e hënë, mars 27, 2006

Si rehabilitohen nga Hysni Kapo “armiqtë” Mark Dodani e Lekë Berisha

Mark Dodani

Meritat dhe mëkatet

Dritë-hijet e sigurimit të shtetit

Meritat dhe mëkatet e shërbimit inteligjent shqiptar në dekadat e regjimit komunist, të para e të vlerësuara edhe sot në këndvështrime të ndryshme, ende mbajnë mistere, me të thëna e të pathëna jo të pakta. Ndoshta, shumë prej dritë-hijeve do të mbeten të tilla edhe për dekada që do të vijnë. Në një cikël shkrimesh të Mark Dodanit, një prej oficerëve të njohur të shërbimit inteligjent shqiptar (sigurimi i shtetit), njëkohësisht nga oficerët e suksesshëm të këtij shërbimi në depërtimet në grupimet kundërshtare, lexuesi u njoh me disa prej dritë-hijeve të kësaj arme të shtetit të kohës. U njoh me detaje e të pathëna rreth ngjarjeve të bujshme të kohës, u njoh me emra e pseudonime agjentësh, oficerësh, bashkëpunëtorësh që ishin pjesëmarrës direkt apo indirekt në operacione të shumta që shpesh shënuan dhe viktima. Njëkohësisht siç del edhe në këtë cikël shkrimesh, edhe vetë oficerët e sigurimit, jo rrallë vuanin dhe anatemimi, deri në ndëshkime administrative, cilësimin armiq apo dhe dënimin me burg. Mes të pathënave që pretendon se solli Dodani në këto shënime, konfirmohet prej tij se ka dhe shumë të tjera të pathëna rreth punës së armës së sigurimit të shtetit në ato vite të vështira, përpjekjet me kundërshtarët, sukseset, por dhe dështimet. Autori, duke konfirmuar se kurdoherë ka bërë detyrën ndaj atdheut, pohon se shumë gjëra, për shkak të së mirës së vendit, do të duan kohë tjetër për t’u thënë. Nga Kujtim BoriçiJeta ime dhe e kolegëve të mi të shërbimit inteligjent shtetëror, veçanërisht në dy dekadat e para të çlirimit të vendit, për shkak të situatave komplekse, grupimeve kundërshtare deri në përballje me armë, ka qenë tepër e vështirë, me të pa pritura, me kurthe e intriga, deri dhe në anatemim e akuza për “tradhti”. Në shumë raste, përfshi edhe mua, nuk kanë munguar dhe ndëshkimet e ndryshme, deri në verifikimin për akuzat që na ngriheshin. Për shkak të kësaj situate, intrigave që thureshin, edhe shumë njerëz të devotshëm, ish-partizanë që luftuan me armë e punuan me përkushtim në vitet e para të pasçlirimit, u vranë si tradhtarë, por faktet e mëvonshme zbardhën të vërtetën dhe i vunë ata në vendin që meritojnë. Një prej tyre ishte dhe shoku im, ish-ushtaraku Lekë Berisha. Për shkak të detyrës që kisha në shërbimin inteligjent shtetëror atë kohë në Pukë, jam në brendësi të fatit të dhimbshëm të tij, e njëkohësisht një njeri që kërkova e ndikova që të zbardhej e vërteta. Kurthi ndaj Lekë BerishësNë verën e vitit 1947, kur unë isha me punë në Pukë, një prej shokëve të mi, oficeri i ri Lekë Berisha, ishte në detyrën e komisarit të Postës së vendit në Bushat-Qelëz të Pukës. I përkushtuar në punë, me aftësi të spikatura, organizator i aftë, ai ishte bërë pengesë për grupimet kundërshtare të armatosura në male që kërkonin rezultate konkrete në ndryshimin e kursit politik të shtetit të ri. Si i tillë, Berisha vihet në shënjestër të grupimit kundërshtar që vepronte në këtë zonë e që ishte në përbërje të Komitetit të Maleve. Ndërsa një ngjarje tjetër do ta bënte më të ndërlikuar situatë, e cila jo shumë vonë do të kishte një fat