e mërkurë, mars 15, 2006

Njollë e padrejtë e ushtrisë shqiptare



Veli LlakajLlakaj, Mehmeti dhe Enveri


Refleksione
Dënimet makabër e të pamerituara në vitet e diktaturës në ushtrinë shqiptare, pushkatimet, burgosjet dhe internimet e gjeneralëve, ushtarakëve të tjerë madhorë, shënojnë një njollë të zezë që duhet hequr! Ky është apeli që bën në shënimet e tij Veli Llakaj, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në vitet 1974-1982 dhe bashkëpunëtori më i afërt atë kohë për problemet e mbrojtjes i Mehmet Shehut. Për Llakajn, edhe figura e Enver Hoxhës, kërkon një vlerësim real dhe në rolin e tij në ushtrinë shqiptare, me meritat, por dhe me mëkatet që nuk janë të pakta. Por, sipas Llakajt, për këtë njollosje të padrejtë të ushtrisë e drejtuesve të saj të kohës, përveçse Enverit, bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, kanë përgjegjësinë dhe të tjerë që ndonëse atë kohë rrinin në „hije“, kishin rol të padiskutueshëm në kursin e timonit të shtetit. Mes përgjegjësve, sipas Llakajt, ka edhe nga ata që morën pushtetin pas Enverit, por dhe të tjerë që drejtuan ushtrinë e vendin më pas. Ushtria shqiptare, sipas ish-shefit të Shtatmadhorisë së saj, atë kohë ka bërë detyrën ndaj vendit, ushtarakët, që nga ushtarët e thjeshtë dhe kuadrot, kanë qenë njerëz të sakrificës, të nderuar e respektuar që kanë sakrifikuar nga vitet e jeta e tyre në përmbushje të idealit, misionit për mbrojtjen e Atdheut. Në një farë mënyre, njolla e zezë, me grupe“puçiste“, nga të pushkatuar e denigruar pa faj, bën hije padrejtësisht mbi armatën e madhe të shumë brezave ushtarakësh të thjeshtë. Ka ardhur koha, bile sipas Llakajt, ka kaluar, që e vërteta të njihet ashtu siç ka qenë, me të mira e mëkatet e saj, e kjo njollë të zbardhet sa më shpejt. Kujtim BoriçiGrupet “armiqësore” dhe ndëshkimetUnë nuk jam historian, as analist, as publicist, por thjesht një ish-ushtarak i lartë i ushtrisë Shqiptare. Kështu që nuk marr e as nuk më shkon në mend të marr përsipër një analizë të figurës së Enver Hoxhës që ka udhëhequr për gati 50 vjet të gjithë aktivitetin politik, ekonomik dhe ushtarak të vendit të vet me të mirat dhe mangësitë e kohës. Por ato që kam trajtuar në kujtimet e mia personale, me aq sa kam mundur t’i hedh, duke qëndruar fanatik shënimeve të kohës, kujtesës, por dhe dokumenteve zyrtare, jam përpjekur të jem sa më realist. Dikush mund të më miratojë, dikush mund dhe të më kontestojë. Personalisht figurën dhe veprimtarinë e Enver Hoxhës, në bazë të fakteve historike, mendoj se e kam trajtuar me objektivitet dhe asnjëherë nuk e kam zbehur apo mohuar qenien e gjithkujt, duke përfshirë, në radhë të parë, figurën e Enver Hoxhës si personalitet politik, pra si udhëheqës i PKSH-së, dhe si komisar e komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe më vonë akoma si kryetar i Këshillit të Mbrojtjes, sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Kudo që kam folur, p.sh., për 10 korrikun e vitit 1943, krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇLSH-së, kam theksuar se Enver Hoxha ka qenë komisar politik dhe Spiro Moisiu, shef i Shtabit të Përgjithshëm, por në asnjë mënyrë nuk kam nguruar të lë pa përmendur edhe të gjithë anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, pavarësisht se çfarë fati mësuan ata më vonë si Abaz Kupin etj... Në këtë aspekt nuk mund të linja jashtë kujtesës atë dhimbje të madhe që ka përjetuar e gjithë ushtria; dënimin, denigrimin, internimin familjarisht apo burgimin e pushkatimin e shumë prej ushtarakëve të njohur. Siç e kam theksuar edhe diku më lart, mundet që edhe të kem harruar ndonjërin prej tyre, prandaj edhe ju kërkoj ndjesë. Me keqardhje do të thosha, pse ky barbarizëm deri në sadizëm, i pamëshirshëm kundër këtyre personaliteteve të larta që kanë bërë luftën, që kanë udhëhequr njësitë e mëdha operative-strategjike si divizione e korparmata, që kanë qenë besnikë, të papërkulur, fanatikë të idealeve për të cilën sakrifikuan edhe jetën. Të gjithë ata që janë dënuar kanë qenë besnikë të idealeve të Enverit, që e kanë dashur me gjithë shpirt. Pse duhej t’i shkonin me plumb pas kokës e në litar?! A thuaj se nuk kishte ndonjë formë apo metodë tjetër? Nuk e quaj normale që shumëkush është dënuar për mungesë vigjilence apo për agjitacion e propagandë, deri edhe për një fjalë. Pra, në këtë aspekt, kur Kadri Hazbiu erdhi ministër i Mbrojtjes, me porosi të Mehmet Shehut ka bërë një material ku përcaktohej se cilat quheshin veprime të gabuara, pra përbënin shkelje ligjore, material i cili ishte më shumë se 20-25 faqe të daktilografuara dhe është mbajtur me të gjithë kuadrot e forcave të armatosura, bile edhe ka shkuar nëpër dikastere e njësi operative. Nuk di se pse edhe sot pas kaq dekadash ky material nuk nxirret nga arkivat e të bëhet publik, për të parë një të vërtetë të madhe apo kthesë që kërkohej të bëhej në organet e Ministrisë së Brendshme. Nuk dua të përgojoj askënd apo të lëndoj sado pak, por konfirmoj shumë kuadro ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit, jepeshin informacione, merreshin masa deri në arrestime. E për paradoks, po këta që i jepnin këto informacione për dënimin e tyre ishin edhe hetues nëpër burgje. Ky ka qenë një skandal. Apo shumë merrnin masa ndëshkimore për mungesë vigjilence se nuk zbuluan veprimtarinë “armiqësore” të grupit “puçist” të Beqirit, Petrit, Hitos etj. Thuajse komandave poshtë, në brigadë, qoftë edhe të korpuseve u mungoi vigjilenca për ndjekur veprimet e anëtarëve të Byrosë Politike të ministrave apo zëvendëskryeministrave?! Kjo vigjilencë u ka munguar atyre që ishin më afër apo i kishin vartës, apo i kishin ngjitur në këto shkallë. Pra, në radhë të parë, vigjilenca i kishte munguar Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut dhe rrjedhimisht ata mbanin përgjegjësi e duhej të merrnin masa ndëshkimore po të ishte i vërtetë një veprim i tillë. A thua se të gjithë ishin armiq këta që u dënuan? Si mund të bëhej armik Mehmet Shehu që ishte në krye të vendit që nga çlirimi e deri në vitin 1981, pra për 40 vjet, kur ai kishte në vartësi Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, pra strukturat e armatosura që i ngriti e drejtoi me kompetencë! Si mund të bëhej armik Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu, Llambi Peçini që kanë pasur në dorë sigurimin e shtetit e për vite të tëra? Armiq mund t’u themi gjeneralëve të talentuar shqiptarë, Dilaver Poçit, Arif Haskos, Rahman Përllakut, Sadik Bekteshit, Halim Ramohitos, Mihallaq Zeçishti, Sulo Kozelit, Tahir Kadares, Halim Xhelos apo kuadrove të tjerë të shkëlqyer, Halil Xhukës, Josif e Kozma Zegalit, Shaban Reçit, Irfan Moravës, Rustem Haxhiut, Edip Ohrit, Faik Takes, Dalip Zhabolit, Novruz Demiri, Naim Muho, Begator Kozeli, Gani Kodra, Ali Ceno, Agron Comos, Andon Shetit, Gjergj Titani, Shefqet Boni, Xhevat Alibalit e shumë e shumë të tjerve! Apo atyre që kam njohur nga afër dhe kam pasur një respekt të madh për ta si Pirro Dodbiba, Thoma Dejlana, Todi Lubonja etj., të cilët mbas daljes nga burgjet apo internimet e treguan veten se janë atdhetarë e patriotë të vërtetë. Në këtë çorbë dikush ka dorë të keqe dhe ata që mund të dinë qoftë edhe pak gjëra, duhet të hedhin dritë mbi këto të vërteta historike. Enver Hoxha në kujtimet e tij dhe në orientimet që i jep Ministrisë së Punëve të Jashtme në vitet e vonshme iu thotë se dikur kemi folur mirë për Jugosllavinë dhe Titon se kështu i kemi njohur atëherë, por sot ata janë armiqtë tanë. Prandaj në këtë aspekt, del një problem tjetër i gabuar që është falsifikimi i të vërtetës historike, është mohim i atyre që janë thënë dikur në kohën e momentin e caktuar ashtu si janë gjykuar, pavarësisht se çfarë ka ndodhur më vonë. Pse duheshin ribotuar të gjitha mbi 70 e ca vepra të Enver Hoxhës, shumë botime për ushtrinë, ekonominë, vigjilencën, duke përfshirë dhe librin ”Kur lindi Partia”. Për mua, ky ribotim ka pasur qëllim të caktuar nga njerëz të caktuar që ishin në pushtet apo e synonin atë. E theksoj se nuk janë bërë me porosi të Enver Hoxhës këto, po nga Instituti i Marksizëm-Leninizmit që drejtohej nga bashkëshortja e tij, zonja Nexhmije Hoxha. Të gjitha këto ribotime janë bërë pas vitit 1982-‘83. Tipike do të thosha deri dhe skandaloze janë fjalimet e Enverit me rastin e 35-vjetorit të krijimit të ushtrisë, ku Enver Hoxha foli në vendkomandën e luftës së Shtabit të Përgjithshëm, në takimin në shkollën e bashkuar të oficerëve, këto mohime kanë arritur deri në artin ushtarak popullor dhe pothuajse në të gjithë literaturën ushtarake, sikur këto i kishin bërë ata që u dënuan. Personalisht, meritat e Enver Hoxhës i kam trajtuar ashtu siç i takojnë në çdo takim që kam bërë, duke përfshirë edhe dy përvjetorët e tij; atë të 95-vjetorit të lindjes në Tiranë dhe atë të 97-vjetorit të tij në Ferizaj të Kosovës, deri në kërkesën që u kam drejtuar si kryetar i shoqatës mbarëkombëtare “Bashkimi Antifashist i Shqipërisë”, organeve kompetente që nga Ministria e Mbrojtjes, kryeministrit e deri presidentit të Republikës për dhënien e statusit të veteranit, dhe nuk jam e nuk u heq asnjë presje për gjithçka që kam thënë. Të mos t’i japësh statusin e veteranit të luftës Enver Hoxhës është marrëzi, por edhe të mos plotësosh dokumentet përkatëse ligjore si i barabartë midis të barabartëve është mendjemadhësi e mospërfillje ndaj regullave e ligjeve të shtetit tënd, të pëlqen ose jo, është veprim i pafalshëm çka do të thotë se dikush e shikon veten si kokë “Zeusi”. Dënimi i shumë kuadrove të lartë në ushtri, pa argumente gjatë dekadave, është një absurd që edhe sot nuk po zbardhet plotësisht. Nuk jam aspak në gjendje të flas për një periudhë kohe më në largësi, që nuk e kam përjetuar, siç është krijimi i partisë, krijimi i Shtabit të Përgjithshëm, marrëdhëniet me titistët komunistë të Beogradit, për Plenumin e dytë në Berat më 1944-ën deri në mes të viteve 1950, edhe pse kam lexuar të gjithë dokumentacionin zyrtar në arkivën e shtetit, pasi nuk i kam përjetuar direkt. Por me fillimin e karrierës si ushtarak, deri në shef i Shtabit të Përgjithshëm e në ndëshkim, siç kam thënë dhe ën shënimet e mia, ushtria shqiptare, drejtuesit më të lartë të saj kanë pësuar gjatë dekadave një persekucion, ndëshkim dhe vlerësim joreal të punës e kontributeve. Për të gjitha këto Ushtria Shqiptare ka marrë një njollë të zezë, jo si ajo e vitit 1997 që u shkatërrua, për të cilën asnjëri nuk mori një gjemb në këmbë dhe ky është turpi i shtetit shqiptar, si të matjeve dhe të djathtëve që nuk po bëjnë asgjë, e si duket nuk kanë për të bërë se janë të dy krahët kanë përgjegjësi për këtë. Por unë e kam fjalën te njolla tjetër që ushtria dhe kuadrot e saj drejtuese mori nga Enveri e drejtuesit e lartë të kohës. Asnjëherë nuk kanë qenë “puçistë” Beqir Balluku e bashkëpunëtorët e tij, nuk ka pasur kurrë grusht shteti që nga krijimi i saj (ushtrisë) e deri më sot. Pra, as në vitin 1956, as në vitin1960-‘61, as në vitin 1974, as në vitin 1981-‘82, dhe as në vitet 1990-1991. Ky turp ushtrisë dhe kuadrove të saj duhet t’i hiqet se nuk e meritojnë. Ushtria shqiptare ka qenë besnike e popullit, e atdheut e flamurit kombëtar dhe po të ishte ushtria e atyre viteve para ‘90-ës, në luftën e Kosovës do të ishte përkrahë dhe në avangardë me UCK-në dhe jo vëzhguese siç u gjet me situatën e fillimit të luftës në Kosovë. Mundësitë e ishin krejtësisht të pamundura për një ndihmë efikase vëllezërve të UÇK-së në Kosovë.