e shtunë, nëntor 12, 2005

Vazhdim i intervistes nga dita e djeshme me Hekuran Isai - ish byroist i nomenklatures komuniste




Intervista

Ish-ministri tregon për masat ekstreme të shtetit komunist

Isai:
Kështu i internonim familjet e pabindura


Fatos Veliu
Njeriu i plotfuqishëm i Shqipërisë komuniste, Hekuran Isai, i cili përjetoi drejtimin e dikasterit më të fuqishëm të shtetit, pikërisht në momentet më kritike, kur Shqipëria po kalonte nga sistemi totalitar në atë demokratik, del para publikut të gjerë me një cikël intervistash, ku tregon detajet më të panjohura të drejtimit dhe të funksionimit të shtetit monopartiak.
Në këtë mënyrë lexuesi shqiptar dëgjon për herë të parë nga goja e njeriut të lartë të piramidës së djeshme të gjithë historinë e tij. Kuriozitetet dhe ngjarjet e asaj kohe, kur ai, ndërsa kryente veprimtarinë e përditshme, mori rrugën e karrierës dhe ku në mënyrë të menjëhershme u ngjit në postet më të lakmuara të shtetit. Njohjet me Enver Hoxhën dhe atributet që iu faturuan nga vetë ai deri në atë masë që, ndryshe nga kolegët e tjerë të së njëjtës nomenklaturë ai kishte mundësinë të hynte në zyrën e Enverit pa kërkuar leje nga personeli i kabinetit. Më tej rrëfimi historik i Hekuran Isait vijon rreth ngjarjeve që hedhin dritë mbi të vërtetat, rreth atyre çka ndodhnin në burgjet komuniste. Në çfarë mase ishte ushtruar tortura mbi të ndaluarit dhe cila ishte praktika e trashëguar nga paraardhësit e Isait, të cilët së fundmi kishin përfunduar të gjithë në pushkatim si dhe shumë detaje të tjera me karakter jo vetëm historik, por edhe dokumental. Ndërkohë, në numrin e sotëm, që është edhe i fundit i këtij cikli, ish-ministri i Punëve të Brendshme të 10-vjeçarit të fundit të Shqipërisë komuniste, i cili tashmë sapo ka mbushur të 70 vitet, tregon për ngjarjet më të përfolura, siç ishin dënimet e internim-dëbimeve, të cilat kanë dhunuar në mënyrën më brutale të drejtat e shtetasve të Shqipërisë. Si merreshin vendimet për internim-dëbimet dhe kush ishin ata që propozonin masat ekstreme të këtij lloji. Si funksiononte ligji i famshëm që detyronte jo vetëm familje, por edhe fise të tëra të izoloheshin në zonat më të errëta të Shqipërisë. A është e vërtetë se ka pasur kontestime për këtë dhe çfarë masash janë marrë. Si ka ndodhur ngjarja e Vermoshit, kur vetëm për një urdhër të tillë është irrituar i gjithë fshati kur ndryshe nga praktikat e asaj kohe, ata arritën të guxonin të protestonin në hierarkinë më të lartë të shtetit. Zoti Hekuran, tashmë është i njohur fakti se në periudhën komuniste, ku ju mbanit postin më kyç të qeverisë, një ndër masat që merreshin si ndëshkim ndaj elementëve të pabindur apo fajtorë ishte internimi jo vetëm i personit, por edhe i familjes apo edhe gjithë fisit. Me sa mbaj mend, për një veprim të tillë është ngritur edhe akuza ndaj jush në kohën që u morët i pandehur pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri. Mund të na thoni mendimin tuaj në lidhje me atë fenomen të çuditshëm që ka ndodhur në atë kohë, duke bërë që të shtonte ndjeshëm vuajtjet e dhjetëra njerëzve, nëse ka qenë ashtu siç pretendohet nga mbarë opinioni apo ka edhe detaje të panjohura?Për cilat familje po flet, për ato që i kemi marrë nga “Kalaja e Dodës”, apo ndonjë