e diel, qershor 11, 2006

Banda e Xhevdet Mustafës, mund të ulej në sheshin “Skënderbej”



Kujtim Boriçi


Ekskluzive/ Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinier i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes për 12 vjet, në shënimet e këtij numri tregon se si e thirri ministri i Brendshëm për hollësi, një muaj pas gjetjes së radiostacionit në Divjakë të Lushnjes, mosbesimi i tij ndaj Kadri Hazbiut dhe informacioni që kishte, për një hedhje të mundshme të bandës së Xhevdet Mustafës në sheshin “Skënderbej” për akte terroriste, përfshi dhe asgjësimin fizik të Enver Hoxhës. Në vazhdim do të lexoni:-Si veproi Enver Hoxha pas hapjes së radiostacionit luftarak personal, në drejtimin e operacionit për asgjësimin e bandës së Xhevdet Mustafës më 23 shtator 1982.-Nervozizmi i Enverit gjatë komunikimit me vartësit, gjatë drejtimit të operacionit.-Si u përgatit radiondërlidhja e shoqërimit të ministrit të Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, gjatë operacionit në terren.Informacioni, banda do të vriste Enver HoxhënBanda e Xhevdet Mustafës, mund të ulej në sheshin “Skënderbej”Veprimet e Enver Hoxhës para dhe gjatë asgjësimit të bandës së Xhevdet Mustafës, e analiza të specialistëve vite më pas, evidentojnë bindjen e Enver Hoxhës jo vetëm për misione terroristë të bandës ndaj vendit, konkretisht ndaj jetës së tij, por dhe për mundësinë e implikimit të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt (Kadri Hazbiut) në këtë terrorizëm. Gjetja e radioaparaturës ndërlidhëse në Divjakë të Lushnjës, rreth tre muaj para se të zbarkonte në Shqipëri banda e Xhevdet Mustafës, tek Enver Hoxha e pak njerëz nga më besnikët në krye të shtetit të kohës, krahas informacioneve që mund të kishin siguruara në rrugë të tjera rreth përgatitjes për hedhje në Shqipëri për akte terroriste të një bande të njohur, kishte ngjallur dyshime për mundësinë e përdorimit të kësaj aparature në përgatitjen e terrenit për hedhje. “Edhe pse për ne si specialistë, të paktën për aq sa konstatova unë, përjashtohej mundësia e përdorimit të kësaj aparature për parandërlidhje për terrorizëm e akte armiqësore, Enver Hoxha, duket e kishte vlerësuar seriozisht këtë fakt dhe kërkonte shpjegime”,- kujton Shametaj.Thirrja urgjente e tij nga ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, një muaj pas gjetjes së aparaturës, për Shametaj, tregonte se Enveri e besnikët ndaj tij, kishin informacione të tjera rreth një akti të rëndë terrorist, e kërkonin informacione nga të gjitha kanalet për të mundësuar parandalimin e tij.Thirrja urgjente e Shametajt, nga ministri i Brendshëm, Hekuran IsaiBllokimi dhe verifikimi i aparaturës radiondërlidhëse të gjetur në bregdetin e Divjakës, për kryespecialistin e ndërlidhjes Shametaj dhe kolegun e tij, quhej problem i mbyllur, por jo për Enver Hoxhën dhe drejtuesit e lartë të shtetit, që pikërisht një muaj pas gjetjes së aparaturës, thërrasin urgjent Shametajn për shpjegime. Rreth këtij fakti, Ing. Shametaj në kujtimet e tij shkruan: “Një muaj pas gjetjes së aparaturës, më vjen në zyrë shefi i ndërlidhjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më thotë se më kërkonte urgjent Hekuran Isai, ministër i Brendshëm. E pyes disi i tronditur se pse më kërkonte, e ai më thotë se për punën e radios së Divjakës. Ndër pyetjet e para që më bëri pas takimit në zyrën e tij, ishte ajo, se nga ç’lartësi hidhen këto lloj transmetuesish. I thashë se mesa dija, hidheshin nga një lartësi 1200-1300 metra. Mësova, apo më saktë konkludova gjatë bisedës me të (ministrin e Brendshëm) se ai kishte lexuar me hollësi relacionin verifikues të aparaturës së gjetur në Divjakë dhe pyetjet e tij të shumta, nuk ishin thjeshtë kuriozitet, por pjesë e një shqetësimi të përgjithshëm tek Enveri e udhëheqja e lartë, rreth një informacioni tepër sekret që ata mund të kishin për një akt të rëndë