Plenumi Todi Lubonja: Jep llogari per dramat e Mirush Jeros
Për herë të parë, dialogu i plenumit IV për kulturën
Plenumi Todi Lubonjës: Jep llogari për dramat e Minush Jeros
Në sallë u provokua debati për dramën “Të pamposhturit”, që ai kishte dashur ta vinte në skenë
Fatos Veliu
“Ke qenë në gjendje ti Todi të kuptosh vijën e partisë në të gjitha këto probleme, jo në këto që ke gabuar, por të kuptosh vijën e partisë në të gjithë sektorët? -Besoj se kam qenë, shoku Enver. Këto veprime kanë qenë pro vijës së partisë apo kundër saj? -Kanë qenë kundër vijës”.
Ky është dialogu që bëhej në mesditën e 27 qershorit ndërmjet njeriut të hekurt të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxhës, dhe viktimës së tij, që në atë rast ishte vetë drejtori i Radio-Televizionit shqiptar, Todi Lubonja. Ky dialog bëhej kur brenda sallës së plenumit IV të Komitetit Qendror të Partisë së Punës situata ishte e tensionuar. Ndryshe nga çfarë mund të kenë menduar vetë Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami, megjithëse kishte mbi gjashtë muaj që flitej kundër Festivalit të 11 të këngës në RTV dhe për liberalizmin e theksuar të punës së partisë në kulturë, se gjithçka mund të kalonte me një diskutim dhe reflektim të fortë para plenumit, madje duke marrë angazhime të jashtëzakonshme, do të mund të kapërcehej ai “katarkt” që kishte krijuar para tyre vetë Enver Hoxha, në fakt atë mesditë po ndodhte e kundërta. Pasi Lubonja përfundoi fjalën e tij, askush nuk ishte prekur nga ato që ai kishte marrë përsipër si dhe nga angazhimet e tij. Sa kishte përfunduar fjalën reflektuese dhe “nënshtruese”, breshëritë e pyetjeve deri në provokime të hapura për ta futur në grackë absolute, i ishin drejtuar nga të katër cepat e sallës. Ajo situatë e krijuar nuk linte as më të voglin dyshim te Lubonja se gjithçka që po ndodhte kishte qenë e planifikuar që më parë nga Enver Hoxha. Kështu, ndërsa ai ishte munduar fillimisht i qetë dhe pas pak i tensionuar t’u përgjigjej me sinqeritet, por edhe me një farë nënshtrimi, pyetjeve të shumicës, në “lojë” dalëngadalë po hynte vetë Hoxha. Si e kishte lënë atë atmosferë derisa të mbizotëronte absolutisht agresiviteti i të gjithëve, me marifet prej mjeshtri, Enveri filloi të ndërhynte për t’i bërë pyetje Todi Lubonjës. Qëllimi i të gjitha atyre që ai i kërkonte, kishte të bënte me veprimet antiparti të Lubonjës, për të cilat arriti ta detyronte që të pranohej personalisht dhe publikisht nga ai se veprimet e tij kishin qenë veprime të rrezikshme për partinë. Një deklaratë e tillë, e bërë nga vetë Lubonja, do të thoshte se ai nuk do t’i shpëtonte dot ndëshkimit ekstrem të “forcës së partisë”. Pas dialogëve me Enver Hoxhën, ai u detyrua të vazhdonte sfilitjen përballë pyetjeve të Nexhmije Hoxhës, Vito dhe Hysni Kapos, Mihallaq Ziçishtit, Haxhi Lleshit, Rrapo Dervishit, Ramiz Alisë, Peti Shambllit, Dashnor Mamaqit etj. Në këtë dialog, paralelisht i kërkohej shpjegim edhe