e mërkurë, qershor 07, 2006

Hito: ”Dua automjet si Enveri, Mehmeti, Hysniu, Beqiri e Petrit Dume!”




Kujtim Boriçi


Ekskluzive/ Në këto shënime të radhës, Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinier i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes nga viti 1987, për 12 vjet, tregon për konfliktet e pakënaqësitë në rritje mes krerëve të shtetit e vetë gjeneralëve që drejtonin Ministrinë e Mbrojtjes, pasojat e të cilave reflektonin një klimë mosbesimi e lufte të hapur, që më pas do të çonin në anatemime e ndëshkime të rënda nga Enver Hoxha për një grup gjeneralësh e oficerëve madhorë të vendit.


Në vazhdim do të lexoni:
-Si u instaluan aparaturat sekrete të radiondërlidhjes në zyrat dhe banesat e Enverit, Mehmetit e drejtuesve të tjerë të lartë të shtetit.
-Ku siguroheshin dhe funksionet e aparaturave për ndërlidhje e përgjim të abonentëve nga Enveri e Mehmeti.
-Kur u instaluan dhe funksioni i dy qendrave të radiondërlidhjes sekrete të instaluara në tunelin e bllokut të udhëheqjes së kohës.Incidenti me Hito ÇakonNjohja me njerëz të afërt të gjeneralit Hito Çako, oficerë që punonin në ministri apo reparte të tjera të ushtrisë, për ing. Ibrahim Shametajn ishte dhe një mundësi tjetër për të forcuar më tej bindjen e respektin për të si një nga ushtarakët më të përgatitur të vendit e njeriu që mbante jo pak nga “pesha” e rëndë e ndryshimeve rrënjësore në fushën e mbrojtjes pas daljes së vendit nga Traktati i Varshavës më 1968-ën dhe ndërtimin e konceptit të luftës e mbrojtjes së vendit vetëm mbi konceptin e mbështetjes në forcat tona. “Por ato vite të vështira, si unë dhe kolegë të tjerë që punonim në dikasterin e mbrojtjes, krahas të tjerave, konstatuam se, përveç xhelozisë e anatemimeve (shpesh publike), kryesisht nga Mehmet Shehu ndaj gjeneralëve, nisën të krijohen privilegje apo diferencime, me apo ligj, të cilat i çuan më tej konfliktet e mësipërme”, - shton për gazetën Shametaj. Një prej tyre, sipas tij, ishte ai me Hito Çakon, që nuk e “përtypte” një urdhër të dhënë nga Enveri e Mehmeti, i cili e veçonte atë (Hiton) nga Enveri, Mehmeti, Hysniu, Beqiri e Petrit Dume..Pakënaqësia e Hito Çakos nga urdhri i MehmetitShametaj tregon se me porosi të veçantë, nga jashtë vendit sillen 5 automjete komode e tepër funksionale për kohën, të tipit “VAZ”. Ishin automjete komode, tepër të fuqishme e me amortizatorë funksionalë në lëvizje në rrugë malore, të përbaltura e të vështira. Ishin të pajisura gjithashtu me aparaturat radiondërlidhje për udhëheqjen, e lëviznin në eskortën e drejtuesve të shtetit e ushtrisë, duke qenë në shërbimin ndërlidhës në çdo kohë në shërbim të tyre. “Ato automjete që kishin ardhur e ruheshin te ne të shërbimit ndërlidhës të ministrisë, me një urdhër të posaçëm me shkrim qe kishte ardhur, ishin në dispozicion të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, Hysni Kapos dhe Petrit Dumes. Në çdo rast, prekja mbi këto automjete apo dalja në lëvizje bëhej vetëm me urdhër të Mehmet Shehut dhe të askujt tjetër”, - shton Shametaj. Detyra ime, shton më tej Shametaj, ishte që si për të gjithë teknikën tjetër të instaluar në bllokun e udhëheqjes e vendkomandë (e tunelizuar), të kujdesesha dhe për pesë makinat speciale “VAZ”. Por gjeneral Hito Çako që përjashtohej nga e drejta për