Për herë të parë, pas 32 vjetësh zbardhet procesverbali tepër sekret i plenumit që kryqëzoi njerëzit e kulturës. Si u justifikua Alia
Për herë të parë, pas 32 vjetësh zbardhet procesverbali tepër sekret i plenumit që kryqëzoi njerëzit e kulturës. Si u justifikua Alia
Ramiz Alia para plenumit të ’73-shit që i kërcënonte jetën: Kam qenë fajtor
Ishte qershori i vitit 1973. Në sallën e mbledhjeve të selisë së Komitetit Qendror të Partisë së Punës kishte filluar punimet plenumi i IV i KQ. Për mënyrën se si dhe pse ishte thirrur nga Enver Hoxha, ai plenum konsiderohej shumë ndryshe nga të mëparshmit që ishin zhvilluar për 23 vjet me radhë, duke filluar që nga viti 1945.
Nga të gjithë pjesëmarrësit nuk kishte dyshim se Enver Hoxha befasisht kishte ndërruar platformë në mënyrën e drejtimit të shtetit. Ai, pasi kishte eliminuar shumë kundërshtarë të “mbartur” që nga koha e luftës nacionalçlirimtare, tashmë kishte vendosur të eliminonte njerëzit që i kishte ngjitur vetë në hierarkinë më të lartë të shtetit të drejtuar prej tij. Pikërisht në atë qershor, pa pritur dhe pa kujtuar për gabime që nuk i dinin as vetë, kishin dalë në qendër të goditjes Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja. Ishte hera e parë që dy autoritete të larta të asaj kohe, që njiheshin si bashkëpunëtorë të afërt të Enver Hoxhës, akuzoheshin si “njerëz antiparti” dhe “armiq” vetëm për faktin abstrakt se në kulturë dhe art kishte pasur frymë të huaj. Ka qenë pikërisht ai plenum që shpalli armiqtë në fushën e kulturës, pas të cilit periodikisht do të dilnin armiqtë në ushtri, ekonomi, etj. Situata gjatë atij plenumi kishte arritur deri në atë fazë saqë rrezikoheshin jo vetëm njerëzit e artit, për të cilët Enver Hoxha kishte thërritur plenumin, por edhe shumë të tjerë. Në këtë situatë tepër të vështirë mësohet se për vetë zëvendësin e ardhshëm të Enver Hoxhës, Ramiz Alian, thuhet se është “mëshiruar” nga Enver Hoxha. Pikërisht për këtë arsye, që prej asaj dite deri në ditët e sotme, pra për 32 vjet me radhë, në opinionin e gjerë është aluduar, duke hamendësuar, madje edhe duke ngritur legjenda subjektesh se si ka pasur mundësi që Ramiz Alia, që në atë kohë ka mbuluar propagandën në Komitetin Qendror të Partisë, t’i shpëtonte “shpatës” vdekjeprurëse të Enver Hoxhës. Ajo situatë është interpretuar në mënyra nga më të çuditshmet për vetë faktin se Ramiz Alia është njeriu i vetëm i nomenklaturës së lartë, që shpëtoi pa u prekur në një kohë që u godit fuqishëm puna në drejtim të propagandës së partisë, të cilën ai mbulonte duke e cilësuar se pikërisht aty kishte pasur ndikime të qëllimshme të veprimtarisë antiparti. Gjithsesi, ai plenum, i cili do të hapte siparin e shumë të tjerëve derisa të asgjësonte përfundimisht udhëheqjen më të lartë të shtetit, arriti të kryqëzojë dhe të bëjë simbol të armiqve në art dhe kulturë dy miqtë e Ramiz Alisë, pikërisht Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Gjithsesi, gjithçka që ka ndodhur në atë plenum deri sot ka mbetur enigmë. Askush nuk ka mësuar saktësisht se cila ishte konkretisht mbrojtja që Ramiz Alia, të cilit i rrezikohej jeta, ka bërë në atë mbledhje. Qëndrimi që ai mbajti në lidhje me raportin e tmerrshëm të Enver Hoxhës, ku kërkoheshin propozime konkrete për të bërë viktimat e planifikuara. A është e vërtetë se pikërisht Alia, për të mbrojtur veten, siç thuhet në opinion, ka hedhur baltë mbi miqtë e tij të vjetër, Paçrami dhe Lubonja?! Gjithçka që ai ka deklaruar në fjalën e tij të mbajtur në orën 09:00 të datës 27 qershor, pikërisht me fillimin e ditës së dytë të punimeve të plenumit, për herë të parë sot pas 32 vjetësh pasqyrohet në shkrimin e mëposhtëm të gazetës “Panorama”. Ndërsa ditën e parë, në dy seanca kishin folur Enver Hoxha, Jashar Menzelxhiu, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rrapi Gjermeni dhe Hysni Kapo, në ditën e dytë seanca e tretë filloi pikërisht me fjalën e Ramiz Alisë, që me lloj-lloj mënyrash është munduar të nxjerrë gabimet e tij dhe të bëjë një mbrojtje spektakolare, duke akuzuar sa majtas, djathtas. Në mbështetje të raportit të Enver Hoxhës ai u vërsul mbi kolegët e tij Lubonja dhe Paçrami. Për efekt redaktimi gazeta merr përsipër të botojë vetëm paragrafët që hedhin dritë mbi enigma të panjohura të asaj fjale, duke eliminuar pjesë të diskutimit ku bëhen aludime të përgjithshme të tipit rutinë. Seanca e tretë(Paradite ora 8:00 e datës 27.6.1973)
