e diel, mars 05, 2006

Llakaj:“Mehmet Shehu, figurë komplekse!“

Kujtim Boriçi

Ligji i kohës:“Partia në komandë të ushtrisë!“Ndonëse “timonin” e problemeve të mbrojtjes pas dënimit më 1974, të grupit“puçist” të Beqir Ballukut, në ushtri e merr Mehmet Shehu, krahas të tjerave dhe një njeri i përgatitur nga ana ushtarake, ligjin, si në çdo fushë të jetës, e bën partia. Kështu që, sipas shënimeve të Veli Llakajt, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe bashkëpunëtorit të tij për 8-vjet, për çdo problem në ushtri, informohen e marrin “vulën” nga Enver Hoxha, që njëkohësisht ishte dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Ndërsa një nga njerëzit më të afër të Enverit, Hysni Kapo, ishte i ngarkuari i Komitetit Qendror për problemet e Ushtrisë dhe Mbrojtjes. Diktati i partisë, apo direktiva e kohës “Në ushtrinë tonë, në krye të mbrojtjes sonë, në komandë, është partia”, ishte një realitet i padiskutueshëm. Në bazë të praktikës së kohës, një ditë në çdo muaj, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë (Veli Llakaj), ishte i detyruar të raportonte e të merrte kontakte direkte me Komandantin e Përgjithshëm të F.A, Enver Hoxhën. Pra, edhe pse hartues, zbatues e përgjegjës për direktivat dhe vijën e partisë në fushën e mbrojtjes, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes ishte Mehmeti, ai anashkalohej apo më saktë, merrte kontakte për këtë fushë nga Shefi i Shtatmadhorisë. Në njëfarë mënyre, partia, edhe nëpërmjet kësaj forme, kishte nën kontroll mbrojtjen e vendit. Për Veli Llakajn, ushtarakun më madhor të kësaj periudhe, njëkohësisht dhe përgjegjës për sigurimin e mbrojtjes së vendit, kontaktet dhe marrëdhëniet e punës me Enverin e Hysni Kapon, ishin korrekte . Bashkëkohësit, por dhe njerëz të tjerë që kanë patur mundësinë të kenë pasur kontakte të vetme apo dhe të rralla pune, me Mehmet Shehun, krahas të tjerave, e kujtojnë si një njeri gjaknxehtë, të ashpër, arrogant, që të bënte “gjëmën“ nëse përballeshe me të, apo nëse të gjente një gabim. Veli Llakaj, ish-bashkëpunëtor i afërt për 8-vjet, në shënimet e tij, duke mos i hequr për shefin e tij këto vlerësime, këmbëngul në veti të tjera të Mehmetit; që nga ndershmëria, përgatitja perfekte në shumë fusha të jetës, zemërgjerësia si dhe dinamizmi në punë. Interesant është dhe përcaktimi që jep Llakaj për moralin e Mehmet Shehut, veçanërisht në rastin e përfoljes së çështjes “Natasha Shehu”, si vajzë ilegale e tij. Duke renditur shembuj e të dhëna konkrete, Llakaj pohon se Natasha është një mashtruese, se Mehmeti ka qenë gjatë gjithë jetës së tij i ndershëm. Sipas shënimeve dhe konfirmimeve të Llakajt, edhe në disa raste të dënimeve të kuadrove madhorë në ushtri, është së pari dora e Kadri Hazbiut dhe jo e Mehmetit. Në funksion të këtij argumenti, Llakaj sjell dhe shembuj konkretë, ku para se Mehmeti të gjykonte ndëshkime për kuadro të njësive që kishin mangësi në punë, merrte për bazë vlerësimet komplekse në kohë të tyre si dhe mendimin e eprorëve direkt.