri, ishte një nga arsyet që ai mori vetë në dorë “frenat” e operacionit luftarak për asgjësimin e bandës së Xhevdet Mustafës.Shametaj:”Si bllokuam radiotransmetuesen e Xhevdet Mustafës!”Rreh tre muaj para se banda e Xhevdet Mustafës të zbarkonte në bregdetin tonë, - shkruan në shënimet e tij Shametaj, - ishte njoftuar Drejtoria e Ndërlidhjes se në territorin mbrojtës të kompanisë mitraljere (repart në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes) ishte gjetur një radio. Jepet alarmi. Për këtë, Shametaj kujton: ”Ishim në orarin zyrtar të pasdites dhe në zyrë futet furishëm shefi i gatishmërisë së radiove, duke më thënë; çohu shpejt se do të ikim në Divjakë! I them i shqetësuar se ç’është kjo urgjencë që duhet të ikim në Divjakë. Më thotë se ushtarët aktivë të batalionit mitraljer të Divjakës kanë gjetur një radiostacion të dyshimtë. Kjo ishte alarmante për ne, pasi në vartësinë tonë ishte dhe efektivi i radiokontrollit, i cili kontrollonte aktivitetin e ndërlidhjes në të gjithë hapësirën e vendit. Nëse me këtë radio ishte kryer veprimtari diversioniste, nuk kishim kapur radiosinjalet, dhe e gjithë përgjegjësia e rëndë binte mbi ne. Pra, nëse ishte kryer veprimtari diversioniste, ishte kryer edhe me përfshirjen e ushtarakëve”. Me këtë shqetësim, por edhe me përgjegjësinë e informacionit urgjent që kërkonte udhëheqja, Shametaj, së bashku me një specialist tjetër nisen urgjent për në Divjakë të Lushnjës. Më tej, ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes shkruan: ”Kur arritën, pamë vendin se ku ishte gjetur, na sqaruan çdo gjë dhe na thanë se radion e kishin dorëzuar në degën e punëve të brendshme të Lushnjës, pasi nuk ishte radio nga ato të ushtrisë. U paraqitëm në degën e punëve të brendshme të Lushnjës tek oficeri i rojës, i cili nga eprorët e tij, me sa duket, kishte marrë urdhër që të na dorëzonte ne radion.Verifikimet dhe dyshimet e paraPasi e morëm dhe u nisëm urgjent për në Tiranë, që rrugës u përpoqëm të konstatonim llojin e saj si dhe funksionet e mundshme. E veçanta ishte se radioja e gjetur nga ushtarët mitraljerë të Divjakës ishte në madhësinë e një pakete të zakonshme cigaresh “Partizani”. Në pamje të parë mendova se ishte transmetues sinoptik. Këto tipa transmetuesish të vegjël hidheshin nga Italia, ndodhte të binin dhe në vendin tonë, por ne nuk ishim përballur deri në atë ditë me një rast të tillë. Megjithatë, ramë dakord që të mos shpejtohemi në konkluzione, por të nesërmen ta hapnim e ta studionim në hollësi. Kolegu ishte përgjegjës direkt për ndarjen e radiovalëve (frekuencave) në shkallë vendi për të gjitha dikasteret që kishin aktivitet radiondërlidhje. Mbante regjistrin e të gjitha llojeve të radioaparaturave e frekuencat përkatëse. Dy-tri ditë më pas studiuam radiotransmetuesen e gjetur për të përpiluar relacionin përkatës.. (Vijon)