e premte, mars 10, 2006

Eprorët, shokët dhe miqtë e mi ushtarakë që u pushkatuan

Veli Llakaj

Beqir Balluku, gjenerali që më dha diplomën e oficeritTre nga emrat më të njohur të luftës e më pas në drejtimin e ushtrisë shqiptare, përkatësisht gjeneralët Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, që do të pushkatoheshin dekada më vonë, ashtu si për shumë bashkëmoshatarë e kuadro të rinj ushtarakë, edhe për mua ishin, në një farë mënyre, idhuj. Edhe më pas, kur unë isha vartës i tyre, kur ngjita shkallët e karrierës deri në strukturat më të larta të ushtrisë, edhe kur m’u desh të përplasesha apo të dënoja veprimtarinë e tyre “armiqësore“, për mua kanë qenë dhe mbeten jo vetëm model si ushtarakë, por edhe si njerëz. Beqir Balluku ka qenë një nga gjeneralët më të vjetër dhe më me reputacion, i njohur në publik me shumë udhëheqës të tjerë kryesorë të kohës, deri atje sa në dasma e festa të caktuara atij i ngriheshin shëndete, bile duke e krahasuar dhe me ndonjë objekt të rëndësishëm industrial të vendit. Ja p.sh njëra prej tyre: “Në Fier, fabrika e pambukut, shëndeti Beqir Ballukut!”. Por unë si Veli, kisha dhe një kujtim tjetër me Beqir Ballukun, në kohën që kisha mbaruar shkollën e sapo isha diplomuar oficer. Në përfundim të studimeve në shkollën e Bashkuar të Oficerëve, ai më dorëzoi diplomën dhe me vendosi gradën e togerit. Beqiri ishte për mua një burrë babaxhan, i thjeshtë, i dashur, i komunikueshëm dhe shoqëror. Por pak operativ në njësi e reparte. Kudo, në të gjitha funksionet që kam qenë, unë kam pasur marrëdhënie mjaft të mira pune; asnjëherë nuk jam konfrontuar për asnjë lloj problemi. Kam pasur vetëm një përplasje me të në vitin 1974, në muajin prill, ku siç e kam thënë, nuk firmosa një dokument që më afroi, atë që më vonë do të quhej „Tezat e zeza“, të përgatitura nga „puçistët“. Petrit Dumja dhe operativiteti i tijPetrit Dumen e kam njohur që kur isha kursant. Ai në aparencë tregohej tepër kapadai, mendjemadh, arrogant e prepotent. Në fakt, me këto veti në dukje, nuk ishin pjesë e karakterit të tij, por veçse kërkesë llogarie. Unë ruaj kujtimet më të mira dhe respektin më të lartë për këtë kuadër të devotshëm e tepër të nevojshëm për ushtrinë shqiptare. Petriti, po të mos gaboj në shprehje, do ta quaja shqiponjë, zemra, truri, motori dhe shpirti i ushtrisë. Ai ishte shumë i dashur me kursantët, skënderbegasit, ushtarët, e pse jo dhe me oficerët e të gjitha kategorive. Mund të fliste vrazhdë, por asnjëherë nuk të bënte keq; pra ishte shpirt mirë. Kujtimet e mbresat e mia për të janë të shumta; që nga jeta e kursantit gjer në komandant Korpusi e deri në dënimin e tij. Petriti, për mua, ishte modeli i karrierës ushtarake. Ai më ndoqi mua kudo si kursant, si oficer i rangjeve të ulëta, si komandant toge në shkollën e bashkuar të oficerëve. Ai më mori në Ministrinë e Mbrojtjes në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake, ai më çoi në Akademinë Ushtarake. Jam i bindur se ai, me të mbaruar Akademinë Ushtarake, më emëroi shef shtabi brigade një vit, më pas më mori pranë Shtabit të Përgjithshëm si oficer drejtimi për dy korpuset e veriut. Petriti më propozoi në organizatën e partisë (pasi e bënim bashkë jetën e partisë) për komandant të Brigadës së Parë menjëherë pas agresionit të Çekosllovakisë. Ai me Hito Çakon miratuan e më kanë propozuar pranë udhëheqjes për komandant korpusi në Burrel e më pas në Korpusin e Parë të Mbrojtjes Bregdetare të Fierit, një nga korpuset më të mëdhenj të ushtrisë. Për mua që u ngjita më pas në krye të Shtabit të Përgjithshëm, nuk ka asnjë qelizë të ushtrisë që të mos jetë mendja e dora e Petrit Dumes; nuk ka asnjë copë toke shqiptare që të mos ketë shkelur ai, nuk ka asnjë repart që të mos ketë