vend tjetër i tillë dhe i kemi sjellë në Myzeqe? Atyre po, u kemi bërë keq, se tani janë bërë pronarë tokash dhe unë me të vërtetë kam pritur të më falënderojnë. Bëj shaka, se nuk duhet të luhet me fatin dhe jetën e tjetrit, por duhet të dini një gjë që, ne pavarësisht nga detyrat që kishim, ishim të gjithë të nënshtruar ndaj një sistemi, që do të luanim absolutisht sipas valles së tij. E vërteta është se fenomeni i internim-dëbimeve ka qenë shumë i ekzagjeruar në Shqipëri, madje mund të them se ka qenë masa e menjëhershme që propozonin autoritetet lokale të vendit ndaj kujtdo që mund të cenonte sadopak normat e partisë dhe të shtetit. Ai ishte një fenomen, mbi të cilin jo vetëm Shqipëria, por edhe shumë vende komuniste e kishin tepër të ekzagjeruar. Në lidhje me atë që kërkoni ju, po ju përgjigjem se, në atë kohë nuk kishte të bënte fare mendimi personal sepse ishte një formë që funksiononte si primar i ndëshkimeve të atij sistemi. Në këtë kontekst, unë natyrisht nuk kisha forcën as ta frenoja, por as ta përshpejtoja, sepse për vetë mënyrën se si organizoheshin internimet e familjeve, duke filluar që nga ata që propozonin tek ata që firmosnin e më së fundmi deri te ministria, që drejtoja e cila bënte rakordimin. Kështu për shembull, në qoftë se unë do të ndikoja që të përjashtohej nga internimi një familje apo një tjetër, ju garantoj që kjo nuk do të ndodhte në shumë raste se pas kësaj do të shikohej puna ime. Megjithatë kur ti të kishe shpëtuar një apo dy prej tyre, siç të thashë pak më parë, në vazhdim do të vinin listat njëra pas tjetrës, siç ndodhte shpesh se e tillë ishte procedura dhe në ato lista konfirmoheshin familje të tjera që do të internoheshin. Pra, masa ndëshkimore për internim-dëbim ishte një masë që merrej në sistem nga një komision i tërë, kështu që kishte pak gjasa njëri apo tjetri individ, çfarëdo detyre që të kishte, që të mund t’i vinte fre apo të kishte mundësi të konstatonte abuzimet në zbatim të ligjit. Këtë duhet ta kuptoni se, nuk e them për të lehtësuar veten, por për t’ju treguar se si funksiononin organizmat e atij sistemi në raste ndëshkimesh të natyrës që më pyesni ju. Pra, si përfundim, në lidhje me atë që është folur shumë, përgjigja ime më duket se ju bindi për faktin se gjithçka bëhej jo nga një e dy njerëz, por nga një komision i posaçëm shtetëror. Ne sigurisht kemi pasur rolin tonë. Unë, në shumë raste mund të them se keqinformoheshim nga baza. Këtu nuk dua të shfajësohem, por që duhet të themi të vërtetën, ashtu siç është, pa as më të voglin ndryshim.Mund të na përmendni ndonjë shembull?Shembuj të asaj situate kam jo një, por me dhjetëra, duke filluar që nga rastet kur kemi konstatuar masa ekstreme të pamerituara e deri tek ato kur vetë komuniteti i zonës ku kanë banuar 5 familjet që janë ndëshkuar me internim, ka kërkuar zyrtarisht për të anuluar vendimin e marrë, pavarësisht se për të kishin firmosur autoritete më të larta të shtetit. Konkretisht unë mund t’ju tregoj për një rast që na ka ndodhur në Vermosh. Ka qenë viti 1968. Nga autoritetet lokale na kishte ardhur propozimi për të internuar 5 familje. Madje, na ishte thënë që kjo gjë pritet mirë nga i gjithë fshati, pasi ato familje ishin pretendentë për të ikur jashtë shtetit. E vërteta ishte