e martë, dhjetor 06, 2005

Fjalimi i Nako Spirut i cili kishte termologjine e Enver Hoxhes



Zbardhen detajet e panjohura të Parlamentit të parë

Nako Spiru në Asamblenë e ’46: Riza Dani në këtë sallë na provokoi
Ditën e dytë, pasi kishte folur Dani u mbajt fjalimi i Nako Spirut i cili kishte termologjinë e Hoxhës...!

Fatos Veliu
Ishte 6 marsi 1946. Parlamenti i krijuar vetëm tre muaj më parë i filloi punimet që në orët e para të mëngjesit. Atë ditë do të diskutohej projektkushtetuta e Republikës.
Për më shumë se pesë javë ai projekt ishte propaganduar në emrin e diskutimit nga masat e gjera popullore, duke kaluar në çdo njësi e zonë vendore. Dihej qëndrimi absolut i popullatës së atëhershme, e cila ishte “pro” të gjitha vendimeve dhe kërkesave që shtronte partia. Pikërisht kur vazhdonte rutina e diskutimeve dhe kur do t’i jepej fund procesit të parë të Kushtetutës, për t’u kaluar pastaj në miratim, gjë që do të bëhej pikërisht atë mëngjes të 6 marsit, veproi lëvizja e radhës e opozitës së fshehtë. Konkretisht, fjalën e mori Riza Dani, që do të luante rolin e oponencës në Asamble.“Do të mundohem me folë sa më pak që të jetë e mundun; e para, pse dua t’i baj qejfin rregullores sonë, që nuk ja don hatri fjalët e shumta; e dyta, pse fjalët nuk ndryshojnë kurrgja kur fakti asht i kryem”, tha ia me nota të lexueshme ironie, dhe vazhdoi: “Çdo lloj ngjyre ideologjike që mund të marrë Fronti, kjo do të ketë për pasojë zhdukjen apo transformimin e tij në një parti të thjeshtë, me ngjyrën e saj esenciale. Statuti, pa dyshim, asht plot me frymë ideologjike, si politikisht, ashtu dhe nga pikëpamja social-ekonomike… Prandaj kërkoj nga Asambleja që Republika jonë të deklarohet Republikë Socialiste Popullore”.Në këto momente, kryetari i misionit amerikan, Jakobs, dhe i atij anglez, Hodgson, të cilët dëgjonin në lozhë, kanë drejtuar sytë me një vëmendje të jashtëzakonshme sa në sallë dhe sa në presidium. Sipas njërit prej njerëzve të besuar të elitës së shtetit të atëhershëm komunist, Fadil Paçramit, që ka hedhur për ato momente shënime të veçanta, të cilat përbëjnë vlera të mëdha dokumentare, mësohet se diplomatët e Perëndimit kanë ngulur sytë jo pak te Enver Hoxha, për të parë te ai reagimin apo përshtypjen që do t’i kishin bërë fjalët e diskutantit Dani.Janë vërejtur dukshëm në ato momente sytë e Enver Hoxhës të “xixëllinin”, nën një zemërim të brendshëm. Ai e ka përshkruar sallën me sy dhe së fundmi i ka ngulur në lozhat ku rrinin misionarët e Perëndimit, duke përcjellë, me sa kuptohej, mesazhin se po e nuhaste shkakun e diskutimeve si ai i deputetit Riza Dani, që sa kishte përfunduar, dhe nga nxiteshin ato. “Mësohet se në momentet që mbaroi Dani nuk ngeli askush në sallë, që të mos ketë vërejtur inatin e veçantë të Enver Hoxhës, madje edhe shikimin e egërsuar të tij, që e kishte shigjetuar mbi misionarët e aleatëve”.Kuptohet, nga sa po dëshmohet prej fakteve, se në ato momente Enver Hoxha duhet të ketë nuhatur atë çka organizohej mbrapa krahëve të tij, për faktin se egërsia e tij në atë sallë të Parlamentit ka qenë më shumë një betim për hakmarrje.Të nesërmen, më 7 mars, në seancën e paradites pas diskusionit të veteranit Thoma Papapano, menjëherë në podium, i nxitur nga një dëshirë e papërmbajtur, ka dalë Nako Spiru, i cili njihej si një nga miqtë e afërt të Enver Hoxhës dhe që gëzonte shumë simpatinë e tij. Qysh në fillim ai iu drejtua Riza Danit jo vetëm me tone të ashpra, por edhe në formë kërcënuese:“Zoti Riza Dani, kur foli mbi faktin e kryer, tregoi keqardhjen e thellë të reaksionit, që s’mundi të dalë me një fakt të kryer, dhe t’ia lidhte duart popullit shqiptar … Përpjekjet e reaksionit kanë qenë gjithmonë që populli