Mehmet Shehu, i pakënaqur nga heqja e gradave në ushtri
Kujtim Boriçi
Ndonëse Mehmet Shehu, ish-kryeministër i vendit, që më 1974-ën mori edhe detyrën e ministrit të Mbrojtjes, ka përgjegjësinë për ndërmarrjen e hapit për heqjen e gradave në ushtrinë shqiptare, ashtu si shumë ushtarakë madhorë të kohës, një pjesë e të cilëve e kundërshtuan këtë vendim, edhe Mehmeti, kishte nostalgji për gradat, gjë të cilën dhe e ka shprehur më shumë se një herë në marrëdhënie me bashkëpunëtorët më të afërt. Sipas Veli Llakajt, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë dhe bashkëpunëtori më i afërt i Mehmetit për 8 vjet, ai dhe kolegët e tij kujtojnë disa raste ku Mehmeti e thekson këtë nostalgji. “Në një stërvitje në korpusin bregdetar të Fierit, në një bisedë që nisi në formë shakaje, mes Mehmetit, Hysni Kapos e Shefqet Peçit, ku isha prezent dhe unë e disa kuadro të tjerë të lartë, Mehmeti, duke na u drejtuar ne, na tha se ju keni nostalgji për gradat!“ -kujton Veli Llakaj. Në atë moment, sipas tij, ka ndërhyrë Shefqeti, duke thënë që të mos e hapë më atë muhabet, se po të hidhet në votë rivendosja e gradave, shumica e të pranishmëve aty ishin pro. Pak histori Gradat në ushtrinë shqiptare janë hequr më 1 maj 1966, mbi bazën e një vendimi të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, shoqëruar dhe me një urdhër shtetëror për zbatim në këtë afat. Në të njëjtën ditë, pra më 1 maj 1966, njësitë ushtarake si dhe struktura të tjera të forcave të armatosura, në parakalimin tradicional në bulevardin kryesor të Tiranës (Korpusi i Universitetit, Monumenti i Skënderbeut), u ekspozuan për herë të parë pa grada, si dhe me uniforma të thjeshta ushtarake pa dallim funksioni e detyre. “Heqja e gradave dhe ndërrimi i uniformave ishte një hap që ndërmerrej në kuadrin e luftës kundër burokratizmit, për të evituar tendencën e diferencimeve, për të bërë që të gjithë të jenë të barabartë, por në të vërtetë ishte një veprim që nuk u përkrah nga masa e gjerë e ushtarakëve, si dhe solli probleme të shumta në fushën e mbrojtjes“, - kujton Veli Llakaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësministër i parë i Mbrojtjes. Sipas Llakajt dhe dëshmive të kohës, heqja e gradave dhe e ashtuquajtura „luftë kundër burokratizmit“, u shoqërua me qarkullime të shumta të kuadrove nga qendra në bazë, ikja „vullnetarisht“ në fshat e qindra e mijëra të tjerëve së bashku me familjet e tyre. Sipas Llakaj, edhe uniforma ushtarake që u vu në përdorim ishte e papërshtatshme, rrobë bezeje që bëhej pis menjëherë, kapelja ishte si kapelë karrocieri, ndërkohë që autoriteti i ushtarakut nisi të bjerë. Për mua-shton më tej Llakaj për gazetën- heqja e gradave ishte dhe mbetet një veprim i gabuar. Ndërsa shumë kuadro të njohur të ushtrisë shqiptare, midis tyre dhe gjenerali HalimXhelo, që e kundërshtuan heqjen e gradave, u ndëshkuan rëndë. Shehu, Kapo dhe Peçi në një stërvitjeNjë nga rastet e pakënaqësisë së Mehmet Shehut për heqjen e gradave, shumë vite më vonë, pikërisht pas zbulimit të “puçistëve“ në ushtri, është dhe një stërvitje (me qitje artilerie) zhvilluar në korpusin e Fierit, ku ishin të pranishëm Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Shefqet Peçi. Kishim merakun e stërvitjes që bëhej menjëherë pas zbulimit të “puçistit“ Beqir Balluku, - kujton Llakaj- pa ditur se në një moment do të debatohej për heqjen e gradave. Në përfundim të qitjeve me armët e artilerisë kundërajrore, Mehmet Shehu pyeti të gjithë pjesëmarrësit: “Si ju duket kjo stërvitje që ndoqët, me ato që pamë, janë situata reale apo jo, prandaj secili nga ju duhet të japë dhe ndonjë mendim, se për këtë ju kemi thirrur, dhe jo vetëm si spektator!