Historia e plenumit te 73 qe kryqezoi njerezit e kultures
Historia e plenumit të ‘73 që kryqëzoi njerëzit e kulturës
Lubonja para plenumit: Pranoj se më ka plasur “koburja” në brez
Nëpërmjet fjalës së tij Lubonja u mundua të çarmatoste akuzuesit
Fatos Veliu
Ishte dita e dytë kur kishte filluar punimet plenumi i famshëm i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, plenum që kishte marrë në analizë pikërisht shkeljet që, sipas Enver Hoxhës, ishin konstatuar në fushën e artit dhe të kulturës.
Ndërsa ditën e parë të punimeve kishin folur Enver Hoxha, Hysni Kapo etj., në ditën e dytë të tij seanca kishte nisur me diskutimin e Ramiz Alisë. Më pas foli Agim Mero dhe Fiqret Shehu. Të gjithë këta, ashtu si diskutantët e një dite më parë, u munduan me forma shumë vulgare të akuzonin dhe të riakuzonin Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën, të cilët Enver Hoxha kishte vendosur t’i sakrifikonte. Situata e rëndë ndaj dy njerëzve të artit dhe të kulturës shqiptare arriti në atë pikë, saqë dënimi ndaj tyre do të ishte i pashmangshëm. Një çudi po ndodhte në sferat politike të Komitetit Qendror të atij viti, pasi grupi që po gjykohej ishte grupi i parë armiqësor. Askush në ato momente nuk e kishte të qartë se nuk do të kalonin vite, por vetëm pak muaj që të fillonte analiza e punës në ushtri, në ekonomi etj., ku “armiqtë e partisë” do të dilnin nga hierarkia më e lartë e shtetit. Gjithsesi, pas shumë e shumë akuzash të panumërta që do të bëheshin në drejtim të Lubonjës dhe Paçramit, nga vetë Enver Hoxha do t’i jepej fjala njërit prej tyre, Todi Lubonjës. Todi Lubonja dallohet të flasë lirshëm para atij plenumi të elektrizuar, i cili donte ta shfaroste përfundimisht. Me takt të veçantë për të qenë në “rezonancë” me Enver Hoxhën, i cili vetëm me një irritim të momentit mund t’i bënte gjëmën, Todi Lubonja pranon si të drejta të gjitha kritikat që i ishin bërë. Ai nuk hezitoi madje t’i vinte vetes në dukje edhe shumë gjëra të tjera të papërmendura nga të tjerët, duke operuar njëkohësisht me formën e pendesës dhe duke bërë autokritikë për çdo akuzë që i qe ngritur. Vlen për t’u përmendur se falë zotësisë që e karakterizonte, ai e ktheu situatën në favor të tij. Aludonte për gabimet e rënda, të cilat i qenë cilësuar si veprime të qëllimshme antiparti. Me zgjuarsi ai gjente momentin për të argumentuar se gjithçka kishte ndodhur krejt rastësisht dhe asgjë nuk kishte qenë e qëllimshme. Todi Lubonja e vuri theksin te akuzat që i qenë bërë për të shumëpërfolurin, Festivali i 11-të në RTV. Gjithçka që ka ndodhur në atë qershor të vitit 1973, fjala e vetë njeriut që u shpall “simbol i armikut” të konstatuar nga partia, Todi Lubonjës, do të vazhdojnë të bëhen publike pas 32 vjetësh në faqet e gazetës “Panorama” TODI LUBONJA, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH.Që në fillim të fjalës së tij Lubonja pranon në frymë autokritike akuzat e bëra ndaj tijAnaliza e thellë shkencore që bëri shoku Enver në fjalimet e tij të kohëve të fundit dhe në fjalimin e tij historik të 15 marsit mbi gjendjen e luftës kundër rrethimit imperialisto-revizionist të vendit tonë dhe efektet e presionit të tij mbi ne, me të cilat kam qenë dhe jam plotësisht dakord, si dhe sinteza që u bëri në raportin që mbajti në këtë mbledhje të plenumit për një sërë problemesh mbi thellimin e luftës ideologjike kundër shfaqjeve të huaja dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre, përbëjnë një burim të madh energjish për kalitjen dhe mprehjen e vigjilencës revolucionare.Megjithëse jam një kuadër, që në veprimtarinë time kam gabuar rëndë duke devijuar drejt liberalizmit dhe modernizmit që e vunë në dukje me të drejtë si