se ato pesë familje jetonin jashtë kufirit, në zonën e Klonit. Kështu që ne nuk na mbeti gjë tjetër veçse të bënim fakt të kryer propozimin e dërguar, ku pas kësaj të pesë familjet për pak ditë e panë veten në karroceritë e makinave dhe përfunduan në Lushnjë.Kush ua bënte propozimin?Gjithmonë propozimet për internim–dëbimet bëheshin nga dega e Brendshme me Komitetin e Partisë së rrethit, nën drejtimin e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës. Mirëpo, kishte edhe raste të tilla që pavarësisht se propozimi bëhej nga të tre ato institucione që për kohën ishin më të rëndësishmet, sërish ndodhte mospërputhja me ligjshmërinë dhe krijohej përplasja. Konkretisht në lidhje me 5 familjet që internuam në Lushnjë çfarë kishte ndodhur në të vërtetë?! Fshati ku ato banonin, jo vetëm që nuk e kishte përkrahur vendimin tonë, por ishte revoltuar si në rrallë raste të asaj kohe. Jo vetëm kaq, por të gjithë ndienin keqardhje për atë që po u ndodhte bashkëfshatarëve të tyre derisa ishin solidarizuar totalisht dhe ndërkohë kishin dërguar letra ankese në të gjitha instancat e larta të shtetit. Pas kësaj për t’u lehtësuar dhimbjen familjeve që ishin duke u ndëshkuar i gjithë fshati po mblidhte bagëti nga çdo shtëpi për t’ua dërguar në Lushnjë për të ushqyer kalamajtë e tyre.A donte t’ia dinte shteti komunist për solidarizim të asaj natyre?Pavarësisht se shteti i djeshëm komunist ishte i fuqishëm që shkelte me çizme të hekurt, çdo lloj liberalizmi, sidomos i karakterit politik, kishte sensibilizim publik nga komuniteti ndaj një mase ndëshkimore, pra nuk pritej mirë nga komuniteti. Ajo konsiderohej si ngjarje e jashtëzakonshme dhe pas kësaj hidheshin në veprim të gjitha strukturat e shtetit për të riparuar gabimin e bërë, pra me një fjalë bëhej interesim që urdhri i pamenduar mirë të kthehej mbrapa, duke bërë fajtor njërin apo tjetrin individ. Pra, dua të them që ai shtet aq sa ishte i fortë, aq ishte edhe i ndjeshëm ndaj reagimit të masës, me qëllim që të mos krijohej pakënaqësi. Madje edhe atje ku kishte ndonjë kontestim të vogël, fillonin të lëviznin të gjitha mekanizmat e propagandës.
Konkretisht, çfarë bëtë ju në lidhje me ngjarjen e 5 familjeve të Vermoshit?Sa e morëm vesh atë që po ndodhte në Vermosh, arritëm në konkluzion të menjëhershëm se vendimi i marrë për atë internim kishte qenë shumë i gabuar dhe se nuk ngelej gjë tjetër veçse të riparohej gjendja e krijuar. Për këtë duhej filluar nga komuniteti, i cili duhej të sqarohej me qëllim që të mos humbiste bindjen te Partia. Pastaj do të vinim te anulimi i urdhrit të dhënë. Por gjithsesi duhej të verifikohej gjendja konkrete në vend, dhe ajo nuk mund të bëhej nga askush dhe as nga ndonjë institucion, por nga udhëheqja më e lartë e shtetit.Në ç’rrugë e morët njoftimin?Për atë veprim na dërguan një letër nga fshati, ku më shumë se një letër mund ta konsiderohej një peticion. Të gjithë banorët që kishin nënshkruar atë letër kërkonin që të anulohej vendimi i internimit të bashkëfshatarëve të tyre, pasi ata nuk përbënin rrezik për shtetin dhe Partinë.Cili ishte shkaku i internimit?Na kishin thënë që kishin shfaqur shenja pakënaqësie ndaj shtetit dhe Partisë, dhe se kishte të dhëna që, meqenëse banonin në pjesën e klonit, mund të arratiseshin