e premte, dhjetor 09, 2005

Struktura e Kryeministrise Historia e evoluimit qe nga viti1945






Ethet e Kryeministrisë në vitin 2005. Sa njerëz do të shkurtohen dhe sa të tjerë do të mbesin...

Kryeministria, si ka evoluuar nga ‘45
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, rekorde për zëvendësit

Rezarta Delisula
Ethet e shkurtimeve kanë pushtuar jo vetëm ministritë, por edhe organikën e Kryeministrisë. Më 30 nëntor 2005 është firmosur nga kryeministri i vendit organika e re, por ajo nuk është bërë ende publike.
Do e hamë edhe Vitin e Ri apo jo? Kjo pikëpyetje shqetëson 110 mijë nëpunës të administratës shtetërore. E vendosur prej shumë vitesh në të njëjtën godinë, historitë e shkurtimeve dhe fryrjes së administratës së Kryeministrisë janë të shumta. Nga vitet e pasluftës e deri në vitet ‘80... si ka funksionuar Kryeministria, rekordet e një kryeministri me 6 zëvendës, drejtoritë e krijuara për një problem e të shkrira me të njëjtën shpejtësi...Mes një studimi të bërë nga punonjësja e Arkivit të Shtetit, Liliana Berxolli, mund të kuptojmë evoluimin e Kryeministrisë përgjatë dhjetëra dekadave.Qeveria e pasluftësQeveria e parë e pasluftës u krijua në qytetin e Beratit dhe ushtroi funksionet deri në mars të vitit 1946. Deri në këto momente struktura e Këshillit të Ministrave ishte shumë e ngjashme me ato të krijuara gjatë luftës, edhe pse emri këshill nacionalist u zëvendësua me dikasterin. Qeveria e përkohshme e Beratit i mbylli hesapet pas rreth 16 muajsh. Më 21.03.1946 u formua qeveria e re, ndërsa Enver Hoxha ishte kryeministër. Pikërisht në këtë kohë, të ngarkuarit me punë nëpër dikastere u quajtën ministra. Struktura e qeverisë përbëhej nga: kabineti, sekretaria e përgjithshme, drejtoria e statistikës dhe drejtoria e personelit. Në kohën e pasluftës ishte shumë e rëndësishme një drejtori statistike, e cila merrej me gjendjen ekonomike të vendit, dëmet e luftës, regjistrimin e popullsisë dhe pikërisht për këtë arsye nevojitej drejtoria e statistikës. Në dhjetor të vitit 1947 kjo drejtori kaloi pranë komisionit të Planit.
UNRADrejtoritë e krijuara pranë ministrisë ishin të përhershme apo periodike, kjo si pasojë e nevojave që kishte vendi. Pas Luftës së Dytë Botërore, organizata më e madhe që ndihmonte ekonomikisht vendet e pasluftës, UNRA, kishte një plan edhe për Shqipërinë. Lidhur me këtë marrëdhënie, nga data 1 shkurt 1946 pranë Kryeministrisë ishte atashuar drejtoria e furnizimeve që vinin nga UNRA, drejtori e cila u mbyll shumë shpejt. Në vitet 1946-1947 u krijuan disa drejtori të rëndësishme që vazhdojnë të mbahen fort edhe tani; drejtoria e shtypit quhej në fillim të ’46 dhe një vit më vonë mori emërtimin drejtoria e informatave. Po kështu përmenden drejtoria e pushtetit lokal, drejtoria e organizmit të pushtetit dhe ligjeve, dega për koordinimin e çështjeve ekonomike, dega e administratës si dhe dega e punës që u shtua me vendimin 326 të Këshillit të Ministrave. Drejtoritë shtoheshin në bazë të kërkesave që kishte vendit. Në disa raste u vërejt që drejtoritë e ngritura pranë Kryeministrisë dublikonin kompetencat e ministrive. Nisur nga kjo u ngrit Komiteti i Grumbullimit, i cili ishte një organizëm që vepronte jashtë strukturës së aparatit të Këshillit të Ministrave.
