e martë, nëntor 22, 2005

Historia e plenumit te IV te KQ te PPSH Todi Lubonja: Me lini te vdes komunist





Historia e plenumit IV të KQ të PPSH-së

Todi Lubonja para plenumit: Kërkoj të më lini të vdes komunist
Pas fjalës reflektuese, ai i bëri thirrje Enverit të ndalte goditjen ndaj tij

Fatos Veliu
Vazhdon diskutimi i Todi Lubonjës në plenumin IV të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, i cili ishte mbledhur me urdhër të Enver Hoxhës, për të diskutuar pikërisht problemet e liberalizmit në art dhe kulturë.
Pas një sërë akuzash që iu bënë me radhë që nga Enver Hoxha dhe deri te shokët dhe bashkëpunëtorët më të afërt të tij, e mori fjalën aty nga mesdita e ditës së dytë të punimeve. I çuditshëm është diskutimi i Todi Lubonjës, që vetëm në disa raste guxoi të deklarojë se gjithçka që mund të jetë konstatuar si faj në punën e tij të dobët, i dedikohet vetëm mungesës së vëmendjes, sepse ai ka qenë kurdoherë i përkushtuar. Ndërkohë, me tone akoma më të ashpra sesa ai i shokëve të tij parafolës, Lubonja ka përsëritur ndaj vetes edhe njëherë të gjitha akuzat që i ishin bërë nga diskutantët. Nuk i ndali ato as kur flitej për Festivalin e 11 në RTV, i cili ishte bërë edhe shkak i gjithë asaj stuhie alarmante, por as edhe për atë që lidhej me të birin e tij, për të cilin nuk ishte interesuar shumë që të mos ndiqte modën, gjë të cilën ia kishin ngritur si problem në sallë. “Veprimet e mia kanë sjellë liberalizëm në institucionin ku punoj. Kam qenë jo shumë i thelluar në vlerësimin e specialistëve në lidhje me Festivalin e 11, ku e përqendrova punën time për realizimin e tij vetëm te një numër i kufizuar ekspertësh. Kam besuar shumë te Mihallaq Luarasi”, etj, Këto kanë qenë disa nga akuzat që ai ka pranuar në fund të fjalës së tij, ndërsa kishte marrë në analizë Festivalin e 11. Nuk harron të bëjë edhe njëherë të ditur vendimin e drejtë të Partisë për ta shkarkuar nga funksionet e larta që mbante në drejtim të organeve të propagandës. Në fund të fjalës së tij, Todi Lubonja pas gjithë asaj ekspozeje me frymë reflektuese të deklaruar brenda asaj salle të elektrizuar në kundërvënie të hapur ndaj tij, nuk harroi të bëjë edhe kërkesat ndaj plenumit dhe vetë Enver Hoxhës. “Kam qenë 31 vjet anëtar partie dhe dua të vdes i tillë”, ka qenë pak a shumë ideja e kërkesës që ai bëri publikisht në fund të fjalës së gjatë. “Eshtë e vetmja kërkesë që i bëj pas këtyre 31 vjetësh plenumit dhe shokut Enver, pasi jeta ime nuk ka kuptim pa partinë”, ka qenë deklarata e tij solemne, e cila të lë të kuptosh se gjithçka që ai ka deklaruar me aq guxim, duke fajësuar pambarimisht veten e tij, ka qenë një mjeshtëri për t’i lënë Enver Hoxhës të kuptonte se me të nuk mund të kishte probleme të natyrave politike, pasi ndjehej nën një reflektim të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet kësaj rruge ai mund të mendonte se edhe nga shokët e tij do të reflektohej para se të kalohej në masat e mëtejshme ekstreme. Mirëpo, cili ishte mendimi i diskutantëve që morën fjalën pas Todi Lubonjës, që kishin një dëshirë të çuditshme për ta parë të kryqëzuar. Çfarë deklaruan mes ndërhyrjeve dhe pyetjeve që bënë ndaj tij vetë Enver Hoxha, Rrapo Dervishi, Pirro Dodbiba, Sadik Bocaj, Xhafer Spahiu, Halim Ramohito, Foto Çami, Aranit Çela etj. Gjithçka që ka ndodhur në atë mesditë të 27 qershorit të vitit 1973 arrin të zbardhet për herë të parë për publikun e gjerë vetëm tani, pas 32 vjetësh të mbetura në mister. Lubonja, në