e premte, shkurt 24, 2006

“Konflikti me Ramizin dhe rrëfimi i kunatës”

“Konflikti me Ramizin dhe rrëfimi i kunatës”


Liljana Hoxha

Ishte incident për Ramiz Alinë botimi nga anonimatë në korrik-gusht 2005, tek gazeta “DITA”, që vërtetoi retrospektivisht nëpë-rmjet gojës së tij në mbledhjen e Byrosë Politike të PPSH, në 1989, për çka unë e Sokoli e kemi kritikuar zyrtarisht edhe në media prej 15 vjetësh (e më ngushtë menjëherë pas vdekjes së Enver Hoxhës), për pandershmëri ndaj kombit shqiptar, si dhe ndaj Enver Hoxhës vetë, përdorur herë si mburojë, herë si maskë e sidomos si gogol (si forcë supreme jo vetëm nga hierarkia e simbolikës së pushtetit totalitar, por si kontroll personal e konkret, si skenarist intrigash politike deri edhe gjakatare të tij). Incident për të cilin askush në media s’pipëtiu, si të qe kripë e hedhur rastësisht apo padashur në ujë. Ndërsa ndaj meje, edhe pse opinioniste (tepër e lutur) do të kishte censurë në artikujt përkatës zbërthyes, siç edhe do të më ofrohej mundësia e informimit të opinionit publik nga ndonjë emision televiziv për të më profilizuar (në të kundërt me rastet e mëparshme) si komuniste të pareformueshme dot, si të isha kështjella e fundit totalitariste dhe jo e kundërta krahasuar jo vetëm me Alinë, por edhe me vetë Nexhmije Hoxhën, që sidoqoftë së bashku mundësuan këtë pluralizëm sado të çalë, që unë e kam demaskuar pluRAMIZËM. Dalë në këtë konkluzion, nga përpjekjet e analizat që prej viteve ‘90, kur ishte e paimagjinueshme për mua kjo tragjedi si mundësi reale qëllimisht e organizuar, por thjesht për kundërvënie antindershmërie të R.Alisë, pa e ditur as vetë, kam bërë në rreth shumë të mbyllur “antiKatovicën”, (anti unë e Sokoli e R.Alia dhe familja e Enver Hoxhës ana tjetër), në kundërshtim të manipulimeve përgjatë pluralizmit që po menaxhohej pandershmërisht nga R.Alia. Sado paradoksale të duket, mendoja se duhej të ishte pikërisht (në rastin konkret) Berisha që të sillte pluralizmin, për çka edhe e kam takuar dhe uruar, e bindur se një zhvillim i tillë nuk mund të vinte drejtësisht, përveçse nga poshtë. Komunist ose jo, Berisha ishte shumë nga “poshtë” krahasuar me R.Alinë e shumicën e pluRAMIZISTËVE, deri atëherë ish-nomenklatura më lartë e diktaturës, gurë shahut të transferimit e ndarjes së pushtetit në postkomunizëm, konsideruar me bujë kapitalizëm.
* * *Mirëpo, frika nga gjykimi i afërt ndërkombëtar për krimet e komunizmit i Strasburgut e detyron Alinë të ribotojë me zell pikërisht këtë dokument monstruoz (në datën 11 shkurt 2006 në gazetën “BALLKAN”) me legjitimitetin mundësisht sa më krenar, se ka zbatuar praktikisht Katovicën dhe Gorbaçovin, kundrejt skenarit të pamenduar bumerang të tij të deri tanishëm, për ta konsideruar si shpikja ime e fundit apo thjesht dokument jo autentik. Sot i duhet të pranojë ç’ka mohuar dje e të servirë vetë këtë dokument, edhe pse provë e kobit antishqiptar të tij, që i vë edhe më vulën për krime ndaj njerëzimit, përveç atyre në socializëm, me shpresë për rrugëdalje gorbaçoviane. Nuk mjaftoi vetëm kjo. Akuzave tona të vjetra që e fajësojnë drejtpërsëdrejti në kondicionimin e historisë së Shqipërisë, për interesa antikombëtare në eliminimin e figurave kryesore të saj, deri edhe në përshpejtim të vdekjes së Enver Hoxhës, i duhej vënë një kapak zyrtar apo interpretim alibik, (pak ka rëndësi ka sa i besueshëm), por ndërkaq një diktat i mirëfilltë për skllevërit e tij të majtë e të djathtë në vigjilje të gjykimit publik që do t’i bëhet.Menjëherë pas 5 ditësh së lëvizjes së vetë Alisë për t’u riafirmuar Gorbaçov, nëpërmjet dokumentit vetëvrasës së tij, mbesa e Ramiz Alisë njëkohësisht gruaja e Ilirit, Teuta Hoxha, paraqet sa mundet rozë historinë e Shqipërisë, pse jo