Fadil Paçramit. Por cili ishte konkretisht dialogu që vazhdoi ta ndizte sallën e atij plenumi? Si u përgjigjeshin Lobonja dhe Paçrami provokimeve të kolegëve dhe miqve të vjetër të tyre? Peripecitë e Lubonjës gjatë dhënies së llogarisë në lidhje me rehabilitimin që ishte munduar t’i bënte Minush Jeros, etj. Gjithçka rreth debateve të mbetura mister për 32 vjet me radhë zbardhen për herë të parë vetëm sot, pikërisht në këtë cikël botimesh të gazetës “Panorama”. Shoku Enver Hoxha: Ke qenë në gjendje ti Todi të kuptosh vijën e partisë në të gjitha këto probleme, jo në këto që ke gabuar, por të kuptosh vijën e partisë në të gjithë sektorët?Todi Lubonja: Besoj se kam qenë, shoku Enver.Shoku Enver Hoxha: Këto veprime kanë qenë pro vijës së partisë apo kundër saj?Todi Lubonja: Kanë qenë kundër vijës.Shoku Enver Hoxha: Atëherë vijmë tek pyetja që bëri shoku Muçi Pajenga. Kur ti ke qenë në dijeni të vijës dhe këto kanë qenë kundër vijës, domethënë me ndërgjegje shkove kundër saj. Atëherë ku ishte qëllimi? Ku do të arrije? Pikërisht këtë kërkon shoku Aranit. Po të ishte një gabim i rastit, është tjetër punë, por ti thua se vijën e partisë e ke kuptuar dhe këto veprime ishin kundër vijës. Atëherë është logjike të mendohet se ti kishe një qëllim. Pranon gjithashtu se këto qëndrime ishin antiparti, atëherë qëllimi ishte i përcaktuar në mendjen tënde se ku duhej arritur, çfarë duhej prishur, ç’nuk ishte e drejtë në partinë tonë, në shtetin tonë, në shoqërinë tonë?Shoqja Nexhimije Hoxha: Mos e ndjeje vijën e partisë të ngushtë dhe duhej liberalizuar nga secili në sektorin e vet?Todi Lubonja: Unë këto gabime i shoh në fushën e artit, në problemet e estetikës dhe më duket se në këtë fushë jam treguar liberal. Nuk e kam kuptuar dhe nuk e kam zbatuar drejt vijën e partisë, madje e kam dëmtuar atë në këtë fushë.Shoqja Vito Kapo: Ti e kishe pikëpamjen që vija e partisë në këto fusha nuk është e drejtë?Todi Lubonja: Jo, kurrë nuk e kam pasur këtë pikëpamje. Kur e ka kritikuar partia pjesën “Njollat e murrme” edhe unë nuk e kam duartrokitur.Shoku Hysni Kapo: Ti thua për “Njollat e murrme” që kur e kritikoi udhëheqja edhe ti e kuptove se kjo dramë nuk qëndronte, atëherë pse nuk prite ti që ai, Minush Jerua, të rehabilitohej kur duhej, por u përpoqe të rehabilitohej, përse? Minush Jerua nisej nga Durrësi dhe vinte në Korçë te ti, në një kohë kur ai dhe vepra e tij u hodh poshtë nga udhëheqja. Ti e dije këtë. Atëherë pse ai vinte në Korçë dhe duhet ta rehabilitoje ti atë? Po Bilal Xhaferrin ku e gjete ti me Fadil Paçramin? Bilal Xhaferin që është i arratisur në Greqi, armik, njeri i bastarduar.Fadil Paçrami: As unë nuk e di atë.Shoku Hysni Kapo: Jo shoku Fadil, e dimë mirë ne këtë gjë. Dimë edhe tjetrën, që Minush Jeros i ke thënë “dale se s’ka ardhur koha për në Tiranë”. Do ta sillje ti në Tiranë? Pse ti nuk prite ta rehabilitojë shoqëria Minush Jeron, por duhesh ta rehabilitoje ti? A nuk tregon kjo një