e shtunë, nëntor 26, 2005

Mehmet Shehu Lubonjes: Ti ke guxuar te akuzosh Thanas Nanon (Babai i Fatos Nanos)



Ngjarjet e plenumit të vitit ’73, që preu kokat e kulturës

Mehmet Shehu Lubonjës: Ti ke guxuar të akuzosh Thanas Nanon
Fakti që ai e kishte quajtur paraardhësin e tij në detyrë, konservator, iu përmend shpesh në plenum

Fatos Veliu
“Çfarë mendimi ka pasur shoku Todi për Thanas Nanon, të cilin e zëvendësoi”? Eshtë kjo një ndër dhjetëra pyetjet që iu bënë Todi Lubonjës në plenumin e katërt të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, i mbledhur në qershorin e vitit 1973, posaçërisht për të diskutuar “sabotimin politik”, që ishte bërë në fushën e artit dhe kulturës.
Pas asaj pyetjeje provokuese, pa i dhënë kohë për t’u përgjigjur, Lubonja, siç kishte ndodhur për dy ditë me radhë që kur kishte filluar punimet ai plenum, ku përgjigjet në të shumtën e rasteve i jepnin të tjerë, edhe në atë rast që lidhej me pyetjen e bërë për paraardhësin e Lubonjës në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të RTV-së, Thanas Nanon, fjalën e mori vet kryeministri Mehmet Shehu. Ai për të plotësuar atë që pyeti Ramadan Xhangolli, shtoi akoma se Todi e kishte konsideruar Thanas Nanon konservator. Menjëherë, si për t’u munduar që të mbronte veten, fjalën e mori Todi, i cili siç ndodhte edhe në rastet e tjera të asaj natyre, pas shumë aludimesh përfundonte në konkluzionin e papranueshëm nga të tjerët. Gjithsesi, pasi ishte ndalur në shumë probleme të cilat mund t’u kujtoheshin fare rastësisht anëtarëve të atij plenumi, radha i kishte ardhur edhe problemeve të kuadrit, gjë për të cilat Todi akuzohej se kishte bërë karakteristikën e disave prej tyre. Pikërisht në këtë fazë, atij iu kërkua llogari për shprehjet që kishte thënë në lidhje me paraardhësin e tij në detyrë, Thanas Nanon. Çuditërisht Nanon e mori në mbrojtje vetë kryeministri i gjithëpushtetshëm i asaj kohe, Mehmet Shehu, i cili ironizoi Lubonjën duke i treguar se kishte thënë që Thanasi ishte konservator. Pastaj kishin vijuar në radhë probleme nga më të paimagjinueshmet, të cilat i shtroheshin plenumit si gabime të pafalshme të Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit. Në atë formë u ngritën çështje të tilla se, shoqëria e Todit me Agim Meron, madje edhe shëtitjet e lira të tyre, i bënin me qëllimin e vetëm që Lubonja të kishte ndikim te rinia. Jo vetëm kaq, por ata kishin pasur raste që kishin dalë kundër vendimeve të organizatave të rinisë kur ato kishin marrë masa ndaj anëtarëve të tyre. Ishin këto detajet e vazhdimit të punimeve të ditës së dytë të Plenumit IV të vitit 1973, i cili ishte mbledhur me porosi të veçantë të Enver Hoxhës, për të kryqëzuar njerëzit që deri atë ditë i kishte në krahun e djathtë të tij, për të paraprirë socializmin komunist me propagandë në drejtim të artit dhe të kulturës. Por, çfarë thanë konkretisht në pretendimet dhe pyetjet e tyre në mesditën e 17 qershorit ish- kolegët e Paçramit dhe Lubonjës, Sulë Baholli e Adil Çarçani, Mihallaq Ziçishti e Ramadan Xhangolli, Sadik Bocaj e Xhafer Spahiu, Hodo Kaso e Dashnor Mamaqi etj. Debatet dhe replikat që ai zhvilloi, qoftë me vetë Enver Hoxhën, po ashtu dhe me Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun. Kush ishin përplasjet e mëdha të asaj mesdite, kur Lubonja ishte