e martë, mars 07, 2006

Shembuj të mikpritjes së rrallë të Mehmet Shehut

Veli Llakaj

Mikpritja Ana tjetër e karakterit të Mehmet ShehutVeli Llakaj, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Mehmet Shehut në kohën që ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, nëpërmjet shënimeve të shkëputura nga arkiva e tij personale, tregon se shefi i tij, ndonëse ishte i sertë në dukje, njeri që nuk të falte në gabimet e qëllimshme, pra të bënte gjëmën, për ata që e kanë njohur nga afër apo kanë pasur me të marrëdhënie pune, njohin një anë tjetër fisnike të tij; mikpritjen. Sipas Llakaj, familja Shehu ishte një familje mikpritëse, dinte t’i respektonte mysafirët, por dhe u kthente vizitat në sebepe apo raste të tjera. Familja e tyre, sipas autorit Llakaj, ishte model i mikpritjes, i traditave të zonës së Mallakastrës, që nga respekti për mikun duke e pritur te dera, te riti i qerasjes e deri te gatimi i veçantë tradicional e dollia. Në shtëpi, për miqtë, kushdo qofshin ata, sipas Llakajt, Mehmet Shehu ishte një njeri tepër miqësor, që të respektonte duke fshirë çdo ndrojtje apo siklet te miku. Bile, ashtu shoqërisht dhe miqësisht, siç kujton Llakaj, Mehmeti u bën dhe një „zbor“ të fuqishëm atij dhe kolegëve zëvendësministra, duke i vënë në rresht e duke i udhëhequr të ecnin zbathur mbi çakullin-brisk që u përgjakte këmbët. Nga Kujtim BoriçiNesër do të lexoni:-Një ndeshje futbolli që solli shpartallimin e Brigadës së parë gjatë një marshimi në kuadër të stërvitjes “Biza”.-Ndëshkimet që urdhëruan Enveri e Mehmeti për një sërë kuadrosh të ushtrisë, përfshirë dhe dy zëvëndësministrat Veli Llakaj(njëkohësisht shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë) dhe Maliq Sadushi. Te Mehmeti, në shtëpinë e pushimit në DurrësMehmet Shehu ishte tepër mikpritës e tepër shoqëror. Kushdo që ka punuar nga afër me të, krahas intolerancës në kërkesën e llogarisë për realizim në kohë e me cilësi të detyrave, shembullit të zbatimit me korrektesë të urdhrit, qenien vetë gjithmonë në ballë të punëve, kritikave të ashpra e ndëshkimeve për hileqarët, abuzuesit, kujton e mban mend shumë cilësi të mrekullueshme të Mehmetit, midis të cilave edhe mikpritjen. Si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë e zëvendës i parë i ministrit të Mbrojtjes, duke qenë vartësi i tij direkt për 8 vjet, ruaj shumë kujtime të mira me Mehmetin dhe në këtë aspekt. Ja disa shembuj. Në një nga pranverat e atyre viteve isha me pushime në Durrës familjarisht. Pushimet i bënim në Kavalishencën e ushtrisë, ndërsa atë vit, njëkohësisht me mua po bënte pushimet familjare edhe Duro Shehu, vëllai i Mehmetit. Për faktin se edhe Mehmeti ishte në Durrës me pushime në atë kohë, bisedova me Duron dhe menduam t’i shkonim për një vizitë shoqërore në një nga ato ditë. Lajmëroj Ali Çenon dhe i them se dua të shkojmë për një vizitë shoqërore e jo pune te Mehmeti, ndaj të kontaktojë dhe të na kthejë përgjigje. Nuk vonoi shumë, Aliu vjen tek unë dhe më thotë: “Më komunikoi se ”Do të vini për vizitë vetëm kur t’ju lajmëroj unë, se kështu më tha ustai“. Mbas 4-5 ditësh më kontakton përsëri Aliu dhe më thotë se në vizitë, unë dhe Duro, do të marrim me vete edhe gratë. Ndërsa Mehmeti, siç na përcolli ftesën Aliu, na priste në orën 13.00. Kështu bëmë. Na priti bashkë me Fiqretin. Sapo u afruam, kishin dalë të dy jashtë tendës