të përdorur një automjet të tillë komod e funksional, e quante jo vetëm të pamotivuar e padrejtësi për meritat dhe funksionin që kishte, por dhe si një shenjë nënvlerësimi të udhëheqjes ndaj tij. Për këtë, pakënaqësinë ai jo vetëm që e shfaqi publikisht, por këmbënguli në disa mënyra e forma që të vinte dorë në një automjet “VAZ”.Këmbëngulja e gjeneralitSipas Shametajt, Hito Çako kishte në përdorim një makinë tip “Gaz”, ndonëse teknikisht në gjendje shumë të mirë, ishte me balestra jo shumë elastike. Për shkak se ai lëvizte shumë nëpër reparte në të gjitha rrethet e Shqipërisë, për shkak se vuante nga veshkat, balestrat joelastike bënin që ai ta ndjente më shumë efektin e sëmundjes në veshka. Kështu që me këtë pretekst, por më shumë për të mos qenë i “diskriminuar”, i përjashtuar nga privilegji që kishin Enveri, Mehmeti, Beqiri, Hysniu e Petrit Dume, ai urdhëron që motori i një prej automjeteve “VAZ”, të hiqej dhe të montohej në makinën personale të tij. “Për këtë Hito urdhëron drejtorin e ndërlidhjes në ministri, por i vënë mes dy “zjarresh”, nga njëra anë mungesa e urdhrit të Mehmetit për të vënë dorë mbi automjete, e nga ana tjetër hezitimi për t’i dalë para Hitos për moszbatimin e urdhrit, ndonëse kaluan ditë, javë e muaj, detyra nuk po zbatohej”, - vazhdon Shametaj. Por Hitos iu sos durimi dhe vepron.Konflikti me Hito ÇakonNë inat e sipër për moszbatimin e urdhrit që kishte dhënë, një mesditë Hito Çako kërkon në telefon drejtorin e ndërlidhjes së ushtrisë. Por me sa duket, i ndërgjegjshëm për “rrebeshin” që e priste, pasi e ka nuhatur këtë thirrje, drejtori nuk gjendet në ministri, ishte larguar pa lënë adresë. Kështu që abonent i bisedës dhe pre e konfliktit bëhet kryeinxhinieri i ndërlidhjes, Shametaj. Shametaj vazhdon të tregoj: ”..Më lajmërojnë se më kërkon urgjent në zyrë Hito Çako. Pyeta se për çfarë më kërkonte, por më thanë se nuk dinin gjë, vetëm se ishte i nxehur. Në fillim hezitova të shkoj, pasi ai kishte kërkuar drejtorin, por duhej të zbatoja urdhrin, me një mendim se ndoshta më kërkonte për ndonjë problem pune të partisë. I bie derë, futem brenda në zyrën e tij, duke u paraqitur ushtarakisht. Më tha se kishte rënë dakord me dy drejtorët, duke më porositur të merrja makinën e tij e të shkoja t’i vija motorin e një prej makinave “VAZ”. Rashë ngushtë dhe u detyrova se atë urdhër nuk mund ta zbatoja, pasi në ato makina vihej dorë vetëm me urdhër të Mehmet Shehut. I nevrikosur në kulm, më urdhëroi të largohesha nga zyra. Shkova drejt zyrës sime, kur aty shikoj edhe drejtorin. Nuk di se nga kishte “mbirë”, ndërkohë që kërkohej më parë ai nga Hito, por ishte fshehur e “dushin” e hëngra unë. I thashë i nxehur se nuk duhet të kishte ndodhur kështu, por ai, si njeri i aftë e i komunikueshëm, por i detyruar të vepronte kështu ngaqë nuk kishte rrugë tjetër, e kaloi duke qeshur. Shtoi se mua (Ibrahimit) nuk kanë se t’i bëjnë për moszbatimin urdhrit, ndërsa atë (drejtorin) e ndëshkonte rëndë.Ky konflikt, që nuk u “përtyp” nga inatçori Hito, nuk kaloi lehtë. “Konflikte të kësaj natyre jo vetëm nga drejtuesit më të lartë, gjeneralët e ministrisë, por edhe nga ushtarakët më të ulët, ndodhnin shpesh, duke qenë pjesë e një klime acaruese, shpesh me pasoja, analiza e ndëshkime të ndryshme”, - shton Shametaj.

(Vijon)