vazhdim të diskutimit të tij, analizon pikërisht Festivalin e famshëm të XI në RTV, i cili ishte dënuar me ekstremizëm. Në çdo pikë të diskutimit ai radhit “gabimet” që i janë vënë në dukje.... Lëshimet që unë kam bërë dhe shfaqjet liberale moderniste reflektojnë shikimin me syrin e liberalit të kërkesave të rinisë, kërkesa të cilat nuk janë në fakt të sajat dhe shprehin ndikimin e presionit të huaj që ushtrohet vazhdimisht në të gjitha fushat e sidomos në ato të letërsisë, artit, muzikës, kulturës sonë kombëtare në përgjithësi, ndikim i cili ku më pak e ku më shumë është ndjerë kudo, është ndjerë edhe në RTV, ku unë mbaja përgjegjësinë kryesore.Ndikimeve të huaja dhe shfaqjeve liberale, nën presionin e të cilave kam rënë edhe unë, u kanë hapur rrugën teorizimet siç u shpjegua gjatë e gjerë këtu mbi traditën dhe novatorizmin. Megjithëse partia dhe shoku Enver i kanë vënë pikat disa herë mbi këtë çështje parimore të rëndësishme, duket që ka pasur keqkuptime e konfuzion, që është thelluar edhe nga përkrahja e asaj që nuk ka asgjë të përbashkët me novatoren, por është fallco, që nuk bazohet në traditën dhe nuk e pasuron atë. Po të mos kishin gjetur tek unë, drejtuesi kryesor i RTV, predispozicionin për atë lloj muzike apo atë platformë regjisoriale që paraqitën drejtuesit e Festivalit të 11, kjo shfaqje me ndikime të huaja nuk do të kishte dalë. Në vend që të ngrinim para krijuesve problemet e mprehta që dalin mbi thellimin e njohjes së traditës dhe muzikës sonë të pasur popullore dhe në përgjithësi të karakterit të kësaj muzike, ne e trumbetuam me mendjelehtësi si një sukses këtë festival, që me të drejtë partia dhe masat e kritikuan dhe e dënuan si të dëmshëm dhe të huaj për ne. Rënia nën këto ndikime flet qartë mbi njohjen e përciptë të teorisë, të estetikës marksiste, të mësimeve të shokut Enver mbi këto çështje të ndërlikuara, mosthellim në esencën e luftës së klasave në fushën e artit, të inkuadruar në luftën e gjithanshme ideopolitike që bën partia në kushtet e bllokadës imperialisto-revizioniste. Si ish-punonjës i propagandës ndjej përgjegjësinë time të rëndë, shumë të rëndë, për vlerësimet dhe gjykimet e gabuara që kam dhënë për ato vepra dhe aktivitete me ndikime të huaja.
* * * Lëshimeve liberale në RTV, në Festivalin e 11-të u çeli rrugën edhe metoda e gabuar që u ndoq nga unë mbi gjykimin e krijimeve vetëm brendapërbrenda një grupi specialistësh, diskutimi në një rreth të mbyllur, duke u nisur nga fakti që mbi këto çështje ka njerëz kompetentë që gjykojnë. U shkel kështu rruga e konsultimit me Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës dhe aparatin e Komitetit Qendror, dhe nuk u bë ky aktivitet i rëndësishëm artistik objekt i një debati të gjerë ideoartistik, gjë që reflekton subjektivizëm dhe mendjemadhësi dhe aq më keq u mënjanua roli i organizatës bazë të partisë, gjë që pavarësisht nga praktikat e ndjekura më parë mua nuk më lejohej ta bëja.Duke nënvleftësuar rrezikshmërinë e shfaqjeve të modës së huaj, e cila vitet e fundit pati një përhapje më të gjerë, mbaj përgjegjësi të rëndë se për shkak të koncepteve liberale nuk jam kundërvënë me forcë dhe nuk kam ushtruar kontroll rigoroz në TV, dhe si rezultat ka pasur raste që në emisionet televizive të dalin njerëz me baseta të gjata dhe pantallona të gjera, gjë që ka influencuar për keq në edukimin e rinisë. Këtë luftë nuk e kam bërë me rezultat as në zyrë, as në shtëpi, ku një nga djemtë e mi ka pasur shfaqje të tilla.
