e enjte, janar 05, 2006

Plenumi i ‘44: Enver Hoxha të përjashtohet nga Partia Komuniste



Plenumi i ‘44: Enver Hoxha të përjashtohet nga Partia Komuniste
Përjashtimi i tij do të zbatohej pas Kongresit I, kur të legjitimohej Partia

Fatos Veliu
“Propozojmë që Enver Hoxha, për gabimet e rënda që ka bërë si drejtues politik i Shtabit të Përgjithshëm,të përjashtohet përfundimisht nga Partia Komuniste Shqiptare, e cila drejtoi Luftën Nacionalçlirimtare”.
Ka qenë ky një propozim i hedhur dhe i përkrahur gjerësisht në sallën e një plenumi të zhvilluar, pikërisht në momentet kur Enver Hoxha do të merrte për herë të parë postin e kryeministrit të qeverisë së parë të pasluftës. E vërteta e çuditshme që nuk është e njohur qartësisht nga opinioni i gjerë për shkak të manipulimit 50-vjeçar, ka ndodhur në përfundim të Luftës Nacionalçlirimtare, kur plenumi II i Partisë Komuniste kishte filluar në Berat punimet, për të marrë vendimin më të rëndësishëm për komunistët shqiptarë. Por, ndërsa gjatë hulumtimit të asaj historie, e cila është nga më të veçantat e regjimit enverist, ndeshesh me fakte të reja dokumentare edhe dëshmi të shumta gojore, përpara syve të shpaloset një situatë krejt e ndryshme nga ajo që ke njohur më parë. Kështu, është rasti i njeriut që do të sundonte me dorë të hekurt Shqipërinë, që pikërisht në momentin e uljes në fron ka pasur historinë më të dhimbshme dhe situatën më të pabesueshme për karrierën e tij, drejt sovranit të padiskutueshëm të shtetit. Ishte ora 10:00 e datës 23 nëntor 1944. Në Beratin e porsaçliruar po fillonte punimet njëra nga mbledhjet më të veçanta të periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare. Ishte ajo mbledhje, që do të hynte fuqishëm në historinë 50-vjeçare të Shqipërisë komuniste, duke u njohur si “Plenumi i Beratit” dhe me programin e veprimtarisë së Partisë Komuniste të asaj kohe. Ai plenum mblidhej pak kohë pas takimit të Odriçanit, ku qëllimi ishte shndërrimi i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar në qeveri demokratike provizore.Por, çfarë ndodhi në atë plenum, që u bë aq famshëm për historinë komuniste, si nga misioni, ashtu edhe nga procedura që shoqëroi zhvillimet e tij. E vërteta është se për atë plenum, që është njohur si “Plenumi i Beratit” apo siç kishte dëshirë ta quante Enver Hoxha “Prapaskena e Beratit”, nuk dihej më shumë sesa fakti që në atë plenum u krijua qeveria e parë komuniste, e kryesuar nga Enver Hoxha dhe se në atë plenum është zhvilluar një debat i ashpër me Enver Hoxhën, deri në atë pikë saqë vetë ai besonte se kishin qëllim ta eliminonin përfundimisht. Këtë fakt Enver Hoxha e ka interpretuar në mënyrë të tillë që, anëtarët e atij plenumi kanë qenë skenaristë të qëllimshëm, të cilët vepronin sipas porosive dashakeqe të agjentëve të huaj. Por, asnjëherë në ato 50 vjet nuk u tha qartë se çfarë ndodhi saktësisht në atë mbledhje. Kush diskutoi dhe kush goditi Enver Hoxhën. Cilat ishin ndërhyrjet dhe 14 pyetjet “gozhduese”, të cilat çuditërisht nuk janë përmendur asnjëherë, por që e kanë bllokuar oratorinë e tij deri në atë pikë, saqë arriti të deklaronte se nuk kishte qenë i aftë të drejtonte ushtarakisht luftën. Madje para tyre, ai pranoi se edhe veprimtarinë e tij si komisar i Shtabit të Përgjithshëm nuk e ka mbështetur në asnjë plan apo program të studiuar më parë. Pse nuk u përjashtua nga Partia Enver Hoxha dhe cilat ishin shpjegimet e Sejfulla Maleshovës para plenumit, ku kërkoi që Enver Hoxha të diskutohej pas kongresit të parë të Partisë, kur të zgjidheshin strukturat e ligjshme të saj.E vërteta historike është se, Enver Hoxha në atë mbledhje jo vetëm ka kërkuar falje para plenumit, por është lutur gjatë që t’i jepej edhe një herë dora, madje edhe kur shumica e anëtarëve të tij ishin dakord që ai të shkarkohej fare nga Partia. Gjithsesi, nga ajo që ka mbetur në mendjen e bashkëkohësve të vetë Hoxhës është fakti që, në diskutimet apo fjalimet e tij ai sillte ndërmend atë moment të zhvillimit të asaj mbledhjeje, irritohej në ekstrem derisa bëhej i papërmbajtshëm, aq sa lëshonte deklarata pas deklaratash fyese dhe denigruese për kundërshtarët e dikurshëm. MosmarrEveshjet mes drejtuesve tE lartE komunistE kishin nisur shumE ME parE se të vinin në “Plenumin e Beratit” Derisa u arrit në ngjarjet e Beratit, mes drejtuesve të lartë të Partisë Komuniste dhe të luftës ishin grumbulluar shumë probleme në lidhje me mosmarrëveshjet kolegjiale, që, sipas tyre kishin bllokuar ecjen e punëve përpara. Në këtë formë ngrihej pretendimi se, për mjaft probleme, madje edhe për ato tepër delikate për fatet e atdheut dhe të popullit, u ishte dhënë zgjidhje personale nga Enveri, i cili kishte eliminuar qëllimisht kolegjialitetin. Problemet e mëdha që, siç u tha në plenum, kishin kërkuar zhbllokim të menjëhershëm, gjithnjë sipas vendimeve kolegjiale, kishin qenë ato që kishin të bënin me çlirimin e plotë të Shqipërisë dhe kryesisht të kryeqytetit të saj, Tiranës, transferimi i qeverisë demokratike provizore në kryeqytet dhe funksionimi i saj normal. Për të gjitha këto zvarritje akuzohej burokratizimi i Enver Hoxhës dhe tendenca e tij për të krijuar kult në personin e tij. Pikërisht për këto arsye, sipas kundërshtarëve të Hoxhës, nuk ishin bërë mbledhjet e forumeve të Partisë Komuniste Shqiptare dhe komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar. Për këto forume ai u akuzua se, i kishte përdorur vetëm për popullarizimin e tij.Akuzë tjetër ishte se, në udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit të ardhshëm kishin penetruar shfaqje të burokratizimit nëpërmjet nëpunësve të vjetër si, Omer Nishani, Medar Shtylla, Spiro Koleka etj. Gjithsesi, të gjithë anëtarët e plenumit të Beratit ishin të bindur se, në problemet e krijuara negativisht dhe që ngriheshin aty me shumë shqetësim kishte ndikuar edhe udhëheqja jugosllave dhe misioni i saj në Shqipëri, si Miladini, ashtu edhe të tjerët që u lidhën me Enver Hoxhën me një miqësi të sëmurë. Miqësi, e cila e kishte burimin në aleancën e vendosur midis dy partive komuniste, asaj jugosllave dhe asaj shqiptare. Nyja kryesore e kësaj miqësie ishte vetëm Enver Hoxha. U kuptua qartë dhe u ritheksua forcërisht disa herë se, pikërisht në atë pikë ishte arsyeja që Miladini me shokë organizuan atë prapaskenë në mbledhjen e grupeve komuniste më 8 nëntor 1941. Pra, i gjithë qëllimi i tyre kishte qenë për të thirrur dhe evidentuar Enver Hoxhën në krye të Partisë që po krijohej. Vetëm në sajë të asaj ndërhyrjeje, ai arriti të zgjidhej në Komitetin Qendror të Partisë së porsakrijuar, jo si komunist, por si individ që ka qenë jashtë grupeve komuniste shqiptare. Hapja e “Plenumit të Beratit”Plenumi II i Partisë Komuniste Shqiptare u mbajt më 23-27 nëntor 1944 në Berat, pak ditë pas mbledhjes së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili mori vendimin për kthimin e komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar në qeveri demokratike provizore.Për të bërë kthimin e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist në qeveri provizore, sipas rregullave, më parë duhej të mblidhej plenumi i Partisë, pastaj të mblidhej Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, me qëllim që, materialet të miratoheshin më parë në forumin politik. Prandaj u thirr edhe plenumi II në Berat.Diskutimin kryesor të atij plenumi e mbajti Enver Hoxha. Nëpërmjet diskutimit të tij, Hoxha u shkoi shumë përciptazi problemeve të konstatuara, sidomos atyre të funksionimit të kuadrove të Partisë dhe të strukturave të saj. Një fjalim i tillë, i mbajtur në cilësinë e komisarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ai nuk siguronte një kthesë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare. Një diskutim i asaj forme çoi në reagimin e anëtarëve të plenumit, të cilët menjëherë pas përfundimit të Hoxhës shtruan shumë pyetje dhe diskutime. Në atë mbledhje të plenumit II ndër të tjera u dënua shumë ashpër sektarizmi dhe oportunizmi, spostimi i forumeve të Partisë, siç ishin plenumet, byroja etj. Nga diskutantët e ndryshëm u theksua se, “sektarizmi në vijë e kthen partinë në një bandë terroristësh, që ka humbur zemrën e komunistit dhe që nuk i dhimbset jeta e njerëzve”...

14 pyetjet qe kryqezuan enverin ne berat
1-Cilat kanë qenë lidhjet e Enverit me organizatën fashiste “Bashkimi i Kombit” dhe me zotërinjtë Kolë Tromara, Ali Bej Këlcyra, Bahri Omari etj., drejtues të këtij grupi prej vitit 1925 deri në 1939, të cilët erdhën në Shqipëri vetëm me pushtuesit fashistë?
2-A ka pasur lidhje Enver Hoxha me Partinë Komuniste Franceze kur ishte në Francë? Nëse nuk ka pasur, të na shpjegojë arsyet.
3-Dihet se çdo njeri që shkon jashtë shtetit shqiptar, nëpër ambasada lidhet me zbulimin e shtetit të tij. Si qëndroi ky problem kur ai shkoi në Bruksel?
4-Kur Enver Hoxha ka qenë nxënës dhe mësues në Liceun e Korçës, atje ka pasur edhe celulë partie të përbërë nga nxënës dhe mësues. Të na thotë, pse nuk është lidhur me ta?
5-A ka bashkëpunuar me Anastas Lulon dhe Sadik Premten për krijimin e fraksionit të tyre dhe shkëputjen nga Grupi Komunist i Korçës dhe formimin e “Grupit të të rinjve”. Po me bashkimin e Grupit Komunist të Korçës me atë të Shkodrës dhe krijimin në dhjetor të 1940-ës të Komitetit të përbashkët Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë?
6-Pse dokumentet e mbledhjes së bashkimit të grupeve komuniste dhe formimit të Partisë Komuniste Shqiptare më 8 nëntor 1941, ranë në duart e policisë sekrete italiane, kur ato i mori Enver Hoxha dhe ia la motrës së tij, gruas së Bahri Omarit? A ka lidhje zhdukja e dokumenteve të krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare me dokumentet që Bahri Omari, ish-ministër i Punëve të Jashtme në kohën e pushtimit hitlerian, ia dorëzoi Enver Hoxhës me protokollin “Dalmaco–Këlcyra”?
7-Si e shpjegon Enver Hoxha arrestimin e Koçi Xoxes në prill të vitit 1942, sapo ai zbriti nga makina në Tiranë, në orën dhe në vendin e caktuar më parë nga vetë Enveri, ku do ta prisnin shokët e Partisë, për të marrë pjesë në konsultën e parë të Partisë Komuniste Shqiptare?
8-Pse Enver Hoxha grumbullon rreth vetes njerëz që kanë bashkëpunuar me pushtuesit dhe që kanë pasur vende të rëndësishme në administratën e shtetit kolaboracionist si, Omer Nishani, Medar Shtylla etj.?9-Kush e mban përgjegjësinë për dëmtimet e udhëheqjeve të qarkoreve të Partisë Komuniste Shqiptare dhe kuadrove të tjerë në Tiranë, Shkodër, Durrës, Berat e Vlorë?
10-Përse Enver Hoxha e ekspozonte veten si komunist, udhëheqës të Partisë Komuniste Shqiptare dhe të rezistencës së vendit përpara eksponentëve të qeverisë kuislinge dhe eksponentëve të “Ballit Kombëtar”?