firmën e tij, nuk ka asnjë oficer apo ushtar që të mos e ketë takuar ai kudo, në çdo majë lartësie, në çdo vijë kufiri, në çdo vijë uji bregdeti etj. . . Ushtria shqiptare ka pasur shumë shefa Shtabi të Përgjithshëm, por me përjashtim të Mehmet Shehut, asnjeri nuk mund t’i afrohej Petrit Dumes. Ndërsa fati i tij tragjik, është shumë më tepër se një absurditet dhe për atë kohë!Takimi im i fundit me Petrit Dumen e Hito ÇakonSis e kam thënë më parë, ishte dhjetori 1974 kur zhvilloi punimet Plenumi i 6-të i KQPPSH-së për dënimin e grupit “puçist“. Nga ky “tërmet“ u goditën edhe kuadro të tjerë (mes tyre edhe Rrahman Parllaku, Dilaver Poçi, Halim Ramohito, por tehu i goditjes fatale që çoi në pushkatim ishte për Beqirin, Petritin dhe Hiton. Analiza filloi me ashpërsinë më të madhe, ndryshe nga ç’pritej. Them kështu se raporti i Byrosë Politike të KQPPSH-së, i lexuar një natë më parë, nuk parashikonte akuzat që lëshoi Enveri në sallën e Plenumit ndaj “armiqve“ e „puçistëve“. Raporti që ne lexuam natën e mëparshme, në vija të përgjithshme, ishte ai i datës 14 dhjetor, mbajtur me kuadrot kryesore të ushtrisë. Në këtë raport të Byrosë Politike thuhej përafërsisht kështu: “Beqir Balluku në veprimtarin e tij armiqësore kundër partisë nuk ka qenë vetëm, po kështu dhe puçin ushtarak nuk mund ta bënte vetëm. Prandaj Byroja Politike, duke analizuar me hollësi këtë veprimtari konstaton se ai është më i gjerë se sa kaq. Ju Hito Cako, jini një revizionist i gjallë, kurse ju Petrit Dumja, nuk mund t’u vëmë në një shenjë barazimi me Hiton, se ju e keni dashur ushtrinë dhe keni punuar me përkushtim për të, por jo sipas mësimeve të partisë, por si pas kokës suaj!”. Kurse në analizë në plenum këta të dy u paraqiten si bashkëpunëtor të Beqir Ballukut, në një grup me të, për të përgatitur e kryer „puçin“ por që dështoi nga vigjilenca e partisë. . të mundshëm kundër partisë, po te mos kishte qene kaq vigjilente partia. Anëtarët e Komitetit Qendror, diskutuan me ashpërsi dhe i cilësuan armiq!!Unë në këtë diskutim Petrit Dumen e kisha një karrige para, kurse Hitua pak më majtas. Nga goditjet e ashpra dhe të papritura në këtë analizë Petrit Dume si duket e humbi fare toruan dhe filloi të dërsijë nga sikleti. Edhe shaminë si duket nuk mundi ta gjente ose e kishte harruar në shtëpi, ndaj në një moment u kthye prapa dhe më kërkoi shaminë të fshinte djersët. Ia dhashë me kënaqësi, por edhe me dhimbje për pozicionin e tij në atë situatë. Pasi i fshiu djerset, tentoi të ma jepte, por unë i thashë: “Të lutem, mbajeni se kam tjetër, kur në të vërtetë nuk kisha. Gjatë diskutimeve, ai, Petriti, u zu gafil (ngushtë) dhe nuk ishte në gjendje të reagonte ndaj pyetjeve provokuese e të paqena. Ai tha: “Nuk mund të diskutoj mbi këtë bazë që diskutohet e trajtohet problemi këtu, pasi unë jam përgatitur me shkrim, por sipas raportit të Byrosë Politike dhe fjalës së shokut Enver në Byro!“Të gjithë iu vërsulën e nuk e lejuan jo vetëm t’u përgjigjej pyetjeve, por as të shtonte fjalët se këto akuza nuk i pranonte se nuk qëndronin. Atëherë iu vërsulën e nuk e lejuan fare të diskutonte apo t’u përgjigjej pyetjeve, por u propozua të arrestohet. Ai menjëherë u paralajmërua të dalë jashtë nga mbledhja dhe u urdhëruan njerëzit e sigurimit që ta arrestonin. Arrestohet dhe dënohet pas pak kohësh me pushkatim. Pra kjo qe ndarja ime e fundit me gjeneralin e talentuar e të dashur Petrit Dume. Pas tij radha i erdhi Hito ÇCakos, i cili, si duket, ishte përgatitur shpirtërisht sipas asaj që ishte diskutuar më parë për të, e për probleme që u ngritën aty. Hitua mbajti një qëndrim shumë me kurajoz se Petriti. Ai iu drejtua Enver Hoxhës: “Nuk jam aspak revizionist, por një komunist i vendosur deri në fund të jetës sime. Revizionistët shiko se mund t’i kesh aty pranë vetes dhe duhet t’i përcaktosh!