shoku Enver po ashtu edhe shokët e tjerë që diskutuan, i shikoj drejt masat e rrepta që duhen marrë ndaj meje. Besoj se më jepet e drejta të shpreh në këtë plenum vlerësimin që i bën gjithë populli, gjithë partia këtyre dokumenteve me rëndësi historike për fatet e atdheut, të socializmit dhe të revolucionit në vendin tonë. Këto dokumente i ka mbajtur dhe i mban në duart e çelikta partia, e cila me principalitet të lartë komunist ka likuiduar çdo deviator të djathtë apo të majtë për interesat e larta të revolucionit, të partisë e të popullit, ashtu siç po vepron me të drejtë në këtë plenum kundër meje e kundër Fadil Paçramit. Unë këtë e them me ndërgjegje të thellë, me bindje të plotë për gabimet dhe fajet shumë të rënda në shkeljen e vijës së partisë.Në vazhdim ai vlerëson ndëshkimin që i është dhënë deri në atë ditë Duke u munduar të nxjerr mësime sa më konstruktive nga fjalimet e shokut Enver dhe duke ndjerë pulsin e partisë dhe të masave, reagimin e tyre në një atmosferë të vërtetë revolucionare, them se e ndjej thellë përgjegjësinë e rëndë që mbaj për dëmet e mëdha që i kam shkaktuar punës së partisë, duke devijuar nga vija e saj gjithmonë e drejtë.Për gabimet e mia të rënda, për prirjet liberale e moderniste, unë me të drejtë u shkarkova nga përgjegjësia që mbaja dhe u dërgova në rrethin e Lezhës që të punoj më afër klasës punëtore në ndërtim. Të ndjej pulsin e saj, të njoh më mirë jetën e të kuptoj me çfarë përpjekje e mundime punon ajo nën udhëheqjen e partisë që djersit, lodhet, por që populli është i bindur plotësisht në drejtësinë e vijës së saj. Këtë masë që mori me shumë të drejtë partia ndaj meje, unë e kam konsideruar dhe e konsideroj me vend, mjet efektiv për kalitje dhe korrigjim, dhe besoj se do të gjej forca të mjaftueshme në veten time që ta bëj këtë sa kohë që asgjë s’më ndan nga partia, në gjirin e së cilës u rrita dhe u edukova për 31 vjet rresht, por që në fakt gabova në punë e sipër.
***Në punë bashkë me ndërtuesit dhe me ndërgjegje të pastër kam vënë të gjitha forcat e mia, në mënyrë që të kuptoj dhe të realizoj gabimet, t’i shoh ato me sy autokritik dhe të jap kontributin tim në realizimin e planit të shtetit. Ky është një qëllim, një përmbajtje e jetës sime dhe unë them se do ta bëj këtë gjë patjetër.Më tej fjala e Lubonjës nëpërmjet notave diplomatike, lë të kuptojë se gjithçka që ka të bëjë me të, është rezultat vetëm i rastësisëPër një kohë të gjatë kam punuar në fronte të rëndësishme të propagandës së partisë që, do të thotë se udhëheqja e partisë ka pasur gjithmonë besim tek unë dhe më ka besuar vende me përgjegjësi. Të them të drejtën dhe të jem i sinqertë po ju them se kudo jam përpjekur të kontribuoj për realizimin e vijës së drejtë të partisë dhe mësimeve të shokut Enver, të cilat i kam konsideruar kurdoherë të drejta.Por, nën dritën e fjalimeve të kohëve të fundit që ka mbajtur shoku Enver, nën dritën edhe të raportit që mbajti këtu, duke u munduar të analizoj devijimet e mia oportuniste të djathta, gabimet dhe dobësitë e punës sime, vërej me ndërgjegje se në luftën kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste nuk jam treguar konsekuent me gjithë ndihmën e madhe që më ka dhënë herë pas here partia. Kështu, duke luftuar kundër rutinës dhe shfaqjeve konservatore, pavarësisht se në parim e kam konsideruar të drejtë domosdoshmërinë e luftës në dy krahët, në asnjë rast unë nuk kam shprehur një mendim të ndryshëm, po pavarësisht nga kjo, si nga forca goditëse ashtu edhe nga vlerësimi në planin ideologjik, në bilancin e veprimtarisë sime vërej se kam treguar devijacione të djathta, oportuniste, liberale, moderniste dhe me konkluzionin, definicionin që jepet në