Shoku Ramiz Alia, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ të PPSH.Fjalimi fillon me sukseset e Partisë në luftën kundër shfaqjes së kapitalizmitPartia jonë, që nga themelimi i saj e vazhdimisht, ka bërë një luftë të vendosur për të ruajtur të pastër vijën e vet marksiste-leniniste, si garanci kryesore për të çuar përpara revolucionin e ndërtimin socialist në vendin tonë. Në mënyrë të veçantë, gjatë dekadës së fundit, duke nxjerrë mësime nga tragjedia që ndodhi në Bashkimin Sovjetik e në disa vende të tjera ish-socialiste, partia me në krye shokun Enver ka bërë një punë kolosale e ka marrë shumë masa të rëndësishme, me qëllim që t’i mbyllej shtegu e t’i pritej rruga çdo mundësie të shfaqjes së revizionimit e të restaurimit të kapitalizmit, që në Shqipëri të ruhej pastër e të forcohej pandërprerë diktatura e proletariatit, të mbahej gjallë e të ngrihej gjithnjë e më lart fryma revolucionare. Dhe këtij qëllimi, partia ia ka arritur me sukses të plotë. . .Mbështet dhe bën i jehonë raportit të Hoxhës. . .Problemi që shqyrton ky plenum, lufta kundër ndikimeve të ideologjisë së huaj borgjezo-revizioniste është me rëndësi shumë të madhe për thellimin e procesit të revolucionarizimit të gjithë jetës së partisë e të vendit, për vetë fatet e socializmit. Raporti që mbajti shoku Enver, të cilin unë e aprovoj plotësisht, është një dokument programatik, me përgjithësime të rëndësishme teorike. Në të jo vetëm u bëhet një kritikë e plotë marksiste-leniniste ndikimeve të huaja liberalo-borgjeze e shfaqjeve të tyre në fusha të ndryshme të jetës e veprimtarisë sonë, por tregohen edhe rrugët e luftës në mënyrë që këto apo të tjera shfaqje të huaja të mos gjejnë kurrë terren për t’u gjallëruar e përhapur.Në raportin e shokut Enver analizohen thellë si faktorët objektivë, ashtu edhe dobësitë e të metat subjektive, që kanë kushtëzuar shfaqjen te ne të liberalizmit dhe të ndikimeve borgjezo-revizioniste. Duke folur për faktorët subjektivë, në raport një kritikë e fortë i bëhet punës së partisë, veçanërisht punës së saj edukative e propagandistike. . . Bën analizën e gabimeve të tij. . . Në raport konkretisht ka kritika edhe për punën e aparatit të propagandës të KQ, të cilin e drejtoj unë. Dua që në fillim të diskutimit tim të ndalem në këtë çështje.Si e gjithë partia e çdo komunist, edhe unë e shokët e mi të sektorëve ideologjikë të aparatit të KQ, kemi bërë analizën kritike të punës sonë. Ne kemi punuar me të gjitha forcat e me ndërgjegje, për të zbatuar drejt direktivat e mësimet e partisë e të shokut Enver në të gjitha drejtimet, në luftë si kundër konservatorizmit, ashtu edhe kundër liberalizmit. Por fakti që në disa fusha të ideologjisë e të kulturës, si në art e letërsi, në RTV, në rini, etj., u shfaqën ndikime të huaja, na ngarkon edhe ne me përgjegjësi. Del se ne nuk iu jemi kundërvënë me vendosmëri e në të gjitha rastet këtyre fenomeneve negative, se ndihma jonë për organizatat e partisë në luftën kundër ndikimeve të huaja ka qenë e dobët. Kjo tregon se në punën tonë ka pasur mjaft të meta, të cilat na kanë penguar në luftën për zbatimin si duhet të direktivave të partisë dhe për mbrojtjen e vijës së saj të drejtë.Këtu unë nuk do të flas për të gjitha dobësitë e punës së propagandës së partisë, të cilat dalin qartë në raportin që mbajti shoku Enver, por në mënyrë të veçantë dua të ndalem në shkaqet, pse ne shokët e aparatit të propagandës së KQ në disa raste nuk kemi reaguar me forcë ndaj përhapjes së ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste, pse nuk e kemi kryer si duhet detyrën tonë në luftën kundër shfaqjeve të liberalizmit e gjithë këtyre fenomeneve negative.Ne kemi arritur në konkluzionin se dy janë burimet kryesore. Burimi i parë është i karakterit ideologjik, ndërsa i dyti