Rekordi kryeministritMë 1 shkurt 1949, me vendimin 21, u miratua nga Këshilli i Ministrave organika e plotë e Kryeministrisë. Enver Hoxha vijoi deri në vitin 1954 në postin e kryeministrit të vendit, i cili më pas u mor nga Mehmet Shehu. Në vitin 1949, kryeministri kishte dy zëvendës. Brenda një kohë shumë të shkurtër, për një vit, kjo organikë u zëvendësua me një tjetër. Mesa vëmë re, strukturës së organizimit të Këshillit të Ministrave i shtohen sektorë që kanë të bëjnë me problemet aktuale të vendit. Në organikën e vitit 1950 fiksojmë një degë në Kryeministri që merret vetëm me çështjet e klerit, ndërsa kishte nisur lufta e heshtur ndaj besimeve fetare. Një seksion që qëndroi për disa vjet i paluajtshëm ishte ai sekret. Në vitin 1951 ka një fryrje të strukturës së Kryeministrisë. Kryeministri Enver Hoxha ka pesë zëvendës. E kjo fryrje u vu re edhe nga Këshilli i Ministrave, i cili në muajin mars të vitit 1951 vendosi të shkurtojë 10 për qind të administratës, ndërsa në Kryeministri lapsi i ra 9 vetëve. Me vendime të ndryshme të qeverisë ndryshonin drejtoritë dhe si pasojë në vitin 1953 u miratua struktura e re; kryeministër, 2 zëvendësministra, sekretar i Përgjithshëm dhe zëvendësi, tre sekretarë për kryeministrin dhe një inspektor për trajtimin e të huajve. Ndërkaq, Kryeministria kishte 9 degë dhe pesë sektorë. Në vitin 1954, në organikën e re sërish kishim një kryeministër dhe pesë zëvendës. Një vit më vonë, më 1955, mbingopja solli sërish lëvizje dhe në Kryeministri u shkurtuan 94 vetë, ndërsa më 1956 numri arriti në 100 të shkurtuar. E ndërsa administrata shfryhej, koka e Kryeministrisë vazhdonte të ishte e mbushur.
ModeliNë vitin 1956 kryeministër ishte Mehmet Shehu, i cilësuar si më jetëgjati në postin e kryetarit të qeverisë, detyrë e marrë në vitin 1954. Në vijim të modelit të Enver Hoxhës në vitin 1951, që kishte pesë zëvendës, në 1956 Mehmet Shehu ka katër zëvendëskryeministra të parë dhe dy të dytë. Në vitin 1958, në Kryeministri punonin 73 vetë, ndërsa u shkurtuan 28 punonjës, ose afërsisht 21.7 për qind e personelit. Bashkë me to u shkurtuan dhe dy postet e zëvendëskryeministrave të dytë dhe mbetën vetëm katër të tillë në total. U shkurtuan gjithashtu dega e fuqisë punëtore dhe zyra e refugjatëve. Që nga kjo kohë deri në vitin 1966 kishte lëvizje të vogla, shkrirje apo bashkime sesionesh, por në organikën e re kryeministri mbeti vetëm me dy zëvendësministra. Nga 1968 deri në vitet 1970 organika nisi të rritej përsa i përket numri të punonjësve. Deri në vitin 1975 në Kryeministri kishte 107 punonjës. Kryeministri u bë sërish me 4 zëvendës dhe 12 ndihmës për fusha të ndryshme të jetës, ata sot quhen këshilltarë. Deri në vitin 1979 u ruajt kjo organikë, por me një rritje prej 19 për qind të administratës, pra nga 107 në 128, rritje kjo më e vogël se ajo e periudhës 1966-1975. Në vitin 1980 qeveria ndërmori studimin për “Masat që duhen marrë për përsosjen e organikave të pushtetit, të aparateve, të degëve të veçanta të ekonomisë”. Sipas këtij studimi rezultoi se, numri i administratës së ekonomisë ishte rritur në 157 nga 107 që ishte vite më parë, ndërsa organika s’kishte ndryshuar. Rruga e mbingopjes së ministrive dhe Kryeministrisë ndodh si shumë vite më parë dhe në të njëjtën mënyrë. Sapo vjen një drejtues i ri qeverie apo ndërrohet pushteti, administrata vihet në lëvizje. Shkurtohen vende pune të tepërta, të cilat pak muaj më vonë po nga këta drejtues kthehen si kanë qenë më parë, madje edhe shtohen.