e premte, nëntor 11, 2005

Interviste me Hekuran Isai - ish byroist i nomenklatures komuniste




Ish-ministri komunist tregon detajet e panjohura

Hekuran Isai: Ju tregoj për torturat që bëheshin në qelitë tona


Fatos Veliu
Hekuran Isai është një nga autoritetet më të larta të nomenklaturës së shtetit komunist dhe një nga drejtuesit kryesorë të ish-Partisë së Punës. Ai ka qenë anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qëndror, duke u bërë në këtë mënyrë një nga njerëzit dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Enver Hoxhës.
Hekuran Isai është i vetmi ministër i Brendshëm i Shqipërisë komuniste që mundi të dalë i gjallë nga labirinthet e diktaturës, të cilës i shërbente, duke qenë kështu i vetmi ish-ministër i atij dikasteri që jeton. Dihet fakti që detyra e lartë dhe specifike iu besua pas pushkatimit që iu bë parardhësve të tij në atë dikaster, Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut. Pra, në vitin 1982. Emri i Hekuran Isait është i lidhur me dikasterin blu edhe me momentin më kritik që kalonte Shqipëria, kur në vitin 1992 po rrëzohej sistemi politik, klasa politike të cilën e kishin ngritur për 50 vjet me radhë. Pjesë përbërëse e kësaj klase ishte edhe ai vetë. Ai ishte në krye të këtij dikasteri në ato momente të nxehta të shtetit komunist, kur në sheshin “Skënderbej” 70,000 – 80,000 mijë forca kryengritëse rrëzuan monumentin e idhullit të komunizmit shqiptar dhe të vetë Hekuran Isait, monumentin e Enver Hoxhës. Rezultatet e asaj periudhe i kanë dhënë atij të drejtën që të njihet në opinion dhe në historinë e ndërrimit të sistemeve si njeriu që ka evituar gjakderdhjen dhe luftën civile në Shqipëri. Sot, kur i ka kaluar të 70 vitet e jetës, ai del para opinionit të gjerë, duke rrëfyer për periudhën e karrierës së tij të jashtëzakonshme në hierakinë më të lartë shtetërore. Situatat dhe peripecitë që e kanë shoqëruar gjatë punës, deri në majat më të larta të shtetit të kuq. Të fshehtat dhe peripecitë që e kanë shoqëruar atë në periudhën kur ka drejtuar dikasterin blu, në një kohë kur ishin pushkatuar nga diktatura të gjithë paraardhësit e tij në atë post. Në intervistat e kaluara, lexuesi ynë ka mësuar nga rrëfimet e 70-vjeçarit Isai për situatën në Shqipëri në vitin 1982, kur ai mori detyrën specifike për të drejtuar dikasterin më të rëndësishëm të shtetit të diktaturës. Pse pikërisht Enver Hoxha zgjodhi Hekuran Isain në atë post? Çfarë mendoi ai kur u ul për herë të parë në kolltukun e ministrit, kur i ishin pushkatuar të gjithë paraardhësit? Situata e vështirë që ndeshi që në ditët e para të punës, kur vërejti abuzimin që bëhej me njerëzit për shkak të papërgjegjshmërisë së bashkëpunëtorëve. Konstatimi i disa rasteve nga vetë Isai, kur bashkëpunëtorët kishin bërë viktima jo pak njerëz të pafajshëm për shkak të informacioneve të rreme. Masat që mori Hekuran Isai kur dha urdhrin për të mbikëqyrur vetë bashkëpunëtorët. Në intervistën e sotme mësohet për torturat që bëheshin me të ndaluarit në burgjet e atëhershme komuniste dhe masat e marra nga Isai për të minimizuar atë situatë ekstreme që ishte trashëguar prej kohësh në Ministrinë e Brendshme. Çfarë i ndodhi drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve dhe ekzemplarit të veçantë të torturuesve, Nevzat Haznedarit, si dhe shumë episode të tjera gjatë atyre ditëve të