Mehmet Shehu: Edhe une kam gabime per kulturen
Për herë të parë, procesverbali sekret i plenumit IV
Mehmet Shehu në plenumin e ’73: Edhe unë kam gabime për kulturën
Pas akuzave për kulturën, kryeministri bën autokritikë që s’ka qenë ekstremist
Fatos Veliu
Ishte ora 16:30’ e datës 27 qershor të vitit 1973, kur filloi seanca e katërt e plenumit të posaçëm, i cili ishte mbledhur për të dënuar veprimtarinë antiparti në kulturë.
Pasi kishin folur në tre seancat e para, për dy ditë me radhë, që nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Hysni Kapo dhe deri te anëtari më i thjeshtë i atij plenumi, duke mos mbetur asnjë në hije, pikërisht ajo seancë e katërt filloi me diskutimin e njeriut të fuqishëm të asaj periudhe, Mehmet Shehun, që njihej jo vetëm si mbështetës i zellshëm i iniciativave të Enver Hoxhës, por edhe si një partizan i luftës së brendshme të partisë. Fillimi i diskutimit të tij e kishte kthyer atë sallë në një gjendje qetësie të padurueshme, por që dy personazheve që viktimizoheshin në atë mbledhje të jashtëzakonshme, Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit, u dukeshin sikur minutat po fluturonin me shpejtësi të paimagjinueshme. Kjo ndodhte se, që në fillim Mehmet Shehu e nisi fjalën e tij duke bërë jo vetëm një mbështetje absolute të fjalimit dhe të mendimit të Enver Hoxhës, se në parti kishte pasur probleme të qëllimshme për sa i përkiste çështjes së propagandës, por ai vazhdoi edhe më tej, duke e konsideruar çështjen të mbyllur vetëm me masa drastike ndaj njerëzve përgjegjës. Për një gjë të tillë ai deklaroi që në fillim të materialit se do të shprehej konkretisht në fund të diskutimit. Pas kësaj, kryeministri i frikshëm vazhdoi me aludime mbi shumëllojshmërinë e problemeve që ishin konstatuar kohët e fundit në punën e partisë dhe të shtetit në lidhje me ndërtimin e socializmit. Gjithçka që thuhej e aludohej në atë diskutim tepër ekstrem nga Mehmet Shehu duhet ta ketë vendosur në gjendje shumë alarmante organizmin e Paçramit dhe të Lubonjës, që nuk po kuptonin as vetë gjithë atë mllef që lëshohej ndaj tyre si ortek që shumëfishohej pambarimisht nga akuzat. Pikërisht atë moment, kur ish-kryeministri, që ashtu si shumë diskutantë të tjerë të atij plenumi më vonë do të bëhej viktima të atij mekanizmi që ndërtonin me aq zell, mbajti fjalimin e tij të ashpër, gazeta arrin ta bëjë publik për herë të parë, pas 32 vjetësh. Cilat ishin akuzat që Mehmet Shehu ngriti në lidhje me punën antiparti që ishte konstatuar deri në atë moment. Cili ishte qëllimi i keqdashësve të asaj situate dhe pse duhej me patjetër të dënoheshin ata. Cilat ishin aludimet që ai i bënte situatës së përgjithshme të shtetit dhe përse e fajësonte veten. Ku konsistonte autokritika që ai bëri para atij plenumi, i cili po kryqëzonte viktimat e para në lidhje me situatën e krijuar. Pikërisht këto pjesë të atij fjalimi po zbardhen në shkrimin e mëposhtëm të këtij numri. Seanca e katërtPasdite, ora 16:30’ e datës 27.6.1973)Shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të RPSH. Fjala e Mehmet Shehut fillon me vlerësimin e raportit të HoxhësRaporti që mbajti këtu shoku Enver në emër të Byrosë Politike, me të cilin unë jam plotësisht dakord, është me të vërtetë i një rëndësie të veçantë, sepse duke prekur çështje nga më kardinalet për vijën e partisë dhe i mbajtur në kohën e duhur ai përbën në vetvete një mësim të madh marksist-leninist, që i jep hov e zjarr shpirtit e zemrës, punës e qëndrimit të