“. Se ku e gjeti këtë kurajo dhe se për cilin e kishte, nuk dihet. Kaq u desh dhe të gjithë u vërsulën mbi të, duke thënë: “Të arrestohet!“ Dhe ky u arrestua po në sallën e mbledhjes. Kujtoj një detaj ku pas leximit të raportit në plenum, u bë një pushim i vogël dhe si zakonisht aty shtrohej dhe një lloj banketi, me kafe dhe ndonjë mollë. Hitua po qëndronte në sallë i vetmuar. Unë i shkoj pranë dhe e ftoi të pimë një kafe. Ai më thotë: “Të lutem, largohu, shiko punën tënde, nuk po e merr vesh se ne po shkojmë si qeni në vreshtë dhe po e mbyllim me mut!…“Pas tij e mori fjalën Rahman Përllaku, i cili ishte kritikuar shumë ashpër dhe në kohën e Beqir Ballukut kur u dënua dhe u përjashtua nga KQP-ja dhe partia, por Rahmani atëherë mori vetëm një vërejtje. Tani, në këtë analizë ai bëhej bashkëpunëtor i të njëjtës “llogore“ me Beqirin, Petritin dhe Hiton. Prandaj në pak minuta edhe ai arrestohet. Pas tij fjala iu dha Sadik Bekteshit, në atë kohë drejtor i Institutit të Studimeve Ushtarake e një ndër të akuzuarit po në këtë grup, i cili kishte futur e shtypur materiale revizioniste, se dhe shumë kuadro me të Sadikun në krye ishin marrë me materialet e “zeza” të Beqir Ballukut. Dhe ky e pësoi si të parët me masën përjashtim nga KQP-ja dhe partia. Më vonë internohet prej disa vitesh. Pasi u bënë këto arrestime, e pas një pushimi të shkurtër, filloi prapë mbledhja.Fjala iu dha Dilaver Poçit. Për të ishte parashikuar nga udhëheqja e lartë e partisë që të kthehej nga anëtar në kandidat të KQP-së. Pas shpjegimeve që dha Dilaveri për gjendjen e krijuar në udhëheqjen e lartë të ushtrisë, gabimet e tij në përbërje të kësaj udhëheqjeje nuk munguan përsëri sulmet nga më bajatet. Në këto kushte, Hysni Kapo ngrihet dhe bën një forme diskutimi të shkurtër, duke propozuar kthimin e Dilaverit nga anëtar në kandidat të KQP-së. Por turma që donte të merrte flamurin, u sul duke këmbëngulur se ai kishte gabime të mëdha në punën e ushtrisë. Iu drejtuan shumë pyetje, ku ishte shumë e vështire t’u përgjigjej, pasi nuk qëndronin e mohimi i tyre do ta çonte te shokët e sapoarrestuar. Megjithë përpjekjet që bëri, nuk i shpëtoi dot masës më të rëndë; përjashtimit nga KQP-ja. Më vonë u përjashtua dhe nga partia dhe kaloi në internim për gati 15 vjet, nga viti 1975 deri në vitin 1991. Pas tyre fjala i erdhi Halim Ramohtos, ish-zëvendësdrejtor politik i Ushtrisë. Halimi i shkretë nuk u lejua fare të diskutonte, pasi i pari e sulmoi Enveri, sapo doli në podium për të folur. Menjëherë u bë propozimi për përjashtim nga të gjithë funksionet partiake, pra dhe ky u përjashtua nga KQP-ja dhe partia. Më vonë u internua dhe u fut në burg. Sot qëndron solid i idealeve kombëtare shqiptare. Mbaruan të gjithë ish-anëtarët e KQP-së në udhëheqjen e lartë të ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Pra 6 vetë të cilët u cilësuan se kishin krijuar një KQP të vogël me vete në ushtri. Por kishte ngelur dhe një ish-kandidat i KQP-së në një njësi operativo -strategjike, pra një komandant korpusi që isha unë Veli Llakaj. Pas gjithë asaj trazire të madhe, nuk e kisha të lehtë t’i shpëtoja kësaj katastrofe, por mendova qe si të gjithë shokët edhe unë. Nuk ndodhi kështu. Kur disa filluan të më sulmonin, duke më bërë dhe pyetje provokuese, ndonëse jo të asaj shkalle si paraardhësit. Ndërhyjnë me radhë e japin sqarime tepër të zbutura disa anëtar të Byrosë Politike si Haki Toska, Hysni Kapo, Ramis Alia dhe në fund Mehmet Shehu. E kalova me një autokritikë, për shkak se më kishte munguar vigjilenca revolucionare etj. Ndërhyrja e Nexhmijes bëri që të më shtonin dhe një masë tjetër; atë të shënimit në kartën e regjistrimit.