e martë, shkurt 28, 2006

Enveri instrukton Llakajn:”Me kinezët jemi thikë e në pikë, si me rusët më 1960-ën“





Veli Llakaj


Marrëdhëniet Shqipëri –Kinë, në fije të “perit“ Llakaj kryeson delegacionin ushtarak shtetërorKrisjen e marrëdhënieve shtetërore Shqipëri-Kinë, pas mohimit të ndihmave ekonomike delegacionit shqiptar të kryesuar nga Adil Çarçani, do ta thellonte më tej delegacioni ushtarak i kryesuar nga Veli Llakaj gjatë vizitës që bëri në Pekin në vitin 1975. Tashmë mospërputhjet e kursit politik të udhëheqjeve përkatëse e kishin “çarë“ mburojën e sekretit e diplomacisë dhe po reflektoheshin në bashkëpunimin e ndihmën konkrete në fusha të ndryshme. Para se të nisej drejt Pekinit, delegacioni ushtarak shqiptar ka marrë porositë direkte nga Mehmet Shehu e Enver Hoxha, si për qëndrimin që do të mbanin, kërkesat për logjistikë, armatim e teknikë luftarake që ishin planifikuar të kërkoheshin në formën e ndihmës, por mbi të gjitha, mbrojtjen me fanatizëm të vijës së partisë. Urdhri nga udhëheqja qe i prerë: „Asnjë tolerim, kompromis apo nënshtrim para kinezëve, gjithmonë në mbrojtje të vijës e porosive të partisë!“. Gjithsesi, udhëheqja shqiptare vendos që, sipas planifikimit, të nisë një delegacion ushtarak të përbërë prej 40 vetash dhe të kryesuar nga shefi i Shtatmadhorisë, Veli Llakaj. Ndonëse në dukje ky delegacion ishte i përbërë nga ushtarakë e objekt i vizitës ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje për ndihma ushtarake për Shqipërinë, klima politike në këtë kohë ishte tepër e rënduar, ndaj gjithçka nga Enveri, Mehmeti e të ngarkuar të partisë ishte përgatitur me përgjegjësinë e testimit dhe përcaktimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Nga Kujtim BoriçiPërgatitjet e fundit të delegacionitTeksa Enveri më fliste për rezultatet e delegacionit ekonomik të kryesuar nga Adil Çarçani gjatë vizitës së bërë në Kinë, mesa duket vuri re tek unë një farë stepje, pasi edhe unë dija se marrëdhëniet me kinezët kishin një ftohje të dukshme, por ende pa u bërë publike në popull. Në këtë moment ndërhyri duke thënë: ”Kujdes, se me kinezet jemi në thikë e në pikë, si me rusët në vitet 1960”. Të gjitha i prisja, por këtë jo. Mendova që aty se kaq e pata dhe unë një vit dhe e “hëngra“ si Beqir Balluku ose Liri Belishova. Aty kuptova pse Mehmet Shehu na tha që materiali juaj nuk bën as për atje në h… Kërkesat që kishte bërë Mehmet Shehu për marrëveshjet në materialin që përgatiti, ishin aq shumë të fryra, sa nuk imagjinohej. Pra, ai kishte parasysh se çfarë i kishin dhënë Adil Çarçanit për ekonominë, ndaj po të na jepnin edhe neve 5-7 % për ushtrinë, ishim lule. Të nesërmen më porosi të Mehmet Shehut thirra atasheun ushtarak kinez në Shtabin e Përgjithshëm dhe i komunikova se me sa veta përbëhej delegacioni dhe kush do ta kryesonte. Patjetër e falënderova atasheun kinez për gatishmërinë që kishin treguar për të na pritur, duke i kërkuar dhe nëse kishin kundërshtim për numrin e ushtarakëve tanë që përbënin këtë delegacion. Atasheu ishte në dijeni të faktit që një përfaqësi e KQP-së dhe Këshillit të Ministrave i kishte çuar KQP-së së Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë së Republikës së Kinës, duke menduar se ai mesazh që u kishte vajtur do të përdorej dhe nga ne. Prandaj m’u lut që brenda mundësive t’i