komunistëve, kuadrove, organeve e aparateve dhe gjithë masave punonjëse, për thellimin e mëtejshëm të revolucionarizimit të jetës së vendit, në luftën klasore intensive kundër ideologjisë borgjeze e revizioniste.Që nga themelimi i saj, partia vazhdimisht u ka bërë thirrje komunistëve për vigjilencë revolucionare të mprehtë kundër çdo veprimtarie apo influence armiqësore në radhët tona dhe për luftë klasore konsekuente në frontin ideologjik. . . .Bën thirrje për ashpërsim të luftës së klasave... Ne jemi të ndërgjegjshëm se lufta jonë s’është e zakonshme, por është luftë revolucionare e gjatë në rrethim e bllokadë. Shqipëria socialiste është shembull revolucionar unik në historinë e njerëzimit dhe të revolucionit botëror. Detyra jonë është të vazhdojmë sulmin e marshimin historik dhe të sigurojmë përjetësimin e socializmit, e pastaj të komunizmit në vendin tonë. Por bashkë me sukseset e fitoret, që përbëjnë karakteristikën dalluese të gjendjes sonë, ne kemi edhe dobësitë e të metat tona në punë e në jetë. Kjo është e natyrshme. Objektivi i punimeve të këtij plenumi nuk është analiza e sukseseve, por analiza e dobësive dhe të metave tona. Kjo nuk do të thotë aspak se ne, duke analizuar të metat dhe gabimet, nënvlerësojmë sukseset, errësojmë gjendjen. . . . Paçramin dhe Lubonjën i konsideron të pandreqshëm. . . Në zbatimin e vijës gjithmonë të drejtë të partisë, në mjaft raste ka pasur edhe shkelje e shtrembërime. Madje nga disa persona të caktuar e bartës të ndërgjegjshëm të ideologjisë borgjeze e revizioniste, liberalë gjer në palcë e oportunistë të zellshëm, këto vjetët e fundit është mundur edhe të punohet sistematikisht kundër vijës së partisë. Por do të ishte krejt gabim të mendohej se vetëm tash partia po zgjohet për të kuptuar dhe luftuar shfaqjet e liberalizmit.
***E kjo punë e partisë ka zënë vend. Prandaj me të ngritur zërin partia nëpërmjet fjalimeve të shokut Enver, veçanërisht në fjalimin e 15 marsit, u ngritën në këmbë gjithë komunistët, kuadrot dhe masat, për të dënuar shfaqjet e liberalizmit jo vetëm tek të tjerët, por edhe tek vetja, duke bërë përjashtim këtu ndonjë bartës i pandreqshëm i ideologjisë borgjeze e revizioniste si Fadil Paçrami e Todi Lubonja, për të cilët do shfaq mendimin nga fundi i diskutimit tim.Thekson për përmasat e shtrirjes së liberalizmitKonceptet dhe shfaqjet e liberalizmit borgjezo-revizionist zunë vend veçanërisht në radhët e inteligjencës artistike, pastaj edhe në radhët e rinisë studenteske e punëtore. Por do të ishte gabim që të mendohej se vetëm në këta dy sektorë ka pasur shfaqje të liberalizmit. Në art e letërsi shfaqjet e liberalizmit kanë qenë më të theksuara, po ashtu të theksuara kanë qenë edhe në radhët e rinisë; veçse konceptet dhe shfaqjet e liberalizmit kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në të gjithë sektorët, pa përjashtim. Po të mohonim këtë, do të mohonim realitetin, do të mbyllnim sytë përpara rrezikut borgjezo-revizionist në sektorët e tjerë dhe kjo do ta dëmtonte shumë rëndë çështjen. Prandaj me të drejtë, në fjalimin e 15 marsit, shoku Enver propozoi që analiza për shfaqjet e liberalizmit të shtrihej në të gjithë sektorët dhe fushat e jetës sonë . . . .Pas shumë teorizimesh, Shehu flet për rrezikun e rrethimit revizionist. . . Ne shumë herë flasim për rrethimin, por këtë e kuptojmë ngushtë, në prizmin ushtarak, në praktikë nuk e kuptojmë gjerë e thellë, si duhet, rrethimin imperialisto-revizionist, bllokadën e presionit ideologjik të tyre.