të mos e marrë fuqinë. Kështu gjatë luftës, kështu pas çlirimit dhe kështu tani, ta kufizojë vazhdimisht atë, sa t’ia heqë fare nga dora… ………….Statuti ynë pasqyron realitetin tonë sot, pasqyron përpjekjet e popullit tonë për ndërtim. Kjo gjë, zotit Riza Dani i duket ideologjike… Kjo është, si të thuash, një çështje interpretimi. Unë nuk e di se kush e ka fajin, zoti Riza Dani, nëse ai nuk është për aspiratat e popullit shqiptar dhe nëse komunistët e patriotët e tjerë janë për këto aspirata … Prandaj provokacioni i zotit Riza Dani është pa vend.Reaksioni ynë dhe padronët e tij kërkojnë ta mbytin popullin. Zoti Riza Dani na del këtu në Asamble si pararojë e tyre. Siç duket, duhet të përmbushin angazhimet e marra”. Ndërsa Nako Spiru ishte duke folur kundër Riza Danit me ekipin që kryesonte, të cilët kishin marrë kurajën dhe guximin të bënin oponencën e Parlamentit, askush nuk e vinte në dyshim se diskutimi i tij, ku bëri atë reagim aq të ashpër, s’ishte gjë tjetër veçse një mesazh i qartë i vetë Enver Hoxhës, që donte të thoshte se me këtë problem do t’u duhej të merreshin seriozisht. Vetë “grupi i deputetëve” të asaj opozite, që gjithsesi do të hynte fuqishëm në historinë e Shqipërisë, qoftë dhe komuniste për vetë iniciativën që patën për misionin, të cilit donin t’i kushtoheshin, pas atij diskutimi të bashkëpunëtorit të afërt të Enver Hoxhës, filloi të tronditej së tepërmi, madje të shqetësohej deri në ekstrem. Ata dhe gjithë të tjerët nuk e njihnin Enver Hoxhën në ato vite, por nga mënyra se si reagoi nëpërmjet Nakos e dinin mirë që nuk e kishte kapërdirë dot arsyetimin e sofistikuar të tyre. Por çfarë ka thënë në të vërtetë në atë diskutim kërcënues Nako Spiru gjë që, përveç faktit që mbajti diskutimin kundër Danit, deri sot kur kanë kaluar mbi 51 vjet, nuk është zbardhur asnjëherë. Cilat ishin kërcënimet që ai bëri kundër Riza Danit dhe momentet kur ai luante me fjalë të sofistikuara me dy kuptime për t’iu kundërvënë ironizimeve të tij të hapura. Gjithçka arrihet të zbardhet vetëm sot, pas 51 vjetësh, kur në dispozicion të redaksisë janë vënë jo vetëm gazetat zyrtare të asaj dite, por edhe procesverbalet origjinale përkatëse të seancave të Asamblesë të datave 6 dhe 7 mars 1946. Po kështu, një burim i konsiderueshëm është dhe botimi i posaçëm dokumentativ i asaj kohe i Fadil Paçramit
Çfarë thotë shtypi zyrtar i datës 8 mars 1946, i cili përshkruan seancën parlamentare të një dite më parë, pra 7 mars 7 Mars 1946, në seancën e tretë të mbledhjes IX të pasdrekes vazhduan të flasin për projektstatutin edhe përfaqësonjës të tjerë, midis të cilëve Thoma Papapano, Liri Gega, Ing Spiro Koleka dhe Lefter Konomi. Zoti Nako Spiru iu përgjigj Riza Danit dhe ftoi Asamblenë që të aprovojë projektstatutin. Fjala e Nako Spirut u duartrokit për shumë minuta. Në orën 5:30, zoti Nako Spiru u propozon që të vihet në votë pranimi në parim i projektstatutit. Propozimi pranohet. Në bazë të rregullores, kryetari Tuk Jakova urdhëron që projektstatuti të mos vihet në votë në bllok, por të vihet në votë duke çfaqur çdo asamblist opinionin e tij “pro” apo “kundër”. Sekretari lexon një nga një emrat e asamblistëve, të cilët që të gjithë, një nga një çfaqen “pro”. Kështu që tërë Asambleja aprovoi me unanimitet projektstatutin në parim, midis duartrokitjeve të vazhdueshme.Zhvillim i seancësPasi u bë apeli dhe shumica e përfaqësonjësve ishte prezent, kryetari deklaron seancën e çelur. Vazhdojnë diskutimet. I pari foli zoti Thoma Papapano, i cili pasi bëri fjalë mbi përpjekjet e popullit shqiptar për çlirimin e tij, foli mbi rëndësinë e statutit dhe veçanërisht mbi kapitullin e III. Përfundoi duke ftuar asamblistët për të votuar projektstatutin.