raportin e shokut Enver dhe në kritikat që bën shoku Hysni, shoku Ramiz dhe shokët e tjerë, unë jam plotësisht dakord. Unë kam bërë dhe një gabim të madh e të rëndë që në momentin e duhur, në organizatën e partisë nuk kam mbajtur qëndrim autokritik, shprehje kjo e egoizmit tim mikroborgjez e të tjera me radhë.Mundohet të bëjë analiza konkrete mbi akuzat që i janë bërë nga Enver HoxhaNë momente të tilla, me të drejtë na mëson partia t’i grumbullojmë gjërat dhe t’i analizojmë gabimet për një periudhë të gjatë kohe. Mundet të kem edhe gabime të tjera, por unë desha të përmend ato që janë më kryesoret. Në vitin 1964, unë jam kritikuar për ndryshime në disa numra në faqosjen e gazetës “Zëri i Popullit”, ndryshim i cili siç e kam analizuar akoma më thellë tani nuk ishte gjë tjetër, vetëm një imitim i faqosjes së gazetave të huaja, një prirje liberale, një prirje drejt të huajës, kopjim i së huajës. Jam kritikuar gjithashtu më 1967, personalisht nga shoku Enver, për pasqyrimin me vonesë të jehonës së fjalimit të tij të 6 shkurtit, gjë që reflekton mungesë mprehtësie politike. Jam kritikuar gjithashtu më vonë se nuk kam gjykuar drejt dramën “Njollat e murrme” të Minush Jeros, e cila shtrembëronte realitetin tonë. Këto kritika sa të ashpra, aq edhe të drejta në momentin e duhur i kam pranuar dhe jam munduar të reflektoj mbi to. Trajtimi që më është bërë nga udhëheqja e partisë për këto gabime ka qenë më se i drejtë, më se dashamirës. Nuk ka se si t’i dilet nga borxhi një kuadri që gabon më shumë sesa kaq. Kështu e kam konsideruar dhe e konsideroj trajtimin që më është bërë. Por gabimi i rëndë tjetër, i fundit, Festivali i 11-të i këngës në RTV ku lejova një muzikë çoroditëse, larg nga tabani kombëtar, tregoi se prirjet e mia drejt liberalizmit dhe modernizmit kanë qëndruar në subkoshiencën time pa u shkulur nga rrënjët, sepse nuk i kam luftuar si duhet e pa ndërprerje, tregoi se nuk kisha nxjerrë mësimet dhe konkluzionet e duhura nga kritikat e drejta që më kish bërë partia.***Këto qëndrime oportuniste të njëanshme e ndikime, nga sa kam mundur t’i analizoj dhe të reflektoj mbi to, janë bazuar te ndjenja e vetëkënaqësisë mikroborgjeze dhe intelektualizmi, të cilat më kanë çuar deri në humbjen e vigjilencës politike dhe ideologjike, duke mos mbajtur parasysh në çdo moment kushtet e luftës së partisë dhe të popullit tonë të angazhuar për një kohë të gjatë dhëmb për dhëmb me imperializmin dhe revizionizmin, me manovrat e tyre të stërholluara e djallëzore, të cilat kanë pasur dhe kanë si synim çoroditjen e mendjeve të njerëzve, të rinisë e të kuadrove, turbullimin e gjendjes shpirtërore, degjenerimin dhe përmbysjen e rendit tonë socialist. Unë e kuptoj thellësisht se këto prirjet liberale, oportuniste nuk të çojnë gjetkë, vetëm këtu te degjenerimi revizionist, dekadent, borgjez.Devijimet drejt liberalizmit dhe modernizmit në disa programe të muzikës së lehtë në RTV gjatë kohës që unë punova atje, zgjedhja pa kriter e muzikës së lehtë të huaj dhe shfaqjet e huaja në Festivalin e 11-të reflektuan faktin se unë minimizova rrezikun e ndikimeve të huaja, të agresionit të egër ideologjik imperialisto-revizionist, i cili po të mos ishte luftuar me atë forcë goditëse siç po luftohet tani, nga pasojat do të ishte akoma më i dëmshëm, më i rrezikshëm. E shoh qartë tani se hezitimet që kam pasur për të bërë këtë luftë reflektojnë moskuptimin në themel të rrezikshmërisë reale të ndikimeve dekadente borgjezo-revizioniste.Me imtësi Lubonja prek edhe temën e Festivalit të 11-tëNë muzikën e lehtë, sidomos vitet e fundit, siç u duk në mënyrë të theksuar në Festivalin e 11-të, si rrjedhim i ndikimeve të huaja pati shartime të shëmtuara, shfaqje