pashlyeshme nga mendjet e shqiptarëve. Këto do t’i lexoni pikërisht në intervistën e mëposhtme të Hekuran Isait që tashmë i ka kaluar të 70 vjetët.Zoti Isai, Ministria e Rendit është akuzuar në të gjitha kohërat për torturat çnjerëzore që kanë arritur të ushtrojnë strukturat e saj mbi njerëz të pafajshëm. Ç’mendim keni për këtë gjë?Nuk mund të them se s’ka pasur tortura në qelitë e të paradënuarve apo dhe të dënuarve. Aq më shumë kur flitet për individët që kanë qenë në procesin e hetimit. Kemi parasysh se kur shkova në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka qenë viti 1982. Në atë kohë, ministria kishte një infrastrukturë të ngritur prej 50 vjetësh dhe një praktikë të konsoliduar në mënyrë të hekurt. Kjo bënte atë që, jo gjithçka që ndodhte brenda qelive apo edhe jashtë tyre në lidhje me njerëzit e arrestuar dhe ata që ishin vënë në survejim, merrej vesh nga ministri. Megjithatë, siç edhe ju tregova në numrin e parë, kam shkuar në ministri pikërisht për ta çrrënjosur atë nga praktikat e vjetra të funksionimit dhe për t’i dhënë asaj një frymë disi më liberale dhe jashtë ekstremizmave që merrnin në qafë shumë njerëz të pafajshëm. Personalisht, interesohesha vazhdimisht për t‘u informuar sa më shumë që të mundesha. Në këtë fazë e vërteta është se kam pasur herë pas here informacione për atë që thoni ju; se ishte ushtruar torturë mbi këtë apo atë person, që në gjuhën e specialistëve quhej “objekt”. Në mënyrë urgjente merrja masat. Interesohesha që ato të ishin efikase. Në ato urdhra nuk merresha shumë me personin për të cilin isha informuar, por atë e merrja si shembull për ta përgjithësuar si fenomen negativ, pas kësaj urdhëroja ndërprerjen e çdo veprimi që kishte të bënte me gjeste të tilla. Nuk mund të them se nuk kam qenë i prerë në masat ndëshkimore që mund të merrja, por mua më interesonte t’i prisja rrugën fenomenit që kishte lindur. Në lidhje me këtë, unë mund të them se kam qenë ministri që kam marrë masa deri në largim nga detyra të njerëzve që abuzonin me ligjin. Për të arritur në konkluzione të sakta të atyre fenomeneve, unë kam ngritur ekipe të posaçme për të ushtruar kontrolle pikërisht për atë gjë.Ju thoni se keni mundur të ndalni torturën në qelitë e burgjeve dhe të komisariateve?Unë nuk po them këtë dhe as kam për qëllim të absolutizoj atë që pretendoni ju, por po sqaroj se veprimtaria ime në krye të asaj ministrie ka qenë që të bëja përpjekje konkrete për ta futur në filozofinë e logjikës dhe të ligjit gjithë veprimtarinë e përditshme të të gjitha procedurave të funksionimit të saj. Ndërsa në lidhje me atë që ka pasur më tej tortura apo jo, unë nuk e absolutizoj. Kur jam larguar nga detyra dhe më vonë, akoma njerëzit vazhdonin të tregonin shumë episode që kishin ndodhur në qeli. Pavarësisht nga të vërtetat e tyre, unë duhet të pranoj se ajo ekzistonte në një farë mase, pavarësisht se ishte jo shumë e ekzagjeruar. Në lidhje me këtë unë do të thoja se nuk ka qenë e lehtë që një ministër të kontrollonte edhe detaje të tilla të veprimtarisë së institucioneve që vareshin nga ministria. Ju thoni se ka qenë e ndaluar tortura në atë kohë?Po të të them që ishte e ndaluar, nuk do të më besosh, por kjo është një e vërtetë që duhet të pranohet. Sigurisht ka pasur raste që lejohej, por kjo kur flitej për ekzemplarë të veçantë të ndaluarish, kur ata përbënin rrezik