sfilitur mes provokimeve të stërholluara të ish-kolegëve, të cilët prej dy ditësh, që kur kishte nisur ai plenum, nuk ishin kursyer asnjë rast për ta shkatërruar. Aludimet e Agim Meros në lidhje me historinë e Festivalit të 11-të të këngës në RTV. Suksesi i atij festivali dhe çfarë i kishte thënë personalisht Todi Lubonja. Së fundmi, ndërhyrja e Enver Hoxhës, i cili e deklaroi të mbaruar seancën e tretë të atij plenumi, që i ishte kushtuar shtrenjtë Todi Lubonjës, duke lajmëruar njëkohësisht dhe seancën e katërt në orën 16:30 të asaj dite.Shoku Sulë Baholli: Pse ke bërë karakteristikë tjetër për kuadrot?Todi Lubonja: Nuk është e vërtetë se kam bërë tjetër, kam bërë shtojcë karakteristike për Emin Klosin në bazë të asaj që më thanë se kisha të drejtë ta bëja. U diskutua në kolektiv dhe kam shprehur mendimin tim që kam për këtë njeri dhe e kam shkruar.Shoku Sulë Baholli: Po ti ke bërë të kundërtën e asaj që është thënë në kolektiv.Todi Lubonja: Kam bërë atë që ju kam thënë dhe juve, se kisha menduar ta shkruaj.Shoku Adil Çarçani: Ky është karakteri yt që ndryshon.Todi Lubonja: Për sa i përket ndikimit tim në punën e rinisë, mua më duket se shoku Agim, të cilin e kam konsideruar shok parimor, principial e vuri në dukje drejt, dhe sigurisht, edhe unë kam përgjegjësi, sidomos në periudhën 1962-1963, se pastaj u largova dhe shkova në gazetën “Zëri i Popullit”, pastaj në Korçë. Kontaktet e mia me shokun Agim kanë qenë....Shoku Hysni Kapo: Ti edhe tani që ke qenë në Radio- Televizion je interesuar për punët e rinisë.Shoku Mihallaq Ziçishti: Kur ti ishe në Korçë, java shtatë, Agimi tetë ishte në Korçë.Shoku Hysni Kapo: Ti je interesuar vazhdimisht se si të fusësh hundët në punën me rininë.Shoku Dashnor Mamaqi: Edhe tani çdo natë dilnit shëtitje me Agimin.Todi Lubonja: Unë nuk po them të kundërtën shoku Dashnor, padyshim kam ndikuar.Shoku Enver Hoxha: Todi thotë atë që nuk ka pasur mendimin që të mbështetet te rinia kundër partisë, pa që do të bëjë shëtitje kjo është tjetër punë.Todi Lubonja: Në asnjë mënyrë.Shoku Enver Hoxha: Hë! Në asnjë mënyrë!Todi Lubonja: Unë mendoj se jo. Edhe problemin e brezave nuk e kam trajtuar kurrën e kurrës. (Ilaritet në sallë që nuk e aprovojnë këtë gjë që thotë Todi).Shoku Ramadan Xhangolli: Çfarë mendimi ka pasur shoku Todi për Thanas Nanon, të cilin e zëvendësoi?Shoku Mehmet Shehu: E ka konsideruar konservator.Todi Lubonja: Atë politikë nuk e bëra unë shoku Ramadan, nuk ia bëra unë karakteristikën Thanas Nanos.Shoku Enver Hoxha: Politikën e kuadrit e bëjmë ne. Ka pyetje të tjera?Shoku Sadik Bocaj: U shkarkua sekretari i organizatës bazë nga organizata bazë, për falsifikimin që i bëri karakteristikës së Klimi Misës. Ju e dini se mbledhja e organizatës bazë për këtë çështje vazhdoi katër ditë dhe atje me qëllim ishte edhe Fadili. Qëllimi i tij i caktuar ishte që si gjykatës të impononte pikëpamjet e tyre. Kur organizata bazë vendosi shkarkimin e tij nga sekretar organizate për falsifikim dhe u indinjua, Fadili tha kështu: “Ju e shkarkoni këtë si sekretar organizate, po unë në Komitetin e Partisë do të them se jam kundër këtij vendimi që po merrni ju”. Ndërsa Todi, disa ditë pasi u shkarkua ky si sekretar i organizatës bazë, në mbledhjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Radio-Televizionit propozoi