ku rrinin dhe na uruan mirëseardhjen. Pasi pimë nga një kafe, në një mjedis shoqëror e familjar, Mehmeti filloi nga ato shakatë e qyfyret e zakonshme, pa asnjë nuancë zyrtarizmi. Pastaj Fiqreti na ftoi të shkonim brenda në dhomë për të ngrënë drekën. Kishte përgatitur një drekë të mrekullueshme, sipas traditës e zakonit të fshatit. Mehmeti, duke qeshur, më tha: ”Veli, kështu pritet miku, jo si na e bëri shoqja Lenko Çuko, që brodhën tërë ditën nëpër Myzeqe me të, dhe në të ikur na tha: “Po pak drekë nuk do të hani, shoku Mehmet?“Në urim për martesën e djalit të Mehmetit, Bashkimit. Mehmet Shehu kishte martuar djalin, Bashkimin, dhe për çlodhje kishin shkuar për pushime disaditore në Dajt. Ne, si bashkëpunëtorët e tij më të afërt në Ministrinë e Mbrojtjes, na takonte t’i bënim një urim Mehmetit për këtë gëzim familjar. Nuk më kujtohet se kush e mori nga ne zëvendësministrat në telefon për ta lajmëruar dhe për të konfirmuar pritjen dhe kohën që do të shkonim. Duke falënderuar ne për këtë kërkesë, Mehmeti na tha se do të shkonim kur të na thoshte ai. Kështu u bë. Na lajmëroi të shkonim në ora 17. 00. Në raste të tilla urimi, zakonisht dërgohet edhe një dhuratë simbolike. Kështu bëmë dhe ne. Pasi rrahëm mendimet se çfarë duhet të çonim, ramë dakord dhe vendosëm, Pra si dhuratë kishim marrë bustin e Skënderbeut. Ndërsa gratë tona, nga ana e tyre, kishin marrë diçka dhe ata. Na priti bashkë me Fiqretin, si zakonisht duke dal në derë, duke na takuar e duke na uruar me përzemërsi mirëseardhjen. Qëndruam pak brenda në kthinën e pritjes, aq sa na bëri Fiqreti qerasjen. Pas kësaj, Mehmeti ndërhyn dhe na ftoi të dilnim jashtë andej nga ai bënte shëtitjen çdo ditë. ”Ejani të dalim një shëtitje së bashku, andej nga dal unë çdo ditë!” Vazhduam lirshëm bisedat tona, ku domosdo, shumica ishin për problemet që kishin ne në punën tonë në Ministrinë e Mbrojtjes, probleme të forcimit të gatishmërisë, probleme të stërvitjes dhe të aftësimit profesional të kuadrove. Nuk di sa ecëm kështu, derisa dolëm në rrugën kryesore nën një hije peme ku ai na thotë: “Tani do të bëni si bëj unë me Fiqretin. Pra, hiqni këpucët dhe çorapet dhe ejani pas meje!”. Fillimisht nuk kuptuam se ku donte të dilte, por bëmë siç bënte ai me Fiqretin. Hoqëm këpucë e çorape dhe vazhduan ecjen krahas tyre. Rruga që do përshkonim ishte me guriçka të vegjël që sa shkelje, të jepnin goditje në majë të kokës nga sëmbimet e dhimbshme e të padurueshme në mish. Tmerr i vërtet sa nuk qanim nga dhimbja. Kurse Mehmeti ecte pa asnjë pengesë. Me sa duket, stërvitja e përditshme në këtë mënyrë kishte bërë që këmbët e tij të mësoheshin me këtë lloj torture, të fitonin imunitet dhe të mos e ndjenin më efektin dhimbje që të torturonte. E mallkuam veten që vajtëm. Pas këtij marshimi të “këndshëm”, shkuam në vilën ku pushonte ai. Aty ishte shtruar darka tamam si në fshatrat e Mallakastrës, me mish të pjekur dhe me një gjellë karakteristike shumë të shijshme që gatuhet në zonën e Mallakastrës. Pas bukës pimë kafe e qëndruam deri vonë derisa u ndamë. Ja, pra, ky ishte Mehmet Shehu, shoqëror e mikpritës. Siç e theksova edhe më sipër, unë personalisht, por dhe shokë të tjerë e kolegë që punuam gjatë me të, ruajmë kujtime të shumta të kësaj natyre, ku Mehmet Shehu, në dukje tepër i vrazhdët, ishte një njeri tepër i ndjeshëm, dashamirës, miqësor e mikpritës.