* * * Pas Thoma Papapanos e mori fjalën Nako Spiru, i cili iu përgjigj fjalës së Riza Danit që mbajti në seancën e dytë të një dite më parë.Fjala e Nako SpirutPikë së pari, unë dua të falënderoj zotin Riza Dani, i cili me pak fjalë dhe në mënyrë shumë të qartë i paraqiti Asamblesë të gjithë arsenalin e reaksionit. Zoti Riza Dani tha se është para një fakti të kryem. Çdo të thotë kjo gja? Në qoftë se është fjala për faktin se populli nuk solli në Asamble katërmbëdhjetë të tjerë si Riza Dani për të paraqitur një statut si e do ai, ky asht një fakt si e do ai. Ky asht një fakt i kryem se populli zgjodhi ata që deshi për këtë statut. Po mua më duket se ma e rëndësishme asht çështja e realitetit tonë. Jemi para faktit që pushtetin e ka populli në dorë. Po, kjo asht e vërtetë, ky asht një fakt i kryem. Po si u krye? Ky fakt u krye me pesë vjet luftë të masave të popullit shqiptar.Reaksionit i vjen keq që nuk i doli popullit tonë përpara me një fakt të kryem. Si mundi të bajë fatkeqësisht në disa vende të Europës s’ okupueme nga Gjermania dhe t’i impononte statutin e tij.
* * * Zoti Riza Dani, kur foli dje përmbi faktin që kryem, tregoi keqardhjen e thellë të reaksionit që s’mujti të dalë me një fakt të kryem dhe t’i lidhte duart popullit shqiptar. Zoti Riza Dani tha se gjithë populli shqiptar ka luftue. Po, po të merremi vesh mirë. Masat e gjëra të popullit luftuen ma shumë se 90% me trimni kundër okupatorit. Tre a katër për qind të tjerë kanë luftue po kundra popullit. Ata kanë lidh interesat e tyne me ato të okupatorit, janë pasunue me gjakun e popullit.
* * * Ç’faj ka populli se ata zotërinj bashkëpunuan me okupatorin dhe janë gjithmon gati ta shesin atdhenë. Çështja e Riza Danit nuk asht një çështje e izoluem. Këtu është çështja e të gjithë reaksionit, përpjekjet e reaksionit kanë qenë gjithmon që populli të mos marrë fuqinë. Kështu gjatë luftës e kështu pas çlirimit dhe kështu përpiqet tani që t’ia kufizojë deri sa t’ia heqë nga dora. E din mirë populli shqiptar se çka bërë Mit’hat Frashëri, Patër Antoni e Lef Nosi. Këta ishin flamurtarët e reaksionit. E din mirë çka ba sot Sami Qeribashi me shokë. Dje pamë këtu një mbrojtje tjetër të interesave të reaksionit. * * * Zoti Riza Dani tha se statuti asht plot me frymë ideologjike. Mua më duket se këtu asht rasti i vërtetë për me fol për frymë ideologjike. Porse kjo gjindet në fjalët e atij. Kjo nuk është e para herë që ne e shohim çështjen të shtrohet në këtë mënyrë. Gjatë luftës nacionalçlirimtare kishte nga ata që thoshnin se lufta ishte ideologjike dhe s’ka shumë kohë që doktor Goebelsi i servirte këto nga radio e Berlinit. Frymë ideologjike duan të quajnë tani përpjekjet e popullit për rindërtimin e vendit. Statuti jonë pasqyron realitetin tonë sot, pasqyron përpjekjet e popullit tonë për rindërtim. Kjo gja zotit Riza Dani i duket ideologjike. Ay do të thotë me këtë se statuti asht komunist. Unë them se statuti pasqyron realitetin tonë, realitet realist që populli e farkëtoi me duart e tij luftën kundër okupatorit dhe atyne që ia shitën vendin tonë të huajit. Statuti pasqyron vullnetin dhe aspiratat e vendit tonë për të rindertue vendin për të krijue një Shqipni të popullit, për të pasë jetën e sigurt dhe të ardhmen e mirë. Në qoftë se vullnetin dhe aspiratat e ma tepër se 90% të popullit shqiptar ay i merr për frymë ideologjike, kjo është nji gja tjetër. Kjo ashtë si të thuash “çështje interpretimi”. Unë nuk e dij se kush i ka fajin zotit Riza Danit, nëse ai nuk asht për aspiratat e popullit shqiptar, dhe nëse komunistat e patriotët e tjerë janë për këto aspirata...

