e premte, nëntor 18, 2005

Si e helmuan Ismail Qemalin




Historia e vdekjes tragjike të kryeministrit të parë

Si e helmuan në Peruxha të Italisë Ismail Qemalin


Fatos Veliu
Ka qenë ora 10:20 minuta e datës 24 janar të 1919-ës, kur Ismail Qemali donte vetëm tre ditë të mbushte plot 75 vjeç, doli para gazetarëve në një konferencë për shtyp të organizuar në një sallon hoteli në Peruxha.
Hyrja e tij në sallën e mbushur me mbi 100 gazetarë dhe fotoreporterë i befasoi të gjithë të pranishmit që kishin mbi dy orë që prisnin diplomatin e njohur të Shqipërisë. Ndërsa ecte për t’u ulur në tavolinën në krye të sallës, në fytyrë i fashitet një çehre e verdhë që sa vinte e i shtohej. Nuk kaluan shumë minuta dhe disa të dridhura i mbërthyen trupin. Askush nuk po pipëtinte, vetëm plaku mjekërbardhë, që megjithë gjendjen që po kalonte, gjeti forca për të folur. Nga goja i dolën vetëm pak fjalë dhe dukej qartë që ai po mundohej t’i lidhte me njëra-tjetrën. Në atë çast kërkoi ndihmë nga i biri Qamili, të cilin e mbante pranë vetes si sekretar. I kërkon që të shkojë në tualet. I biri, duke e kapur për krahu, u kërkoi të falur gazetarëve të pranishëm dhe mori hapat drejt derës së tualetit. Aty mësohet se sa vuri këmbën për t’u drejtuar te lavamani filloi të shkumëzonte dhe të dridhej më shumë. Ajo gjendje nuk zgjati shumë. Në pak çaste zemra e tij pushoi së rrahuri. I biri del para gazetarëve ku u komunikon lajmin se i ati, të cilin para pak çastesh e kishin në tavolinën përballë, tashmë nuk jetonte më. Ajo situatë ishte e rëndë për të gjithë. Aty dhimbja njerëzore i kaloi kufijtë. Situatat që Ismail Qemali kishte kaluar ato ditë në Peruxha të Italisë i kishin shkaktuar një gjendje të rëndë psikologjike dhe fizike. Edhe pse në atë gjendje, ai nuk kishte ngurruar të dilte para shtypit. Ai donte të denonconte krerët e diplomacisë italiane, në atë kohë kur në Paris diskutohej fati i Shqipërisë dhe ata kishin mundur ta hanin në besë. Megjithatë, për çudinë e tij, ajo konferencë ishte organizuar nga të tjerët. Nuk u mësua asnjëherë se kush i kishte thirrur gazetarët. Plakut 75-vjeçar i kishin thënë se media kishte interes të dëgjonte nga ai se përse në ato momente nuk ndodhej në Konferencën e Paqes në Paris. E këshilluan që të hante mirë pasi në atë konferencë shtypi do t’i duhej të fliste gjatë. Pikërisht pas ushqimit nuk vonoi shumë, ai doli në sallën e takimit dhe në atë moment jeta e tij filloi të shuhej. Këto janë momentet e fundit të jetës së njeriut që është njohur historikisht si kryeministri i parë i shtetit shqiptar. Ndërkohë që opinioni është njohur me shumë hollësi dhe detaje të jetës diplomatike të plakut të mençur, mund të jenë shumë pak ata që i njohin momentet kur ai ka mbyllur sytë. Pikërisht për ato çaste redaksia e gazetës “Panorama”, duke hulumtuar në shumë dokumente dhe dorëshkrime të dosjes së Ismail Qemalit në A.Q.SH. dhe duke u mbështetur në dëshmitë gojore të njohësve kopetentë, ka arritur të zbardhë historinë kur plaku diplomat mbylli sytë. Një dëshmi të plotë për gazetën ka qenë edhe ajo ish-komandantit të Aviacionit Shqiptar Edip Ohrit dhe e ish-komandantit të Nëndetëseve të Pashalimanit, Dashamir Ohrit, i cili është edhe vëllai i Edipit. Këta dy vëllezër djalin e Ismail Qemalit, Qazimin, e kanë pasur njerkun e tyre.