***Po nuk e kuptuam këtë njëanshmëri në qëndrimin tonë dhe të largohemi përfundimisht prej kësaj metode metafizike e të përdorim plotësisht metodën dialektike, - po s’e kuptuam dhe po s’e bëmë këtë, atëherë patjetër që tani që shtrohet me të madhe lufta kundër liberalizmit, njerëzit mund edhe të kalojnë në anën tjetër: të ngrenë veshët burokratizmi dhe arbitrariteti, të harrohen metodat e bindjes dhe vija e masave. Në qoftë se nuk e bëjmë këtë, atëherë përsëri do krijohen situata të rrezikshme, herë nga njëra anë dhe herë nga tjetra. E këtë s’duhet ta lejojmë.Kryeministri flet për vjedhjet dhe kriminalitetin në shtetin që drejton me dorë të hekurt Vjedhjet këto tre vjetët e fundit janë në rritje, kriminaliteti në përgjithësi po rritet çdo vit. Në shumë raste është arritur në një gjendje kompromisi të heshtur në aparatet shtetërore dhe ekonomike midis vetë kuadrove, si dhe midis kuadrove dhe masës, shumë herë edhe brenda për brenda gjirit të masës, në dëm të shoqërisë, sipas konceptit mikroborgjez “mos më kritiko, që mos të të kritikoj”, në kurriz të interesit të përgjithshëm; ka zënë vend në jetën tonë edhe indiferentizmi. . .Autokritikat që Mehmet Shehu bën ndaj vetes... Për shfaqjet e burokratizmit e liberalizmit në organet shtetërore dhe ekonomike, një përgjegjësi të madhe mbaj unë si kryetar i Këshillit të Ministrave dhe si anëtar i Byrosë Politike. Duke e shqyrtuar punën time në funksionin e kryetarit të Këshillit të Ministrave, unë arrij në konkluzionin që, megjithëse kam luftuar me sa kam mundur si kundër burokratizmit apo konservatorizmit, ashtu dhe kundër liberalizmit, apo shfaqjeve të tjera të dëmshme në organet shtetërore dhe ekonomike për punën edukative ideologjike që ata duhet të bëjnë me vartësit dhe veçanërisht me masat, në mënyrë që të gjithë, jo me fjalë por konkretisht, t’i shohin çështjet me të vërtetë në prizmin politik, dhe nuk kam insistuar sa duhet për zbatimin e ligjshmërisë socialiste nga organet që drejtoj, etj.
***Edhe për çështjet e kulturës unë duhej të preokupohesha më shumë, sepse organet shtetërore kanë për detyrë që të drejtojnë jo vetëm arsimin, por edhe kulturën, njëlloj si gjithë sektorët e tjerë. Unë i premtoj plenumit se do të përpiqem që detyrat t’i kryej më mirë në të ardhmen.Premton për masa drastike në përmirësim të gjendjesKëshilli i Ministrave po merr disa masa konkrete për të luftuar efektivisht shfaqjet e liberalizmit në radhët e organeve shtetërore dhe në aktivitetin tonë ekonomik, arsimor, etj. Do luftojmë për përmirësimin e vazhdueshëm të metodës e stilit në punë e në drejtim; do përpiqemi dhe duhet të kërkojmë forma më të përshtatshme për të organizuar veçanërisht kontrollin e zbatimit të detyrave, d.m.th. kontrollin shtetëror të gjithanshëm... .Ish-kryeministri ndalet te puna ideologjikeDuhet të jetojmë intensivisht edhe me problemet ideologjike, madje me prioritete. Komiteti i partisë i rrethit duhet ta udhëheqë komitetin ekzekutiv dhe ekonominë, por jo ta zëvendësojë komitetin ekzekutiv. Kompetencat që i janë dhënë komitetit ekzekutiv ky duhet t’i zbatojë dhe komiteti i partisë jo të merret me punë direkte të pushtetit, por të sigurojë udhëheqjen e përgjithshme dhe jo udhëheqjen konkrete, sepse udhëheqjen konkrete duhet ta bëjnë organet përkatëse shtetërore dhe ekonomike. ***Organet dhe organizatat e partisë duhet të merren më tepër me njerëzit sesa të merren me makinat; të merren, p.sh. më parë me traktoristin për ta edukuar e për të rritur te ai ndjenjën e përgjegjësisë, ndërgjegjen, pastaj