e martë, mars 14, 2006

Pesha e damkës së „armikut!“


Veli Llakaj

Nga shef i Shtatmadhorisë, në „armik!“Raportet me shokët e miqtë në dy skajet e karrierësLlakaj, i cili provoi në jetë dy ekstremet e marrëdhënieve me pushtetin, si shef i Shtatmadhorisë shqiptare për 8 vjet e më pas “armik”, në këto shënime të radhës, nëpërmjet emrave e ngjarjeve konkrete, jep marrëdhëniet e tij me kolegë e vartës në të dy pozicionet e tij me pushtetin. Në njërën kategori, sipas Llakajt, rreshtohen ushtarakë e funksionarë shtetërorë që përtej detyrimit që të rrinin larg ”armikut”, brenda caqeve e hapësirave ishin dhe mbeten njerëz në raport me të (Llakajn) dhe veten e tyre. Të tjerë, sipas Llakajt, shumë prej të cilëve ai, falë funksionit, u kishte bërë ndere, ndërronin rrugë kur u cilësua “armik”, bile edhe e anatemonin. Por edhe vetë Llakaj, që ka qenë në majat e piramidës ushtarake shtetërore, pra në një farë mënyre për disa ndëshkime të vartësve, nëpërmjet shënimeve, përtej ligjësive të kohës, kërkon edhe ndjesë për aq sa ai ndjen. Duke provuar raportet e tij me njerëzit në të dy anët e ekstremeve të karrierës në jetë, arrin në konkluzionin se edhe në atë kohë të vështirë ku politika si kudo diktonte dhe raportet shoqërore mes njerëzve, pati të tillë shokë apo miq që ishin e mbeten dinjitozë. Kujtim BoriçiNesër do të lexoni:- Grupet „armiqësore” dhe ndëshkimet e oficerëve madhorë, njollë e padrejtë në historinë e ushtrisë sonë. - Mëkatet e Enver Hoxhës dhe të tjerëve në ushtrinë shqiptare.“Armik”, por me miq e me shokë Në këtë vorbull dënimesh me dhe pa gabime e faje të tilla, shoqëruar me masa dastrike, pavarësisht nga pasojat që mund të kishin, shumë persona i kuptonin edhe ato argumente që jepeshin, ishin si të besueshme. Sot edhe mund të flitet e të diskutohet që pse kjo druajtje kaq e madhe, pse kjo frikë. Kushdo që e ka provuar dhe është urryer nga dikush apo e kanë larguar, nuk duhet t’u mbajë inat apo mllefe, sepse e tillë ishte koha, situata e mbi të gjitha orientimi i partisë që po të mos i zbatoje, e pësoje. Shoqëria dhe miqësia në CërrikE vështirë ishte për ata që kishin qenë me detyra të larta e ishin dënuar me ulje drastike në detyrë, por po të ishe i përjashtuar nga partia, siç më ndodhi mua, ishe më i rrezikuar e për më tepër, askush nuk të afrohej të takonte apo përshëndeste. Pra, në ato kohë, kjo lloj mase pothuaj ishte torturuese, ishte sëmundje infektive që të largoheshin të gjithë. Kam pasur e njohur shumë oficerë dhe u kam bëre edhe ndere... Po ja, kur shova në Cërrik edhe atyre që u kisha bërë nder, në opinion, largoheshin dhe ndoshta edhe më shikonin si me urrejtje, por jashtë syrit të të tjerëve afroheshin e bëheshin shumë dashamirës. Për këta kam shkruar diku në shënimet e mia, por kam lënë jashtë kujtese edhe disa të tjerë që e meritojnë një falënderim nga unë dhe e gjithë familja ime. Pas shumë peripecive nëpër punë të rënda e të rëndomta, një vajza ime, Mirela, që e kisha dhe të sëmurë para se të shkoja në Cërrik, nuk ishte e mundur të punonte dot në fushë. Ajo në Tiranë kishte punuar si laborante, profesion për të cilin ishte arsimuar. Në Cërrik vende pune kishte për laborante në Uzinën e Naftës. Fqinje kisha një inxhiniere kimiste të talentuar, Mishelina Milon (Xhelo), por ç’e do se, edhe ajo ishte e “infektuar“, pavarësisht se ishte me biografi të mirë, pra mbesa e Gogo Nushit, por burri i saj Xhevdet, Xhelo, që ishte vëllai i gjeneral Halim Xhelos, u dënua me disa vite burg, ishte dërguar me internim në Cërrik. Kjo shoqe kaq e mirë dhe fisnike u bë si të thuash