* * * Në politikën e kuadrit kam pasur raste që kam bërë gjykime dhe vlerësime subjektive të gabuara, kam mbivlerësuar aftësitë profesionale të disa njerëzve siç ishte rasti i Mihallaq Luarasit, që hartoi platformën regjisoriale të Festivalit të 11-të, pa vënë re lëkundjet e tij në çështjet ideoestetike që janë shfaqur në “Njollat e murrme” e në ndonjë rast tjetër. Subjektivizmi im është shfaqur edhe në gjykimin e karakteristikës së shokut Klimi Misja, gjë që çoi në shkeljen e normave të partisë. Këto dhe ndonjë rast tjetër e ndjej se janë shprehje të mungesës së vigjilencës dhe refleks i koncepteve të gabuara liberale.* * * Me shumë të drejtë partia dhe shoku Enver ngritën edhe një herë me forcë luftën kundër indiferentizmit dhe nevojën e forcimit të disiplinës proletare në punë. Unë e ndjej se nuk kam luftuar me forcën e duhur për një disiplinë të rreptë në punë në RTV. Jo vetëm kaq, por duke folur për disiplinë të ndërgjegjshme dhe punë krijuese, duke vënë theksin në këto dhe në zhvillimin e vetë iniciativës, kam neglizhuar anën tjetër të problemit, forcimin edhe të disiplinës formale, forcimin e kontrollit mbi punën e vartësve. Si rrjedhim ka pasur thyerje të disiplinës, puna edukative e domosdoshme nuk është kombinuar edhe me masa organizative dhe disiplinore administrative. Koncepti im mbi punën e gazetarëve duket se nuk ka qenë i drejtë. Kam menduar se puna e tyre nuk njeh orar zyrtar, por në fakt kur mungon ndërgjegjja, kontrolli në punë, vjen shthurja, krijimtaria i nënshtrohet spontanitetit, vijnë çrregullimet dhe indisiplinimet. Që të jem i sinqertë, gjatë kohës që jam me punë në rrethin e Lezhës, jam munduar të reflektoj mbi devijimet e mia, por nuk kam arritur në konkluzionet që shumë shokë kanë arritur me të drejtë të cilësojnë veprimtarinë time. Me keqardhje, nën dritën e kritikave të ashpra dhe njëkohësisht të drejta, e shoh pozitën time për nga dëmet dhe pasojat në një dritë tjetër.Në fund të fjalës së tij, Lubonja i kërkon Enver Hoxhës të ndalë vrullin për ndëshkimin e tij Fjalët i shoh të tepërta. Masën për përjashtimin tim nga radhët e Komitetit Qendror të Partisë e shoh me vend, mbasi bagazhi i gabimeve dhe devijimeve të mia është i rëndë. Me vend e shikoj gjithashtu masën kundër devijimeve liberale, oportuniste, antiparti të Fadil Paçramit. Por mendoj të më jepet mundësia të militoj në radhët e partisë, së cilës me të mirat e të këqijat i kam kushtuar jetën time, pa të cilën jeta ime do të humbiste kuptimin dhe përmbajtjen e saj.Lufta kundër imperializmit dhe revizionizmit, kundër ndikimeve të huaja ka për të qenë e gjatë. Beteja të reja do të vijnë. Në këto beteja do ta kem për nder të militoj për mësimet e partisë e të shokut Enver, kundër armiqve të betuar të partisë, atdheut, socializmit, revolucionit, po të jetë nevoja edhe me jetën time. Kjo është kërkesa ime e parë që i bëj partisë gjatë 31 vjetëve të jetës sime në parti, dhe them të jetë e fundit që i bëj plenumit dhe shokut Enver, kërkesa ime për të jetuar dhe për të vdekur komunist. Me të gjitha kritikat e tjera jam dakord.Shoku Enver Hoxha: Keni ndonjë pyetje për t’i bërë shokut Todi?Shoku Rrapo Dervishi: Gjatë diskutimit të tij ai tha se të gjitha këto që u kritikuan i ka bërë se ka qenë i predispozuar për devijime liberale. Atëherë të na thotë pse ishte i predispozuar?Nga salla: Duke diskutuar, shoku Todi tha se me disa njerëz me