terrorist ndaj udhëheqjes e vendit (banda e Xhevdet Mustafës që zbarkoi pas dy muajsh), në mënyrë që të merreshin masat paraprake për neutralizim të tij”. Ndërsa sot pas 24 vjetësh, burime të gazetës pranë udhëheqjes së kohës (specialistëve të afërt pranë Enverit, Hekuran Isait e ministrit të Mbrojtjes, Kadri Hazbiu), konfirmojnë se Enveri jo vetëm që kishte informacion tepër të saktë për një akt terrorist me përmasa të gjëra, por dhe për një mundësi që akti terrorist mund të vinte nga ajri, nëpërmjet një zbarkimi në sheshin “Skënderbej”. Mister, nga e mori informacionin Enveri, për zbarkimin e bandësNormalisht, sipas organizimit të mbrojtjes bregdetare të vendit, zbarkimi i bandës së Xhevdet Mustafës, mëngjesin e 23 tetorit 1982, duhej të konstatohej nga rojet bregdetare të vendit të zbarkimit (Divjakë), rojet e artilerisë KA, posta kufitare në vartësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe armërojet e batalionit artmitralier (pjesërisht me efektiv) që ishte në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Mesa duket, sipas dokumenteve të kohës, por dhe dëshmive të drejtuesve më të lartë të Mbrojtjes, në zbulimin e zbarkimit të grupit terrorist nga deti, e veçanërisht në përcjelljen e sinjalit deri tek Komandanti i Përgjithshëm e drejtimin e operacionit për neutralizim e asgjësim, rol kryesor ka luajtur sistemi sekret i ndërlidhjes që kishte Enveri. Rreth këtij fakti, Ing. Shametaj, në kujtimet e tij shkruan: “Në cilësitë e Komandantit të Përgjithshëm, Enveri kishte radiorrjetin më të përsosur e më cilësor të informacionit e komandimit të ushtrisë, të pajisur me aparatura bashkëkohore perëndimore tip URC-100. Në radiorrjetin në fjalë (Nr.101) bënin pjesë vetë Enver Hoxha si Komandant i Përgjithshëm, ministri i Mbrojtjes (Kadri Hazbiu), shefi i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe disa oficerë madhorë të mbrojtjes bregdetare, të MKA (Mbrojtjes Kundër Ajrore), Aviacionit etj.”. Por, me zbarkimin e bandës së Xhevdet Mustafës, më 22 shtator 1982, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, pohimeve të ushtarakëve të hallkave të ndryshme shtetërore që përgjigjeshin për gatishmërinë e analizave të mëvonshme, konkludohet se këto hallka, në rastin konkret, ndryshe nga gatishmëria perfekte e strukturave të kohës, nuk kanë funksionuar siç duhet.Pritej dhe mundësia e hedhjes së bandës në sheshin “Skënderbej”Kadri Hazbiu, si ministër i Mbrojtjes (vonë i akuzuar si i informuar për aktivitetin e bandës së Xhevdet Mustafës), titullarët e Ministrisë së Brendshme, jo vetëm e kishin “arshivuar” si pa probleme gjetjen e një radiondërlidhëseje në bregdetin e Divjakës, por nuk kishin dhe informacionin e Enverit rreth bandës që pritej të vinte dhe objekteve të saj të terrorit, përfshi dhe vrasjen e Enver Hoxhës.“Zyrtarisht, u mësua se banda e Xhevdet Mustafës kishte ndryshuar pikën e zbarkimit,(zbarkoi jo atje ku u gjet aparatura radio ndërlidhëse), duke mos përjashtuar dhe mundësinë e hedhjes nga ajri në qendër të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”,- pohon për gazetën Shametaj. Referuar dhe urdhrave të kohës në strukturat mbrojtëse (korrik-gusht-shtator 1982), konstatohet se si asnjëherë tjetër, janë zbatuar masa të forta gatishmërie të MKA e strukturave të tjera ushtarako-policore e atyre vullnetare, për mbrojtjen e kryeqytetit. Edhe pyetjet e ministrit të Brendshëm për specialistin Shametaj një muaj pas gjetjes së aparaturës, pohojnë burimet e mësipërme për gazetën, lidheshin direkt me verifikimin e informacioneve të shumta që kishte Enveri e besnikët e tij, jo vetëm për misionin e bandës terroriste të Xhevdet Mustafës, por dhe me dyshimet që ai kishte për disa krerë të lartë të shtetit të kohës, si të implikuar me agjenturat e huaja, që kërkonin rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, përfshi dhe asgjësimin e vetë Enverit.(Vijon)