“ Pasi kanë folur 2-3 vetë, kujton Llakaj, fjalën e merr Hysni Kapo, duke theksuar: “Shoku Mehmet, unë mendoj se kjo stërvitje na bindi për çka komandanti i Artilerisë Kundërajrore trajtoi teorikisht me ato veprime praktike dhe unë kam mendimin se po ta kemi kudo këtë organizim kundërajror, mbrojtjen e kemi të siguruar nga desanti i mundshëm ajror, prandaj shokët duhen përgëzuar për sa pamë”Mehmet Shehu i drejtohet shokut Shefqet Peçi, duke qeshur dhe i thotë: ”Unë kam dëshirë që të dëgjoj dhe vërejtjet e gjeneral Shefqetit! Siç kujton Llakaj, Shefqet Peçi foli shkurt, por duke i kthyer ironinë ai fjalës së Mehmetit: “Unë kaq kisha për të thënë, por më mirë se sa gjenerali më i talentuar këtu, shoku Mehmet, nuk di kush, dhe ne duhet t’i bindemi mendimit të tij. Unë e kam të vështirë të flas shumë më e të bëj komente me këtë se nuk e duroj dot, por them se këtu duhet falënderuar shoqja Fiqerete që se si e shtyn me këtë, ajo duhet të dekorohet të paktën në çdo 6 muaj!”Kjo ishte si hapje, vazhdon tregimin e tij Llakaj, por se pse u bë kjo, nuk jam në gjendje as sot te them dhe sot, kur dihet se si qe ajo situatë. Shakaja-debat për heqjen e gradaveNë një moment tjetër -kujton Llakaj -Mehmeti e mori përsëri fjalën, duke iu drejtuar Shefqet Peçit, duke i thënë: “Ta bëra këtë pyetje si gjeneral se ti nuk ke qenë dakord për heqjen e gradave, se ushtria do të prishe pa grada, por ja që nuk u prish, por edhe pa grada stërvitja e gatishmëria është në shkallen më te lartë”. Kaq u desh, për të vazhduar debati për gradat. Shefqeti i drejtohet Mehmetit: “Shoku Mehmet atë plagë, për heqjen e gradave, mos e hap, se po ta hedhin në votë këtu me të gjithë këta gjeneralë që kishin dikur, me të tjerë që duhet të kishin marrë dhe me ato grada ne fitonim se me siguri kundër do të kemi vetëm shokun Hysni. Të gjithë këta(ushtarakët madhorë që ishin aty) e shumë të tjerë janë dakord që t’i kthejmë përsëri ato të lumosura, në mos edhe ti je bëre shumë pishman pse i hoqët”. Plasi shakaja-debat, kujton Llakaj, ku Mehmeti shton: “Ato që thotë Shefqeti janë të vërteta, prandaj edhe unë jo pa qëllim e hapa problemin e gradave, se me heqjen e tyre nuk ishte dakord dhe ai që ndodhet sot në Rroskovec, Beqir Balluku!“. Shaka apo debat, kujton Llakaj, ajo ishte thikë me dy presa, pasi i pari nga „puçistët”, Beqir Balluku, sapo ishte kryqëzuar. Debati Llakaj-Shehu për uniformën ruse!Stërvitja në përgjithësi po shkonte mjaft mirë. Mehmet Shehu më njoftojnë se kishte zbritur e po kontrollonte një repart tankesh, për kalimin në pikat e kalimin të një e dyanshme, bashkë me sekretarin e parë të komitetit të partisë, Piro Gushon. Mehmeti-shton Llakaj, -më afrohet, më shikon të veshur me një uniformë ruse dhe i nevrikosur më bërtet: ”Po, ti, e paske shumë qejf veshjen ruse, atje keni studiuar e jeni nostalgjikë të Hrushovit”! Veliu tregon: ”Jo, i thashë, po unë e mbaj se është më e përshtatshme, se kam edhe helmetën, pra heq bustinën e vendos në rrip, vendos edhe helmetën. Nuk e zgjati më shumë, po vuri buzën në gaz dhe po bënte një fotografi me ushtarin që kaloi tankun në një kanal të madh. Në moment Piro Gusho i thotë se tankun nuk e kaloi ushtari, por një oficer. Mehmeti egërsohet aq shumë. sa thirri komandantin e brigadës, Demo Licon, dhe e bëri për një lek. I zemëruar, tregon Llakaj, iku nga stërvitja që ishte gati në përfundim dhe thotë që komandanti i kësaj brigade është mashtrues. E disa ditë më pas, komandanti Demo Liço shkarkohet nga detyra. Ndërsa debate dhe pakënaqësia për heqjen e gradave atë ditë mes Shehut, Peçit, e Kapos, nuk pati ndonjë kuban të çastit, por në muaj e vitet në vazhdim. Shumë kuadro madhorë të ushtrisë do ta pësonin, mes të tjerëve, edhe për “dashurinë” e tyre për gradat. Nesër do të lexoni:-Urdhri i Enverit për fortifikimin e vendit. -Si u vu Mehmet Shehu në krye të specialistëve ushtarakë në “mbjelljen” me fortifikata të gjithë territorit të Shqipërisë.
<< Home