e hënë, mars 06, 2006

Ja pse i kërkova Mehmetit të më shkarkonte si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë!


Veli Llakaj

Mehmeti nuk të bënte për burrë! Aftësitë profesionale, këmbëngulja në punë, kërkesa e llogarisë për vartësit ishin njëra anë e karakterit të Mehmet Shehut, numrit 2 të shtetit shqiptar në diktaturë, ndërkohë që gjaknxehtësia, shpesh deri në ekstrem, rreptësia në komunikim nga ana e tij, i bënte të dridheshin vartësit kur përballeshin me të. Veli Llakaj, bashkëpunëtori më i afërt i tij në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës që Mehmeti drejtoi këtë dikaster, mes të tjerave tregon edhe një detaj interesant, ku i ndodhur përballë gjaknxehtësisë së Mehmetit, kritikave të ashpra deri në ekstrem, i kërkon që të firmosë propozimin për shkarkimin e tij nga shef i Shtatmadhorisë. Por Mehmet Shehu që bënte të dridhej kushdo që përballej me të, siç shkruan Llakaj, ishte një njeri që të kërkonte dhe të falur. Gjithashtu, sipas Llakajt, i rrepti dhe nursëzi, Mehmet Shehu ishte dhe një njeri tepër dashamirës, mikpritës dhe i dashur. Figura e Shehut, sipas autorit Llakaj, ndonëse ishte komplekse, në tërësi ai ishte një person i pajisur me të gjitha cilësitë e një drejtuesi shteti. Por pikërisht atë shtet diktatorial që dhe vetë Mehmet Shehu në krah të Enver Hoxhës ka meritën e ndërtimit të tij, shumë vonë do ta detyronte të bënte vetëvrasjen. Nga Kujtim BoriçiNesër do të lexoni:-Pse shkon Llakaj te Memhet Shehu që ishte me pushime në Durrës. -Vizita e Llakajt, Sadushit, Gegpriftit në malin e Dajtit për të uruar martesën e djalit të Mehmetit dhe si u detyruan të ecin këmbëzbathur në gurët e zhavorit. Një përplasje me Mehmet ShehunNë një mbledhje kolegjiumi pata një përplasje të ashpër me Mehmet Shehun. Diskutohej problem i disiplinës në shkallë ushtrie. Nga korpusi i Pukës, prej disa ditësh ishte larguar pa leje një ushtar. Në diskutim e sipër Mehmeti më drejtohet mua: “Po ju, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, çfarë përgjegjësie mbani dhe çfarë mase propozon të merren për ty!” U çudita për këtë vërsulje të tillë, por me kujdes i them: ”Unë nuk ndjej asnjë përgjegjësi, mbasi ushtari ka komandant toge, kompanie, batalioni, brigade, korpusi, drejtori përkatëse e në fund, kur të marrin të gjithë këta masa, atëherë vjen masa ime!” Shikoj nga shokët, por edhe ata, sidomos Maliqi, Llambi e Menduj, tregonin shenja shqetësimi... Mehmeti me atë “egërsinë“ e tij më drejtohet: ”Unë të shkarkoj të... të... etj!”. U ndez debati. Në kulmin e acarimit Mehmeti më thotë: ”Dil jashtë e largohu!!” Nuk desha, por nuk mund të bënim skandal. U largova e shkova në zyrë. Kuptohet, teje i mërzitur. Mbas mbledhjes vijnë në zyrë me radhë, Maliqi e Llambi. Pas tyre vjen në zyrë Mehmeti e më thotë: “U mërzite, por këto punë kështu e kanë. Unë po nuk të bërtita ty, kujt mund t’i bërtas, pastaj edhe gabojmë se, helbete, nerva kemi edhe ne, pastaj ngarkesa, kërkesa, goditjet e kritikat etj!”. Nuk e dhashë veten, por i thashë: ”Propozo largimin tim se nuk mund të vazhdoj më gjatë në këtë detyrë me këto të bërtitura sikur jam fëmijë kopshti!”. Dhe ai iku i mërzitur. Në mbrëmje, rreth orës 22.00, më merr në telefon dhe më pyet, po thuaj për asgjë…Një vizitë e Mehmetit në familjen timeTë nesërmen nuk erdhi në ministri, por as në telefon nuk mori. Mbasdite, aty nga ora 19.00, më merr Ali Çenua në telefon dhe më thotë të shkoj në shtëpi se do të vijë për një kafe shoku Mehmet me shoqen Fiqrete. Shkova. I prita tamam si mik, por aty kisha edhe babanë. Kur u takuan, u përshëndetën tepër shoqërisht. Babait i tha se unë (Mehmeti) nuk e dija që ju ishit këtu. Unë kam ardhur se sot e kam ofenduar Veliun dhe bashkarisht me Fiqretin thamë të vijmë për të kërkuar falje… Babai i thotë Mehmetit: ”Asgjë, mos u bëjë pishman, por këtyre derrave edhe me pëllëmbë t’i qëllosh mirë u bën, se për të mirën e tyre u flet!” Sa e dhimbshme mbeti kjo mbresë për mua. Mehmeti: “Kush nuk ka respekt për gjuhën, nuk e do popullin e vet!”Kur përgatisnim planin operativ, shkrova për rezervat shtetërore që duhej të