një ndërmjetëse pranë drejtorit të uzinës, zotit Hysen Voci, një burrë i nderuar dhe tepër i respektuar. Ai e mori në punë, dhe Mishilena e mbajti nën kujdestarinë e saj bijën e “armikut” Veli Llakaj. Pra, edhe në atë kohë e në këtë botë kishte edhe njerëz me kurajo, human e trima që edhe mund ta pësonin, por bënë atë që u tha ndërgjegjja. Për mua, Hysen Voci mbetet njeri në radhë të parë e pastaj partiak apo pushtetar. Të njëjtin fenomen ndesha dhe me djalin, Ilirin, por pas 6 vjetësh. Në njësinë ku shërbeja unë ishte dhe një person me funksione partie e ushtarake, u njohëm dhe deri diku qëndronim afër, megjithëse unë nuk doja kurrë t’u qëndroja afër se u bëja dëm e jo mirë. Ky person quhej Vasil Fundo, nga Devolli, një njeri mjaft i mirë dhe i përgatitur. Mbas disa kohësh Vasili ndërroi vendin e punës dhe shkoi në krye të ofiçinës së fermës së Cërrikut. Pra, po të donte, i shkonte fjala. Dikur Vasili më kishte pyetur edhe për hallet familjare dhe pak a shumë i njihte hallet e mia. Një ditë takohemi dhe më thotë që të pimë një kafe. Desha t’i shmangesha se mos i bëja keq atij, jo mua. Duke pirë kafen më thotë: ”Shoku Veli, a ta marrë unë djalin në punë mekanik në autokombanjë?” U çudita, por edhe pranova. Djali u sistemua në punë me ndihmën dhe përkrahjen e këtij burri babaxhan nga Devolli. Nga ata që ishin të veshur me pushtet nuk do të harroj kurë ndihmën dhe përkrahjen që më ka dhënë (aq sa i lejohej) kryetari i Komitetit të Cërrikut, Lulo Hoxha, një ish-mësues mjaft i mirë dhe me kulturë. Po kështu, mirënjohje meritojnë edhe disa komshinj që kanë rrezikuar veten kur hynin e dilnin, por veçanërisht natën e nën ruajtjen e syrit të “keq”, si Pelivan Kanani familjarisht, Bato Bejko, Mynyr Senko, Ferit Aliu, Ruzhdi Liçi, i cili edhe ishte shok pune me djalin tim në ofiçinën e fermës, Xhevdet e Mishelina Milo, Isuf Kamberi etj. Miq dhe shokë në Tiranë Në ato kohë, halli më i madh në Tiranë nuk binte mbi mua, por mbi bashkëshorten time, Bejushen, që ishte e sëmurë invalide. Kështu që mua më duhej, veçanërisht kohët e fundit, sidomos pas vitit 1985-‘86, kur gjendja shëndetësore e saj u përkeqësua, ta shoqëroja në spitalin e Elbasanit dhe në ato të Tiranës. Në spitalin ushtarak, për shkak të shëndetit, Bejushja, por dhe vajza Mirela, gjatë asaj kohe janë shtrua shpesh. Sigurisht nga ata që kujdeseshin më shumë me dhe pa mua ishte mjeku, shoku e miku im Halo Kërraj që mundi dhe bëri shumë pavarësisht se kush isha dhe si trajtohesha. Sot e kësaj dite ai është njeriu më i afërt dhe më i nderuari. Gjithashtu, dhe Shefki Guma, i transferuar nga Tirana, qe dhe mbetet miku i familjes sime. Nga mjekët e tjerë do të veçoja dr. Violeta Dhimtrin, një mjeke e mrekullueshme dhe e pasionuar. Po kështu përmend mjekët e nderuar Fredi Priftanji, Reshat Koçi Luljeta Lleshi (bija e Heroit Haxhi Lleshi) etj... Në këto kujtime jam i detyruar të përshkruaj një moment tepër të rëndësishëm. Bashkëshortja ishte tepër e sëmurë dhe mjekët kurues këtu në spitalin e Tiranë i dhanë të drejtën e daljes përsëri në komisioni dhe të merrte grupin e invaliditetit. Para sa ta çoja në komision, unë personalisht shkova e takova komisionin, për të mësuar nëse ata po të ishin dakord ta çoja, përndryshe të mos paraqitesha fare. Kryetar komisioni ishte prof. Shefqet Ndroqi. Pasi më erdhi radha, futem dhe i drejtohem prof. Shefqetit me dokumentet përkatëse. Mbasi i pa, ai u çudit se ajo kishte mbi 20 vjet invalide, e kuptoi se edhe më njihte, por më drejtohet me këto fjalë sikur nuk më njihte fare: “Shoku oficer, unë jam mjek, jam