madje kryesisht si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm dypalësh midis Enver Hoxhës e Ramiz Alisë. (gazeta “SOT”) Fija e kashtësE ndërgjegjshme që hapja ime në publik duhej filluar doemos nga familja e Enver Hoxhës, si domosdoshmëri për të shpërthyer vatrën më të fshehtë të qelbit të Alisë kam dhënë me pikatore informacion të brendshëm, aq sa ka qenë minimalisht e domosdoshme në zbardhje të së vërtetave e në funksion të njohjes së tyre nga opinioni publik. Kjo si tepër skrupuloze me strategjinë që edhe duke i akuzuar të mos i hapim petët lakrorit më shumë nga ç’duhet, gjithmonë në dëm vetëm të tyre e në pastërti të Enver Hoxhës. Çka e kanë pasur të qartë, madje djallëzisht e kanë respektuar së paku publikisht. Ndonëse e kuptoj shumë mirë çka i detyroi për ekzibicionin e fundit edhe pse me logjikën e strucit, apo të mbulimit të diellit me shoshë, kanë rrezikuar tepër së këmbënguluri së mashtruari paturpësisht rishtas e hapur. Veçse nuk është aspak çudi për nga historiku e niveli vjetërsisht mediokër i intrigës, që rrezikimi i Alisë dhe N.Hoxhës së fundi nëpërmjet këtij zëri të papërgjegjshëm është sa paradoksal, aq edhe instiktiv, pra i papërmbajtshëm, si “për tu kapur pas fijes së kashtës” me shpresën e fundit: sipas tyre, unë nuk do të guxoj të përgënjeshtroj, përndryshe do të ul veten të kundërshtoj “kunatën”, që vetëm “rastësisht” është mbesa e Ramiz Alisë. Për më tepër kur përgënjeshtrime të tilla publike për mentalitetin shqiptar nuk bëhen për çdo familje e jo më për atë të Enver Hoxhës, kur formulat alibike të tyre janë aq të bukura, kaq të paqme e kaq balsam për popullin e lënguar, a duhet unë të ngacmoj mizorisht simulime të inkuadruara mirë prej tyre si historike, qoftë edhe për hir të së vërtetës (sepse ka të vërteta që vrasin, imponim ky ndaj meje prej Lubonjës!) E sublimuar edhe për familjen e Enver Hoxhës në nderim të tij, është kjo që më ka vonuar të kuptoj në kohë emrin e vërtetë të asaj që ndodhte konsideruar me altruizëm, apo me naivitet prej edukimit tim, si miopi e tyre apo tek e fundit edhe dobësi njerëzore për të ruajtur interesat, çka ja u mbulonte pakufi krahasuar me E.Hoxhën “liberali” R.Alia. Ndaj për respekt ndaj vetes nuk mund të shpërdoroj, përveç se të mos pranoj kurrsesi të jem pjesë e detyruar e fajit të tyre, pra të lejoj të mashtrohet sidomos rishtas për çka janë vjetërsisht të organizuar në kompromise të ndyra, në dëm të kombit shqiptar, nëndheshëm me hir apo pahir kundër vetë E.Hoxhës, maskuar me llustrim të deformuar në favor të simulimeve të tyre. Për çka ai nuk mund të turpërohet veç të dihet në çfarë laboratori tmerrësisht të organizuar me informacion fals për ta sterilizuar nga realiteti, ka jetuar ky burrë shteti i madh. Çka detyrimisht do të sillte gjithmonë e më shumë keq për Shqipërinë në favor të trashëgimit të pushtetit domosdoshmërisht tek Alia. Ndaj kapja pas fijes së kashtës s’është përllogaritje e gabuar, përveçse rrezikim i domosdoshëm mbijetese i tyre.( s’besoj të kenë harruar që kam demaskuar vulën e tyre të fshehtë pas mashtrimit “Natasha” për Mehmet Shehun, e jo të intimidohem prej skenarësh me motive familjare apo interesa personale për të kundërshtuar mashtrimin “Teuta” të tyre të fundit). Aventurë për të qarë hallin e tyre maskuar me të drejtat e gjithkujt për lirinë e fjalës. Nuk e di në ia vlen të marrin mësimin e fundit ata e kushdo qoftë, por kështu do të veproja sikur mashtrimi të vinte edhe prej fëmijëve të mi, kundrejt reciprocitetit që në respekt të tyre e të kujtdo që më lexon e më dëgjon, përpiqem të jem leale, përveçse objektive, për çdo problem që prek në mos nga këndvështrimi (gjithmonë tendencionalisht e paragjykuar) nga ana faktike kurrsesi e kundërshtuar dot.
