Ramiz Alia: Te denohet Paçrami dhe Lubonja
Goditja ne kulturë
Plenumi i 73
Plenumi që preu kokat e intelektualëve të kulturës
Ramiz Alia: Të dënohet Paçrami dhe Lubonja
Fatos Veliu
Ka qenë 27 qershor i vitit 1973, kur në sallën qendrore të selisë së Komitetit Qendror të Partisë së Punës, kishte filluar seanca e tretë e punimeve të Plenumit IV, i cili ishte thirrur personalisht nga Enver Hoxha, për të bërë gjykimin dhe dënimin e personaliteteve të artit dhe të kulturës shqiptare, Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës.
Në dy seancat e zhvilluara një ditë më parë, pas Enver Hoxhës kishin folur me radhë, Jashar Mezenxhiu, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rrapi Gjermeni dhe Hysni Kapo. Ndërsa seanca e tretë, që filloi në orën 09:00 të ditës së dytë të punimeve të atij plenumi, nisi pikërisht me fjalën e Ramiz Alisë, i cili ishte personi që mbulonte ideologjinë dhe propagandën në Komitetin Qendror të Partisë. Ramiz Alia, ishte ndoshta një nga njerëzit që mund të goditej më shumë në atë plenum. Në mbarë opinionin ka ngelur enigmë se si ai mundi t’i shpëtojë situatës, kur vetë Enver Hoxha konstatoi se pikërisht në atë sektor që ai drejtonte, kishte veprimtari armiqësore. Gjithsesi, enigmat ngelën të tilla. Gjithkush mund të kishte një mendim të çfarëdoshëm; Alia nuk u godit nga Hoxha edhe pse askush nuk e di se çfarë ka thënë ai në fjalën e tij të mbajtur në atë plenum para tij. Në numrin e kaluar lexuam se Ramiz Alia pranoi me gojën e tij se në ideologji dhe propagandë kishte pasur probleme serioze tepër të rrezikshme për Partinë. Madje ai vetë fajësoi të gjithë sektorin e propagandës në Komitetin Qendror të cilin ai vetë e drejtonte. Në forma të ndryshme dhe me marifet diplomatik, ai mundohej të kalonte çdo gabim ku vinte theksin, me pretendimin që nuk e kishte konsideruar të tillë apo nuk i kishte kushtuar vëmendje. Gjithsesi, pasi bëri disa lloj aludimesh rreth punës së Partisë, gabimet që ishin konstatuar dhe shkaqet nga kishin ardhur ato, madje duke përcaktuar edhe rrugët nga mund të dilej nga ato gabime, Alia u hodh në gabimet që kishin bërë pikërisht Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja. Në këtë moment fjala e tij u ndez e ashpër ndaj njerëzve, të cilët Enver Hoxha ia kishte deleguar plenumit për t’i kryqëzuar. Ai i akuzoi ndër të tjerë si njerëz që kishin manifestuar në art dhe në kulturë koncepte oportuniste të djathta; si njerëz që nuk kishin qenë dakord me vijën e Partisë dhe kishin luftuar kundër saj, kryesisht Fadil Paçrami, që nëpërmjet dramave të tij kishte bërë thirrje hapur për të ulur luftën e klasave, të dy kishin nxitur luftën e brezave etj., etj., që për të akuzuarit do të thoshte të mos kishin mundësi daljeje nga ajo situatë në të cilën i kishte “siguruar” Enver Hoxha. Gjithsesi për herë të parë pas 32 vjetësh, fjala e Ramiz Alisë botohet vetëm tani në faqet e gazetës “Panorama”. Alia hidhet në sulm kundër Paçramit dhe Lubonjës...Imitimet e kopjimet e huaja moderniste e borgjezo-revizioniste kanë dëmtuar jo vetëm artin e letërsinë tonë, por edhe edukimin e njerëzve në tërësi. Ato kanë qenë një largim i dukshëm nga Partishmëria proletare, nga metoda e realizmit socialist, nga fryma kombëtare e popullore. Një rol shumë negativ kanë luajtur elementët me prirje liberale e oportuniste si Fadil Paçrami e Todi Lubonja, të cilët me gjithfarë teorizimesh e spekulimesh mbështetnin dhe përligjnin diversionin ideologjik të armiqve të klasës. . . . (Vazhdon sërish me aludime rreth punës së Partisë, duke u rikthyer sërish në akuzat ndaj njerëzve të artit dhe