planifikoheshin për jugun, të ishin në Povël. Shënimet ishin me shkrim dore, por unë zakonisht ë-në e bëjë pa pika lart, po vetëm një pikë në formën e apostrofit. Ai e kishte lexuar dhe aprovuar atë vend, por mbas 2-3 ditësh vjen në ministri dhe, si zakonisht, ato copa letrash i ruante. Më thërret në zyrë dhe më thotë: “Nuk e kuptoj se çfarë më ke shkruar këtu, nuk e kuptoj ku është ky vend”. U çudita, si është e mundur që ky nuk di ku është Povëla. E lexoj dhe i them: “Ja ku është, në Povël. “Lexoje, lexoje! -më thotë. Më pas më pyet: ”Sa pika ka ë-ja?” “Dy!” - i them, sikur të isha nxënës. ”Po ju, pse i keni vënë një?” -më drejtohet ai. I përgjigjem: ”Unë, shoku Mehmet, shyqyr që i paskam vënë një se nuk i vë fare!” Atëherë Mehmeti ma merr letrën dhe shkruan: “Ai që nuk ka respekt për gjuhën, nuk ka respekt për partinë, popullin e atdheun. Mehmet Ismail Shehu”. Në fund, duke ma zgjatur, thotë: ”Merre e ruaje deri në varr këtë!” Pra, ai nuk të falte as në të shkruar. Sa e sa raste të tilla kemi pasur me Mehmet Shehun ne si zëvendës të tij. Shpesh ne, por kryesisht shoku Llambi Gegpriti, si më i riu dhe më shakaxhiu, imitonte Mehmetin me atë zërin e tij të “rëndë”, kur na jepte detyra apo na kërkonte llogari për ndonjë veprim që nuk kishim bërë mirë. Këtë marifet, pra imitimin e Mehmetit në telefon, Llambi na e kishte bërë disa herë dhe ne e kishim marrë për të vërtetë se ishte Mehmeti dhe i raportonim një e për një. Mirëpo kjo na u bë si ujku i Zylfos. Një ditë Mehmeti më merr në telefon dhe i duhej një plan i furnizimit të ushtrisë për kohë lufte që ishte tepër sekret. Kur më mori, unë mendova se ishte shoku Llambi dhe i them: ”Ik, ore, mos më çaj kokën, pse nuk të njohë unë ty se kush je!”. Kishte qenë Mehmeti, u egërsua se nuk e dinte këtë lojë që bënim ne me emrin e tij. Ma mbyll telefonin. Marr në telefon Llambin dhe i them se mos qe ai e bëri shaka si zakonisht. Llambi më thotë jo, ka qenë shoku Mehmet se më mori dhe mua dhe më kërkon një material të furnizimit me veshmbathje për ushtrinë në kohë lufte. Pasi Llambi erdhi për ta marrë dokumentin që e nxora nga arkivi i Shtabit të Përgjithshëm, i tregoj gjithë ç’ndodhi dhe i them se do të shkojmë bashkë, ku do t’i kërkoja të falur. Shkuam dhe i them sekretarit të tij, Peçi Kalluçit, se na kishte kërkuar. Mehmeti i thotë të futej vetëm Llambi e jo Veliu. Bisedova me Llambin dhe vendosëm të futemi të dy, por unë shkova përpara. Sa hyra, Mehmeti më thotë: ”Nuk të kam kërkuar ty, por vetëm Llambin!” Dokumentin që kërkonte Mehmeti e kisha unë e jo Llambi. I them: “Shoku Mehmet, unë erdha për dy probleme. E para të kërkoj të falur dhe, së dyti, ky material është tepër sekret dhe, sipas urdhrit, e drejta e nxjerrjes i takon shefit të Shtabit të Përgjithshëm!“Në këto kushte na pranoi. Atëherë unë i rrëfehem se si qëndron puna që iu përgjigja në telefon ashtu. Mehmetit nuk i erdhi mirë dhe na thotë të dyve: “Pse, more, me mua talleni ju e më përgojoni”. Fjalën e mori shoku Llambi se unë në këtë rast isha i turpëruar. Llambi vazhdoi: “Shoku Mehmet, a ju kujtohet në mbledhjen e kryesisë së Këshillit të Ministrave kur ishin dhe ne të Ministrisë së Mbrojtjes për rregulloren e vëzhgimit dhe shoku Pali Miska ju raportoi për koçekët e misrit të Thumanës, dhe ju u mërzitët dhe i folët rëndë”. “Po!“ -i thotë Mehmeti. “E po sa unë shkova në zyrë e mora në telefon shokun Pali dhe i thashë: “More Pali, si nuk ke një çikë respekt që merresh me koçekët dhe i raporton kryeministrit!“. Mehmeti vazhdoi: “Ju nuk keni respekt për mua se edhe tani që po flasim jeni ulur…! Pali u përgjigj: “Jo, shoku Mehmet, për idealin e partisë që jam ngritur në këmbë!“ Mehmeti i drejtohet Llambit: ”Po pse more edhe deri këtu në Kryeministri qenkeni futur ju, kaq i keq qenkam, kaq frikë më paskeni se mos ju ha. Jo more se po të ishte kështu, do të kisha ngrënë Fiqretin më parë!“ Filloi puna normalisht, por edhe duke qeshur, pra deshi nuk deshi Mehmeti, porosita fruta dhe kafe. Ja, ky ishte temperamenti i Mehmetit. Sa e sa episode kemi me këtë burrë unë dhe shokë të tjerë që punuam gjatë pranë tij.