të merren me traktorin. Kurse shumë herë ndodh e kundërta, me gjithë insistimet e vazhdueshme të Komitetit Qendror.Pse ndodh kjo? Ndodh se është më vështirë të merresh me edukimin ideologjik të njerëzve, sesa me çështje konkrete të vogla.Duhet mbajtur parasysh më mirë porosia e Leninit që thotë: “…duhen ndarë në një mënyrë shumë të saktë funksionet e partisë (edhe të KQ të saj) dhe të pushtetit…duhet të rritet përgjegjësia dhe pavarësia e funksionarëve të pushtetit dhe e institucioneve të pushtetit, kurse partisë t’i lihet drejtimi i përgjithshëm i punës së të gjitha organeve të pushtetit së bashku, pa ndërhyrjen e tanishme shumë të dendur, jo të rregullt, që shpeshherë ka të bëjë me çështje të vogla” (Lenin, veprat, bot. shqip, vol. 33, f. 276). Në këtë drejtim, më duket, duhet të kemi kujdes më tepër, për të përmirësuar metodën e stilin e punës së organeve dhe organizatave të partisë.Situata në art e kulturëMe këtë rast, do të dëshiroja të them edhe unë disa mendime në lidhje me shfaqjet e ideologjisë borgjeze e revizioniste në sektorin e artit e të letërsisë.Te gjithë jemi të një mendjeje se tashmë ne kemi krijuar artin e letërsinë tonë socialiste, sipas metodës së realizmit socialist. Sukseset kanë qenë të mëdha në këtë drejtim. Megjithatë, sektori i artit e letërsisë ka qenë më i ndjeshëm se çdo sektor tjetër nga presioni i ideologjisë borgjeze dhe revizioniste. Nga vetë natyra e punës së njerëzve në këtë sektor, disa elementë të paformuar mirë ideologjikisht, sidomos të rinj, por edhe të vjetër, kanë qenë të predispozuar për t’u bërë bartës të ideologjisë borgjeze e revizioniste.***Prirjet e ndryshme ideoestetike të gabuara, që duken në sektorin e letërsisë dhe të artit, u analizuan thellë në raportin që mbajti shoku Enver. Eshtë e qartë se në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve ka një konfuzion ideologjik për shumë çështje të teorisë e praktikës të artit të realizmit socialist. . . .Ndalet në detajet e zhvillimit të letërsisë komuniste... Po t’i futesh pastaj leximit të romaneve dhe dramave do të gjesh mjaft shembuj ku edhe në rastin kur heroi pozitiv është vënë në qendër të veprës, ai paraqitet më tepër formalisht si hero pozitiv, sepse personaliteti dhe veprimi i tij dalin të zbehtë; ose kur lozet roli i heroit pozitiv në skenë, megjithëse në vepër heroi pozitiv mund të jetë në lartësinë e duhur, disa regjisorë, me qëllim të keq, e zbehin figurën dhe veprimin e tij duke vënë në këto role artistë mediokër, ndërsa artistët më të aftë i ngarkojnë me rolet negative. Më keq akoma paraqitet çështja për personazhet e thjeshta pozitive, që duhet të bashkëveprojnë dhe të mbështesin heroin e veprës, ose kur heroi pozitiv vepron i mbyllur në kafazin e skemës së autorit, i shkëputur nga masat, etj.Gjendja socialiste nuk duhet të paraqitet e zymtëTë gjitha këto janë qëndrime dhe veprime mohuese të rolit të heroit pozitiv dhe të personazheve pozitive, janë në kundërshtim flagrant me metodën e realizmit socialist, sepse shtrembërojnë realitetin e gjendjes sonë, e paraqesin gjendjen tonë të sotme të zymtë, anemike dhe pa perspektivë.Realizmi socialist kërkon një kuptim revolucionar dhe jo mikroborgjez për heroin pozitiv. Heroi pozitiv duhet të jetë ai që sundon romanin apo skenën, është përfaqësuesi pararojë i popullit, që i jep tonin revolucionar jetës e veprimit, që edukon masat me shembullin e tij të madh, që nxit optimizmin e masave dhe që hap perspektivën. Heroi pozitiv vërtet “krijohet” artistikisht