Ismail Qemali pritet nE besE nga kryeministri italian“Më hëngrën në besë!” bërtiti Ismail Qemali sapo zbriti në Peruxha të Italisë. Ai ishte nisur për një vizitë urgjente në Romë, me ftesë të autoriteteve më të larta të vendit, nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm. Kjo kishte ndodhur pas një kërkese këmbëngulëse të tij, nëpërmjet një telegrami të nisur për këtë qëllim. Synimi i diplomatit shqiptar ishte që të ndihmohej nga përfaqësuesit e Italisë, të cilët do të ndërhynin pranë autoriteteve më të larta të Konferencës së Paqes që mbahej në Paris, për të mundësuar që delegacioni shqiptar të shtohej edhe me tre përfaqësues të tjerë. Ndërsa Ismail Qemali kishte marrë përgjigje se kryeministri italian i asaj kohe, Orlando dhe ministri i Jashtëm, Sonino e prisnin në Romë, ai pa humbur kohë u nis për të realizuar takimin e kërkuar nga i cili shpresonte të dilte me rezultate pozitive në favor të Shqipërisë. Por befasisht dhe çuditërisht diplomati 75-vjeçar nga Shqipëria u përball sapo zbriti në Peruxha me përgjigje negative; kryeministri dhe ministri i Jashtëm kishin shkuar në Konferencën e Parisit për të cilin interesohej edhe Ismail Qemali. Kjo do të thoshte që ai jo vetëm se nuk do të ndihmohej edhe me tre delegatë të tjerë, por madje as ai vetë nuk do të merrte pjesë në të.Diplomati shqiptar u bind menjëherë se bëhej fjalë për një dredhi të pastër politike pikërisht nga ata që ai i kishte konsideruar miq të vendit të tij, por që tashmë kishin marrë iniciativën për ta izoluar. Tronditja që pësoi pas marrjes së lajmit të papritur, se ishte mashtruar që ishte thirrur në Itali, ishte e papërballueshme për moshën e tij 75-vjeçare, prandaj edhe klithma e tij “Më hëngrën në besë!” doli shpërthyeshëm me dhimbje.Si nisi historia tragjikeIshte janari i vitit 1919.Atë muaj në Paris do të zhvillonte punimet Konferenca e Paqes, e cila fatkeqësisht do të hynte fuqishëm dhe dhimbshëm në historinë e mëvonshme të Shqipërisë. Aty do të vendosej edhe fati i saj.
***“Sot është dita vendimtare për Shqipërinë”, shkruante Ismail Qemali në fillim të atij muaji. “Do të ngjallemi ose do të vdesim”. Nën zjarrminë e një patriotizmi të jashtëzakonshëm që i kishte mbërthyer qenien, kishte kohë që luftonte me të gjitha mundësitë dhe format për të ndikuar mbi konkluzionet e konferencës për të cilat ai ishte i interesuar që të ishin sa më afër interesave të bashkëkombasve dhe atdheut të tij. Për të arritur këtë qëllim ai zgjodhi partnerin kryesor diplomatik, Italinë, e cila duhej të mundësonte që me delegacionin shqiptar në konferencë të shkonin së paku edhe tre apo gjashtë delegatë më shumë. Këta delegatë do të ishin nga trojet shqiptare të cilët do të bashkoheshin me ata që vinin nga Amerika.“Sikur të kisha të holla,- vazhdon më tej në ditarin e tij të atyre ditëve Ismail Qemali, - do të isha hedhur deri në Amerikë për një marrëveshje të plotë me gjithë atdhetarët e atjeshëm. Por në marrëveshje me qeverinë italiane e quaj të nevojshme të shkoj në Romë. Prej andej mund të bëj një marrëveshje me gjithë shqiptarët e Shqipërisë për të vendosur një aksion kombëtar në një moment kaq kritik e të rrezikshëm, që të mund të përpilojmë programin përfundimtar. Nga Italia kërkoj të nxis nisjen nga Shqipëria veriore, qendrore dhe jugore të tre ose gjashtë delegatëve, në mënyrë që së bashku me delegatët që vijnë nga Amerika të shkojmë në Paris të gjithë së bashku për t’i propozuar konferencës kërkesat dhe të drejtat e Shqiptarëve”.Qemali i dErgon telegram kryeministrit OrlandoPër synimet