e shtunë, mars 04, 2006

Marrëdhëniet e mia me Enver Hoxhën dhe Hysni Kapon


Veli Llakaj

Detyra e lartë që kisha si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zëvendës i parë i Ministrit të Mbrojtjes, përveçse bashkëpunimit të gjatë e punës me Mehmet Shehun, gjatë 8 viteve të mia në këtë detyrë, kam patur kontakte të vazhdueshme dhe me udhëheqës të tjerë të kohës, me Enver Hoxhën dhe Hysni Kapon. Rregullisht, siç e kam thënë dhe në shënimet e mia të Forcave të Armatosura, ishte normë takimi një herë në muaj. Gjithashtu, edhe me Hysni Kapon që mbulonte Ushtrinë, në Byronë Politike, kam patur takime pune të shumta gjatë karrierës time më të lartë në ushtri. Për sa kam punuar me këto dy figura të larta të partisë dhe shtetit, marrëdhëniet kanë qenë tepër korrekte. Sa herë që kemi shkuar në raport në Këshillin e Mbrojtjes, bashkë me shokët zëvendësministra, dhe me drejtorët apo komandot e njësive të ushtrisë, që nuk kanë qenë të pakta, ambienti që na është krijuar dhe fryma e diskutimeve ka qenë tepër korrekte. Enveri ishte tepër serioz në trajtimin e problemeve dhe tepër autoritar, por unë kam përshtypjen se ai, sa herë që paraqitnim ndonjë material për t’u diskutuar në Këshillin e Mbrojtjes, studionte e vinte i përgatitur, duke bërë pyetje e duke kërkuar përgjigje të prera në linjën ushtarake. Kam shumë kujtime të ngrohta e shoqërore me të, por diku edhe të rrepta, siç kanë qenë dy raste, në fjalimet e tij kritike, rasti për disiplinë më 28 maj 1980, dhe diskutimi për mangësitë e stërvitjes “Biza”, ku u shkarkuan komandanti, komisari dhe sekretari i grupit të Tiranës dhe unë si Shef i Shtabit të Përgjithshëm mora vërejtje me paralajmërim. Të dyja këto kritika, edhe sot e kësaj dite, i quaj të drejta dhe me vend. Po kështu dhe në raportimet mujore kur i bëja, ishte tepër shoqëror në mendimet, vërejtjet dhe këshillat që jepte. Hysni Kapo dallonte si me Enverin dhe me Mehmetin, në marrëdhëniet e punës e ato shoqërore. Hysniu ishte tepër gojë ëmbël, i dashur dhe tepër i shoqërueshëm, por shumë parimor, gjë për të cilën nuk të falte. Në këtë rast, bëhej më i rreptë se Enveri e Mehmeti. Megjithatë, do të thosha se me të mund të diskutohej lirshëm dhe po ti sillje argumente ai ishte tepër korrekt; të besonte dhe tërhiqej, por edhe të ndiqte në çdo veprim, e të kontrollonte nëse ato ishin të drejta apo jo. Me Enverin e Hysniun në aktivin e VlorësIsha caktuar i deleguar i KQP, në aktivin e partisë së Vlorës që bëhej për ushtrinë. Ky aktiv u zhvillua më 21 mars 1977. Enver Hoxha ishte me pushime në Vlorë dhe kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij. Hysni Kapo, tash’, siç duket ishte i shqetësuar se si do ti trajtoja unë problemet e mbrojtjes, ku do të ishte dhe Enveri. Pra, Hysniu duke ditur edhe idenë e Enverit, si bashkëpunëtori i tij më i afërt, me çdo kusht, donte që unë të paraqitesha sa më dinjitoz. Ndaj dy ditë para mbledhjes më thirri në KQP, duke më paralajmëruar më parë, se në këtë aktiv do të merrte pjesë dhe shoku Enver. Paraprakisht u interesua në telefon, nëse unë isha përgatitur mirë apo jo. Më tej, shtoi: “Po s’e ke për ofendim, mund të vini këtu, ta shikojmë bashkë materialin që do mbani në atë aktiv!”. Pra dhe kjo tregon një dashamirësi të një eprori serioz. Pasi shkova, ai nuk deshi ta lexoja unë materialin, por e mori dhe e lexoi vetë. Pas pak çastesh, mbasi bëri disa ndërhyrje të rastit, më thotë: “Veli, përsëri, po nuk e keni bezdi, unë them se materialin e keni të mirë, por mund të ma lini mua ta shikoj më me kujdes dhe ta merrni mbasdite në ora 18.00”. Unë jo që nuk u ofendova, por e falënderova me shpirt duke i thënë: “More shoku Hysni, po deri këtu do të futeni të lodheni me diskutimin tim!”