e hënë, shkurt 27, 2006

Krisja e marrëdhënieve me Kinën, pasojat në ushtri





Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në periudhën 1974-1982 dhe bashkëpunëtori më i afërt i Mehmet Shehut, Veli Llakaj, në këtë numër sjell për lexuesin reflektimin e situatës në ushtri pas fillimit të ftohjes së Shqipërisë me Kinën si dhe caktimin e tij në vendin e Mehmet Shehut në krye të delegacionit ushtarak që do të bënte vizitën shtetërore në Kinë.

Zbulimi në fund të vitit 1974 i grupit “puçist” në ushtri, pasuar me dënime ekstreme për kuadrot më të lartë ushtarakë të vendit, përkon me periudhën e përkeqësimit drejt ekstremit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën. Referuar dokumenteve zyrtare të kohës, një delegacion i kryesuara nga Adil Carçani, zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, sapo është kthyer nga një vizitë në Kinë, për të siguruar një ndihmë të paraplanëzuar në fushën e ekonomisë. Por kinezët, të pakënaqur e për t’i dhënë leksion bindje “mikut të vogël”, kanë plotësuar vetëm 5-7 për qind të këtyre kërkesave. Ishte planifikuar që pas tij, drejt Kinës, por për ndihma në fushën e mbrojtjes, të shkonte një delegacion i kryesuar nga kryeministri e njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, Mehmet Shehu. Por ftohja e marrëdhënieve me Kinën, parashikimi i udhëheqjes shqiptare që edhe ndihmat ushtarake nuk do të jepeshin sipas parashikimit, bën që të vendoset kryesimi i delegacionit me një rang më të ulët, pikërisht nga Veli Llakaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Kështu, siç del dhe nga shënimet e Llakajt, atij dhe delegacionit prej 40 ushtarakësh, u duhej që të shihnin të përgatitur për një situatë të rëndë që pritej, e të ishin njëkohësisht të vendosur para së gjithash për të mbrojtur vijën e partisë para provokimeve të palës kineze. Për këtë qëllim, pas disa takimeve e instruktimeve nga Mehmet Shehu, kryetari i delegacionit Llakaj thirret e instruktohet gjatë edhe nga Enver Hoxha. Pikërisht, referuar shënimeve të kohës, kujtesës, por edhe dokumenteve zyrtare, Llakaj sjell sot për lexuesin klimën e rëndë që po prekte dhe ushtrinë pas ftohjes me kinezët, si dhe përgatitjen e radhës për përballjen me palën kineze në krye të delegacionit ushtarak shqiptar që niset për Pekin.