që i kishte vënë vetes, diplomati shqiptar filloi menjëherë për të zbatuar në mënyrë konkrete të gjithë programin e paramenduar. Detyra e parë dhe më emergjente ishte takimi i menjëhershëm i tij me diplomacinë e Romës.Data 19 janar 1919. Kryeministri italian Orlando për pak ditë do të nisej drejt Parisit për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Ismail Qemali i dërgon një telegram urgjent, të shkruar në gjuhën frënge. Një kopje të asaj letre ia dërgoi edhe ministrit Sonino. Ja çfarë shkruhej në të:“Shkëlqesisë së tij Orlando, Kryetar i Këshillit të Ministrave Romë.Përveç ndjenjave të mia të admirimit personal me cilësinë e përfaqësuesit të idealeve shqiptare, realizimit të të cilave u kam kushtuar gjithë jetën time, ndjej detyrën t’i besoj shpresat e mia për lirinë e vendit tim në mbështetjen dhe në mbrojtjen e lartë të Italisë…… I lutem shkëlqesisë Tuaj t’i marrë në konsideratë serioze këto lutjet e mia duke më transmetuar telegrafisht urdhrat dhe udhëzimet tuaja”.
***Ajo promemorje e shkruar me aq urgjencë nga Ismail Qemali ka arritur në Romë pikërisht mbrëmjen e 18 janarit, ku nga dokumentet e sotme arkivore vërtetohet se është regjistruar më 19 janar. Pas kësaj korrespodence, Ismail Qemali ftohet nga ministri i Jashtëm në Romë, për të marrë pjesë në takimin e kërkuar nga vetë ai, ku do t’i ndodhte edhe tragjedia më e madhe; do t’i merrej jeta.Kur shkon nE Peruxha vendoset nE “izolim” Sa zbriti në Peruxha të Italisë, Ismail Qemali njoftohet se autoritetet italiane që e kishin ftuar ishin nisur për në Paris, duke mos e pritur atë sipas njoftimit që i kishin bërë. Ata kishin lënë njoftim që Ismail Qemali të priste deri sa ata të ktheheshin nga Konferenca e madhe e Paqes. Në këtë moment, ai kuptoi se flitej për një izolim të qëllimshëm që i qe bërë. Kjo mësohet nga rrëfimet e djemve të tij. Sapo mësoi lajmin për pabesinë, menjëherë i erdhi një goditje apopletike gjë që për moshën e tij ishte shumë e rëndë. Kanë qenë pikërisht ato momente që provokuan klithmën e tij të egërsuar dhe të papërmbajtur “Më hëngrën në besë!”. Situata në të cilën ishte vendosur Ismail Qemali bëri që ai jo vetëm të mos realizonte planin që t’i shtonte delegacionit shqiptar edhe tre apo gjashtë delegatë, por në një kohë që në Paris do të hidhej për diskutim edhe çështja e Shqipërisë, ai të mos merrte pjesë as vetë. Ky fakt për të do të thoshte vdekje e parapërgatitur. Gjithsesi, në kushtet që i ishin krijuar, ai u detyrua të vendosej në hotelin që i kishin rezervuar.Pa e kErkuar vetE, iu organizua njE konferencE shtypi me gazetarEtPavarësisht se diplomati shqiptar nuk mundi të shkonte në Paris, loja e parapërgatitur mbi të do të ndiqej deri në fund. Në një nga ato ditë, kur gjithë qenien e tij e kishte pushtuar tensioni dhe ankthi, më 24 janar, pikërisht 3 ditë para datës 27 kur ai mbushte plot 75 vjeç, në Paris vazhdonte me intensitet punimet Konferenca e madhe Ndërkombëtare me pjesëmarrjen e shumë shteteve, kur shtetet e mëdha vendosnin fatet e shteteve të vogla, Isamil Qemalit iu provokua një konferencë shtypi. Ajo iu servir si dëshirë e gazetarëve për të dëgjuar prononcimet e tij. Ajo konferencë, pavarësisht se nuk ishte kërkuar nga vetë ai, dukej se ishte edhe në dëshirën e tij, sepse ishte momenti që më shumë se kurrë ai donte të denonconte mashtruesit dhe izoluesit e tij.Vdes para gazetarEvePak kohë para se të fillonte konferenca e shtypit, Ismail Qemalit iu servir fillimisht buka, me pretekstin se duhet të hante para konferencës. Pasi hëngri, ai hyri në