rënie në gjunjë dhe ai atëherë ndërroi edhe emrin e dramës “Nënë Duda” dhe e vuri në skenë me emrin “Të pamposhturit”?Shoku Enver Hoxha: Të pamposhturit janë këta.Shoku Mehmet Shehu: Ajo është alegori. Nuk kanë guxim të flasin hapur dhe maskohen.Shoku Enver Hoxha: Domethënë partia i dënon ata, por ata janë të pamposhtur.Shoku Mihallaq Ziçishti: Karshi kujt janë të pamposhtur dhe pse do të sillnin Minush Jeron këtu në Tiranë?Shoku Enver Hoxha: Për t’i treguar udhëheqjes së partisë se janë të pamposhtur dhe vijnë pikërisht në Tiranë dhe jo në Gramsh apo diku tjetër.Shoku Haxhi Lleshi: Këto koncepte dhe këto pikëpamje i ke koordinuar ti me ndonjë tjetër, për shembull me Fadilin?Todi Lubonja: Përsa i takon dramës “Të pamposhturit”, në diskutimin që është bërë për “Njollat e murrme” në Tiranë, nga sa di unë, atje është bërë autokritikë. Unë di që atëherë Minush Jerua ishte dramaturg dhe lejohej të botonte shkrime. Të them të drejtën dhe sinqerisht, në rastin e parë atë e kam njohur në dramën “Njollat e murrme”.Shoku Manush Myftiu: Ai është kritikuar në plenumin e 15-të.Todi Lubonja: Mundet, por unë personalisht nuk e kam njohur dhe është thënë që këta duhet ta lajnë me vepra. Për dramën “Të pamposhturit” mendimi im ka qenë se kjo është një dramë patriotike, një dramë për luftën. Për këtë edhe kemi biseduar, në mos gabohem kam biseduar edhe me shokun Ramiz. “Mirë” është thënë nga të gjithë dhe ne kemi qenë dakord që ta vëmë në skenë.Shoku Mihallaq Ziçishti: Nuk është e vërtetë. Mua më ka thirrur shoku Ramiz dhe e kemi hedhur poshtë.Shoku Ramiz Alia: Edhe ti ke qenë bashkë me Mihallaqin. Eshtë biseduar konkretisht jo për dramën, por nëse ka mundësi që ky njeri të vërë pjesë në skenë. Thamë se nuk u heqim të drejtën e skenës këtyre njerëzve.Todi Lubonja: Po, kështu keni thënë.Shoku Ramiz Alia:Kur ka ardhur më vonë Mihallaqi, kemi biseduar konkretisht që ajo pjesë nuk duhet vënë.Todi Lubonja: Çështja është diskutuar që të vijë apo të mos vijë në Tiranë Minush Jerua, për këtë jam thirrur unë.Shoku Mihallaq Ziçishti: Kemi biseduar dhe u thirrëm në Tiranë për çështjen që, qëndron apo nuk qëndron drama “Të pamposhturit”.Todi Lubonja: Ju shoku Mihallaq keni thënë, “ta vëmë dramën dhe të bëjmë diskutim”. Kështu drama është vënë, është diskutuar në masa dhe është aprovuar të shfaqet në Korçë.Shoku Peti Shamblli: Kam qenë unë në Korçë kur është dhënë kjo dramë për herë të parë, dhe jeni përplasur me shokun Mihallaq. Ai atëherë të tha: “Çfarë jam unë këtu, hu gardhi?”Todi Lubonja: Kur është bërë diskutimi s’kam qenë as unë, as shoku Mihallaq.Shoku Hysni Kapo: Po pse flet kështu more Todi, përse ju thirra unë ju në KQ? Ke qenë ti, shoku Mihallaq, shoku Haki, Piro Kondi dhe Leka Shkurti. Pikërisht sepse instruktorët e KQ thanë që në Korçë është vënë një dramë e tillë dhe shoku Mihallaq nuk ishte dakord për këtë. Prandaj ju thirra. Madje të kam thënë që “pse vjen Minush Jerua nga Durrësi në Komitetin e