e martë, nëntor 29, 2005

Mehmet Shehu: Te denohen diversantet ideologjik Fadil Paçrami e Todi Lubonja



Shehu: Të dënohen diversantët ideologjikë Fadil Paçrami e Lubonja
Largimin e “armiqve” të Partisë kryeministri e konsideroi domosdoshmëri për shëndoshjen e saj

Fatos Veliu
Një mllef i jashtëzakonshëm i Mehmet Shehut ndaj Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit në plenumin e qershorit të vitit 1973. Ai në diskutimin e tij të filluar në orën 16:30 të ditës së dytë të punimeve, pasi bëri një përshkrim të gjerë të punës së Partisë në kulturë dhe propagandë, nuk ngurroi të bëjë vërejtjet profesionale ndaj veprave të shkrimtarëve të asaj kohe, të cilët udhëzoheshin si përçues të vijës së partisë.
Pas këtij paradoksi, ku kryeministri i gjithëpushtetshëm, i cili arriti të sugjerojë shkrimtarët edhe për personazhet dhe temat e veprave që do të zgjidhnin, pas rreth 30 minutash kaloi menjëherë në sulm mbi dy “heretikët” e shpallur nga Enver Hoxha si objekte që duhej të viktimizoheshin. Në këto momente, Mehmet Shehu, i cili kishte paralajmëruar se do të fliste për masën që do të propozonte për Paçramin dhe Lubonjën, u vërsul me të gjithë arsenalin e fjalorit më ekstrem që përbëhej gjuha shqipe. Akuzat më të rënda që mund të ishin në përdorim të politikanëve kryesorë të asaj kohe, u përdorën me zellin më të madh nga Mehmet Shehu, gjë që paralajmëronte se tashmë afati i njerëzve të kulturës dhe të rinisë ishte i paravendosur. Ai i quajti ata armiq të rrezikshëm, ideatorë të vijës borgjeze, të poshtër, njerëz që kishin dëmtuar qëllimisht punën e Partisë, rrufjanë politikë, diversantë ideologjikë, njerëz që kishin prezantuar vepra të helmatisura, njerëz që kishin qëllim të degjeneronin rininë etj., etj., shprehje të kësaj natyre me anë të të cilave, të thëna nga goja e Mehmet Shehut, u sigurua jo vetëm kryqëzimi absolut i dy njerëzve që deri në atë kohë kishin qenë epiqendra e propagandës politike, por edhe shkatërrimi total i tyre. Pas shumë e shumë akuzash të thëna në atë pasdite të nxehtë nga kryeministri i shkumëzuar së fundmi ai dha edhe mendimin që pritej për dënimin e tyre.“Unë jam i mendimit, - vijoi ai- sikurse dhe shumë shokë, që për fajet dhe krimet e tyre ndaj vijës së partisë, Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, këta dy devijatorë të djathtë, diversantë ideologjikë, borgjezë dhe revizionistë, jo vetëm që duhet të përjashtohen nga radhët e Komitetit Qendror të Partisë, por duhen flakur edhe jashtë radhëve të partisë. Në këtë mënyrë partia mbetet e pastër dhe do të forcohet dhe më shumë”.Gjithçka ka ndodhur plot 32 vjet më parë, kur Enver Hoxha nëpërmjet plenumit të katërt të PPSh-së, të zhvilluar në 26-28 qershor, vendosi të fillojë aksionin për “spastrimin” e radhëve të Partisë që ai drejtonte. Pikërisht procesverbali i asaj mbledhjeje të mbetur deri tani në mister, po botohet në vazhdim të këtij cikli botimesh të gazetës “Panorama”. Kryeministri u drejtohet Paçramit dhe Lubonjës me nofkën “Armiq”Në këtë plenum ne dëgjuam edhe diskutimin e Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës, të cilët folën në lidhje me përgjegjësinë e tyre për fajet për të cilat akuzohen, qoftë në raportin që mbajti shoku Enver, ashtu edhe nga diskutimet e shokëve të tjerë.Në mbledhjet e plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, gjatë mëse 30 vjetëve të jetës së saj, ne kemi dëgjuar të flasin shumë armiq të partisë, që kanë qenë anëtarë të Komitetit Qendror si, Fadil Paçrami e Todi Lubonja, për të dhënë llogari për fajet e tyre si armiq të partisë. Por, diskutimi i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, sipas mendimit tim, megjithëse kanë të njëjtën natyrë në përmbajtje, sikurse diskutimet e armiqve të tjerë të partisë që janë përjashtuar nga radhët e udhëheqjes dhe nga radhët e partisë gjer më sot, kanë qenë nga më të ulëtat dhe nga më armiqësoret.