sallën e rekomanduar, ku e prisnin dhjetëra gazetarë e fotoreporterë të ndryshëm. Sipas rrëfimeve që djali i Ismail Qemalit, Ethemi, i ka bërë më vonë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ali Asllanit, mësohet se sapo hyri në sallë Qemalit i kaloi një çehre e verdhë në fytyrë. Nuk vonoi shumë, ai u ul në tavolinë dhe befasisht në trup i kaloi një valë rrëqethjeje. Ndërsa nisi të belbëzojë me vështirësi, filloi të dridhej dhe ndërkohë u konstatua se nuk mundte t’i lidhte dot fjalët. Pas kësaj situate, ai arriti të kërkonte ta shoqëronin për në banjë. Kur arriti aty, e mbyti shkuma që nxirrte nga goja dhe të vjellët. Në pak çaste pulsi i tij pushoi së rrahuri. Në këto momente gazetarëve të mbledhur për konferencën e shtypit në atë sallë iu komunikua fakti që Ismail Qemali, i cili pak çaste më parë kishte qenë para tyre, nuk jetonte më.ItalianEt kerkuan te balsamosnin diplomatin shqiptarPeripeci të tjera ishin planifikuar për trupin e pajetë të diplomatit të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, Ismail Qemali. Pas vdekjes së tij, çuditërisht në mbarë kancelaritë diplomatike të botës pati një sensibilizim të veçantë. Për vetë jehonën e madhe që pati vdekja e tij, pala italiane me justifikimin që ai kishte vdekur në vendin e tyre, donte t’i bënte “nderimet” që meritonte një diplomat i atij rangu. Ata vendosën që trupin e tij ta balsamosnin. Ajo kërkesë dhe ai interesim i palës italiane bëri që trupi pa jetë i Ismail Qemalit të qëndronte plot dy javë në Peruxha, ku ai kishte mbyllur sytë. 12 shkurt 1919 trupi pa jetë i Qemalit mbErrin nE VlorEMe gjithë përpjekjet e palës italiane dhe shumë peripeci të tjera që dolën pas vdekjes së Ismail Qemalit, djemtë e tij nuk reshtën së u përpjekuri që babanë e tyre ta sillnin në Vlorë, e cila e priste me padurim për ta varrosur në lartësinë madhështore të Kaninës. Vdekja e tij në atë kohë kishte tronditur mbarë kombin dhe grupe të shumta shqiptarësh, të ardhur nga të gjitha trevat, po përqendroheshin në Vlorë për t’i bërë nderimet e merituara diplomatit të famshëm. Së fundmi gjithçka u bë realitet. Ishte pikërisht data 12 shkurt i vitit 1919, kur trupi pa jetë i Ismail Qemalit, i shoqëruar nga tre djemtë e tij, Ethemi, Qazimi dhe Qamili, si dhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme italiane mbërriti në portin e vogël të Vlorës. Ai ishte transportuar fillimisht me tren dhe së fundmi me anijen e posaçme italiane. Sipas bashkëkohësve të atyre momenteve, siç ishin vetë djali i Ismail Qemalit, Qazimi apo edhe mikut të tij, Safet bej Vlorës bëhet e ditur se hyrja e arkivolit në Vlorë ka qenë tepër emocionuese. Të qarat e njerëzve dhe shkrepjet e armëve shkaktuan një gjendje emocionale të papërshkrueshme. Gjithë rrugët, kodrat dhe çdo gjë nxinte nga pjesëmarrja e jashtëzakonshme në atë varrim, i cili, ashtu siç ishte menduar në atë kohë u bë pikërisht në lartësitë dominante të Kaninës.Konkretisht për ato momente, në shënimet e Safet bej Vlorës, të gjendura në dosjen e posaçme të Ismail Qemalit në Arkivin Qendror të Shtetit shkruhet: “Nëse e matim madhështinë e një personazhi politik me dashurinë e popullit të thjeshtë, duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Gjatë ceremonisë së varrimit të tij, asnjë fshatar dhe asnjë qytetar nuk mbeti në shtëpi. Të gjitha faqet e maleve dhe të brigjeve gjatë rrugës së kortezhit funeral ishin plot me njerëz. Qe një apotezë madhështore e mbarë popullit, pa përjashtim, ndaj një tribuni që i shërbeu vendit të tij deri në frymën e fundit”.