tragjik për Berishën. Lekë Berisha që jetonte vetëm me të ëmën, fejohet me zonjë Binaken, nga një derë fisnike e Bugjonit. Por vajza më parë kishte qenë e fejuar me një person që ishte arratisur e bënte pjesë atë kohë në grupimin kundërshtar. Në zyrë më vjen punëtori operativ i zonës. Më sjell një letër nga drejtues të grupimit në arrati, ku thuhej se ishte rënë në ujdi që Lekë Berisha mund ta mbante nusen që kishte qenë e fejuara e të arratisurit, me kushtin që të ndihmojë e bashkëpunojë me të arratisurit në misionin e tyre. Kjo letër nuk i ra kurrë në dorë Berishës. Ishte verë e vitit 1947. Fije e padukshme me grupimin kundërshtar me kodimin “Gjidaj”, kishte sjellë mesazhin për oficerin tonë, “Masa”. “Masa” në zyrë më thotë: ”Të arratisurit e kanë vënë në udhëkryq Lekën; ose të pranojë të bëhet bashkëpunëtor ose do ta vrasin e t’i djegin shtëpinë, e t’i lënë rrugëve nënën Preçe dhe nusen Zojë!”. Më tej “Masa” shpif që Leka kishte pranuar të bashkëpunonte. Më propozoi gjithashtu që për këtë shkak Leka të vritet pas shpine nga forcat tona të ndjekjes. E kundërshtova prerë, ndërsa “Masa” u tërhoq, duke më thënë: ”Unë, për mirë mendova!” I shqetësuar shkoj në Iballë e atakoj “Gjidajn”, që ishte “i shtëpisë”, me të arratisurit, i kërkova porsa më kishin raportuar. Në prani edhe të vëllait të tij, ai më tha se kjo është lojë e grupimit të malit, të cilët duan të eliminojnë Lekë Berishën. Vrasja e Berishës dhe cilësimi im tradhtar Krejt pa pritur, në prag të dhjetorit 1948, ngjarjet morën një rrjedhë të çuditshme. Mua fillimisht më transferojnë e sistemohem në Shkodër. Po aty më nxjerrin në lirim. Pas gati një viti që unë isha transferuar nga Puka, mësova se Lekë Berisha ishte vrarë si armik! Ndërkohë, në disa emisione të Radio Shkodrës, nëpërmjet zërit të folëses së pafajshme Luçije Tari, mua më akuzojnë si armik i popullit! Në këto kushte, për disa kohë, mbeta në ilegalitet. Kështu deri në vjeshtën e vitit 1948, në një kthesë të papritur të situatës, zhvillimin e plenumit të 11-të të KQPPSH-së. Hysni Kapo zbardh të vërtetënMe Hysni Kapon, të deleguarin e partisë në Shkodër, kërkova takim dhe ai më priti e më dëgjoi gjatë. Takimi u zhvillua në zyrën e Tonin Jakovës, në atë kohë sekretar i parë i partisë për Shkodrën, dhe zgjati nga ora 16.00 deri në orën 20.00 të mbrëmjes. I tregova me hollësi Hysniut për vrasjen e Lekë Berishës nga grupimet kundërshtare në arrati, pozicionin tim dhe të pavërtetën e fabrikuar, viktima të të cilave u bë Leka dhe unë. Siç shkrova më lart, Hysniu më dëgjoi me vëmendje, e me sa duket, ato që konfirmoja unë, përkonin edhe me ato që ai mund të kishte ditur. Nga ky takim me Hysniun, jeta ime mori një kthesë të re plot shpresa, kurdoherë në shërbim të atdheut. Ashtu siç isha i bindur e shpresoja, edhe figura e Lekë Berishës u vlerësua siç dhe ishte, nga i shpallur armik, u bë dëshmor. Nënë Preça, ish-partizane, që erdhi në Tiranë bashkë me djalin e saj, Lekën, vëllanë e saj, Prend Ukën e Mëziut të Pukës, u ringjall. U takuan edhe me Hysniun. Vite më vonë, kur në Pukë ishte sekretar i parë Pali Miska, diku e dikush e anatemoi përsëri Lekë Berishën tradhtar. Por në ballafaqim me të vërtetën e kohës gjithçka u risqarua, e Lekë Berisha mbeti e vazhdon të jetë dëshmor.