shoqëror. Në këto raste miratohej veprimi i torturës mbi ta.Por ju thatë që ka pasur raste, madje këto i keni konstatuar dhe ju...Kjo gjë nuk duhet mohuar, por mos harro që kishte njerëz të pandërgjegjshëm dhe që Ministria e Rendit kishte trashëguar gjithmonë një metodë të jashtligjshme, ku torturat dhe goditjet e ndryshme fizike ishin bërë të modës.A i parandaluat?Përgjithësisht po. Për këtë, ashtu si edhe në shumë drejtime të tjera ku ishte futur fryma ekstremiste, unë bashkë me strukturat kemi punuar me durim për një kohë jo të shkurtër. Kjo sepse nuk ishte fjala për të dhënë një urdhër, por për të krijuar bindjen te vartësit që ishin shtrirë në të gjithë Shqipërinë.Kur i konstatonit sërish, a reagonit apo vazhdonit të bindnit vartësit tuaj ndërkohë që njerëzit mund të vdisnin qelive?Eshtë fakt që unë kam ndëshkuar me dhjetëra raste të tilla. Flitet për ato raste, për të cilat unë mund të merrja informacion. Ministri i ndjek gjërat në global dhe mundohet të frenojë fenomenet që sjellin pasoja. Kështu, në rastet kur kisha informacion, merrja masa të menjëhershme deri në lirime apo dhe ndëshkime të tjera. Vetëm në këtë formë munda të frenoja të gjithë atë revanshizëm dhe frymë ekstremizmi që kishte mbërthyer çdo qelizë të ministrisë.Si i merrnit informacione të tilla?Në të shumtën e rasteve i merrja nga familjarët apo në rrugë të tjera, që ishin të rastësishme apo dhe në mënyrë survejuese, sepse na lindtte shumë shqetësim.Keni pasur dijeni për Nevzat Haznedarin që ka qenë njeri i njohur si krimineli i të dënuarve? Me torturat e tij kishte arritur të merrte deri dhe jetë njerëzish.Saktësisht me detaje nuk kam pasur informacion, por në parim u informova që ishte ekstremist. Shumë më vonë kam mësuar për shumë nga “bëmat” e tij. Ç’masa morët?Sapo erdha në ministri dhe sa mora informatat e para, menjëherë e nxora në lirim, si të vetmin veprim që mund të bëja në atë kohë.Ju duket sikur keni marrë përsipër të shfajësoni veten nga akuza të ndryshme. Nuk keni asnjë faj?Fajet e mia i gjejnë të tjerët. Siç i gjetën të tjerët duke filluar që nga Ramiz Alia që pranoi të futesha në burg për shtatë palë qejfe (qesh me lot). Unë jam duke të shpjeguar se çfarë kam mundur të bëj. Po ta them prapë që lexuesit tuaj ta kuptojnë, unë nuk kam më qejf të mburrem apo të shfajësohem, sepse tani i kam kaluar të shtatëdhjetat, kështu që i kam bërë ditët e Perëndisë. vijon nesër

Isai: Rrëzimi i Enverit më vuri para dy zjarresh
Dita kur është rrëzuar monumenti i Enver Hoxhës ka qenë me të vërtetë një ditë e vështirë jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët. Duhet të më kuptoni se nuk është fjala pse po rrëzohej busti në mes të Tiranës, se ai hiqej dhe vihej një mijë herë po të doje, por që atë ditë dy forcat politike shqiptare kanë qenë më afër se kurrë përplasjes dhe gjakderdhjes. Irritimi dhe entuziazmi doli mbi arsyen. Turmat i rrëmbeu optimizmi dhe nuk dinin më se çfarë bënin, por vetëm vërshonin duke thërritur. Ngjarjet rrodhën në një situatë të tillë edhe nga nostalgjikët e krahut tjetër që i qëndronin besnikë kauzës që u ishte propaganduar për 50 vjet me radhë. Kjo do të thoshte se, përballë njëra-tjetrës ishin vënë dy forca me bindje të kundërta që nuk i lëshonin pe njëra-tjetrës. Atë ditë, si në Tiranë, ashtu edhe në shumë rrethe të tjera kishte njerëz me bindje të forta komuniste