Partisë të Korçës?” Ai vjen te ti, sepse gjen strehë tek ti. Ti po të mendoje siç mendonte partia do t’i thoshe atij që “ktheu prapë dhe shko në Durrës, se ka atje një komitet partie dhe një komitet ekzekutiv, të cilët le ta shikojnë”. Këta njerëz ju gjenin ju me qiri dhe ju i mirëprisnit e u bënit edhe jehonë.Shoku Rrapo Dervishi: Minush Jerua i ka hyrë gjithë Shqipërisë. Todi, më duket mua, përdori edhe një taktikë tjetër.Shoku Enver Hoxha: Çfarë taktike?Shoku Rrapo Dervishi: Po ja, këtë që, gjoja me autokritikë të kalonte.Todi Lubonja: Po çfarë të bëj shoku Rrapo, të mos bëj autokritikë?Shoku Rrapo Dervishi: Për konsideratën e partisë, duke filluar që nga shoku Enver e me radhë për të gjithë të tjerët.Todi Lubonja: As topi s’ma ka tundur këtë konsideratë dhe as ka për të ma tundur sa të vdes, thuaj çfarë të duash ti.
Lubonja: Ja gabimet e mia për Festivalin e 11-të
Lëshimeve liberale në RTV, në Festivalin e 11-të u çeli rrugën edhe metoda e gabuar që u ndoq nga unë mbi gjykimin e krijimeve vetëm brendapërbrenda një grupi specialistësh, diskutimi në një rreth të mbyllur, duke u nisur nga fakti që mbi këto çështje ka njerëz kompetentë që gjykojnë. U shkel kështu rruga e konsultimit me Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës dhe aparatin e Komitetit Qendror, dhe nuk u bë ky aktivitet i rëndësishëm artistik objekt i një debati të gjerë ideoartistik, gjë që reflekton subjektivizëm dhe mendjemadhësi dhe aq më keq u mënjanua roli i organizatës-bazë të partisë, gjë që pavarësisht nga praktikat e ndjekura më parë mua nuk më lejohej ta bëja.Duke nënvleftësuar rrezikshmërinë e shfaqjeve të modës së huaj, e cila vitet e fundit pati një përhapje më të gjerë, mbaj përgjegjësi të rëndë se për shkak të koncepteve liberale nuk jam kundërvënë me forcë dhe nuk kam ushtruar kontroll rigoroz në TV, dhe si rezultat ka pasur raste që në emisionet televizive të dalin njerëz me baseta të gjata dhe pantallona të gjera, gjë që ka influencuar për keq në edukimin e rinisë. Këtë luftë nuk e kam bërë me rezultat as në zyrë, as në shtëpi, ku një nga djemtë e mi ka pasur shfaqje të tilla.
neser do te lexoni
Situata e krijuar në sallën e plenumit IV të PPSH-së kur Lubonjës i kërkohej llogari të tregonte pozicionin e tij në lidhje me marrëdhëniet me Fadil Paçramin. Cili ishte bashkëveprimi i tyre në rrugën antiparti për të cilën akuzoheshin.
Historia e çuditshme që u shpalos para Todi Lubonjës nga përfaqësuesit e Shkodrës në atë plenum në lidhje me artistin Gjosho Vasia. Debatet e acaruara kur ai për minuta të tëra akuzohej se e kishte ndihmuar të deklasuarin Vasia të stabilizohej në Tiranë.
Ndërhyrja e Mehmet Shehut në lidhje me programet e Radio Tiranës, për të cilat Lubonja akuzohej se kishte ndryshuar programacionin duke hequr këngën popullore. Debatet që u bënë në lidhje me atë temë, për të cilën Kadri Hazbiu deklaroi se pas atij veprimi populli ngatërronte Radio Tiranën me atë italiane
<< Home