jepja këtë mesazh për të qenë dhe ata në dijeni. Unë i them se në ide të përgjithshme ai do të jetë, por ai mesazh është partiak dhe qeveritar e jo ushtarak. Unë vetë përmbajtjen e mesazhit jo që deri atëherë nuk e dija, por as më vonë kurrë nuk e mora vesh se çfarë trajtonte e çfarë kërkonte. Bile, asnjëherë nuk m’u tha. Disa herë kisha pyetur Tahir Minxhozin nëse dinte se çfarë përmbante ai mesazh. Ai më tha: ”Ne ishin thjesht korrierë që e dorëzuam këtë material dhe as bëme fare fjalë se çfarë kërkohej prej tij”. Delegacioni u nis për në Kinë i përbërë prej 40 vetash. Në të kishim edhe stenografen e Këshillit të Ministrave, Antoneta Vreton, një grua shumë e zonja që kishte marrë pjesë kudo, në çdo delegacion me Mehmet Shehun dhe nuk i shpëtonte asgjë pa regjistruar. Por kishte dhe tipare dhe prirje diplomatike. Në delegacion bënte pjesë dhe daktilografistja Afërdita Ibrahimi. Gjithashtu, në përbërje të delegacionit kishte përfaqësues kryesorë nga çdo drejtori, nga lloje arme e shërbimi të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Udhëtimi drejt KinësUdhëtimi ishte shumë i gjatë, 12 orë me avion tip “Boing”. Shumë modern. Gjatë gjithë rrugëtimit qëndruam vetëm dy herë për furnizim, në Kroaci dhe në Teheran. Kalimi i maleve të Himalajave ishte një bukuri e rrallë, kalimi nëpër të gjithë atë shkretëtirë të Saharasë gjithashtu. Në Kroaci, gjatë rrugës drejt Teheranit, morëm dhe një sasi oficerësh të Ushtrisë Jugosllave, efektiva të shërbimit mjekësor që shkonin dhe ata për në Kinë. Nuk na erdhi mirë se edhe mund të kishim ndonjë provokim, por jo. Gjithçka shkoi mjaft mirë. Nisja nga Tirana u bë në ora 14.00; udhëtuam gjatë gjithë natës dhe arritëm në aeroportin e Pekinit në orët e vona të ditës së dytë të udhëtimit. Në aeroporte na priti ambasadori ynë Behar Shtylla, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kineze, Jan Ce Vu dhe një grup kuadro të lartë të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes Kineze, duke përfshirë tre zëvendësshefa Shtabi të Përgjithshëm, dy zëvendësministra të Mbrojtjes, përfaqësues të KQPKK-së dhe të Ministrisë së punëve të Jashtme. Pra, ishin rreth 40-50 vetë. Sistemimi ynë u bë në një vilë tepër luksoze e ndarë në disa pjesë. Ato që pamë dhe si u pritëm ishin tepër fantastike dhe të paimagjinueshme. Kryetari i delegacionit shoqërohej nga ish-mareshali i Ushtrisë Kineze, Jan Ce Vu, pikërisht ai që na priti në aeroport; na caktuan shoqërues, përkthyes dhe mjekë. Po kështu, edhe Nazarin si zëvendëskryetar delegacioni e shoqëronte një zëvendësministër i Mbrojtjes, kurse Detarin e shoqëronte një përfaqësues i KQP-së kineze. Para se të niseshim morëm porosi nga Mehmeti se çdo fjalim që do të mbanim do të ishte i përgatitur nga Tirana. Prandaj, një nga anëtarët e delegacionit u pajis me pasaportë si korrier diplomatik. Ky ishte Banush Bega. Pas dy ditësh shëtitjeje, sipas programit që hartuan kinezët, që edhe ne bashkë me ambasadorin tonë ishim dakord, filluan bisedimet midis dy delegacioneve. Në fillim fjalën e mori Jan Ce Vu, i cili na uroi mirëseardhjen në vendin mik, na foli për sukseset e ushtrisë kineze, për pajisjen e saj, me armatim etj. Pastaj ma dha fjalën mua si kryetar i delegacionit ushtarak. Gjatë fjalimit tim që ishte pak i tejzgjatur, por jo i mërzitshëm për kinezët, se ata ashtu