të maskuara e të hapura, reminishenca të huaja, të cilat u përligjën me teorizime se kështu i pëlqen rinia, por që në fakt nuk ishin gjë tjetër veçse shijet e disa shokëve, e që në të vërtetë binin ndesh me shijet e kërkesat e vërteta të masave të rinisë, binin ndesh me kërkesat e kohës, me edukimin e vërtetë revolucionar të masave. Duke aprovuar një muzikë të tillë, unë nuk bëra gjë tjetër veçse u solidarizova me këta tipa snobë për shkak të prirjeve të mia liberale e moderniste. E them me sinqeritet se nuk më takon mua të gjykoj mbi këtë çështje, po vetëm mund të them se në këtë mënyrë unë çova ujë në mullirin e armiqve të klasës.Shoku Mehmet ShehuUjë në mullirin e armikut çon ai që nuk është i ndërgjegjshëm, por që i pëlcet koburja në brez dhe vete ujët në mullirin e armikut.Todi Lubonja: Ndoshta unë jam, sipas gjykimi tim, një nga ata që më plasi koburja në brez, shoku Mehmet, prandaj e shoh që nuk më takon mua të jap një gjykim mbi këtë çështje.Rënien nën presionin e këtyre krijimeve si dhe luftën e përciptë që në disa raste u kam bërë disa shfaqjeve të huaja në disa emisione televizive tregojnë se nuk i kam parë nën prizmin klasor këto probleme, nuk kam peshuar drejt rrezikshmërinë e këtyre shfaqjeve dhe dëmin e madh që i sjellin ato edukimit të masave, si forma e mjete të rrezikshme të depërtimit të ideologjisë borgjezo-revizioniste, shfaqje këto të cilat në mënyrë të paevitueshme, po qe se nuk luftohen, të çojnë në krijimin e një atmosfere euforie, të çojnë në rrugën e degjenerimit borgjezo-revizionist.
Vdiq në moshën 83-vjeçare, Todi Lubonja
Dy ditë më parë, më datë 19 nëntor 2005, pushoi së rrahuri zemra e njeriut të letrave, 83 vjeçarit, Todi Lubonjës. Todi Lubonja, emri i të cilit ka hyrë fuqishëm në historinë e Shqipërisë komuniste, është njohur si njeriu që u bë simbol i goditjeve politike të Enver Hoxhës në fushën e artit dhe të kulturës. Ishte pikërisht plenumi IV i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, që u mbajt në qershor të vitit 1973, ai që kryqëzoi me dorë të hekurt figurën e Todi Lubonjës, i cili në atë kohë, në moshën 50-vjeçare drejtonte organin më të rëndësishëm të shtetit, pikërisht atë të Radio-Televizionit Shqiptar. Ajo suferinë që shkatërroi jetën e intelektualit të njohur e pati shkëndijën gjashtë muaj para se të zhvillohej ai plenum i llahtarshëm, pikërisht në 22-24 dhjetor (1972), kur u zhvillua Festivali i 11-të i këngës në Radio-Televizion, të cilin Enver Hoxha e dënoi në mënyrën më urgjente nga Vlora, ku ai ndodhej për të pushuar. Pas gjithë atyre furtunave të tmerrshme të tipit komunist, fundi i 50-vjeçarit Lubonja do të ishte vetëm burgu i Burrelit. Të njëjtin fat pati edhe i biri i tij, publicisti dhe analisti i njohur, Fatos Lubonja. Liria e tyre u sigurua vetëm pas viteve ’90, kur në Shqipëri frynë erërat e demokracisë. Todi Lubonja, pasi doli nga burgu, rikrijoi lidhjet me shokët e tij të hershëm, Ramiz Alinë dhe Agim Meron, në praninë e të cilëve ai pinte kafen e përditshme. Gjithsesi, jeta e tij, e cila fatkeqësisht ishte e mbushur vetëm me vuajtje dhe sakrifica të panumërta, u mbyll dy ditë më parë në sallën e reaminacionit të spitalit të neurologjisë, ku u ishte nënshtruar mjekimeve intensive pas një “ishemie cerebrale” që kishte pësuar dy javë më parë.
neser do te lexoni
Vazhdon fjala e Todi Lubonjës ku analizon të shumëpërfolurin Festivalin e 11-të të këngës në RTV.
Ndërhyrjet që bënë pas fjalës së Lubonjës, Enver Hoxha, Rrapo Dervishi, Sadik Bocaj, Xhafer Spahiu, Halim Ramohito, Foto Çami, Aranit Çela etj.
Cilat qenë shpjegimet që kolegët i kërkuan Lubonjës, nëpërmjet të cilave ata synonin kryqëzimin e padiskutueshëm të tij
<< Home