propagandës)….Në fund do ta shfaq mendimin tim lidhur me veprimtarinë e Fadil Paçramit e të Todi Lubonjës. Duhet thënë që në fillim se, siç ka dalë nga analizat që kanë bërë organizatat e Partisë, në veprimtarinë e tyre kundër Partisë që të dy kanë manifestuar të njëjtat koncepte oportuniste të djathta dhe kanë përdorur të njëjtat metoda pune. Ata nuk kanë qenë dakord me vijën e Partisë dhe kanë punuar kundër saj.Unë kam pasur marrëdhënie e kontakte të shumta si me Fadilin, ashtu edhe me Todin. Por duhet thënë se, megjithëse në disa raste kam konstatuar dhe jam ndeshur me koncepte e veprime të gabuara, sidomos të Fadilit, unë më parë nuk arrita t’i lidh në një gabimet e pikëpamjet e Fadilit apo të Todit, në mënyrë që të konkludoja me kohë se këtu kemi të bëjmë me qëndrime të përcaktuara antiParti. Për këtë unë ndjej përgjegjësi. Duke hedhur poshtë pikëpamjet, apo duke kritikuar veprimet e tyre të huaja i shihja këto si gabime që më tepër kishin të bënin me figurën e tyre morale si komunistë, me mendjemadhësinë e egoizmin e tyre, me intelektualizmin mikroborgjez që i karakterizonte. Por analiza që bënë organizatat e ndryshme të Partisë pas fjalimeve të shokut Enver, tregoi qartë se burimi i koncepteve dhe veprimeve të huaja të Fadilit e të Todit nuk ishte tek të metat e tyre personale, por tek botëkuptimi i tyre oportunist i djathtë, tek opozicioni ndaj Partisë e vijës së saj. Këto analiza dhe reflektime mbi punën e tyre më ndihmojnë që të arrij në disa konkluzione.
* * *a) Pikëpamjet e Fadilit e të Todit janë pikëpamje oportuniste të djathta, anarkiste-mikroborgjeze. Kjo del nga analiza e gjithë veprimtarisë së tyre. Ata kanë punuar për t’u hapur rrugë ndikimeve e shfaqjeve borgjezo-revizioniste dhe për këtë qëllim kanë nxitur, inkurajuar e grumbulluar rreth vetes elementë të liberalë e snobë. Pikëpamjet e tyre oportuniste, duke përdorur edhe metoda agresive, u përpoqën t’ua impononin si platformë pune disa organizmave të veçanta. Kështu, Todi e realizoi këtë në radion e brendshme dhe në televizion, ndërsa Fadili ua imponoi disa institucioneve kulturalo-artistike në Tiranë, si dhe disa drejtuesve të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve e gazetës “Drita” veçanërisht.Interesante janë metodat që ndiqte Fadili për t’i imponuar pikëpamjet e tij. Në një raport mbi kritikën letrare, që përgatiti Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve në fillim të vitit të kaluar, fund e krye dominonte ideja se konservatorizmi ishte rreziku kryesor. Natyrisht ne e kritikuam rëndë këtë raport dhe i detyruam shokët e Lidhjes ta ndreqnin. Por dy gjëra që kanë dalë tani të bëjnë përshtypje. Së pari, tezat e këtij raporti pa dijeninë tonë dhe megjithëse nuk i përkiste, qenkëshin përpunuar nga Fadili. Së dyti, kritikat e vërejtjet tona nuk u qenkëshin transmetuar as organizatës bazë të Partisë, as kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve.Me konceptet e tyre të djathta, Fadili e Todi synonin praktikisht të reviziononin vijën e Partisë. Kështu, me tezën mbi konservatorizmin si rrezik kryesor, jo vetëm synonin të impononin një vijë liberale, por bënin thirrje të hapëta për të provuar se ajo çka është bërë deri më sot nuk vlen e se duhet luftuar për diçka të re. Fadil Paçrami, për të hedhur këto ide, ka përdorur edhe të ashtuquajturën krijimtari të tij letrare.Kështu, në hyrjen e dramës “Shtëpia në bulevard” ai shkruan tekstualisht: “Në skenat tona sundonte tema historike dhe konflikti mbetej kryesisht tek “ne dhe armiqtë”, sikur tema e sotme me konfliktet “në mes tonë” të mos premtonte për skenë”. Kjo