e enjte, mars 09, 2006

Motivacioni: “Armik, agjent, imoral“

Ekskluzive/ Dënimi i ushtarakut të lartë Gjergj Titani në vitin 1974, cilësuar nga partia e Enver Hoxha si “antiparti“, „bashkëpunëtor i agjenturave të huaja“ , njeri që “për epshet seksuale kishte nxjerrë sekretet shtetërore“, dënim që parapriu zbulimin e ndëshkimin e grupit “puçist“ të Beqir Ballukut, në këtë numër jepet për lexuesin nëpërmjet kujtimeve të ish-eprorit direkt Veli Llakaj dhe dokumenteve të kohës.

Kujtim Boriçi

Starti i ndëshkimeve ekstreme për ushtarakët madhorë shqiptarëEdhe pse me aftësi profesionale të spikatura, me një karrierë të shpejtë për moshën që kishte (shef shtabi korpusi), viti 1974, për ushtarakun e njohur të karrierës Gjergj Titani, do të shënonte pikënisjen e një kalvari të mundimshëm që do të kishte si finish vite të tëra burgu. Partia dhe Enver Hoxha, sipas dokumenteve të kohës, por edhe shënimeve të Veli Llakajt, kishte arritur në konkluzionin se ushtaraku i lartë, Titani, ishte “antiparti“ “spiun“, njeri që “për epshe seksuale kishte nxjerrë sekrete shtetërore“, e njëkohësisht ishte “agjent i disa shteteve të huaja“!! Sipas dokumenteve të kohës, është Hysni Kapo, ndihmësi më i afërt i Enver Hoxhës dhe personi që mbulonte ushtrinë në Byronë Politike, që thërret Veli Llakajn, për të nisur analizën dhe ndëshkimin e “armikut“ Titani. Përtej urdhrit të dhënë, personat që morën detyrën e ndëshkimit të „armikut“ Gjergj Tirani, ndër më kryesorët Veli Llakaj, ish-eprori i tij direkt, vihen në siklet përballë kërkesës së Enverit për përjashtim nga partia, largim nga ushtria dhe ndjekje penale. Jo vetëm për faktin e mosbindjes së plotë për këto akuza (pasi nuk mundnin dhe t’i kundërshtonin ata që thoshte partia e Enveri), por se gjykonin që ndëshkimi të ishte më i vogël. Po dikush tjetër vendoste!Kështu, ende pa u kryqëzuar plotësisht “armiku“ Gjergj Titani, partia zbulon grupin “puçist“ në ushtri të kryesuar nga Beqir Balluku. Do të niste e vazhdonte kështu ndëshkimi ekstrem me pushkatime, burgosje e internime për ushtarakët më të lartë të vendit. Tregon Veli LlakajNë prill të vitit 1974 më thërrasin me urgjencë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore te Beqir Balluku, ku njëkohësisht ishte dhe Hito Çako. Nuk më tregojnë shkakun e thirrjes, po prej aty shkojmë në Komitetin Qendror te shoku Hysni Kapo. Pas bisedave të rastit, Hysni Kapo më lexon një material të përgatitur në daktilografim për shefin e shtabit të korpusit, Gjergj Titanin. Në atë material që po na lexonte Hysniu, Gjergj Titani cilësohej si antiparti, njeri spiun dhe i rrezikshëm, ku mes të tjerave thuhej se për epshe seksuale kishte nxjerrë edhe sekrete ushtarake. Akuzohej për marrëdhënie me disa agjentura të ndryshme si ato italiane, çeke e ruse!!! Mu rrëqeth mishi nga ato që po dëgjoja, pasi unë kisha kaq kohë që punoja me të, kisha marrëdhënie të mira pune, nuk kisha spikatur aq sa më thonin, e për më tepër, dhe nuk më besohej të ishte ashtu. Gjergji ishte një kuadër i aftë, punëtorë, e mbi të gjitha me prejardhje të shkëlqyera biografike!! Ndaj habiteshim se si mund te ndodh kështu. Porosia nga lart ishte: ”Do të shtrohet çështja në organizatën e partisë, por pa dalë në këto probleme e ta merrnin vesh të gjithë kuadrot, pasi kjo dëmtonte zbulimin e mëtejshëm të këtyre takimeve sipas detyrave që do të përdorin organet e specializuar!”. Sipas porosisë së partisë, do t’i shtronim probleme të mangësive në punë dhe për këtë duhet të përgatiteshim, pra të gjenim mangësitë në punë e veçanërisht në problemet e gatishmërisë. Hysniu na komunikoi: ”Përfundimi i analizës fillimisht të jetë përjashtim nga partia dhe ulje në detyrë!”Aty për aty i them shokut Hysni Kapo, Beqirit e Hitos, se gabimet në punë do t’ia themi dhe do t’ia numërojmë një e për një, se helbete, ”kali i kuq e ka një huq”, por vetëm me këto mangësi nuk mund të arrijmë ta përjashtojmë nga partia. M’u drejtuan mua: ”Po ja, për mangësitë në stërvitje apo në gatishmërinë e vendkomandave, sipas të dhënave që kemi ne, në atë apo këtë kohë, nuk paska përgjegjësi Gjergji!”