Veli Llakaj në vend të Mehmet Shehut


Veli Llakaj

Në krye të delegacionit shtetëror ushtarak në vend të Mehmet ShehutAshtu siç e kam përmendur edhe në shënimet e mia të mëparshme, Mehmet Shehu gjatë analizës në korpusin e Gjirokastrës më kishte thirrur veças e më kishte thënë se një delegacion që do të shkonte në për vizitë zyrtare në Kinë, për problemin e vazhdimit të ndihmave si dhe probleme të tjera të bashkëpunimit mes dy ushtrive, nuk do ta kryesonte ai, por unë. Por nuk e kisha menduar se një gjë e tillë do të ishte e shpejtë. Siç mësova fillimisht nga Mehmeti, qeveria kineze i ishte përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese dhe më anën e atasheut ushtarak kërkoi një takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, pra me mua. Qëllimi i takimit me atasheun ushtarak ishte komunikimi zyrtar i qeverisë kineze për miratimin e vizitës së delegacionit të ushtrisë shqiptare, por dhe për të kërkuar e mësuar se kush do ta kryesonte këtë delegacion. Mehmet Shehu e dinte një gjë të tillë dhe më porositi ta prisja mjaft mirë, ta falënderoja për këtë veprim qeverinë e Kinës, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kineze etj. Ai, Mehmeti, më tha:”Atasheu do të kërkoi se kush do ta kryesojë delegacionin, se kështu është praktika protokollare. Ata (kinezët) mendojnë se këtë delegacion me siguri do ta kryesojë ministri i Mbrojtjes, pra unë (Mehmeti), nuk do të prononcohej, por do t’i thuash se akoma nuk e kemi vendosur. Për këtë do të bisedojmë me KQP-në dhe do t’u japim përgjigje sa më parë, kur edhe të caktojmë datën”. Kështu u veprua. Atasheu kërkoi ato që më tha Mehmeti, unë i përsërita po atë porosi që kisha marrë. Atasheut nuk i erdhi mirë, që unë nuk e ndava me ‘të këtë kërkesë. Më vonë, sipas porosisë së Mehmetit, unë mora detyrën që të përgatisja një kërkesë të domosdoshme se çfarë do të kërkonim, duke iu bërë prezente dhe situatën pse i kërkonim këto materiale e ndihma ushtarake. Materialin, më porositi Mehmeti, duhet ta përgatisja bashkë me Mehdu Backën, ish-drejtor i Përgjithshëm i Xhenios, i cili kishte qenë disa herë në Kinë. Ky material u përgatit sipas asaj që e mendonim ne dhe ashtu si mendonim ne, në frymën me të përzemërt e miqësore, duke i falënderuar dhe për shumat e ndihmave që na kishin dhënë për armatosjen e Ushtrisë Shqiptare me teknikën dhe armatimin më të fundit, përfshi dhe raketat. Para se ne t’i jepnim përgjigje Ambasadës Kineze, Komiteti Qendror dhe Këshilli i Ministrave i kishte kërkuar se paraprakisht duhej që kërkesat nuk bëheshin në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, por në emër të KQP-së dhe të Këshillit të Ministrave. Prandaj ishte menduar që një përfaqësi prej dy vetash të KQP-së të shkonin në Kinë me një mesazh për kryetarin e Partisë Komuniste të Kinës, shokun Mao-Ce-Dun dhe kryetarin e Këshillit të Ministrave, shokun Cu En Lai. Shokët kinezë dhe këtë e kishin pranuar, por akoma nuk dinin se kush do ta kryesonte këtë delegacion. Se po ta kryesonte Mehmet Shehu ai ishte anëtar i Byrosë Politike, kryetar i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Mbrojtjes Popullore dhe kërkonte të tjera masa sigurimi e pritje protokollare. Për të çuar mesazhin kryetarit Ma Ce Dun dhe Cu En Lait u caktuan dy anëtarë të KQP-së, me mandatin e KQP-së dhe të Këshillit të Ministrave. Këta dy persona detyrimisht duhej të priteshin nga të dy personalitetet kryesore të Kinës, pasi shkonin në emër të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut. Këta ishin anëtari i KQP-së, Ndreçi Plasari, që ishte dhe zëvendësdrejtor i Institutit të Marksizëm-Leninizmit pranë KQP-së dhe anëtari tjetër i KQP-së. Tahir Minxhozi që ishte sekretar i Komitetit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Këta u takuan dhe me Mao Ce Dunin. Në përgjithësi i kishin pritur mirë, qëndruan vetëm dy dit dhe u kthyen. Në këto takime ata ishin shoqëruar nga ambasadori ynë në Kinë Behar Shtylla. Pasi shokët u kthyen nga Kina dhe i raportuan udhëheqjes tonë për këto takime, u vendos që delegacioni ushtarak të shkonte në Kinë pas 15 ditësh. Për