që këtij t’i rritej rroga. Pra, këtij njeriu që partia dhe kolektivi e dënoi, Todi propozoi që t’i rritej rroga për ta bërë besnik të tij, që të mos u nxirrte prapaskenën.Todi Lubonja: Nuk është e vërtetë.Shoku Sadik Bocaj: Dhe tre-katër muaj më pas, kur në mbledhje ishte shoku Xhaferr na tha se shoqja Vita (kemi qenë atje edhe me shokun Hasan Selenica) se atje u ngrit vetë sekretari i organizatës bazë dhe e zbuloi këtë prapaskenë. Ja, deri këtu arrin poshtërsia e tij dhe mungesa e karakterit të komunistit dhe aq më tepër e anëtarit të Komitetit Qendror.Todi Lubonja: Nuk është e vërtetë. Nuk kam propozuar unë që t’i rritet rroga. Ky ka qenë propozimi i kolegjiumit të Drejtorisë të Televizionit, kurse në Drejtorinë e Përgjithshme u hodh poshtë.Shoku Enver Hoxha: Sa herë thotë Fadili “ne” dhe jo “unë”. I ka marrë komiteti këto punë, thotë Fadili, komiteti ka përgjegjësi. Edhe ti na thua kolegjiumi?! Po kolegjiumit ti ia ke thënë në vesh.Shoku Xhafer Spahiu: Kolegjiumi ishte kundër që t’i ngrihej rroga, kurse Todi tha: “Pse t’i presim koromanen”.Shoku Enver Hoxha: Todi e tha këtë në mbledhjen e kolegjiumit?Shoku Xhafer Spahiu: Po, e theksoi këtë në mbledhje.Todi Lubonja: Po iu ngrit apo jo rroga? Nuk iu ngrit.Shoku Sadik Bocaj: Këta të dy, Todi e Fadili, si anëtarë të KQ bënë edhe atë që i ndanë djalin dhe vajzën me qëllim që t’u jepej bursë në universitet. Edhe me këtë ti si anëtar i KQ njollose figurën e komunistit. Todi ka një shtëpi për vete, një për djalin e tij, një shtëpi e ka në Korçë të bllokuar e pastaj flasim për figurën morale të këtij komunisti pa le dhe si udhëheqës partie.Shoku Hodo Kaso: Kur bëmë plenumin e Komitetit të Partisë të rrethit për problemin e luftës së klasave, i deleguari ishte Todi. Pasi mbaruam plenumin, ai e mori për krahu dhe shkoi në shtëpinë e Jorgji Qiriazit dhe na thotë ne se, nuk po e trajtonim mirë Jorgji Qiriazin. Fill pas këtij kërkoi pranë Komitetit të Partisë të rrethit dhe KQ për të rehabilituar dajën e Jorgji Qiriazit që është pushkatuar në vitin 1943. Po kështu edhe Fadil Paçrami ka akuzuar Komitetin e partisë të Kolonjës dhe udhëheqjen e KQ se kishim bërë gabim që e kishim dërguar Vladimir Priftin në Kolonjë.Shoku Enver Hoxha: Domethënë, kudo luftë kundër komiteteve. Që nga KQ dhe komitetet e partisë të rretheve po kritikohen.Shoku Dashnor Mamaqi: Shoku Mehmet ka bërë një kritikë për çështjen e modës, kurse të nesërmen këta shokë kanë shkuar në KQ dhe kanë bërë presion që të kihet kujdes e të mos shkruhet. Unë mora në telefon shokun Piro dhe jemi sqaruar.Shoku Enver Hoxha: Mirë, qartë. Ke ndonjë gjë tjetër për të thënë?Todi Lubonja: Jo, nuk kam.Shoqja Shpresa Kseno: Pas Festivalit të 11-të të këngës në Radio- Televizion, komiteti i Rinisë i Universitetit ishte udhëzuar nga shoku Agim Mero që të shkruante tre artikuj nga vetë studentët për të mbështetur festivalin. Shoku Agim nuk ka qene dhe nuk e ka dëgjuar festivalin. Të na thotë cili ka qenë qëllimi i këtyre shkrimeve, të përhapeshin shijet estetike të kësaj muzike, apo nga u nisën?Kur ishim për ditëlindjen e shokut Mehmet, grupi i universitetit u bashkua me atë të radios dhe kur kemi dalë, shoku Mehmet ka thënë një fjalë, Todi reformatori.Shoku Mehmet Shehu: Unë përsërita fjalët që më kishin thënë: Fadili redaktori, Todi reformatori. Unë