që edhe ata kishin humbur arsyen dhe donin të mbronin Enver Hoxhën me çfarëdolloj mënyre. Këto forca ne mundëm t’i mbanim me shumë vështirësi, por më pas u kthyem në objekt të ekstremizmit të tyre, sepse ata na kërkonin llogari se pse kishim lejuar të rrëzohej monumenti. Duhet të dish që ata kërkonin të mbrohej edhe me gjak. Madje u fajësuam ne që nuk ishte derdhur gjak, mjaftonte të kishim skulpturën në këmbë. E di ti ç’do të thoshte t’u rrëzoje mitin e tyre, Enver Hoxhën, qindra e mijëra komunistëve që e kishin pasur për 50 vjet idhull të pazëvendësueshëm. Situata ekstreme kishte degjeneruar deri në atë pikë saqë jo shumë, por vetëm gjysmë fjale të thoshe për t’u hedhur në sulm, bëhej batërdia në të dy krahët. Unë kisha një pozicion delikat, se drejtoja pikërisht Ministrinë e Punëve të Brendshme, por vendosa ta menaxhoja me çdo kusht situatën.

Isai: Preferoj të më quajnë vetëm “shok”
Në përgjigje të pyetjes sonë nëse Hekuran Isai preferon t’i drejtohen me “shok” apo “zotëri” ai thotë: Preferoj vetëm “shok” dhe i tillë do të mbetem gjithë jetën, se ai është morali im më i lartë. Që të të saktësoj pak në lidhje nga sa thuhet dhe nga sa dëgjohet poshtë e lartë, po të them se unë kam qenë për një kohë shumë të gjatë anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qëndror të Partisë, si dhe për 10 vite ministër i Punëve të Brendshme. Kur u lirova nga detyrat, mbeta pa asnjë qindarkë të kursyer dhe pa shtëpi. Shyqyr që më mblodhën nipërit e mbesat disa të holla, kush më pak e kush më shumë. Kështu unë u sistemova në një hyrje të vogël në lagjen “Ali Demi”, ku jetoj vetëm me gruan, me një pension 170 mijë lekë të vjetra, të cilin e përfitojmë të dy. Jo më pak se 40 mijë prej tyre i paguajmë që në fillim të muajit për energji. Në të vërtet ne kishim rroga të larta kur ishim në funksione do të thoni ju, por unë po ju them se atëherë, pavarësisht nga rrogat që merrnim, çdo gjë e kishim me faturë dhe paguhej “ekstra” me çmime të shtrenjta. Jo pak, por po të marrësh vetëm qiranë e shtëpisë, plot 2500 lekë (të vjetra) në muaj, apo po të llogarisësh se çdo kafe që pije qoftë dhe në shtëpinë e pritjes të çdo rrethi, fatura do të vinte në financë fundi i muajit dilte zero. Unë kam pasur 8 veta në shtëpi për të ushqyer, sepse edhe gruaja është futur shumë vonë në punë. Po të tregoj si me humor një episod që më ka ndodhur me njerëzit që më trokisnin përditë në derë. Ata vinin nga Peqini, apo nga qytete të tjera dhe shtëpia mbushej plot çdo ditë aq sa nuk kishe vend ku të rrije. Mirëpo ishte problem. Një ditë, sa kthehem nga puna, i thashë gruas: Bukri, më sill pak faturat e këtij muaji që të shikojmë ku jemi me shpenzimet. Ajo i solli dhe unë pashë se fondin mujor të rrogës e kisha përfunduar që një javë para se të mbaronte muaji. Mirëpo, ata që kishin ardhur, mbetën të befasuar se nuk e dinin që ne paguanim dhe më thanë: -Po pse, paguani ju?! Po, çfarë kujtuat?- u them,- ku ka pa lekë? Çdo gjë që hamë mbahet nga rroga dhe jo me çmimet e tregut, por me çmime speciale. (Qesh me të madhe) Kështu që t’i vëmë fillin bisedës, se e kishim fjalën që si kisha dëshirë të më thërrisnit dhe unë ju thashë “shok”. Se ata që janë zotërinj, e dini vetë ju se çfarë kanë. Unë nuk të them shumë, por vetëm të pyes një gjë që e di ti; se çfarë bën një ministër sot që të rrijë qoftë edhe një vit në punë?