* * * Unë nuk e ndaj Todi Lubonjën nga Fadil Paçrami, por i vë që të dy në të njëjtën kategori. Ata që të dy janë revizionistë të regjur dhe armiq të rafinuar të partisë. Këtë e kanë provuar jo vetëm me veprimtarinë e tyre në funksionet e partisë që kanë mbajtur, por edhe me vetë diskutimet e tyre sot në këtë plenum.Paçrami na ka dhënë drama të “helmatisura” Fadil Paçrami ka luajtur rolin e personazhit më negativ në letërsinë dhe artin tonë të realizmit socialist, jo vetëm me dramat e tij të helmatisura në pikëpamje ideologjike dhe mediokre, në pikëpamje artistike, por edhe me veprimtarinë e tij konkrete si sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, duke u bërë zëdhënësi kryesor i ideologjisë borgjeze dhe revizioniste në letërsi dhe art. Todi Lubonja ka qenë rrufjan politikTodi Lubonja, nga ana e tij, ka luajtur rolin e përçuesit dhe të zbatuesit të ideologjisë borgjeze dhe revizioniste si në drejtim të sektorit të kulturës, ashtu dhe në drejtim të rinisë.Sipas pikëpamjes sime këta nuk janë viktima të presionit të ideologjisë borgjeze dhe revizioniste, por janë zëdhënës të ndërgjegjshëm dhe zbatues konsekuentë të kësaj ideologjie. Ata çdo gjë e kanë bërë me ndërgjegje e bindje të plotë si revizionistë e armiq të partisë dhe me qëllime të caktuara prej kohësh. Këta janë tamam rrufjanë politikë dhe diversantë ideologjikë. Veprimtaria e tyre armiqësore nuk ka filluar vetëm këto dy vitet e fundit, por atë duhet ta kërkojmë akoma më përpara. Ata në këto vitet e fundit e intensifikuan veprimtarinë e tyre, të inkurajuar edhe nga rrethanat objektive të jashtme, duke u hedhur në sulm të hapur kundër vijës së partisë, duke shfrytëzuar mundësitë legale që u jepnin funksionet me të cilat kanë qenë ngarkuar dhe duke pasur për objekt kryesisht dy sektorët më delikatë të shoqërisë sonë, inteligjencën artistike dhe rininë.Qëllimi i dy diversantëve ideologjikë ka qenë të çorodisnin rininëAta kanë menduar se pikëpamjet e tyre borgjeze, revizioniste dhe reaksionare, të veshura me petkun e realizmit socialist, të “novatorizmit”, të “përparimtares” etj., do të mund të çorodisnin inteligjencën artistike dhe rininë, me qëllim që, gradualisht t’i kanalizonin ato në rrugën antiparti dhe antipushtet, për të krijuar bazën e tyre shoqërore për përmbysjen finale të diktaturës së proletariatit, likuidimin e partisë, likuidimin e socializmit, restaurimin e kapitalizmit, të maskuar me format e përshtatshme revizioniste. Kjo ka qenë vija e tyre, ky është fakti dhe jo ato përralla mizerabël, që u përpoqën të na servirnin këtu sot, për të na hedhur hi syve dhe për të shpëtuar nga përgjegjësia.