lidhet me stilin e metodën e punës. Më konkretisht.Ne e kemi pasur dhe e kemi të qartë vijën e Partisë për luftën kundër revizionizmit e ideologjisë borgjeze. Dhe në drejtim të luftës për demaskimin e tyre, sidomos në lëmin teorik e politik, në përgjithësi, kemi vepruar drejt e aktivisht, kemi zbatuar mirë direktivat e partisë e mësimet e shokut Enver. Por si ndodhi që në luftën kundër disa ndikimeve konkrete borgjezo-revizioniste, që po shfaqeshin tek ne, nuk kemi qenë aq të prerë e sulmues? Përgjigjja, sipas mendimit tonë, është se unë e shokët e mi, siç thuhet me të drejtë në raport, i jemi nënshtruar në disa raste presioneve e teorizimeve liberale. Prandaj në ndonjë rast ne kemi toleruar, disa shfaqje të huaja i quanim kalimtare, ndonjë që ishte më flagrante, sidomos në lëmin e arteve e të kulturës, megjithëse e kemi dënuar e nuk jemi pajtuar me të, e kemi parë si lajthitje e si fenomen të izoluar. Eshtë pikërisht kjo, mendoj unë, që na ka penguar t’i lidhnim këto fenomene me një të tërë, të shihnim tek ato hallkat e një zinxhiri të vetëm, të depërtimit të ndikimeve borgjezo-revizioniste. Kjo na ka penguar edhe që të zhvillonim luftën kundër shfaqjeve e ndikimeve të huaja më me forcë e më në thellësi. Ky është burimi i parë. . .Ramiz Alia gjen shkaqet e të metave dhe merr angazhimetNe mbajmë përgjegjësi që nuk kontrolluam në kohë përgatitjet e Festivalit XI të këngës në RTV, ashtu siç lidhet me dobësitë e kontrollit e të ndikimit tonë fakti që tek ne janë botuar ose ekspozuar vepra me përmbajtje të huaj, etj.Të metat në metodën e punës na kanë penguar që të zbulonim e të shihnim me kohë e në tërë gjerësinë e tyre shfaqjet e ndikimet e huaja, na kanë penguar të nxirrnim konkluzionet e nevojshme dhe të ndihmonim organizatat e partisë për t’i goditur e eliminuar qysh në lindje këto fenomene.Duke qenë të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që kemi, unë dhe shokët e aparatit të propagandës së KQ kemi nxjerrë mësimet e nevojshme dhe po marrim masa që të përmirësojmë punën tonë. Unë e siguroj plenumin e KQ se në të ardhmen do të jemi më vigjilentë e do të luftojmë më mirë për zbatimin korrekt të vijës së partisë e të mësimeve të shokut Enver. Luftën kundër ideologjisë së huaj, kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste, kundër liberalizmit e konservatorizmit do ta kemi gjithnjë në ballë të detyrave, sepse ato përbëjnë një rrezik kërcënues për fatet e revolucionit e të diktaturës së proletariatit...
Mjetet e propagandës së Partisë së Punës
Ramiz Alia, para plenumit të katërt, për herë të parë ka deklaruar të gjitha mjetet dhe mundësitë me të cilat Partia e Punës, e drejtuar nga Hoxha, bënte propagandën e vet publike “…Ajo që desha të theksoj është nevoja e formimit të një koncepti më të drejtë e më të gjerë për vetë punën edukative. Edukimi nuk bëhet vetëm me mbledhje, me biseda e konferenca. Sot partia dhe shteti na kanë vënë në dispozicion mjete të shumta e të fuqishme. Në Shqipëri tani botohen 57 organe shtypi, nga të cilat 24 gazeta e 33 revista e buletine me karakter politik, kulturor, letrar, shkencor, ekonomik etj. Vetëm tirazhi i gazetave qendrore e lokale të përditshme e periodike është afro 180.000 copë në ditë. Gjatë vitit 1972, entet tona botuese kanë botuar 460 tituj librash me një tirazh të përgjithshëm mbi 3 milion e gjysmë kopje. Ne kemi sot mbi 260.000 radio dhe 21 mijë televizorë, numri i të cilëve rritet vazhdimisht. Për çdo 620 banorë kemi një institucion kultural, pa përmendur këtu atë rrjet të dendur shkollash që ka mbushur tërë vendin. Por sa i shfrytëzojmë ne këto mjete? Në krahasim me numrin dhe mundësinë që ofrojnë ato, duhet thënë se i shfrytëzojmë pak”.
neser do te lexoni
Vijon diskutimi i Ramiz Alisë në plenumin e katërt. Të gjitha akuzat e tij që rënduan para Enver Hoxhës, Fadil Paçramin
Cilat janë në të vërtetë deklaratat e Ramizit në akuzat që ai ngriti në atë plenum për mikun e tij të hershëm, Todi Lubonjën
Interpretimet e Alisë para plenumit, nëpërmjet të cilave duke hedhur fajin mbi Paçramin dhe Lubonjën ai mundohej të justifikonte veten
<< Home