ua përsërita këtë kot, me shaka.Shoqja Shpresa Kseno: Këtë e komentonin jashtë, kurse unë ndërhyra e thashë se shoku Mehmet e kishte fjalën për tani, për festivalin.Todi Lubonja: Tani nuk di çfarë të them. Unë para kritikës për festivalin kisha mendime të mira për të dhe nuk kisha si të thosha kur më pyeste ndonjë njeri, që të shkruanin keq. Për rastin konkret, për gazetën e universitetit, nuk kam thënë. Nuk di ta kem thënë.Shoku Agim Mero: Unë isha jashtë kur u bë festivali dhe kur u ktheva e pyeta Todin se si doli festivali, ai më tha se kishte dalë shumë mirë. Më tha se do të shkruhej mirë për të, dhe unë me këtë bindje u kam thënë studentëve që të shkruajnë për festivalin.Shoku Enver Hoxha: Tani mbaruam me shokun Todi, meqenëse tha se nuk ka gjë tjetër.Bëjmë pushim dhe të vijmë në orën 16:30...

Akuzat: Ja si e ka shkatërruar Lubonja RTV
Mes shumë akuzash me bazë dhe pa bazë, që iu bënë Todi Lubonjës në plenumin e tmerrshëm, shumë prej tyre kishin lidhje posaçërisht me detyrën e tij si drejtues kryesor i Radiotelevizionit Shqiptar. Konkretisht ato pyetje-akuza ishin:Pse nuk ka nxjerrë mësime nga kritikat që i janë bërë drejtpërsëdrejti nga shoku Enver dhe shokë të tjerë, dhe cilat janë shkaqet ideologjike të këtyre fajeve dhe devijimeve në vijën e partisë?Pse e kanë konsideruar radion vetëm si mjet informativ e kulturor, në kundërshtim me orientimet e KQ, që përcaktojnë se radioja është në radhë të parë një mjet i fuqishëm politiko-edukativ?Pse ka mohuar dhe spostuar rolin e organizatës bazë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme, duke orientuar në mënyrë individuale, duke futur në të njerëz si Mihallaq Luarasi, etj? Pse ka shkaktuar përçarje e grindje te komunistët dhe në kolektiv në Radiotelevizion?Pse nuk ka zbatuar urdhrin e kryeministrit, shokut Mehmet, dhe të sekretarit të KQ së Partisë, shokut Ramiz, për të mos lejuar që të dalin në ekranin e televizionit njerëz me veshje sipas modës së huaj, qafëleshë, me favorite, me minifunde etj., dhe pse nuk ia tha këtë urdhër të kryeministrit dhe të sekretarit të KQ as drejtorit të televizionit, as sekretarit të organizatës bazë, e aq më tepër organizatës dhe kolektivit? Kjo porosi ishte dhënë nga shoku Mehmet, qysh në maj të vitit 1972, një apo dy muaj pasi kishte ardhur Todi.Pse ka shkelur normat e partisë në drejtim të politikës së kuadrit, duke thënë “të hedh leckat në erë”, ose duke falsifikuar karakteristikën, siç ishte rasti i Klimi Misës, veprime këto në kundërshtim me figurën e komunistit, shkelje flagrante të statutit të partisë.Pse nuk ka dëgjuar zërin e popullit nëpërmjet letrave që vinin për çështjet e muzikës popullore, po ka lejuar të dominojë muzika e huaj dhe muzika e lehtë? Për shembull, letra e tri vajzave të Beratit ishte shumë e fortë. Ato thoshin se këtu në radio do të ketë ardhur ndonjë reformator që bën këto programe.

neser do te lexoni
Çfarë përmbante diskutimi alarmant i kryeministrit të hekurt të asaj kohe, Mehmet Shehu. Si e konsideroi ai raportin e Enver Hoxhës në lidhje me punën e Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit etj.
Akuzat konkrete që ai ngriti solemnisht para plenumit për Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Përse ata i konsideroi të pandreqshëm dhe paralajmërimi që u bëri për ndëshkimin që i priste