. Kështu u bë. Hysniu kishte bërë mjaft ndërhyrje, me atë shkrimin e tij karakteristik, kryesisht në linjën politike të partisë, mbasi si dukej, unë i kisha rënë me “sopatën e dardharit”, me përparësi në fushën ushtarake. E mora materialin dhe e falënderova për ndihmën konkrete. Ky material kaq i mirë, nuk u mbajt fare në atë plenum. Enver Hoxha, mbas dëgjimit të raportit që mbajti Gaqo Nesho, ish-sekretar i parë i partisë, e dy diskutimeve, mori fjalën. Ai bëri një zbërthim tejet të gjatë dhe pasi u ul, duke qeshur tha: “Mos i merrni për konkluzione këto që thashë unë, se i deleguar është shoku Veli”. Dukej që, pas fjalës së Enverit, nuk do të diskutonte askush. Prandaj, Gaqo Nesho thotë: “Fjalën e ka i deleguari i KQP, shoku Veli Llakaj”. U ngrita, shkova në podium dhe iu drejtova aktivit të partisë në këtë mënyrë: “Falënderoj shokun Enver për ato mësime e detyra që na dha të gjithëve. Të mobilizohemi për ti zbatuar sa më mirë, se unë nuk kam çfarë të them, mbasi hudhra nuk hahet pas bakllavasë!”. Të gjithë duartrokitën dhe unë u ula pranë Enverit. Ai më shtrëngoi dorën dhe me kaq u mbyll gjithë ai merak. Lidhja telefonike e Enverit me Sazanin nga VendkomandaNjë takim tjetër të rëndësishëm kam fiksuar në shënimet e mia, atë me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm më 10 korrik 1978, kur ai vizitoi Vendkomandën e përbashkët të Këshillit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për kohë lufte. Enver Hoxha, që shoqërohej nga Mehmet Shehu, në prezencë dhe të zëvendësministrave të Mbrojtjes e disa drejtorë drejtorie të ministrisë, pasi u njoh nga afër me këtë objekt tepër solid dhe komod, nëpërmjet raportimeve të Menduh Backës, kërkoi dhe mjaft sqarime, sidomos për një ndërlidhje të qëndrueshme e solide me njësitë operative të ushtrisë. Në këtë objekt ndërlidhja ishte, po si në gjithë ambientet e tjera të Shtabit të Përgjithshëm, pra si pranë godinës së kohës së paqes, ashtu dhe asaj të Bërzhitës. Interesimit të tij, ne iu përgjigjëm se mund të provonte ndonjë nga repartet e ushtrisë, kë të donte. Në moment ai kërkoi Komandantin e Ishullit të Sazanit. Kjo ndërlidhje ishte perfekte dhe nëntokësore. Pas disa sekondave, centralisti i Komandës së Ishullit u përgjigj: “Urdhëroni!”. Enveri i thotë: “Jam Komandanti i Përgjithshëm, dua Komandantin tuaj!”. Përgjigja e komandantit të Ishullit, Naim Muhos, dëgjohet e saktë dhe e prerë: “Jam Komandanti i Ishullit, Naim Muho! Pasi e pyeti për problemet e atjeshme, Enveri e uroi për festën e ushtrisë. Menjëherë u lidh po me komandën e brigadës së Sarandës dhe me komisarin e saj, Kadri Cenolli, shkëmbeu po të njëjtat mesazhe. Kështu veproi dhe me Korpusin e Pukës, etj. Pasi zbriti nëpër ambientet, takoi kuadro, ushtarë, e centralistet me radhë. Pyeti se kush e bëri lidhjen aq të shpejtë me njësitin. “Unë!”- i përgjigjet një centraliste tepër e shkathët, Minushe Hysenaj. Enveri e përqafoi dhe bëri një foto me të gjithë centralistet. Inxhinieri i talentuar Ibrahim Shametaj, i shpjegoi me radhë gjithë sistemin e ndërlidhjes. Po kështu dhe drejtori i ndërlidhjes, Abaz Thana, me shumë kompetencë tregoi dhe për planet për perfeksionimin e mëtejshëm të Ndërlidhjes.Pas kësaj, shkuam në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, ku u bë një parakalim i improvizuar, me të tre llojet e Forcave të Armatosura. Aty, Komandanti i Përgjithshëm u prit me shumë ngrohtësi nga komandanti i shkollës, Rustem Peçi, komisari Agron Dushku dhe Sekretari i Komitetit të Partisë, Nuredin Dushani. Nesër do të lexoni:-Marrëdhëniet 8-vjeçare të Veli Llakajt me Mehmet Shehun.-Cili ishte roli i Mehmet Shehut në dënimin e “puçistëve” dhe ushtarakëve të tjerë madhorë.