për në Jugosllavi. Mirëpo, këtë na e thanë organet tona të rrethit, por jo fshati. Çfarë bëtë ju si ministër i Punëve të Brendshme në lidhje me atë ankesë?Unë menjëherë shkova te Manush Myftiu, i cili ishte kryetar i Komisionit të Lartë Shtetëror për internim-dëbimet, pasi duhej të ishte vetëm ai që mund ta hiqte vendimin e marrë. Pasi i shpjeguam atë çfarë kishte ndodhur, duke i treguar edhe reagimin e fshatit, i cili ishte tepër i shqetësuar për fatin e bashkëfshatarëve të tyre, ai reagoi menjëherë. Për këtë mblodhi urgjentisht komisionin shtetëror, i cili kishte atributet për të anuluar vendimin e marrë. Kështu që, pas atij sensibilizimi u rregullua menjëherë ajo që ishte shkelur në mënyrë të gabuar. Pra, ishte fshati ai që reagoi, se po të mos ishte bërë një solidarizim i tillë, nuk do të kishim mundësi edhe ne për të konstatuar shkeljet. Kështu që familjet do kishin qenë të detyruara që të përjetonin tensionin dhe sakrificat, që do t’ia impononin rregullat e internimit, pavarësisht se në kohën e demokracisë do të kishin dalë të fituar se do të ndodheshin në zonën e Lushnjës dhe do të përfitonin tokë dhe banesë. Besoj se sot ato familje do të kërkonin të vinin në Shqipërinë e mesme (duke qeshur me të madhe dhe duke theksuar se e ka me shaka). Në lidhje me sa ju sqarova duhet të jemi të ndërgjegjshëm se si familjet e Vermoshit që u morën në qafë kot mund të ketë pasur edhe shumë të tjera, për të cilat as që është kujtuar njeri për të kërkuar të drejtën e tyre.Shkuat në fshatin ku kishte ndodhur ngjarja?Patjetër që shkuam. Kam shkuar jo vetëm si ministër i Brendshëm, por edhe si Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, ku shoqërohesha nga Muho Asllani, i cili në atë kohë ishte Sekretar i Parë në Kukës, si dhe nga shumë shokë të tjerë. Mbaj mend që ka qenë kohë e keqe dhe jemi detyruar të shkojmë me helikopter. Sa arritëm në fshat, aty në lartësitë e Vermoshit, vendasit menjëherë na pritën me duartrokitje. U ulëm dhe biseduam gojarisht me ta duke i pyetur jo vetëm për problemin që kishim shkuar, por edhe për shumë shqetësime të tjera që ata mund të kishin. Të them të drejtën ata njerëz na kuptuan dhe na dëgjuan. Në fund ne u dhamë edhe sihariqin, se kishim anuluar urdhrin e dëbimit të bashkëfshatarëve të tyre, duke pranuar publikisht se kishim bërë gabim, por që rëndësi kishte që me ndihmën e përbashkët të të gjithëve, të dinim t’i riparonim. Mund të them se kjo gjë u prit me një gëzim të papërshkruar, gjë që më bëri të mendoja se me gabime të tilla duhej të bënim kujdes e të mos i përsërisnim. Kjo jo vetëm se do të merrnim në qafë njerëz të pafajshëm, por do të përkeqësonim edhe imazhin e Partisë.

gjakftohtesia e isait
Në lidhje me situatat e krijuara në momentet e rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës, ku Isai ka meritën e ruajtjes së gjakftohtësisë dhe përmbajtjes së forcave të majta ekstremiste ai tregon: Ishte pozicion i vështirë për ne kolegët dhe bashkëpunëtorët e Enver Hoxhës që e kishim parë, ndjerë dhe kishim marrë përgjegjësitë nga ai. Nuk dua të gënjej, e kisha një situatë të vështirë, por dhe ata njerëz që ishin në shesh ishin popull dhe duhej të jetonin se, nuk mund të bënim viktima për shkak të një pajisjeje bronzi.

© 2003 Gazeta Panorama