* * *Ndaj e kam për detyrë kundrejt diktatit të fundit të R.Alisë dhe N.Hoxhës ndaj tribalëve të tyre të informoj në kohë këta, por sidomos opinionin e përgjithshëm shqiptar për tentativat e fundit të mashtrimit, zbardhur argument për argument me minimumin faktik të së vërtetës reale.Në nderim, por dhe në lutje të opinionit publik, nevojitet vëmendje në këto kohë kaq të udhëkryqta, pikërisht për shkak të këtyre arsyeve që kam vite që flas. Kundrejt mentalitetit më vulgar (i nxitur i tillë pikërisht nga ata vetë për ta zhvendosur vëmendjen nga konteksti historik e politik), për t’i konsideruar “gallatë” të familjes Hoxha, jam e qetë tek kam dhënë të gjitha mundësitë e mia për të ngritur cilësinë e “gallatës”, në favor të dinjitetit kombëtar krahasuar me atë Alia-Kapo-Xhuglini.Ndaj paragjykimi elementar i gabuar nga ana e opinionit publik do të ishte sikur ne të shiheshim qoftë edhe fare pak si Enverë të vegjël, i cili si superioritet shqiptar ka qenë sintezë e historisë dhe gjenetikës kombëtare. Për politikanët, nomenklaturën dhe individualitetet e shquara si pjesë e saj, përpara se të na gjykojnë duhet të ndodhen para detyrës së vështirë, të ballafaqohen me veten e tyre. Për t’u distancuar së paku sot pikërisht nga vetja e tyre e të kaluarës, sepse askush deri më sot s’ka bërë gjykimin e sistemit, por vetëm gjykimin e Enver Hoxhës. Kur sistemin ndërkaq e kemi bërë të gjithë ne, madje duke i kënduar atij. Ndaj kjo fije kashte për R.Alinë së shpresuari se këtë radhë s’do të reagoj se përndryshe turpërohem (ul nivelin), shpreh qartë muzgun e intrigave kobzeza të tyre. Për çka do të na duhet të merremi në të ardhmen vetëm me pasojat.
* * *Cilitdo që do t’i fryjë zjarrit (prej presionit të tyre) që po mbuloj me turp vetë Enver Hoxhën, (takëmi Milloshi, Xhafa etj.) do t’i jem përgjigjur paraprakisht: Jo zotërinj, nuk është turp për mua e aq më tepër për Enver Hoxhën për çka gatuar secili nga ne, po për të gjithë ne për pjesën e fajit që na takon në të kaluarën e ende sot prej paragjykimeve e mentaliteteve, mungesës së kurajës apo madje frikës së justifikuar prej frustrimit diktatorial, realisht frikë nga e sotmja e R.Alisë, sidomos interesit të mirëfilltë të bashkëfajësisë me të. Ky është turpi i të gjithë shqiptarëve po të vazhdojmë ende kështu, prandaj sot mbetemi të ngujuar psikologjikisht tek Enver Hoxha edhe 21 vjet pas. Vetëgënjehemi së sulmuari pikërisht atë dhe vetëm atë! Sepse po të fillojë dikush të gjykojë veten, do të arrijë medoemos deri tek R.Alia. Pikërisht për këtë proces të pashmangshëm, por veç të vonuar në sajë të dredhive të tij i kam folur troç Ramiz Alisë dy herë në zyrën e tij në vitet 91-92: “Të ini i sinqertë me popullin. Këtë jua them sepse dhe juve ju dua. Përndryshe sot e ka fajin E.Hoxha, nesër do ta keni fajin ju!”Ramiz Alia deri në atë moment armiqësor më përcjell tek dera duke më përqafuar e thënë: “Ah, ti .....ti!”