* * * Me diskutimin e tyre mizerabël dhe të poshtër ata kanë ofenduar Komitetin Qendror të Partisë. Fadil Paçrami nuk pranoi në fakt asnjë gabim dhe asnjë faj, të gjithë fajin ia hodhi vijës së partisë dhe ai na paska qenë përpjekur për të zbatuar drejt këtë vijë! Edhe kur u vu me shpatulla për muri nga pyetjet e shokëve, të revoltuar me të drejtë, ai u përpoq t’i minimizonte faktet, u përpoq të luate rolin e ulët të aktorit mediokër, si ato rolet bajate në dramat e tij, për të na bindur se nuk ka punuar me ndërgjegje kundër partisë. Todi Lubonja, në fillim përdori pompën demagogjike për të na gënjyer se, gjoja bëri autokritikë të sinqertë. Por, kjo demagogji e tij u bë pluhur menjëherë që nga pyetjet e para të shokëve të revoltuar, me të drejtë.Që të dy këta revizionistë dhe deviatorë kanë të njëjtën vijë politike dhe ideologjike. Ata kësaj vije sigurisht që së shpejti do t’i shtonin edhe anën organizative të saj, megjithëse shenjat e para të një koordinimi dhe veprimi antiparti midis tyre, gjithashtu edhe me disa njerëz të tyre, janë dukur që kohët e fundit. Por, partia jonë ka parë shumë armiq të tjerë deri më sot si, Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën, dhe askush nuk ia ka hedhur dot deri më sot asaj. Kurrë nuk ia ka ngrënë dot qeni shkopin! Shoshës së partisë, që është kritika dhe autokritika marksiste-leniniste dhe lufta klasore e mprehtë, nuk i shpëton asnjë diversant ideologjik, asnjë armik. Dhe, ja, tek na nxori sot në shesh kjo luftë e mprehtë këta dy diversantë ideologjikë në udhëheqjen e partisë
* * * Këta diversionistë të borgjezisë dhe të revizionizmit në udhëheqjen tonë, në sajë të vigjilencës së mprehtë të partisë dhe të besnikërisë së kuadrove dhe të masave ndaj vijës së partisë, vërtet që e kanë dëmtuar rëndë vijën e partisë, por ata nuk kanë mundur dot me veprimtarinë e tyre minonjëse dhe infektonjëse, me metodat e tyre të mashtrimit, intrigës, grupazhit, spekulimit, propagandës dhe me të gjitha format e tjera të ulëta që kanë përdorur kundër nesh, nuk kanë mundur që të cenojnë dot gjënë më të shenjtë, që është uniteti në udhëheqjen e partisë dhe brenda partisë. Këta diversantë ideologjikë u kapën me “presh në dorë” nga vetë masat dhe kuadrot e shëndosha dhe nuk mundën dot që të bënin për vete, qoftë edhe një pjesë fare-fare të vogël nga inteligjenca dhe rinia, që kanë qenë e duhet të mbeten kurdoherë besnike të vendosura të vijës së partisë.Propozimi për dënimUnë jam i mendimit, sikurse dhe shumë shokë, që për fajet dhe krimet e tyre ndaj vijës së partisë, Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, këta dy devijatorë të djathtë, diversantë ideologjikë, borgjezë dhe revizionistë, jo vetëm që duhet të përjashtohen nga radhët e Komitetit Qendror të Partisë, por ata duhen flakur edhe jashtë radhëve të partisë. Në këtë mënyrë, partia mbetet e pastër dhe do të forcohet akoma dhe më shumë.Në ofensivë edhe kundër kuadrit të rinisë, Agim MerosPër sa i përket shokut Agim Mero, ne e dëgjuam me vëmendje autokritikën e tij. Mua më duket që, autokritika e tij në këtë plenum ka qenë e mirë. Rëndësi vendimtare në këtë çështje ka sinqeriteti karshi partisë.Shoku Agim Mero ka gabuar rëndë, mbi të rëndojnë faje të rënda, sepse kur ka qenë sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë ka shtrembëruar keq vijën e partisë në rini, duke sjellë shthurjen organizative në të gjithë organizatën e rinisë dhe çoroditje ideologjike, sidomos në rininë e qytetit, veçanërisht në rininë studentore, ka qenë shok i ngushtë i Todi Lubonjës dhe këto shtrembërime të vijës së partisë në rini me karakter liberalist janë edhe si efekt i bashkëpunimit midis shokut Agim dhe Todi Lubonjës, ku ai e përdorte Todi Lubonjën si këshilldhënës për çështjet e rinisë.Agim Mero: Jo në një thes me Todin dhe FadilinMegjithatë, shoku Agim Mero, sipas mendimit tim, nuk duhet futur në një thes me Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, sepse ai ka bërë autokritikë të mirë, e ka ndjerë thellë fajin dhe përgjegjësinë e tij e tash po punon mirë. Natyrisht, nuk mjafton vetëm autokritika. Autokritika duhet të vihet në jetë. Ne duhet t’i japim dorën shokut Agim, partia duhet t’i japë dorën si mëma fëmijës që ka gabuar rëndë e që kërkon të shërohet dhe pastaj çdo gjë do të varet vetëm nga ai, nga Agimi. I takon vetëm atij t’ia shpërblejë partisë me punë dhe ndërgjegje.Masa për Meron Duke marrë parasysh të gjitha këto unë mendoj se, do të mjaftonte një masë me karakter edukativ për shokun Agim Mero, masa e “vërejtjes me shënim në kartën e regjistrimit”, dhe kjo masë të vlejë si paralajmërim i fundit për të, në mënyrë që, ai të mos shkelë më kurrë në dërrasë të kalbur ideologjike dhe të mbetet gjithmonë besnik i partisë.Lubonja dhe Paçrami të dënohenNga veprimtaria minuese dhe antiparti e Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, të gjithë, pa përjashtim, duhet të nxjerrim konkluzione që të na vlejnë në punën edhe në jetën tonë si revolucionarë; veçanërisht duhet të nxjerrë konkluzione Komiteti i Partisë i Rrethit të Tiranës, sektorët e propagandës së aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, Komiteti Qendror i Rinisë dhe Ministria e Arsimit dhe e Kulturës...