këtë duhej të informohej ambasada kineze në Tiranë, ku njëkohësisht do t’i thuhej edhe se kush do ta kryesonte delegacionin e nga sa veta do të përbëhej. Për këtë Mehmet Shehu me thirri ne zyrën e tij dhe më kërkoi materialin bazë që do të mbahej në pritje me delegacionin Kinez në Pekin. Shkova me mendimin se çdo gjë ishte mire;materiali që kisha përgatitur me Mendun do të quhej i plotë, me ndonjë korrigjim patjetër. Mehmeti, pasi e lexoi materiali prej 7 faqe më thotë: ”Materialin e keni bëre të “mirë”, ju lumtë si ty dhe Menduit që ka qenë disa herë. Ky material nuk bën as për të shkuar atje, në h...!” Por ndryshe nga natyra e tij, pashë se nuk u nevrikos, nuk ofendoi, por me një komunikim në formën e të qeshurës. Unë u mërzita se nuk e prisja këtë dhe me siguri që do të merrja detyrë ta bëja nga e para. Por Mehmeti ndërhyri e më tha: “Materialin do ta bëj unë dhe nesër në ora 10.00 do të vijë në ministri e në zyrën time do ta jap ta lexosh, por aty prezent do të jenë Tahir Minxhozi, sekretari i Komitetit të Partisë së Ministrisë që ishte dhe në Kinë, Nazar Berberi që do të ishte zëvendëskryetar delegacioni se ishte zëvendësministër, Mendu Macka që kishte marrë pjesë në përgatitjen e kërkesave për në Kinë si dhe argumentet përkatëse politike e ushtarake, si dhe Detar Avdia shef i sektorit ushtarak në KQP. Të nesërmen po në atë orë, Mehmet Shehu erdhi, por buzagaz. Pasi na takoi, na foli për delegacionin që duhej te ishte 40 veta, nga kuadro të ndryshme të aparatit të ministrisë dhe të njësive e deri në reparte të vogla të ushtrisë. Pastaj më jep materialin e tij prej 13 faqe të shkruar në makinë për ta lexuar. Një kopje e mbajti vetë përpara për të verifikuar rrjedhshmërinë e të folurit e sidomos për t’i dhënë disa theksime më të forta sidomos ato pas presjeve apo pikave ku thuhej “PRANDAJ”. E lexova, por edhe me druajtje të madhe se mos bëja gabime në të lexuar, se mënd e hedhura në letër ishin të tjetër kujt. Gjatë leximit më bëri disa vërejtje sidomos te theksimet, dhe më vuri detyrë që para se të shkoj në Kinë, këtë materiali ta lexoja një deri dy herë në ditë, pra i binte që unë ta lexoja 15-30 herë. Materiali, krahasuar me atë që kisha bërë unë me Menduin ishte krejt ndryshe, dhe po ti vija unë notat, me siguri materialin tonë do ta lija në klasë. Por Mehmeti nuk na e skuqi më shumë fytyrën. Pas pesë ditësh Mehmeti më lajmëron se duhej të shkonim tek Enver Hoxha për të marrë porosit për delegacionin që do shkonte në Kinë. Deri në një farë shkalle e kisha të lehtë, se materialin e kisha, po të më kërkonte se çfarë do të trajtonim, si deh kërkesat, do t’i jepja atë që na e prunë të gatshëm, atë që na dha Mehmet Shehu. Nuk dija që Mehmeti këtë materiali ia kishte dhënë dhe Enver Hoxhës. Par Enveri kishte dijeni për ‘të. Enveri, pasi me foli e shpjegoi pse i bëjmë kërkesat kinezëve më porositi për qëndrimin që duhej të mbanim, duke më treguar se ky delegacion mund të jetë edhe i fundit, pasi para nesh kishte qenë Adil Çarçani zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave për kërkesa ekonomike, duke përfshirë disa uzina me komplekse se ato që kishim bëre me kinezët, e ata, kinezet kishin dhënë vetëm 5-7 % te tyre. ”Me siguri kështu do të ndodhë edhe me ndihmat ushtarake që ju keni kërkuar si Shtab i Përgjithshëm”, - shtoi Enver Hoxha. Duke më shikuar në sy, ai vazhdoi: ”Po ju porosis se për të mbrojtur vijën e partisë tonë, nuk duhet të mbani as një qime mbi kurriz, prandaj çdo fyerje, ngacmim apo provokim që mund t’u bëjnë, do t’u jepni përgjigje ashtu si e meritojnë. Ju nuk keni kryesuar ndonjëherë ndonjë delegacion dhe në këtë këndvështrim do ta keni të vështirë, por është porositur ambasadori ynë atje shoku Behar Shtylla që do ta keni gjithmonë për çdo veprim, ai është nga diplomatët më të zotë që kemi”.Nesër do të lexoni:-Takimi i fundit me atasheun ushtarak kinez ushtarak para nisjes për Pekin. -Udhëtimi i delegacionit ushtarak shtetëror të ushtrisë Shqiptare drejt Kinës. -Si ndiqej situatë në Tiranë dhe si mbaheshin kontaktet me kreun e delegacionit tonë ushtarak në Kinë.