e diel, mars 26, 2006

Dodani:”Si kontaktonim me oficerët e shërbimeve të huaja!”

Kujtim Boriçi


Dossier Nr. 10, Mark Dodani, …(E shtune 25-e diele 26 mars)………….


Ekskluzive/ Në këtë numër, Mark Dodani, ish-oficer i shërbimit inteligjent shqiptar, sjell për lexuesin mënyrën e përgatitjes dhe zhvillimin e takimeve të sigurimit shqiptar me oficerët e huaj nën drejtimin e Kadri Hazbiut, kontaktet me oficerë të shërbimeve të vendeve mike, pritjen dhe shoqërimin e tyre si dhe korrespodencën e kontaktet në vazhdim, brenda kuadrit e detyrës. Gjithçka nën drejtimin e Kadri HazbiutMbrojtja e pushtetit të ri komunist të sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore nga përpjekjet e nacionalistëve brenda e jashtë vendit që kërkonin kthimin e kursit nga perëndimi, të mbështetur në shumë raste edhe nga agjenturat e huaja, sidomos në dy dekadat e para, solli aktivizimin masiv të agjentëve të shërbimit të zbulim-kundërzbulimit në radhët e kundërshtarëve. “Misioni për neutralizimin e kundërshtarëve në këtë mënyrë kërkonte gjithashtu si bashkëpunim me agjentura të huaja të vendeve fqinje, por edhe depërtimin tonë në radhët e këtyre agjenturave, gjë që për kushtet e kohës, mendoj se kanë qenë rezultative për realizimin e shumë misioneve tona”, -pohon Mark Dodani, një nga oficerët e njohur të shërbimit inteligjent shqiptar për shumë vite. Në kontaktet tona të kësaj natyre, -shton më tej Dodani, -përveçse gjithçka hartohej nga Kadri Hazbiu apo njerëzit e ngarkuar prej tij, në shumë prej tyre, vetë Kadriu ose merrte pjesë i maskuar në këto kontakte, ose ndiqte nga afër (po i maskuar), kontaktet që ne bënim me oficerët e agjenturave të huaja. Kadriu, i veshur çoban, në takimin me një oficer të huaj“Në vitin 1958 mora detyrë që të takoja një oficer të shërbimeve të huaja sekrete, në zonën kufitare të Sarandës dhe nisa zbatimin me përpikmëri të instruksioneve që kisha marrë nga Kadri Hazbiu”, -kujton Mark Dodani. Dodani kujton se pas diskutimit me eprorët e tij, direkt ishte vendosur që ky takim të bëhej vetëm nga Dodani, pa asnjë shoqërues tjetër. Për këtë vendim, mëson Kadri Hazbiu dhe në pikënisje të takimit ndërhyn////////////. Këtë gjë, kujton Dodani, do ta mësonte jo shumë larg pikës së takimit me oficerin e shërbimit të huaj, që bëhej në jugperëndim të Sarandës, disa metra në brendësi të tokës sonë. “Kur nuk e prisja, dhe isha në ecje e sipër, përpara më del një fshatar truphollë dhe paksa i gjatë i veshur si çoban, gjë e cila më vuri pak në siklet për manovrën e çastit për të mos u dekonspiruar”, -thotë Dodani. Kur “çobani” është afruar dhe ca, Dodani ka njohur Kadri Hazbiun dhe është befasuar. “Do të shkojmë bashkë, nuk do të shkosh vetëm. Ti do të bisedosh me të, dhe unë do të jem paksa afër teje”, - i thotë Kadriu. Njëkohësisht, kujton Dodani, Kadri Hazbiu kishte sjellë me vete edhe një aparaturë të sofistikuar përgjimi, e cila do të bënte nga distanca regjistrimin e bisedës me oficerin e shërbimit të huaj. Çdo gjë shkoi siç ishte parashikuar në skenar, me sukses. “Suksesi qe jo vetëm për mënyrën e takimit, por dhe për faktin e bindjes së vetë Kadriut për problemin që diskutonin unë dhe mysafiri, pasi mes të tjerave bëhej fjalë të mësonim për besnikërinë e disa njerëzve tanë që vepronin jashtë kufijve”, -përfundon Dodani. Ai kujton se regjistrimi i bisedës u bë nga z. Velo, oficeri i talentuar. Ndërsa oficeri i shërbimeve të huaja sekrete, shton për gazetën Dodani, jeton sot në një nga qytetet e njohura të vendit fqinj. Shoqërimi i majorit të STAS-it dhe “nuses” Rozmari Kat-hert Dodani në kujtimet e tij shkruan se në praktikën e shërbimit inteligjent shqiptar, pjesëtar