ishin mësuar, me orë të tëra në mbledhje. Fjala u dëgjua me shumë kureshtje. Ajo kishte dhe kritika për imperializmin amerikan, socialimperializmin sovjetik, për revizionizmin jugosllav, për grupet “sabotatore”e “puçiste” në ushtri me Beqir Ballukun në krye etj. Kur arritën në këtë pikë, ata kërkuan pak minuta pushim. Diku, si duket biseduan dhe pastaj erdhën në shoqërinë tonë në një çaj. Pastaj vazhduan bisedimet e pyetjet të cilat ishin nga më të ndryshmet, sidomos për kërkesat fantastike që parashtruam. Përveç të tjerave ne kërkonim nga Kina 800 tanke, shumë avionë e materiale të tjera ushtarake. Në fund u vendos që të bënim disa vizita në vende të ndryshme të Kinës e pas 10-15 ditësh, kur shokët kinezë t’i studionin këto kërkesa dhe ne të kishim mbaruar vizitat, ta fillonim përsëri takimin me grupe. Ndërsa në fund i gjithë delegacioni, ku aty të vendosej për marrëveshjen. Vizitat vazhduan në disa qytete si në Tienci, Shangai, Taxhai, Huanxho, patjetër dhe në Murin e Madh Kinez që ishte bërë zakon ose tradicionalisht, duhej ta vizitoje etj. Kudo pritja ishte tepër e madhe;koncertet ishin kinozo-shqiptare, po kështu këngët që këndoheshin ishin për Mao dhe Enverin. Të gjitha këto nuk të jepnin përshtypjen ashtu, si me thanë mua se jemi “në thikë e në pikë”. Nuk kishte ndërmarrje ekonomike që të mos kishte detyra për prodhime ushtarake. Në një të tillë pamë që prodhoheshin topat kundërajrorë 37-57 m/m një e dy grykësh. Diku tjetër materialet e tjera ushtarake, që nga pushka, mitralozi e kudo, të bënte përshtypje se të gjithë punëtoret ishin ushtarë të shkëlqyer në përdorimin e armatimit që prodhonin. Pas 20 ditësh shokët tanë përfaqësues të drejtorive e komandave që kishin kërkesa për sektorët e tyre, bënin takime me përfaqësuesit kinez, duke u qëndruar besnik atyre kërkesave që paraqitem në fillim në takimin e parë. Çdo kërkese ose bisedim në mbrëmje raportohej tek unë, dhe unë, nëpërmjet ambasadës i përcillja në Tiranë. Pati edhe fërkime me shokët tanë, bile dhe me mua, kur më than se nuk ishin akoma gati pas 20 ditësh për të na dhënë përgjigje. Por kërkuan që përsëri të bëjmë vizita të tjera nëpër disa qytete. Aty unë papritmas revoltohem e ju “Ne nuk kemi ardhur për vizita, por për pune!”. Behari, më shkeli syrin dhe ju thotë: ”Po nuk jeni gati ma merr mendja që dhe shokët tanë do të tolerojnë edhe disa dite, sa ju të jeni gati apo jo, Veli”. E pashë veten ngushtë, por mendova se ambasadori i di më mirë këto punë, pasi Enveri para se të niseshin nga Shqipëria, më porositi që çdo gjë do ta zgjidhësh me Beharin. Kështu u vendos. Bëmë shumë vizita të tjera në shumë vende mjaft të mira. Ramë dakord se do të bënim takim e parafundit para se të nënshkruanim marrëveshjen. Në këto momente unë dërgoj “korrierin diplomatik”, Banushin, në Tiranë me formulimin e disa mendimeve për Mehmet Shehun se si po shkonin bisedimet. Këtë e bëra në marrëveshje me Nazarin, Detarin, Menduin dhe pa tjetër me Beharin. Pas dy ditësh kthehet “korrieri” me materialin e Mehmet Shehut lidhur me çfarë do të flisnim e çfarë qëndrimi do të mbanim. Nesër do të lexoni:-Përplasjet me delegacionit ushtarak shqiptar dhe atij kinez në Pekin. -Urdhri nga Tirana, shumica e delegacionit braktis Kinën e kthehet në Shqipëri. -Provokim i rëndë nga ministri kinez i Mbrojtjes, Jen Ce Ni