njeri human, shëroj edhe ata që vijnë nga fronti i luftës si pushtues, i shëroj, i dorëzoj dhe pastaj gjyqi t’i pushkatojë, nuk merrem me politikë, shoqen bjereni menjëherë”. Komisioni i dha të drejtën e invaliditetit. Ky ishte prof. Shefqet Ndroqi dhe të gjithë anëtarët e komisionit. Mjeku Sali Berisha, human me “armikun” Veli llakajNë atë kohë më ka lënë mbresa dhe ish-ministri i Shëndetësisë i asaj kohe Ajli Alushani, të cilin rastësia e pruri që e takova në spital, ku desha t’i shmangesha takimit me të. Ajliu, sa më pa, afrohet dhe më zë përkrahu e më thotë: “Shoku Veli, çfarë nevoje të ka sjellë këtu dhe çfarë ndihme kërkon”. U befasova, se ai ishte ministër. E falënderova se gjithçka e kam kryer dhe u ndava me të. Një rast interesant me një mjek tjetër po kaq të aftë, mjek kardiolog, ku pas Ajliut, si duket ishin të lidhur me punët e tyre të spitalit, takoj prof Sali Berishën. Po ta takoje atë që ishte edhe sekretar i byrosë së partisë, kur dhe para tij ishte ministri, nuk mendoja se do të fliste, por u zhgënjeva. Ai, Saliu, kthehet, takon bashkëshorten time, pastaj mua dhe na pyet: ”Çfarë ndihme kërkoni, jam gati t’u shërbej!”. Saliu e dinte që bashkëshortja ime vuante nga zemra, ishte tepër human, megjithëse e dinte se unë isha ”armik”. Nuk di sot, ç’bën partitizmi, pasi më ka atakuar dhe sot në demokraci mua kur vazhdoj të mbroj kërkesat ekonomike të ushtarakëve, por si mjek ka qenë human në atë kohë tepër të vështirë. Zakonisht në fund hahet bakllavaja, prandaj edhe unë e lashë për në fund një mik e shok me shumë vlera ai është prof Skënder Skënderi, kur në një kohë që nuk më pajisnin gruan me disa dokumente të spitalit dhe recetat përkatëse për medikamente, ai, Skënderi, e mori gruan time, e takoi me gruan e tij, po mjeke, një femër e mrekullueshme dhe të dy ata u vunë në shërbimin e bashkëshortes sime sa i plotësuan gjithçka. A mund të harrohen këta miq e shokë mjekë që të gjenden afër në momentet më të vështira. Jam penduar edhe unë për disa mëkate të miatNjë ditë, duke shkuar për në gjyqin e Kadri Hazbiut, rastësisht takoj në rrugë një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushte ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes, gjeneralin e dashur dhe Heroin e Punës, Mendu Backa. Mendui ishte bashkë me bashkëshorten, Nermin. Sa më pa, bëri të ndalojë këmbët për t’u takuar. Unë ia bëra me dorë, pra i dhashë shenjë që nuk mundet se unë po shkoj si cjapi te kasapi dhe, po ta takoja, do ta dëmtoja atë. Mendui, ashtu, me atë shikimin e tij karakteristik, uli kokën, por edhe shikonte nga pas. Të njëjtën gjë bëja edhe unë; ec e shiko pas. Në moment, mua (por besoj dhe mikut tim, Menduit), ato çaste më erdhi ndërmend një shprehje e artit ushtarak: “Ec e shiko pas, e jo korr e mos lidh”. Kjo po ndodhte midis shokësh. Deri ku do të shkonim kështu; kishim punuar një jetë të tërë në ushtri e tani nuk mund të takonim njëri-tjetrin. Pas shumë kohësh, aty nga viti 1995, kur edhe unë u ktheva në Tiranë, pyeta se ku e kishin çuar me shtëpi. E gjeta dhe i bëra një vizitë familjarisht. Qëndruam, qamë hallet, kujtuam disa peripeci, qeshëm, por edhe treguam keqardhje. Të njëjtin veprim kam bërë dhe me një shok tjetër, Zenel Metën. Pra, njeriu është shumë i fortë dhe i tillë duhet të jetë. Kuraja dhe besimi në vetvete nuk duhen të shuhen kurrë, por gjithçka duhet të jetë me nder dhe në tabanin kombëtar e jo më luftë klase, si atëherë dhe tani. Fatkeqësisht, edhe sot në demokraci, vazhdojmë ta shohim njëri-tjetrin jo si njerëz, por si “luftëtarë” në barrikada të ndryshme…