. Po, u them, ka përgjegjësi, po në këto mangësi kanë pjesën e tyre të gjithë komandat dhe shefat në korpus e, në radhë të parë, unë si komandant e komisari që jemi në krye të kësaj pune. Hysniu menjëherë më thotë: ”Duhet të kuptosh se tani po analizojmë punën e atij e jo tuajën dhe në këtë çështje duhet të jeni shumë të kujdesshëm për t’i dhënë secilit racionin e tij”. I bindur vetë, por me shpresën se mund të ndikoja dhe te bashkëbiseduesit, u theksova se unë gjykoja që me këto argumente që mund t’i ngremë, nuk ju premtoj se mundet ta përjashtojmë nga partia, që është masa më ekstreme dhe më e dënueshme, se kështu ai do të trajtohet në çast si “armik”! Pra, u shtova, a e meriton një njollë të tillë Gjergji me atë të kaluar të lavdishme të familjes së tij!?Në këtë kohë ndërhynë Beqiri e më drejtohet: ”Po ja, nuk mban përgjegjësi Gjergji për ato mangësitë që i janë ngritur kur ishte oficer drejtimi në Shtabin e Përgjithshëm, po për ato takimet e fshehta me atë “prostitutën” çeke që është një njeri tepër i dyshimtë si agjente në Shqipëri po... po… po etj!” Përsëri këmbëngula se për këto nuk mund të përjashtohet nga partia, e se për këto gabime, ai e ka marrë një masë ndëshkimore më parë e nuk ka përsëritur më shfaqje të tilla. Hysni Kapo:“Ka urdhëruar Enveri që të dënohet!”Duke parë kundërshtimin e mosbindjen time në përligjen e argumenteve reale për ndëshkimin e rëndë që kërkohej për Gjergj Titanin, - tregon më tej Llakaj -ndërhynë Hysni Kapo, duke thënë: ”Po nuk mundët të arrini në këto masa që ju propozojmë ne sot këtu dhe t’i jepni këtë masë, atëherë ju do të ngrini këto çështje në adresë të Gjergjit: së pari, marrëdhëniet imtime e seksuale me punonjësen e Ambasadës Çeke si spiune e regjur, marrëdhëniet imtime e seksuale me E.S.L, një prostitutë dhe agjente italiane, ku kemi të dhëna se i ka treguar edhe sekrete ushtarake, për të cilat edhe është dëbuar nga Tirana familjarisht... Pra, po t’i thuash këto, nuk përjashtohet ky agjent i fëlliqur që na tregohet kaq patriot i madh?!”. Këto që tha Hysniu -shkruan më tej Llakaj në kujtimet e tij- ia përforcuan dehe bashkëbiseduesit e tjerë të pranishëm, duke thënë se gjithçka dihet nga partia dhe sigurimi i shtetit rreth problemeve për të cilat kërkohet ndëshkimi i rëndë i Titanit. I ndodhur përballë kësaj situate e këmbënguljes urdhër, Veli Llakaj i drejtohet së fundi me një kërkesë Hysni Kapos, duke i thënë: ”Ju lutem, ta përjashtojmë nga ushtria e jo nga partia, se ky përjashtim është shumë i rëndë!” Ndërhyn Hysniu, duke thënë: ”Jo, në asnjë mënyrë, porosia e shokut Enver është të qëndrojë në ushtri, se aty kemi mundësi ta kontrollojmë më mirë, organet e sigurimit të shtetit kanë marrë detyrë për këtë çështje!”Pamundësia për ta mbrojtur Titanin Kështu, sipas pohimeve të bashkëkohësve dhe dokumenteve të kohës, për ushtarakun Gjergji Titani nis gjyqi politik në parti si “armik, bashkëpunëtor i agjenturave të huaja”. Veli Llakaj, ish-eprori i tij direkt në atë kohë, shkruan se në atë analizë, pas shumë debatesh, nga asnjë nga shokët e organizatës bazë të partisë, nuk pati asnjë propozim për përjashtim nga partia. “I vetmi që e bëri këtë propozim ishte shefi i sigurimit, Reshat Sinovarfi, që e dinte para meje këtë çështje, i pasuar nga unë dhe sekretari i organizatës së partisë, Qani Duraj. Organizata nuk u bind, atëherë unë, me keqardhje, hodha ”bombën” tymuese që më kishte dhënë Hysniu, kundrejt shokut dhe zëvendësit tim të parë!”-shkruan Veli Llakaj. Pas “bombës” së hedhur, te gjithë u bashkuan në një zë për përjashtim nga partia dhe çmobilizim nga ushtria të Gjergj Titanit. Po i njëjti qëndrim, sipas dokumenteve të kohës, u mbajt edhe në komitetin e partisë së korpusit, ku u fol më hapur për shumë veprime të tjera. Kështu, Gjergj Titani u përjashtua nga partia dhe u emërua instruktor stërvitjeje në shkollën e oficerëve rezervistë në Vlorë. Me vonë u arrestua dhe u dënua për agjitacion e propagandë. Për këtë akuzë absurde, Titani vuajti një dënim prej gati 15 vjetësh burg. “Megjithë dashurinë e madhe dhe preokupacionin për ta ndihmuar atë, dhe ndonjë shok tjetër, veçanërisht komisari i korpusit, Gaqo Collaku, nuk arritëm ta bëjmë dot këtë gjë, sepse orientimi, porosia dhe urdhri ishte i partisë, ishte i padiskutueshëm, e unë dhe shokët e mi ishim të detyruar ta zbatonim”, -shkruan për këtë problem Veli Llakaj. Nesër do të lexoni:-Pozicioni i Llakajt ndaj Beqir Ballukt, Petrit Dumes e Hito Cakos, nga ndihma që i dhanë në ngjitjen e shkallëve të karrierës deri te përballja me ta në bankën e akuzës si “armiq” e “puçistë”. -Takimi i fundit i Llakajt me shokët “armiq”.