aktiv i të cilit ai ka qenë për një kohë të gjatë, ishin edhe takimet e punës me homologët e shërbimeve sekrete të vendeve mike të Lindjes. “Sigurisht, vinin e merrnin kontakte pune me drejtues të shërbimit tonë sekret, i mirëprisnim, i shoqëronim, por dinim gjithashtu se si profesionistë që ishin, kishin edhe misione të tjera të pashpallura, ndaj ishim vigjilentë”, - shkruan ish-oficeri i shërbimit tonë inteligjent, Mark Dodani. Në një nga këto raste, sipas Dodanit, atij i është ngarkuar që të shoqërojë një majorin e STAS-it gjerman Kat-hert, së bashku me të paraqiturën si bashkëshorten e tij, zonjën e bukur bionde me emrin Rozmari. “Megjithëse shkonin e vinin nga Tirana në Vlorë, çifti Kat-hert rrinte më shumë në Vlorë, e unë isha ngarkuar të përkujdesesha që ata të ndjeheshin komod e të shijonin bukuritë e bregdetit tonë, kuptohet, duke e ditur se majori ishte oficer i shërbimit sekret, mbase dhe zonja Rozmari, e dashuria e tyre nuk kishte se si të ishte vetëm natyra”, -tregon Dodani. Sipas tij, ndryshe nga majori i STAS-it që tregohej krejtësisht i heshtur dhe i veçuar, ”bashkëshortja” e tij, Rozmari, ishte tepër e hapur, kurioze, kërkonte afrimitet pa asnjë droje, e mbi të gjitha, kërkonte që të shtrinte rrezen e shëtitjeve të saj jo vetëm bregdetit, por dhe në Llogara e më tej. “Si mikpritës që isha, i ngarkuar dhe me detyrë, unë duhet t’ia plotësoja kërkesat zonjës Rozmari, që nga shëtitjet e gjata në këmbë rreth bregdetit në çdo kohë, në ujëra, shëtitje me motor, automjete etj, ndonëse rashë shumë në sy, në opinion, pasi në atë kohë, shëtitjet pa droje të një oficeri të shërbimit sekret me një bionde të bukur nga një vend i huaj, ishte e rrallë, -kujton Dodani. Megjithëse në detyrë dhe i detyruar të plotësoj kërkesat e “nuses” Rozmari, Dodani kujton se në fillim kjo shoqëri i krijoi probleme edhe më bashkëshorten e tij, Teme, e cila më pas e mirëkupton. Në misionin e saj, kujton Dodani, ”nusja” Rozmari avancon më tej në kërkesat e saj. Dodani kujton: ”Si inteligjente që ishte, kishte parë që unë lëvizja herë-herë me një motor, ndaj një ditë më kërkon që të bënim së bashku një xhiro të përgjatë bregut, gjë të cilën ia plotësove!”. Por para se të niseshin në xhiron e gjatë, Rozmari i kërkon që Dodani të vishte edhe uniformën ushtarake. ”Shkova në degën e brendshme, ku Sulejman Manoku më dha një kostum fringo me grada, e ashtu me uniformë, së bashku me Rozmarinë nisa xhiron nga “Sheshi i Flamurit” drejt skelës e më tej”, -kujton Dodani. Diku përgjatë bregdetit Rozmari i ka kërkuar shoqëruesit të pushojnë diku në një lokal e të qetësohen, por në atë kohë, sipas oficerit shqiptar, nuk kishte të tillë në atë zonë periferike të Vlorës. Misioni dhe korrespodenca me “nusen” RozmariSiç kujton Dodani, major i STAS-it iku në heshtje siç erdhi, ndërsa (brenda apo përtej detyrës) ndryshe ndodhi me Rozmarinë. “Shkëmbyem adresat me njëri-tjetrin para momentit të ndarjes me të, e për shumë kohë mbanim korrespodencë së bashku. Letrat e saj të shumta që Mark Dodani i ruajti për shumë kohë, siç thotë ai, gjithmonë fillonin e mbaronin me shprehjen “Liben Mark!”(I dashuri Mark!”). Më pas, korrespodenca do të mbetej pothuaj e njëanshme, deri në ndërprerjen e plotë të saj, ku mesa duket aq qe kufiri i ekuilibrit të balancës mes shoqërisë dhe detyrës që secili prej letërshkruesve përmbushte. Nesër do të lexoni:-Lekë Berisha, dritë-hijet e një figure që u kthye nga armik në dëshmor. -Ballafaqimi i skenarëve të sigurimit të shtetit e grupimeve kundërshtare të armatosura rreth pozicionit dhe aktivitetit të Berishës. -Si ndikoi Hysni Kapo në “zbardhjen” e figurës së Dodanit dhe Berishës.