Mehmet Shehu: Armiqtë e socializmit nesër do të na godasin
Për të përballuar me sukses rrethimin e bllokadën, ne duhet të jemi kurdoherë sulmues, çdo kolektiv, çdo individ, të sulmojmë frontalisht në të gjitha fushat e jetës, në fushën ideologjike, ekonomike, ushtarake, kulturore, apo në fushat e tjera. Prandaj, që të mendojmë, të punojmë, të luftojmë e të jetojmë si revolucionarë, duhet më parë të mendojmë, të punojmë, të luftojmë e të jetojmë si në rrethim e në bllokadë, dhe jo me fjalë, por me vepra, se jemi e vetmja kështjellë socialiste në Evropë, e armiqtë na kanë rrethuar e po na bombardojnë, sot me bomba me sheqer, por nesër medoemos me bomba të vërteta.Mbajtja ndezur e këtij zjarri revolucionar, që ka shpërthyer mbi bazën e fjalimeve të kohëve të fundit të shokut Enver dhe që do të buçasë akoma më shumë pas punimeve të këtij plenumi, është detyra jonë më imediate dhe e përhershme. Kryerja e detyrave me ndërgjegje komuniste dhe disiplinë proletare, do të jetë treguesi kryesor për shkallën e aftësisë sonë si udhëheqës, si parti e si shtet, manifestimi më i qartë se sa e si e kuptojmë ne rrethimin imperialisto-revizionist dhe bllokadën dhe sa e si e kryejmë detyrën tonë të lartë në këto rrethana historike.

Mehmet Shehu kërkoi falje që nuk ishte i ashpër me Agim Meron
Çuditërisht për dënimin e Agim Meros, Enver Hoxha nuk ishte dakord me propozimin e Mehmet Shehut, i cili kërkoi që t’i jepej dorë, duke “mos e futur në një thes” me Paçramin dhe Lubonjën. Pas kësaj kur mbaruan diskutimet dhe pasi kishte folur edhe vetë Enver Hoxha, Shehu i shqetësuar që nuk kishte qenë në një mendje me Enverin u çua sërish për të rregulluar gabimin që kishte bërë, duke propozuar një masë tjetër për Agim Meron. Konkretisht ai u shpreh: Pas diskutimit tim dolën dhe shumë fakte të tjera që më parë nuk diheshin dhe që e rëndojnë akoma më shumë fajin e shokut Agim Mero. Prandaj, kur u shtrua çështja për të marrë vendimin në plenum, mbi masën që duhet marrë kundrejt shokut Agim Mero, unë e tërhoqa propozimin tim të mësipërm dhe votova për një masë më të rëndë: uljen e shokut Agim Mero, nga anëtar në kandidat të plenumit të Komitetit Qendror të Partisë.

neser do te lexoni
Fjala e mbylljes së Enver Hoxhës në 28 qershor 1973, pas përfundimit të të gjitha diskutimeve. Si i konsideroi ai diskutimet e njerëzve servilë të tij
Cilat ishin akuzat e reja që Hoxha kishte ruajtur për t’i plasur në atë sallë për momentet e fundit, para se të merrej vendimi për Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën