e hënë, mars 13, 2006

Kalvari i vuajtjeve të familjarëve të “armikut“Llakaj!

Veli Llakaj

Viktimat dhe fajtorët pa fajNdër dramat më të rënda dhe krejt absurde të viteve të diktaturës në Shqipëri, ka qenë persekutimi fizik, moral dhe psikologjik i dhjetëra familjarëve apo të afërmve të njerëzve që partia i kishte përcaktuar dhe ndëshkuar si „armiq“. Veli Llakaj, që gjatë karrierës së tij të gjatë në ushtri arriti deri në shef Shtatmadhorie, pra në majën më të lartë të piramidës ushtarake për oficerët e karrierës, në këtë numër, krahas të tjerave, jep për lexuesin një listë të gjatë emrash të familjarëve e fisit të tij që u lanë pa punë apo u ndëshkuan me forma të tjera, vetëm për shkak të tij. Mes të tjerave, Llakaj thotë në shënimet e tij se u kërkon të falur për këtë, ndonëse është fajtor pa faj. E njëkohësisht, edhe pse pas vitesh e dekadash ai thotë se edhe ata që kryenin këto ndëshkime nuk kishin ç’bënin, se ashtu ishte kohë, e se kushdo (pra edhe Llakaj), sipas tij, atë punë do të bënte ndaj “armiqve“ që mund të ishin (dhe kanë qenë) në vend të tij. Në këtë realitet të dhimbshëm të kohës, edhe vetë Llakaj që ka qenë në funksione të larta, bashkë me kolegë, kanë qenë pjesë e këtij ingranazhi ndëshkimesh, aktivë apo në heshtje, herë në bankën e akuzonjësve e më pas në atë të viktimës. Vetëm kështu, udhëheqja e kohës, brenda një rrethi izolimi të shumëfishtë nga bota, mundi t’i zgjasë jetën regjimit.

Nga Kujtim Boriçi

Njeriu në jetë bën edhe gabime, është edhe në opozitë me shtetin në fuqi, ka edhe mendime të kundërta. Dhe për këto mund të dënohet, të internohet, të pushkatohet sipas ligjeve në fuqi të atij shteti që i përket. Por përse duhet ta vuajnë të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, kur ata nuk janë të fajshëm. E drejtë apo e padrejtë, për dekada në Shqipërinë e pasluftës, kjo kështu ka ndodhur, fëmijë, familjarë apo të afërm të “armikut”, edhe pse pa faj, kanë vuajtur internimin e ndëshkime të tjera të rënda fizike e psikologjike. Me fëmijët e mi dhe familjen, siç edhe e kam trajtuar në shënimet e mëparshme, me cilësimin tim “armik”, ka funksionuar në perfeksion ky mekanizëm absurd i kohës. Por të afërmit dhe farefisi im, ç’kishin bërë që të vuanin për fajin tim?! Kur kam marrë vesh për persekutimet e farefisit, atje ku më degdisën në Cërrik, pa asnjë mundësi kontakti qoftë fizik e telefonik, jam shqetësuar më shumë e, pse ta fsheh, kam ndjerë dhimbje, ndoshta ndër më të rëndat në jetë. Për këto kam bërë disa letra ankimore po t’i quaja kështu, që nga strukturat shtetërore të ulëta në bazë, e deri te Komiteti Qendror e Enver Hoxha. Nuk kam lënë person shtetëror pa shqetësuar si Pali Miskën, Ibrahim Gjevorin, Fatmir Gjergjin, Viktor Naskën, Esma Hoxhën, Edije Bejta në Elbasan; Nexhmije Hoxhën, Lumturi Rexhën, Sotir Koçollarin, Adil Carçanin, Manush Myftiun e shumë e shumë të tjerëve në Tiranë. Kërkesave të mia, jo vetëm që nuk u është dhënë zgjidhje, por, fatkeqësisht, as edhe përgjigje formale nuk kam marrë për to. Unë, Veli Llakaj, u dënova me të drejtë apo pa të drejtë, kjo është një çështje tjetër, por kush e pësoi për mua?! Cilët ishin këta që e pësuan për luftën famëkeqe të klasave! Unë po rendis më poshtë disa, duke u kërkua ndjesë, ndonëse isha dhe mbetem fajtor pa faj karshi tyre. - Gruan dhe fëmijët e mi i lanë për një kohë të gjatë pa punë si njerëz të deklasuar. Në kundërshtim me ligjet e asaj kohe, gruas sime i hiqet e drejta e invaliditetit. Për këtë shkaktare direkte apo ekzekutore e këtij paradoksi të kohës ka qenë ish-drejtoresha e sigurimeve shoqërore të asaj kohe, zj. Makbule Lena. - Vajzën, Vjollcën, që kisha në klasën e tretë të shkollës së mesme kur isha në Tiranë, kur shkuam në Cerrik nuk e pranuan në asnjë shkollë. -Vëllanë, Ademin, oficer në degën ushtarake në Vlorë, e përjashtuan nga partia, e çmobilizuan nga ushtria dhe i hoqën titullin e oficerit. - Gruan e vëllait të Ademit, Hurman, e përjashtuan nga partia dhe e hoqën nga puna. -Djalin e vëllait të Ademit, Artanin, njeri me talent të spikatur në futboll, e hoqën nga ekipi i „Flamurtarit“ të Vlorës. -Vëllai im i madh, Ramadani, brigadier në bonifikim në Tepelenë, mekanik që nga viti 1954, që nuk ka lënë territor të Shqipërisë pa punuar si traktorist, që nga Fushë-Alia në Dibër deri në Gjirokastër, e heqin si të tillë dhe e lënë punëtor të thjeshtë. Ruajna, o zot!!-Djalin e vëllait, Kastriotin, që ishte student për pilot e çmobilizojnë, e heqin nga shkolla. - Vëllanë tjetër në fshat, Syriun, punëtor në mirëmbajtjen e rrugëve, e përjashtojnë nga partia. -Motrën në fshat, kuzhiniere në kooperativën bujqësore të Hekalit, e heqin nga puna. - Motrën tjetër, Lumturinë, punëtore kontrolle cilësie në fabrikën e plasmasit në Durrës, e heqin nga puna. -Djali i motrës, Lumturisë, nipi im, Fatmiri, largohet nga puna si mekanik dhe përjashtohet nga kursi i shoferëve. -Bakiu, djali i xhaxhait, në fshatin Krahës, brigadier, përjashtohet nga partia dhe largohet nga detyra. - Djalin i xhaxhait tjetër, Rizait, mjek veteriner në kooperativën e Krahësit, e largojnë të mos bëjë shërbim si roje pranë telefonit të rojes operative në fshat. -Gruaje tij, Selvia, llogaritare, anëtare partie e largojnë nga llogaria e kooperativës. -Dy djemtë e dajës, Bakiu dhe Asqeriu, çmobilizohen nga ushtria. -Djali tjetër i dajës, Enver Behaj, largohet nga dega ushtarake si i papërshtatshëm në këtë detyrë. -Gruaja e djalit të xhaxhait, Drita, punëtore në Minierën e Memaliajt (mamaja e Agron Llakajt), kërkohet të kthehet në kandidate partie, por mbrohet me të drejtë nga sekretari i parë i Tepelenës në atë kohë Manxhar Binaj, për të mos u marrë kjo masë - Nuk mund të lë pa përmendur një veprim të drejtë, por me rreziqe për veten e tij, kur djali i motrës, Lumturisë, Sokoli, kryente detyrën ushtarake e shikohej me shumë dyshime, ushtaraku trim Abedin Qëndro, ish-komisar i brigadës së Laçit, e merr roje në shtëpinë e oficerëve. Ja që kishte dhe në atë kohë njerëz trima, kurajozë, të mirë dhe të pafrikësuar nga e vërteta. Vetëm njëri nga fisi ynë i shpëtoi këtij karvani famëkeq, nuk u përjashtuar nga partia dhe nuk u çmobilizuar nga ushtria, megjithëqë pësoi një ulje drastike në detyrë. E ky ishte Enver Llakaj. Nuk di pse? Mos ndoshta se kish emrin Enver?!Pse duhej gjithë kjo vrasje shpirtërore, ky kalvar i mundimshëm. Kontigjentë të kujt kemi qenë , të “armikut”, apo njerëz të devotshëm në atë kohë dhe sot!. Pavarësisht nga këto, unë mendoj se duke gjykuar për kohët kur kanë ndodhur, për mua, nuk duhet t’ua vleresojme për të keq, se kështu kemi bërë apo do të bënim dhe ne po t’i kishte ndodhur dikujt, siç më ndodhi mua...