e diel, mars 05, 2006

Morali, marrëdhëniet e punës dhe ato shoqërore me Mehmet Shehun

Veli Llakaj

Duke qenë për 8-vjet në marrëdhënie pune me Mehmet Shehun, sigurisht kishim dhe marrëdhënie shoqërore. Atëherë, por dhe më vonë e tani, duke gjykuar më me gjakftohtësi, ruaj mendimin se Mehmeti mbetet jo vetëm një njeri i përgatitur në shumë fusha, por dhe një person i respektueshëm, me karakter të fortë, ndonëse shpesh dhe gjaknxehtë. Është folur e përfolur shumë për natyrën dhe karakterin e Mehmet Shehut, si nga ata që e kanë njohur nga afër dhe ata që kanë dëgjuar për të. Kjo është e drejta e tyre, që secili të japë mendimin si e gjykon ai, në kohë dhe në vendin e caktuar, figurën e njërit apo tjetrit. Unë që kam punuar për 8-vjet me të, do të mundohem të hedh ato pak kujtime që më kanë mbetur në kujtesë. Ata që e kane njohur më gjatë dhe më nga afër, sigurisht janë më të besueshëm dhe më të saktë. Sigurisht, figura e Mehmet Shehut është komplekse si në detyrën shtetërore, partiake, ashtu dhe në atë shoqërore. Vrazhdësia që ai kishte në natyrë, për mua dhe të tjerë që e kanë njohur nga afër, nuk dëmtonte sinqeritetin dhe qëndrimin shoqëror e dashamirës të tij. Për mendimin tim, ai nuk ishte aq i “zi” sa dukesh apo sa hiqesh në shpirt dhe në ndërgjegje, por një gjë është e saktë se, ishte fanatik i zbatimit me përpikmëri të orientimeve, direktivave dhe vijës së partisë; ishte fanatik i zbatimit të porosive të Enver Hoxhës, ishte i vetmi që mund ti zbërthente e komentonte drejtë, porositë apo fjalimet e tij në çdo fushë. Por, unë njoh më nga afër e më mirë, vetëm anën ushtarake të tij. Ishte ekzigjent i zbatimit të vendimeve dhe ligjeve, për të cilat nuk të falte. Morali i Mehmetit. Natasha, mashtrueseDihet se morali është baza e parimeve, normave dhe rregullave, që përcaktojnë sjelljen e njeriut në shoqëri, që lidhet me nderin, sjelljen e ndershme, etj. Mehmet Shehu ishte nga ata që kishte një moral pikërisht sipas këtyre përcaktimeve, pra kishte moral proletar, shoqëror dhe fetar, se të tillë e kishte prejardhjen e tij. Mehmeti, asnjëherë nuk ka qenë moralist, pra të shiste moral dhe vetë të vepronte ndryshe, sepse ai kishte qëndrim parimor, ishte tepër i drejtë dhe i ndershëm, i sinqertë dhe i thjeshtë, bujar e mikpritës, kërkues ndaj vetes e të tjerëve. Pra, në këto çështje, ai nuk të falte. Dikur është folur nga një e ashtuquajtur “avokate ndërkombëtare” Natasha Shehu, se gjoja ishte vajza e tij jashtë martesore, gjë e cila nuk është aspak e vërtetë. Për këtë unë kam shkruar një artikull të gjatë në një gazetë, ku me prova bindëse i kam hedhur poshtë shpifjet e ulëta të saj. Por, ajo nuk pushoi së akuzuari atë burrë shteti. Pse mund ta ketë bërë Natasha Shehu këtë? Ajo me siguri është e futur nga dikush, për të ulur këtë figurë në një kohë tepër delikate, veçanërisht në periudhën kur djali i tij Skënderi, hodhi kandidaturën për deputet. Toleranca dhe komunikimi i Mehmet ShehutDisa fenomene që më kanë bërë përshtypje me këtë njeri kaq të “vrazhdë”, por tepër dashamirës dhe i komunikueshëm. Nga Gramshi, i shkon një letër për një pilot, se na ishte me