është një thirrje e hapur për të lënë mënjanë luftën me armiqtë e klasës, se gjoja e keqja që duhet kritikuar është mes nesh. Në disa shkrime të tjera e shtjellon më qartë këtë ide. Ai thotë se “temë e ditës sot” është lufta kundër konservatorizmit, se edhe organet e diktaturës “përdoren si mjet ekstrem për të mbajtur gjallë të vjetrën”, etj. Jo vetëm kaq, por ai hedh edhe një ide akoma më agresive. Në një dramë të tërë, e cila titullohet “Nuk kam mall për vjetërsira” përpiqet të argumentojë se edhe një njeri përparimtar e revolucionar, me kalimin e kohës kthehet medoemos në regresiv.Siç duket, për t’i shkuar idesë deri në fund, në një diskutim të tij në Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve, Fadili tregon edhe çfarë kërkon. Ai flet për nevojën e një diçkaje të re, të një teatri të ri, të një regjisure të re, etj. Por në të njëjtin diskutim, Fadili, si pa të keq, disa herë idenë e diçkaje të re e lidh edhe me gjithë jetën e vendit. Po citoj fjalët e Fadilit: “…ne kemi bërë shumë për krijimin e teatrit tonë, ashtu si kemi bërë në çdo fushë për ndërtimin e shtetit tonë, etj., por jo çdo gjë që kemi sot është plotësisht socialiste”. Prandaj, - vazhdon ai “Ashtu si flasim edhe për një pushtet të ri për Parti të tipit të ri …mund e duhet të flasim edhe për teatër të ri”. Këto fjalë thuhen në vitin 1970. Vini re: më 1970 në ndërtimin e shtetit jo çdo gjë qenka plotësisht socialiste, prandaj na u dashka një Parti e tipit të ri e një pushtet i ri, siç na duhet edhe një teatër i ri. Por Partia kurrë nuk ka thënë kështu. Partia ka folur e flet për revolucionarizim të mëtejshëm, për përsosje të mëtejshme. Kjo nuk nënkupton as pushtet të ri, as Parti të tipit të ri, as edhe teatër të ri. Atëherë ku e ka hallin Fadili? Ç’të re kërkon ky më 1970 dhe kujt i shërben ajo? Pse shtrohet kjo çështje e shkëputur nga gjithë rruga revolucionare e deritashme? A është ky një interpretim teorik i gabuar i luftës që zhvillon Partia, apo një sugjerim e platformë pa ekuivokë që parashtron Fadili? Duke pasur parasysh gjithë konceptet e tij, unë mendoj më tepër se është kjo e fundit.
* * *b)Parulla e luftës kundër konservatorizmit, që përdornin Fadili e Todi, synonte jo vetëm ambientet krijuese. Konservatorët ishin edhe në sfera të tjera, edhe në organet e Partisë e të pushtetit. Ky nuk është vetëm një konkluzion logjik, për këtë mjaft të dhëna kanë sjellë edhe organizatat e Partisë. Ka dalë qartë se të paktën në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës e në “Zërin e Popullit”, si Fadili, ashtu edhe Todi shihnin vetëm konservatorë e burokratë. Por jo vetëm atje. Veçanërisht Fadili, që ka qenë më i papërmbajtur, e ka shprehur qartë se burokratët e konservatorët janë edhe në organet më të larta të Partisë. Po sjell këtu dy raste konkrete.Aty nga fillimi i vitit 1972, në një seminar edukimi me shkrimtarët, ku ndodhej edhe Fadili, referuesi që ishte një shok i Institutit të Studimeve marksiste-leniniste pranë Komitetit Qendror u trajtua në diskutim si burokrat, konservator, etj., sepse në referatin e vet kishte thënë se Partia gjithnjë e ka mbrojtur letërsinë e artin nga çdo deviacion dhe ka paralajmëruar e zbuluar vetë rreziqet. Fadili, në vend që si komunist e sekretar i Partisë të mbronte vijën e drejtë të Partisë, duke korrigjuar edhe ndonjë shprehje të gabuar që mund të mos e kish drejt shoku ynë, gjeti të nevojshme të thoshte vetëm pesë fjalë dhe konkretisht se referuesi e kupton udhëheqjen e Partisë si xhandarllëk, se ai është burokrat, dhe çështjen e tij Fadili do të rekomandojë ta diskutonte organizata bazë.