nga shkrimtari, por ai duhet të dalë nga karakteret pozitive tipike të realitetit shqiptar dhe jo të skematizohet brenda katër mureve të zyrës nga imagjinata abstrakte e shkrimtarit.Aludohet se si duhet të jenë shkrimtarët komunistëNë radhët e shkrimtarëve ka një konfuzion sidomos për rolin e personazheve pozitive në veprat komike e satirike. Disa shkrimtarë të kësaj gjinie, me fjalë dhe me artikuj, pothuajse e mohojnë fare rolin e personazheve pozitive në veprat satirike, kurse në praktikë, në veprat që ata kanë shkruar gjer më sot, e mohojnë krejtësisht këtë rol. Sipas teorisë së tyre, që për mendimin tim është teori e gabuar dhe në kundërshtim me parimet e realizmit socialist, këta shkrimtarë në faqet e revistës “Nëntori” shkruajnë: “…do ishte absurde të mendohej, - thonë ata, - se në një vepër arti vetëm personazhi pozitiv është ai që do t’u dalë zot idealeve tona socialiste”. Sipas tyre, këto ideale socialiste nuk duhet të jetë personazhi pozitiv i veprës që duhet t’i mbrojë, por ato “i mbron si dritën e syve… vetë autori me qëndrimin e tij të prerë…” . . . .
***...Në qoftë se një shkrimtar përparimtar, në një vend kapitalist, shkruan një vepër komike a satirike dhe në të trajton, të themi, probleme të karakterit të kontradiktave antagoniste, për të demaskuar, me anën e satirës dhe të humorit, rendin kapitalist, ku jeton e punon dhe autori, atëherë mund të ndodhë që vepra të përmbajë vetëm personazhe negative dhe, duke u demaskuar këto personazhe negative me vetë veprimtarinë e tyre në vepër, shkrimtari ka goditur kështu, me veprën e tij satirike, vetë rendin kapitalist.Vijon nesër
Mehmet Shehu bën autokritikë për gabimet në kulturë
... Për shfaqjet e burokratizmit e liberalizmit në organet shtetërore dhe ekonomike, një përgjegjësi të madhe mbaj unë si kryetar i Këshillit të Ministrave dhe si anëtar i Byrosë Politike. Duke e shqyrtuar punën time në funksionin e kryetarit të Këshillit të Ministrave, unë arrij në konkluzionin që, megjithëse kam luftuar me sa kam mundur si kundër burokratizmit apo konservatorizmit, ashtu dhe kundër liberalizmit, apo shfaqjeve të tjera të dëmshme në organet shtetërore dhe ekonomike për punën edukative ideologjike, që ata duhet të bëjnë me vartësit dhe veçanërisht me masat, në mënyrë që të gjithë, jo me fjalë, por konkretisht, t’i shohin çështjet me të vërtetë në prizmin politik, dhe nuk kam insistuar sa duhet për zbatimin e ligjshmërisë socialiste nga organet që drejtoj, etj. Edhe për çështjet e kulturës unë duhej të preokupohesha më shumë, sepse organet shtetërore kanë për detyrë që të drejtojnë jo vetëm arsimin, por edhe kulturën, njëlloj si gjithë sektorët e tjerë. Unë i premtoj plenumit se do të përpiqem që detyrat t’i kryej më mirë në të ardhmen. Krahas punës organizative dhe punës edukative, ne do të vëmë në zbatim edhe masat përkatëse të ligjshmërisë socialiste, për të kombinuar masat bindëse me masat shtrënguese. Por në zbatimin e masave disiplinore e shtrënguese, do të duhet që organet shtetërore të gjejnë edhe mbështetjen e duhur nga organet dhe organizatat përkatëse të partisë dhe organizatat e masave, kur masat shtrënguese janë me vend dhe të ligjshme.
neser do te lexoni
Diskutimi i Mehmet Shehut në lidhje me problemin e burokratizimit dhe liberalizimit. Thirrja e tij publike për të dominuar në letërsi lufta e klasave
Aludimet e tij të çuditshme, kur urdhëronte shkrimtarët që të braktisnin temën e dashurisë te rinia dhe në vend të saj, të flisnin për dashurinë e partisë
<< Home