Intervista Falsitetet mjerane të zëdhënëses së fundit të Ramizit dhe Nexhmijes?Injoruar deri sot provokime publike nga vegla të rafinuara të së kaluarës edhe pse sot të skaduara, si ish-kryeredaktorë të “Zërit të Popullit” etj, nuk mund t’i injoroj “akademikët” e shkolluar ose jo, që në emër vetëm të biografisë së tyre të deformojnë me komandë politike atë pjesë të historisë, dëshmitare e së cilës jam edhe vetë
Jo vetëm sot, por që në botimet e Ilirit, sidomos tek kujtimet e fëmijërisë bie në sy mospërmendja e Sokolit edhe juaja, edhe pse shumë kohë përpara distancimit tuaj publik ndaj familjes?Eshtë fakt vjetërsisht i njohur filluar me vajzën e R.Alisë e pastaj nga e vluara kërthi 15-vjeçare e Ilirit, kushërirë e saj, që e zëvendësoi. Pra, një skenar. Kam qenë e vetëdijshme që ne familjarët e E.Hoxhës jemi njerëz krejt të zakonshëm. Por fati ynë i rrallë, edhe pse i njëjtë nuk mund të jetohej njëlloj nga subjekte të ndryshme, si për nga origjina sociale e për më tepër në linjë të integritetit personal. Për dikë fati ishte pakt politik servirur në pjatancë të artë e për dikë tjetër - prova më e vështirë në jetë për të merituar jo vetëm dashurinë e Sokolit, por cilësisht edhe konsideratën E.Hoxhën. Madje e terrorizuar se sa më shumë vlerësohesha aq më shumë presion pësoja prej ambientit familjar e kupolës klanore në bllok. Sidoqoftë fati duhej përmbushur. Përmbushja e fatit për secilin nga ne do të kishte të njëjtën logjikë të ngjizjes së tij: politikisht apo sinqerisht, pra të pasynuar, në të kundërt për t’i bërë bisht. Kështu, dikujt i duhet hipokrizisht e publikisht të betohet për shenjtëri personale (Zot na ruaj se ç’është në gjendje të bëjë prapa kuintave), por sidomos merr përsipër atë të ish-pushtetit. Dikujt tjetër të luftojë me çdo qelizë të saj, tashmë edhe publikisht jo për veten por për të tjerët, duke marrë në sy çdo rrezik e mbajtur përsipër peshën e çdo paragjykimi kryesisht të skenarizuar. Duke kuptuar shumë mirë sot ç’rrezik paraqisja prej besnikërisë familjare ndaj idealit dhe E.Hoxhës, por edhe për karakteristikë personale, si një nga vajzat më të emancipuara të Tiranës, besoj se injorimi ynë ka qenë komanda bazë evidente e mbrapa krahëve intriga dhe agresioni, për të përcaktuar vazhdimisht frontin e tyre kundër nesh edhe pse ishim të E.Hoxhës, madje pikërisht se ishim vetëm të tij e si të tillë dhe të pamanipulueshëm. Ndërsa përqafimi organik i komandës kthyer në dominim obsesiv prej patologjive narciziste apo të inferioritetit, do të ishte së pari fatkeqësia e çiftit për të imituar e përgjuar çdo hap tonin, mundësisht monitoruar me organizim perfekt edhe frymën. Pra, të viktimizuar kështu të dy palët prej politikës, është kjo, politika, që do analizuar si thelbësore, qoftë edhe pse kriminalisht ka përfituar e tejshpërdoruar, madje provokuar motivet e dobëta brenda familjes.