biografi të keqe! Në këtë letër shkruhej se X, nuk duhet të jetë pilot mbasi, daja i tij ka qenë xhandar në kohën e Ahmet Zogut! Mehmeti, mbasi sqarohet se si sillej ky, çfarë përgatitje e zotësi fluturimi kishte, etj., shpjegime të cilat unë ja përcolla mbasi këto të dhëna pozitive i mora nga Komandanti i Aviacionit, i nderuari Bardhyl Taçi. Mehmeti mbi atë letër vinte këtë shënim: “Oficeri të qëndrojë në detyrë, dhe të mos i zihet në gojë ky problem, se i krijohen shqetësime, se po të largohet ky për këtë çështje, unë (Mehmet Shehu) nuk do të isha Kryeministër i Shqipërisë, sepse një kushëriri im ka vdekur në burgun e Burrelit, Mehmet Ismail Shehu”. Momente tjetër ishte me komandantin e Brigadës së Gramshit, Ibrahim Çelën të cilit i kishte ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, pra, një depo armatimi kishte marrë zjarr dhe për këtë duhej të përgjigjej sipas rregullave. Komanda e grupimit të Elbasanit dhe Komiteti i Partisë së tij, kishin propozuar një masë shumë të rëndë se edhe ngjarja nuk ishte e vogël. Ai u kritikua rëndë, dhe u thirr në kolegjiumin e ministrisë për masën përkatëse. Sigurisht, Ibrahimi ishte tepër i frikësuar. Para se të diskutohej e të merresh masa nga Mehmet Shehu, si Ministër e Kryeministër. Mehmeti u konsultua me të katër zëvendësministrat dhe ne të gjithë ishim të një mendimi, se ngjarje të tilla edhe mund të ndodhin, por komandanti nuk duhej dënuar. Mehmeti i mori parasysh të gjitha mendimet e zëvendësve të tij dhe Ibrahimi e kaloi me një vërejtje me paralajmërim. Në kohën e të ashtuquajturit “puç” të Beqir Ballukut e të tjerë, u dënuan disa kuadro të larta të ushtrisë deri në funksione tepër qesharake, shef Shtabi, Batalioni nga Komandant Korpusi, siç ishte i ndjeri Malo Harshova, apo komandanti i Mbrojtjes Kundër Ajrore të Shtetit, Kiço Janku, më vonë për arsye absurde do të thosha u larguan nga detyra dhe Mendu Tetova e Kristaq Qarri përkatësisht Komandant Akademie dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm. Ai këto kuadro i kishte njohur edhe personalisht nga afër, ku mbas disa kohe, po me kujtesën e tij, ata u rikthyen në Tiranë dhe në institucionet akademike, me përjashtim të Kristaq Qarrit, që vdiq. Me keqardhje e kam përjetuar, ku edhe jam kritikuar, kur u dënova sepse gjoja padrejtësisht kisha mbrojtur disa kuadro. Më vonë, me supozime e trillime të disa sigurimsave kërkohej largimi i Eqerem Osmanit, Drejtor i Zbulimit të Ushtrisë dhe më vonë i Tomorr Hilës, oficer drejtimi në Shtabin e Përgjithshëm, të dy kuadro me shumë vlera. Për të dy këta, ç’është e vërteta, unë i kam raportuar Mehmet Shehut dhe ai ka urdhëruar që asnjëri e as tjetri të mos largohen, por të kritikohen. Në këtë rast, me këmbënguljen e Kadri Hazbiut, u bë i mundur largimi i tyre nga detyrat përkatëse. Interesante ishte se në të dy organizatat e partisë kam qenë unë, ai që kam propozuar për largimin e tyre, se gjoja nuk na i paskan trajtuar mirë disa stërvitje. Sa e rëndë ishte për mua, por detyra... Do të vijë një kohë, që unë do të takohem me ta dhe do të më vijë turp, se do të quhem si shkaktar i largimit të tyre...!