NgjarjaHistoria e fundit e jetës së Ismail Qemalit
Ishte janari i vitit 1919. Diplomati i shquar shqiptar, Ismail Qemali atë muaj mbushte plot 75 vjeç. Në atë periudhë ai kishte angazhimin më të madh diplomatik që mund të kishte pasur ndonjëherë në vitet e tij të fundit. Pikërisht në Paris, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumë vendeve të botës zhvillonte punimet konferenca e madhe ndërkombëtare e njohur si “Konferenca e Paqes”. Në atë konferencë me fuqi vendimmarrëse, do të diskutohej edhe çështja e Shqipërisë. Kjo do të thoshte që plakut të pavarësisë i duhej të ndërmerrte një angazhim të jashtëzakonshëm, që për moshën e tij do të thoshte mundim dhe sfilitje. Objekt kryesor i tij ishte lëvizja diplomatike dhe përpjekja për punimet e Parisit. Për këtë gjë i duhej patjetër që së bashku me delegacionin shqiptar të shtonte edhe tre delegatë. Ata delegate, sipas tij, i nevojiteshin që të bënte më të favorshëm dhe më prezent problemin e Shqipërisë. Për këtë qëllim vendosi të kërkojë ndihmë te fqinji perëndimor i vendit të tij, Italia, e cila për hir të së vërtetës, deri në atë periudhë, kishte qenë aleate e rregullt në mbështetje të çështjeve diplomatike që kishin të bënin me Shqipërinë. Në bazë të planit të studiuar mirë dhe për të realizuar qëllimin e tij, Ismail Qemali, pikërisht në 15 janar të atij viti (1919), i dërgoi një telegram urgjent kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Italisë. Me anë të atij telegrami ai u kërkoi autoriteteve italiane një takim të menjëhershëm duke i parashtruar edhe temën që do të bisedonte. Nuk vonoi shumë dhe nga brigjet e Italisë u kthye menjëherë përgjigjja. Autoritetet e larta të atij vendi i shkruanin se ishin dakord për takimin e kërkuar dhe se ishin të predispozuar për të kontribuar në ndihmën diplomatike që kërkonte ai si diplomat historik i Shqipërisë. Ismail bej Qemalin e prisnin në Romë. Pas kësaj, ai niset për në Itali. Por s’ishte e thënë që ajo iniciativë e Ismail Qemalit të përfundonte ashtu si u nis. Sapo zbriti në Peruxha u njoftua se kryeministri dhe ministri i Jashtëm, të cilët i kishin bërë ftesën, nuk ndodheshin brenda vendit, por ishin nisur për në Konferencën e Parisit. Dhimbja e shkaktuar nga ai lajm qe e papërballueshme për moshën e tij 75-vjeçare. Pak ditë më pas, pikërisht më 24 janar 1919, kur ai donte edhe tre ditë të mbushte 75 vjeç, ndërsa rrinte me djemtë e tij në një nga hotelet e Peruxhas, pikërisht në një konferencë për shtyp, ai del para gazetarëve të grumbulluar në hollin e hotelit. Nuk kaloi shumë, kur papritmas i fillojnë tronditja trupore dhe shkumëzimi. Largohet menjëherë nga holli, por nuk zgjat shumë; gjen vdekjen e menjëherëshme. Pas dy javësh peripeci, djemtë e tij arritën ta sjellin trupin e pajetë më 10 shkurt në Vlorë. Dy ditë më vonë, në orën 10:00 të 12 shkurtit 1919 u bë varrimi i jashtëzakonshëm i diplomatit, emri i të cilit do të vendosej në themelet e shtetit shqiptar.