Ndaj kundrejt falsitetit tashmë organik sa dhe fryma e këtyre viktimave (ndonëse vullnetare apo për interesa, si zgjidhje personale e tyre), s’do të shqetësohesha përveçse kur pikërisht këta viktimizojnë të tjerët. Kur dhunojnë ende sot lirinë e tjetrit me arrogancën e diktatit politik. Filluar nga liria jonë si dëshmitarë e aktorë të po atyre të vërtetave që deformohen paturpësisht, deri te liria e çdo shqiptari për të gjykuar në mënyrë të pavarur në transparencë e jo në mashtrim. Nëse ka sado pak sinqeritet në dëshmitë e zëdhënëses së fundit të R.Alisë e N.Hoxhës, është çka thotë për raportet e saj të drejtpërdrejta me Enver Hoxhën. Sidomos ndihma që i jep për librin e Ismail Qemalit. Besonte ose jo E.Hoxha në aftësinë e saj, kjo është njëra çështje, siç është tepër normale të synojë të ndihmojë gruan e djalit, e sidomos drejtpërsëdrejti profilin e shquar të Ismail Qemalit, pa ditur që një staf i terë anonim punonte për të. Siç qenë Rinush Idrizi me të shoqen e të tjerë më pas, nën identitetin e saj profesional, që pikërisht prej falsitetit dëshmon paradoksalisht ambicioz.Nga ana e saj mbahet qëndrim me tepër se impenjativ në shpjegim të studimeve për arkivë? Sepse është kundërpërgjigje mashtruese e analizave të mia, ku më është dashur të flas për paaftësinë e shkollimit të saj, ballafaqimi i parë i imi me një argument kaq të rëndë për çdo familje, kundrejt urdhrit që E.Hoxha s’duhet të dinte asgjë. Sepse vonë kuptova që ishte strategji me rëndësi politike e jo thjesht për të ruajtur shëndetin e tij, ndërkaq të mos injoronin në sytë e tij të vluarën e Ilirit, që çdo vit mbetej për vjeshtë. Pretendimet e saj për entuziazmin e E.Hoxhës për lidhjen e tyre janë false, ( pavarësisht nga shënimet përkatëse për rastin?!) . E.Hoxha nuk pati kurrë entuziazëm për origjinën e saj. Madje duhet thënë që edhe në rastin e vajzës së tij, me gjithë vlerësimin për krushqinë nuk kishte kurrsesi prioritet krushqitë nga nomenklatura e lartë apo më e gjerë, por nga populli.Ndaj i duhet të justifikojë sa më bindshëm shpikjen prej R.Alisë e N.Hoxhës të universitetit të studimeve arkivore (në evitim absolut të studimeve të përgjithshme historike e filologjike për të mënjanuar komplikacionet). Pra, vetëm një student (ajo) dhe vetëm një pedagog, Thoma Murzaka, (në atë kohë drejtor i Arkivit të Shtetit), për 4 vjet kokë më kokë aplikuan fakultetin fantazmë të studimeve arkivore, me synimin që një ditë do ta zëvendësonte si e vetme specialiste e lartë. Kështu që në moshën 18-vjeçare u kopsit ende pa nisur karriera e saj për interesa klanore politike, kur në fillore dhe në gjimnaz kishte kaluar klasën nga lutjet, apo presionet e nënës së saj si mbesa e R.Alisë dhe më vonë si e vluara e Ilir Hoxhës. Ndërsa mua, si dëshmitare e protagoniste e njëkohshme e familjes, por dhe pedagoge e re me pasion të virgjër ne gjimnazin “P.N.Luarasi”, më ka vënë në pozitë shumë të vështirë, pa iu dridhur fare qerpiku, kur s’dija ku të futesha nga turpi e s’dija si të mbroja dinjitetin e familjes nga gënjeshtrat e saj përpara këshillit pedagogjik, si dhe në të kundërt. Me vështirësi edhe më të madhe, madje e çmeritur përpara injorimit të N.Hoxhës dhe të Ilirit, që me cinizmin më të madh bënin të paditurin, apo të padëgjuarin komentuan alarmin tim dhe të Sokolit si probleme kunatash. Kështu do të vazhdonte derisa pedagogu i matematikës, Ylli Gjençi, idealist siç janë të rinjtë, e mbeti doemos për vjeshtë në maturë, për çka internohet diku në fshatrat jashtë Tiranës. Për ç’ndodhi më pas është detyrë e Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës dhe çiftit protagonist të informojnë opinionin publik se me çfarë krizash e simulimesh histerike do të ballafaqonin E.Hoxhën me skandalin. Ndaj, me të njëjtën logjikë obskuriteti shpikjen e arsimit arkivor E.Hoxha nuk e ka ditur kurrë përveçse informacionin fals, që gruaja e djalit të tij studion për Histori, madje me pasion. Natyrisht atje ku ka pasion s’ka më mbetje në klasë.Shqetësimi i vazhdueshëm se këto ishin një e keqe e madhe mbrapa krahëve të E.Hoxhës, e rrjedhimisht po aq e madhe për të gjithë shqiptarët, ndërkaq e detyruar prej N.Hoxhës të hesht, ishte konflikti im i brendshëm që me kohë do të më shkatërronte...