* * *E thirrëm Fadilin në aparat, ku ishte edhe shoku Manush e shoqja Nexhmije. Aty doli se akuzat e Fadilit për burokratizëm e konservatorizëm godisnin më larg. Fadili hapur e tha se e keqja është që ai shoku i institutit nuk shpreh pikëpamjet e veta, por të dikujt tjetër që e drejton. Pra të ndonjë burokrati apo konservatori, që në rastin konkret duhet të ishte shoqja Nexhmije, si përgjegjëse e institutit, ose unë që kam në lidhje institutin. Natyrisht, kur shoqja Nexhmije ia hodhi poshtë me zemërim këtë insinuatë, Fadili bëri sikur u prek, se gjoja ne e keqkuptuam dhe se është absurde që të mendohet se e kish fjalën për Nexhmijen apo për mua, etj, etj.Por nuk kaloi shumë kohë dhe aty nga mesi i vitit të kaluar, akuza për burokratizëm erdhi përsëri nga Fadili, kësaj radhe në adresën time e të shokut Hysni. Aparati i Komitetit Qendror u informua se në Teatrin e Operas u nxorën nga puna në mënyrë jo të rregullt afro 50 punonjës, balerina e koristë. Unë e shoku Hysni ngarkuam që ta sqaronte këtë çështje instruktori i Komitetit Qendror që merret me kulturën. Ky, sipas rregullit, kërkoi të bisedonte edhe me Fadilin si sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës. Por Fadili, me fodullëk, në telefon i thotë instruktorit tonë: “A nuk keni punë tjetër ju burokratët, që merreni me këto gjëra?” Dhe pasi shoku ynë i shpjegoi se “unë merrem me këtë punë jo pse jam burokrat, por sepse për këtë më kanë ngarkuar përgjegjësit e mi”, Fadili iu përgjigj: “Edhe ata që të kanë urdhëruar ty burokratë janë”.
* * *E thirrëm përsëri Fadilin, kësaj radhe me shokun Hysni, në prezencë edhe të shokut Manush dhe i kërkuam sqarime. Fadili u përpoq ta mohonte përsëri, duke e quajtur absurde që të mendohet se e kish fjalën për shokun Hysni e mua, por se gjoja e kish thënë këtë pa u thelluar dhe duke pasur parasysh jo sekretarët e Komitetit Qendror, por ndonjë shef sektori, etj. Ne e kritikuam rëndë dhe e këshilluam të mos vepronte kështu.Ndeshje të tilla Fadili ka pasur edhe me ndihmësit e sekretarëve të Komitetit Qendror e shokë të tjerë të aparatit. Dihet se përpjekja për të diskredituar udhëheqjen e Partisë është një taktikë e njohur e të gjithë elementëve antiParti.
* * *c) Në veprimtarinë e tyre, Fadili e Todi kanë thyer normat e Partisë. Kështu, si njëri dhe tjetri janë përpjekur të mënjanojnë organizatat e Partisë, të jenë të lirë e jashtë kontrollit të saj, të zgjidhin çështjet jo nëpërmjet Partisë, por me anë të njerëzve të veçantë, të pranuar prej tyre si specialistë e kompetentë të plotfuqishëm. Shumë fakte janë përmendur nga organizatat e Partisë. Unë dua të theksoj se si Fadili, ashtu edhe Todi janë përpjekur t’i shmangen edhe kontrollit të aparatit të Komitetit Qendror. Fadili e shprehte hapur këtë me fjalët “na lini të lirë të punojmë”. Por si Fadili, ashtu edhe Todi nuk hezitonin edhe të disinformonin shokët e aparatit për të fshehur të vërtetën. Kështu, vjet iu kërkua Komitetit të Partisë të Tiranës që të verifikonte disa informata që kishte aparati ynë lidhur me ish-drejtorin e Operas. Fadili, të cilit iu ngarkua nga shoku Manush kjo detyrë, jo vetëm e mashtroi vetë shokun Manush, por edhe Komitetin Qendror, se gjoja dërgoi atje një ekip dhe rezultoi se informatat e Komitetit Qendror ishin pa baza. Ose Todi, kur iu kërkua nga aparati se si qëndron çështja e zbatimit të orientimeve të Komitetit Qendror për proporcionet në dhënien e muzikës, disinformoi duke e paraqitur çështjen se ato respektohen plotësisht, ndërsa në realitet ishin bërë ndryshime esenciale në strukturën e programeve.
* * *Si Fadili, ashtu edhe Todi kanë shkelur normat e Partisë lidhur me unitetin. Teza e këtyre në përkrahje gjoja të të rinjve, në fakt ka nxitur luftën midis brezave, kundërvënien e një pale ndaj tjetrës, e të rinjve ndaj të moshuarve. Fadili shpiku tezën e njohur të viteve ’60, sipas së cilës vetëm letërsia e kësaj dekade ishte plotësisht socialiste, ndërsa ajo e viteve të mëparshme, pra e më të vjetërve, ishte jo revolucionare. Kjo jo vetëm nxit grindjet e grupazhet tek krijuesit, por me nxitjen e Fadilit në Tiranë u nxorën në prapaskenë disa artistë, shkrimtarë e kompozitorë të njohur. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Todi kur punonte në Korçë, ose këtë vijë ndoqi edhe sa kohë punoi në RTV. Rezulton se në radio muzika e disa kompozitorëve tanë si K. Konos etj., jo vetëm nuk transmetohej më, por qenkësh futur në arkiv.