prirje liberale ai u solidarizua. Këtu nuk është çështja që u solidarizua, por ai i tërhoqi disa nga këta dhe i bëri bashkëpunëtorë. Thotë për shembull se ka bërë lëshime, domethënë u ka bërë të tjerëve lëshime, kurse në fakt për këto pikëpamje ai ka luftuar për t’i përhapur, për t’i zbatuar, për t’i vënë në jetë. Ose thotë që nuk i është vënë me forcë luftës kundër pikëpamjeve të huaja, kurse në fakt i është vënë me forcë luftës kundër pikëpamjeve të partisë, vijës së partisë. Ose thotë p.sh. se ka pasur mungesë vigjilence. Karshi kujt e ka pasur këtë mungesë? Domethënë të tjerët kanë bërë gabime dhe ky përkundrazi. Kurse në fakt, ky ka qenë vetë ai që ka zbatuar këto pikëpamje. Pse i ka këto pikëpamje në kundërshtim me vijën e partisë?Shoku Piro Dodbiba: Ai tha vetë se ka qenë i predispozuar për të rënë nën presionin e novatorëve. Në rast se ky është viktimë e presioneve të këtyre snobëve dhe liberalëve, çfarë fuqie kanë pasur këta njerëz që ky iu nënshtrua presionit të tyre dhe nuk iu nënshtrua vijës së partisë dhe mësimeve të saj? Cilët janë këta njerëz që e detyruan të shkojë në këtë rrugë dhe që janë më të fortë se partia?Shoku Sadik Bocaj: Pse nuk ka nxjerrë mësime nga kritikat që i janë bërë drejtpërsëdrejti nga shoku Enver dhe shokë të tjerë, dhe cilat janë shkaqet ideologjike të këtyre fajeve dhe devijimeve në vijën e partisë?Pse e kanë konsideruar radion vetëm si mjet informativ e kultural, në kundërshtim me orientimet e KQ që përcaktojnë se radio është në radhë të parë një mjet i fuqishëm politiko-edukativ?Pse ka mohuar dhe spostuar rolin e organizatës bazë dhe të drejtorisë së përgjithshme, duke orientuar në mënyrë individuale, duke futur në të njerëz si Mihallaq Luarasi, etj? Pse ka shkaktuar përçarje e grindje tek komunistët dhe në kolektiv në Radio-Televizion?Pse nuk ka zbatuar urdhrin e kryeministrit, shokut Mehmet dhe të sekretarit të KQ të Partisë, shokut Ramiz, për të mos lejuar që të dalin në ekranin e televizionit njerëz me veshje sipas modës së huaj, qafëleshë, me favorite, me minifunde etj., dhe pse nuk ia tha këtë urdhër të kryeministrit dhe të sekretarit të KQ as drejtorit të televizionit, as sekretarit të organizatës-bazë pa lëre organizatës dhe kolektivit? Kjo porosi ishte dhënë nga shoku Mehmet qysh në maj të vitit 1972, një apo dy muaj pasi kishte ardhur Todi.Pse ka shkelur normat e partisë në drejtim të politikës së kuadrit, duke thënë “të hedh leckat në erë”, ose duke falsifikuar karakteristikën si ishte rasti i Klimi Misës, veprime këto në kundërshtim me figurën e komunistit, shkelje flagrante të statutit të partisë.Pse nuk ka dëgjuar zërin e popullit nëpërmjet letrave që vinin për çështjet e muzikës popullore, po ka lejuar të dominojë muzika e huaj dhe muzika e lehtë? Për shembull, letra e tri vajzave të Beratit ishte shumë e fortë. Ato thoshin se këtu në radio do të ketë ardhur ndonjë reformator që bën këto programe.Shoku Xhafer Spahiu: Ju Todi, në organizimin e Festivalit të 11-të të këngës në Radio-Televizion ratë nën ndikimin e të tjerëve apo ishit vetë frymëzuesi, organizatori, inspiratori, udhëzuesi i organizimit të festivalit?Keni programuar me të madhe se Festivali i 11-të i këngës në Radio-Televizion është festival i jashtëzakonshëm, është i pari festival i vërtetë i muzikës në Shqipëri. Si e argumentoni këtë çështje? Na e thoni një çikë më konkretisht.Shoku Halim Ramohito: Si i kanë koordinuar qoftë pikëpamjet e tyre, qoftë veprimtarinë antiparti të djathtë Todi me Fadilin.Shoku Foto Çami: Çfarë kupton Todi me këtë qëndrim që në mbledhjen e organizatës së partisë nuk bëri autokritikë, kurse tani këtu ai i pranoi të gjitha?Shoku Aranit Çela: Këto qëndrime të huaja si i konsideroni ju Fadil e Todi, si gabime e faje të rënda apo si veprime antishoqërore dhe antiparti?Shoku Iljaz Reka:Todi thotë se ka nxjerrë mësime nga kritikat që i janë bërë, ndër të tjera për vënien në skenë të pjesës “Njollat e murrme”. A mund të na thotë ç’ishte ky kujdes i veçantë për të rehabilituar Minush Jeron me një pjesë të re po në Korçë dhe pa ndërmjetësinë e organeve që merreshin me këtë punë?Shoqja Jorgjia Peçini: Todi tha se shoku Enver i ka bërë disa kritika, por ai jo vetëm që nuk ka reflektuar ndaj atyre, por ka vazhduar edhe më tutje. Përse ai nuk i ka zbatuar?Shoku Behar Shtylla: Todi në diskutimin e tij tha disa gjëra të shkëputura për faqosjen e gazetës “Zëri i Popullit”, për dramat e Minush Jeros, për Festivalin e 11-të të këngës në Radio-Televizion, midis tyre nuk shikonte ndonjë lidhje logjike?Për festivalin ka pasur platformë nga aparati i KQ, atëherë pse nuk zbatoi atë platformë po zbatoi atë snoben?Todi Lubonja ka qenë për politikën e brezave? Po për Minush Jeron që u kritikua, pse Todi kërkoi me insistim ta rehabilitojë, duke vënë në skenë pjesën e tij “Të pamposhturit” dhe pikërisht në Korçë?Po kështu edhe për çështjen e modës dhe të shijeve, duke filluar që nga Korça dhe këtu, sikur të na i shpjegojë një çikë më mirë pikëpamjet e tij?Shoku Jashar Menzelxhiu: Todi thotë se rinia e pëlqente këtë modernizim, po sa ka influencuar ky në këtë drejtim? Unë kam pasur një rast të shoh djalin e tij kur isha në plazh. Të them të drejtën u revoltova me pamjen e tij të jashtme, kurse Todi m’u përgjigj se ai do të martohet dhe nusja kështu e do. Kjo ishte gjendja e vërtetë, apo kështu ishte vija?Shoqja Katina Starja: Kur ka qenë Todi kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, në organizatën-bazë të partisë dhe në byronë e Komitetit të Partisë të Tiranës është kritikuar për mendjemadhësi, për tendencë hakmarrjeje, për mbytës kritike dhe për ironik i tmerrshëm. Si i konsideron Todi këto vërejtje që i ka bërë organizata-bazë dhe byroja e Tiranës? I pranon ato se atëherë nuk i pranoi dhe çfarë mësimesh nxjerr prej tyre?Shoku Tahir Minxhozi: Pranon që është devijator i vjetër apo i ri.Thotë që gjatë 31 vjetëve nuk ka pasur kurrë pretendime, po si e ka pritur ky shkuarjen në bazë dhe si ka punuar atje?Shoku Peti Shamblli: Çfarë përgjegjësie nxirrni ju Todi, me të gjitha dëmet e mëdha që i keni sjellë punës së partisë, gabimet në devijime nga e djathta në punën me rininë për kohën që ishe ti dhe në periudhën e mëvonshme si mbajtës i kontakteve me Agim Meron?...

neser do te lexoni
Vazhdojnë pyetjet agresive dhe provokative ndaj Todi Lubonjës, të cilat u bënë menjëherë pas përfundimit të diskutimit të tij në ditën e dytë të plenumit
Çfarë i kërkuan mes fjalës së tyre ish-kolegët dhe ish-miqtë e tij prej vitesh, Jorgji Peçini, Behar Shtylla, Jashar Mezelxhiu, Katina Starja, Peti Shamblli, Tahir Minxhozi etj.Akuzat që ata i bënë Lubonjës, duke kaluar deri edhe në fyerje të personalitetit dhe reagimi i tij prej intelektuali të durueshëm, për të sqaruar gjithçka që i thuhej pas asaj ofensive të rrallë