Enver Hoxha urdhëron arrestimin e kundërshtarëve në Parlament
Nuk kaloi as një vit nga koha kur ky grup kishte filluar nga veprimi konkret, kur Enver Hoxha konstatoi personalisht në muajin e tretë të Parlamentit se diçka po lëvizte pas personit të Riza Danit dhe misionarëve amerikanë. Ky moment kishte qenë diskutimi i bujshëm i Danit, që në emër të grupit po kundërshtonte me gjithfarëlloj argumentesh projektkushtetutën e parë. Pas kësaj, do të vinte mbikëqyrja e deputetëve në mënyrën më të sofistikuar dhe më të rreptë, derisa së fundmi të vinte arrestimi i tyre. Një letër, disi e zverdhur dhe e vjetruar nga dhjetëra vitet që kanë rënduar mbi të, qëndron në një nga stendat e Muzeut Historik Kombëtar, në pavijonin e gjenocidit komunist, pikërisht në seksionin që u kushtohet deputetëve të opozitës së parë të Shqipërisë komuniste. Mbi të është një shkrim dore më se i zakonshëm, madje pa i respektuar as rregullat elementare të drejtshkrimit. Ajo jep mbylljen e një historie të gjatë, të nisur me shumë vrull dhe pasion nga disa intelektualë të njohur të Shqipërisë së atyre viteve. Eshtë pikërisht urdhri pothuajse verbal që vendoste përfundimisht fatin e një pjese të deputetëve të Parlamentit të parë shqiptar. Konkretisht në të shkruhet:“Rendi i ditës:- Sot, më 14.05.1947, shqyrtimi i çështjes së arrestimit të disa të burgosurve.
U muar vendim për arrestimin e 10 deputetëve dhe gjithashtu u muar vendim për arrestimin e Kadri Hoxhës, meqenëse ishte ngjarje urgjente dhe kjo çështje do t’i paraqitej Komitetit Qendror të PKSH. Partia do të skjarohet në lidhje me këtë për luftën që duhet bërë kundra reaksioneve dhe gjithë elementëve nacionalistë. Duhet të kuptohet se ata që punojnë shtrembër, do të dënohen, ndërsa ata që punojnë drejt e ndershëm, duhet të veçohen. Partia e jonë kërkon të sqarohet proçesi”.
(Poshtë janë firmat e nënshkruara nga Enver Hoxha, Shefqet Peçi, Hysni Kapo dhe Nako Spiru.)

Çfarë ka ndodhur në 7 mars ’46, pas diskutimit të Nako Spirut në Asamble
Sipas shënimeve të posaçme të Fadil Paçramit dhe të disa materialeve të tjera me efekt të veçantë dokumentues mësohet se, grupi që kishte menduar të bënte oponencë ndaj veprimeve të Enver Hoxhës, pas shuplakës së fortë që mori duke u kërcënuar hapur nga Nako Spiru, u mblodh menjëherë pas punimeve të Asamblesë në një mbledhje tepër urgjente dhe tepër të fshehtë, e cila vazhdoi deri në orët e vona të natës. Duke folur për këtë mbledhje, doktor Enver Sazani tregon se pati një frymë mjaft të pasigurt për të vazhduar në rrugën e nisur. Pra, në rrugën e oponencës dhe të fjalës së dëshiruar. Mësohet që Ibrahim Karbunara të ketë thënë: “Unë besoj se, sado që të bëjmë ne në Kuvend, nuk është gjë me rëndësi dhe s’ka ç’i bën pushtetit që po instalohet fuqishëm. E vetmja gjë që mund ta rrëzojë dhe këtë dëgjoje mirë ti Selaudin Toto, dhe thuajua anglo-amerikanëve, është ndërhyrja e tyre e drejtpërdrejtë. Kjo do të jetë ajo që do të bëjë atë që duhet. Punët e tjera mua më duken pallavra. Megjithatë, secili nga ne do të vazhdojë punën e tij. Po jua them që tani se nga kjo punë mos prisni asgjë të çuditshme, pasi ne e shohim për herë të parë në vendin tonë që shumica më e madhe e popullit, me katundarë e qytetarë, janë me pushtetin…”.Për ta ndryshuar këtë atmosferë pesimiste, ka ndërhyrë menjëherë Shefqet Beja:“Shehu ka qenë gjithmonë pesimist, por nuk duhet të ishte ashtu, pse, që anglo-amerikanët të ndërhyjnë, duhet të ketë një grup këtu brenda që t’i thërrasë në ndihmë, dhe ky grup jemi ne”.

Programi dhe platforma e opozitës së parë shqiptare
Ka qenë saktësisht data 16 nëntor 1945, kur duheshin edhe dy javë që Shqipëria komuniste, e porsadalë nga lufta, të zhvillonte zgjedhjet e para të përgjithshme, prej të cilave do të dilte edhe Parlamenti i parë. Pikërisht atë ditë bëhet e ditur se, në Tiranë, në ilegalitet të thellë, janë mbledhur përfaqësuesit e disa grupeve shoqërore të asaj periudhe. Takimi ka vazhduar me orë të stërzgjatura dhe me shumë tension. Qëllimi ishte për të krijuar opozitën e parë shqiptare përballë Frontit Komunist, të quajtur Fronti Demokratik. Nga materialet arkivore të dosjes tepër sekrete, të matrikuluar “Mbi gjyqin e deputetëve”, mësohet se në atë mbledhje janë prezantuar këto grupe përfaqësuese:- Grupi i Rezistencës, i përbërë nga Sami Qeribashi, Prof Çoka dhe Ali Kavaja.- Grupi i Monarkistëve, i përbërë nga Qenan Dibra, Mehmet Ali Beshiri dhe Reis Hashoja.- Grupi Socialdemokrat, i përfaqësuar nga Musine Kokalari.- Grupi i Intelektualëve Indipendentë, i përfaqësuar nga Gjergj Kokoshi.Ata, pas shumë debatesh dhe problematikash teorike, arritën që natën e dytë, madje në orët e mesnatës, të përpilonin programin e përbashkët koordinues, i cili do të shërbente edhe si platformë detyruese për cilindo që do të angazhohej në misionin e guximshëm të porsanisur. Programi u vendos të mbështetej në këto pika: 1. Regjimi do të vendosej me anë të zgjedhjeve dhe do të ishte një regjim demokratik parlamentar.2. Do të bëhej një reformë agrare bazuar në traditat dhe zakonet e vendit.3. Do të kërkohej një Shqipëri etnike.4. Do të krijohej një ushtri, për të siguruar qetësinë e vendit.

neser do te lexoni
Vazhdon fjala e Nako Spirut në seancën e Asamblesë Kushtetuese të datës 7 mars 1946. Mënyrat ironike me të cilat ai vazhdoi të godiste në emër të Enver Hoxhës Riza Danin
Situata e krijuar kur Spiru e konsideronte mendimin e Danit si mendim të reaksionit, që detyrimisht ishte kundër atij të popullit. Gjuha e përdorur për ta quajtur atë antipopullor
Çfarë ndodhi në sallë pas mbarimit të fjalimit të Nakos. Si vijuan diskutimet e Liri Gegës dhe Lefter Konomit, që folën pas Nako Spirut