11-Për një udhëheqës të revolucionit, a është kusht i domosdoshëm mbështetja dhe pasimi i tij nga familja dhe farefisi, për t’u mbështetur më pas edhe nga masa e popullit?
12-Të na shpjegojë Enver Hoxha, pse i braktisi shokët e luftës dhe misionin anglez në Çermenikë, dhe vetë i dytë u nis për në zonën e çliruar të Korçës nëpërmjet jatakëve që kishte familja “Baholli” në çdo fshat, ku reaksioni ishte i fortë?
13- Të na shpjegojë Enver Hoxha, pse kërkoi që Brigada e Parë sulmuese të futej në një zonë, ku forcat gjermano-balliste ishin të grumbulluara dhe kishin epërsi në numër dhe në armatime. Ku ishte reaksioni i fortë, terreni i thyer dhe dimri i madh, në një kohë që grupi i tij përbëhej vetëm nga dy-tre veta dhe ishin gjithnjë në lëvizje? Pse duhej Brigada, kur ata dy-tri veta e kishin zgjidhur vetë rrugën e daljes nga zona e Çermenikës pa më të voglin rrezik, pasi kishin njerëzit e Bahollëve që i shoqëronin nga një jatak (shtëpi) në tjetrin, si miq të tyre të marrë në besë nga i zoti i shtëpisë? Për ç’rrezik bëhej fjalë, kur ndodhte që në të njëjtën shtëpi bazë, të ishin edhe grupi i Enverit edhe ballistët? Pse duhej të shkaktoheshin plot viktima në popull dhe në partizanë dhe përse duhej sajuar e përhapur ajo legjendë për shpëtimin e Shtabit të Përgjithshëm?
14-Pyesim Enver Hoxhën: Monopolizimi i shumë funksioneve (detyrave) në dy duar e një kokë, siç janë ai i sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste Shqiptare, kryetarit të qeverisë, ministrit të Mbrojtjes, komandantit të Përgjithshëm, ministrit të Punëve të Jashtme, kryetarit të Frontit etj., a ka lidhje me sektarizmin dhe mosbesimin ndaj shokëve, kuadrove të luftës dhe a e dëmton luftën ky monopolizim i detyrave?

neser do te lexoni
Për herë të parë pasqyrohet situata e krijuar në sallën e plenumit II të Partisë Komuniste, në vitin 1944 (në Berat), kur kryeministri i pritshëm i Shqipërisë, Enver Hoxha, pranoi para kolegëve se, sektarizmi i krijuar në Parti e ka kthyer atë në një bandë terroristësh.
Cilat janë gabimet që pranoi Enver Hoxha, pas analizës që u bëri 14 pyetjeve të bëra nga anëtarët e lartë të udhëheqjes së Partisë Komuniste. Momentet kur ai guxoi të pranonte se kishte qenë karrierist dhe mendjemadh, si dhe lutja që u drejtoi kolegëve për ta falur.

nga 7 janari
Për herë të parë procesverbali tepër sekret i mbledhjes së ‘91
Byroja Politike, prapaskena e shtyrjes së zgjedhjeve të ‘91
Situata që Ramiz Alia i prezantoi Byrosë Politike për takimin që kishte bërë vetëm pak orë më parë me përfaqësinë e Partisë Demokratike të porsakrijuar
Cilat ishin kushtet që demokratët e parë i kishin vënë Byrosë Politike për zgjedhjet e pritshme parlamentare. Ultimatumi që ata i bënë Alisë për shtyrjen e zgjedhjeve
Reagimi i byroistëve dhe traumatizimi i tyre, për faktin e panjohur dhe të paimagjinuar për ata, që të ishin nën presionin e ultimatumeve të njerëzve, që deri atëherë i kishin nënvleftësuar
Debati i papritur që shpërtheu mes byroistëve, të cilët në mënyrë spektakolare po akuzonin me armiqësi të paskrupullt njëri-tjetrin, për privilegjet e pamerituara që u kishin krijuar familjarëve të tyre
Çfarë ndodhi në radhët e byroistëve, kur Ramiz Alia deklaroi se, popullin tashmë nuk e kishin më me vete, pasi po mbështeste opozitën demokratike, duke u hedhur në greva
Dialogët e plotë të të gjithë byroistëve me Ramiz Alinë. Çfarë diskutuan për shtyrjen e zgjedhjeve dhe si mendonin të mbroheshin përballë PD-së së porsakrijuar