* * *Më në fund, lidhur me normat, shkelje arbitrare ka pasur lidhur me kuadrin e zgjedhjen e njerëzve. Si Fadili, ashtu edhe Todi kanë vepruar mbi rrugë e nën rrugë për të shkarkuar njerëzit që nuk u shkonin dhe kanë grumbulluar rreth vetes disa elementë të predispozuar ndaj liberalizmit e modernizmit, midis tyre edhe njerëz të dyshimtë. Veprime të tilla nuk mund të cilësohen gabime të rastit. Këto janë veprime të llogaritura për t’iu kundërvënë vijës së drejtë të Partisë, për të dëmtuar unitetin monolit të njerëzve tanë dhe për t’u krijuar terren të lirë shthurjes e liberalizmit.Si përfundim, dëmi që i kanë sjellë Partisë Fadili e Todi me punën e tyre është i madh. Por më i rrezikshëm është qëllimi i tyre kundër Partisë e vijës së saj.
* * *Dua të theksoj se konceptet dhe veprimet antiParti të Fadilit e Todit nuk janë as lajthitje të rastit, as shkarje të pandërgjegjshme. Siç thuhet në raportin që mbajti shoku Enver, atyre disa herë u është tërhequr vëmendja dhe u janë bërë kritika për shfaqje liberalizmi, për gabime e veprime që kanë qenë në kundërshtim me vijën e Partisë. Shoku Enver personalisht në 3-4 raste ka kritikuar veç e veç si Fadilin, ashtu edhe Todin. E njëjta gjë disa herë është bërë edhe nga shoku Hysni e unë si dhe nga aparati i Komitetit Qendror. Mund të ndodhë që një njeri të gabojë ose të interpretojë gabim vijën e Partisë, por kur ai paralajmërohet, kur atij i vihen në dukje gabimet dhe përsëri, sikur të mos ketë ndodhur gjë, vazhdon në të vetën, atëherë puna ndryshon. Në këtë rast kemi të bëjmë me veprime të ndërgjegjshme të një njeriu që i ka vënë vetes disa objektiva të caktuara, të ndryshme nga ato të Partisë. I tillë është edhe rasti i Fadilit e Todit.
* * *Prandaj unë bashkohem me kritikën që u bëhet si Fadilit, ashtu edhe Todit në raportin që mbajti shoku Enver, bashkohem me kritikat që u kanë bërë ngado komunistët dhe që bënë këtu shokët që diskutuan para meje. Veprimtaria e tyre antiParti është e dëmshme, prandaj nuk mund të pajtohet me qenien e tyre në Komitetin Qendror të Partisë. Madje, unë jam dakord që edhe qenia e tyre në radhët e Partisë të diskutohet nga organizatat bazë ku bëjnë pjesë.
* * *Ky plenum i Komitetit Qendror që ka rëndësi për të gjithë punën e Partisë është një shkollë edukimi e kalitjeje për të gjithë ne, anëtarët e Komitetit Qendror. Si të gjithë shokët, edhe unë nxjerr shumë mësime të vlefshme në mënyrë që në të ardhmen të punoj më mirë, të ndreq të metat e gabimet që janë dukur në punën time dhe të plotësoj si duhet detyrat e mëdha që rrjedhin nga ky plenum në luftën kundër çdo ideologjie të huaj dhe çdo ndikimi borgjez e revizionist...
neser do te lexoni
Për herë të parë pas 32 vjetësh pasqyrohet fjala e mbrojtjes së Todi Lubonjës, i cili për 50 vjet me radhë është bërë simbol i viktimave të “shpatës” së Enver Hoxhës në letërsi dhe art.
Cilat janë mendimet e vetë Lubonjës për akuzat që u ngritën ndaj tij jo vetëm nga Enver Hoxha, por edhe nga shokët e tij më të afërt
Replikat e bëra ndërmjet Lubonjës dhe ish-kolegëve të tij, të cilët për të treguar para Enver Hoxhës besnikëri të tepruar, mundoheshin me çdo kusht për ta fajësuar
<< Home