Polici e ngatërroi ministrin Isai për kryetar kooperative
Në lidhje me ngjarjen humoristike të përhapur në vitin 1983 në mbarë Shqipërinë se, ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, ishte ndeshur me një polic që e kishte marrë për kryetar kooperative, sot, pas më shumë se 20 vjetësh, ai vetë tregon: Ajo ngjarje që është përhapur si me humor në popull ka qenë mëse e vërtetë. Saktësisht ajo ka ndodhur kështu; unë isha nisur për në Durrës dhe nuk kisha makina shoqërimi, kisha hipur në një “Aro”. Në Kombinat ngriti dorën si me autoritet dhe me arrogancë një polic. Me sa mbaj mend, quhej Demir, kurse mbiemri nuk më kujtohet. Unë i thashë shoferit dhe shoqëruesit që rrinte para të mbanin makinën dhe ta merrenin. Ndërkohë i porosita të mos flisnin fare se kush isha. Polici u fut në makinë dhe u ul pikërisht në krahun tim. Unë e shikoja me bisht të syrit që t’i lija të kuptonte se isha inferior. Si qëndroi disa çaste me kapadaillëk, ai ktheu kokën nga unë dhe ma bëri me shenjë për nga oficeri i shoqërimit që rrinte në vend të parë. Ai nuk e kishte idenë e rregullave se si uleshin në makinë. Kujtonte se figurat e larta uleshin në vend të parë, prandaj ma bëri me shenjë në formë pyetjeje se kush ishte ai që rrinte para. Unë ia bëra me dorë, duke i treguar që ishte “kokë” e madhe. Pas kësaj ai heshti sërish, por kjo vetëm për pak, sepse atij nuk iu durua. Ndërkohë që makina ecte me shpejtësi drejt Durrësit, ai herë pas here shikonte barkun tim dhe sërish kthente kokën drejt. Për një moment nuk iu durua dhe më pyeti: Ore, ku punon ti? Unë ia ktheva: Gjeje vetë ku mund të jem. Si qëndroi dhe disa çaste tha: “Ti patjetër je ndonjë kryetar kooperative, që u ke q… nënat kush e di sa qingjave, ndaj të është rritur barku kështu. Unë menjëherë i dhashë dorën me shpejtësi, duke i folur me zë të lartë. Shprehja ndërkohë edhe habinë që ai e gjeti menjëherë: E gjete! Qenke shumë i shkathët, më jep dorën! Bravo të qoftë! Si e gjetë?“Po pse ore, kot më kanë marrë në polici mua”, tha ai me një krenari karakteristike dhe me një kapardisje prej njeriu triumfator për “suksesin” që kishte arritur. Pas kësaj, pasi na ishte krijuar përshtypja se kishim të bënim me një njeri të jashtëzakonshëm për atë copë rrugë që bëmë bashkë deri në të hyrë të Durrësit, ai i tregoi të gjitha sekretet e Degës së Bren-dshme, e cila tani quhet komisariat. Vetëm kur mbërritëm në kufi me Durrësin, polici mësoi saktësisht se unë nuk isha kryetari i kooperativës që kishte pretenduar ai, por pikërisht ministri i Punëve të Brendshme, nga varej edhe Dega e Punëve të Brendëshme ku punonte ai. Kjo ndodhi sepse në kufi me Durrësin, sipas njoftimit të marrë, kishin dalë forcat e Policisë Rrugore për të më shoqëruar. Sa u ndal makina, shefi i tyre erdhi të paraqitej duke raportuar. Në atë moment polic Demiri m’u kthye mua: Pse, ti je ministri