e enjte, mars 23, 2006

Futja e Dodanit në shërbimin inteligjent

Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Në këtë numër, Mark Dodani, oficer i shërbimit inteligjent shqiptar dhe një nga të depërtuarit e suksesshëm mes grupimeve kundërshtare që synonin rrëzimin pushtetit komunist të sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore, sjell kontaktet e para të tij me Kadri Hazbiun, Mehmet Shehun si dhe kalimin e tij në shërbimin inteligjent shtetëror me mision depërtimin në grupet e armatosura rivale që vepronin maleve kundër regjimit komunist të vendosur në vend pas Luftës së Dytë Botërore.

Nesër do të lexoni:-Përgatitja nga Kadri Hazbiu e grupit special për depërtim në grupimet kundërshtare në zonën e Shqipërisë së mesme. -Si organizoi Kadri Hazbiu pjesëmarrjen e të “arratisurit” Mark Dodanit në vdekjen e gjyshes. Kadri Hazbiu, agjenturisti më i mirë i vendit për shumë dekada në Shqipërinë e pasluftës së Dytë Botërore, për ata që e kanë njohur nga afër e kanë punuar më të apo dhe për analistë e historianë të asaj periudhe, njihet si një njeriu me aftësi të veçanta që diti të planëzojë, organizojë e drejtojë operacionet më të suksesshme që shërbimi inteligjent shqiptar (sigurimi i shtetit) zbatoi në përballje me grupet nacionaliste të të arratisurve, mbështetësve nga brenda apo të tjerëve të mbështetur nga segmente e shërbime sekrete të huaja, u hodhën në aktivitet për ndryshimin e qeverisjes komuniste shqiptare. Në këtë kuadër, Hazbiu dhe disa kolonelë të armës së njohur të sigurimit të shtetit, sipas dokumenteve që gjenden në arkivën e Ministrisë së Brendshme e dëshmitarëve të kohës, mundën që veçanërisht me aplikimin e depërtimeve të oficerëve e agjentëve të sigurimit në radhët e grupimeve kundërshtare, të arrinin neutralizimin masiv të këtyre të fundit. Një prej të depërtuarve rezultativë mes grupimeve kundërshtare në atë dekadë, është dhe oficeri i ri dhe i aftë Mark Dodani. Nën drejtimin direkt të Kadri Hazbiut, Dodani dhe shokë të tjerë të shërbimit inteligjent mundësuan në atë periudhë të drejtojnë balancën e ekuilibrave të ndeshjes mes grupimeve kundërshtare në favor të shtetit të ri shqiptar.Njohja e Dodanit me Kadri HazbiunIshte viti 1946, kur 23-vjeçari Mark Dodanit, ish-partizan dhe në muajt e parë të pasluftës me detyrën e shefit të punëve të Brendshme në Pukë, i jepet mundësia të komunikojë fillimisht në rrugë zyrtare me Kadri Hazbiun, një nga kuadrot më të njohur të luftës e në atë kohë në drejtimin e shërbimit sekret të ushtrisë. “Më kërkuan zyrtarisht, me porosi të Kadri Hazbiut, që unë të nisja drejt qendrës biografinë e një oficeri të ushtrisë, pikërisht të Ndue (Anton) Ukajt nga Qelëza e Pukës, që ishte menduar të depërtonte mes grupimeve kundërshtare që vepronin atë kohë në male me mision rrëzimin e pushtetit komunist të vendosur në vend pas Luftës së Dytë Botërore”, -kujton 80-vjeçari Mark Dosdani. Dija për këtë ushtarak se kishte qenë partizan në luftën nacionalçlirimtare, shok me Asim Alikon, një prej drejtuesve të shërbimit inteligjent shqiptar në disa dekada, kishin luftuar me formacionet partizane deri në Vishegrad-kujton Marku, por duhej të kompletoja plotësisht dosjen e t’ia nisja qendrës. Kështu bëra. Nuk vonon shumë dhe më vjen e më takon Ndueja e më thotë: ”Ke të fala nga Kadri Hazbiu, më ka sjellë te ju për t’u futur e vënë në shërbim të Komitetit të Maleve që vepron në këtë zonë”. I vënë përballë këtij fakti, Mark Dodani i thotë Ndues: ”Po si do të futesh e të fitosh besimin e tyre, bazë për të kryer misionin e ngarkuar”. Në këto momente, kujton Dodani, Marku i thotë se është e lehtë, e se ai (Marku), sipas porosisë së Kadriut, duhet të organizonte djegien e shtëpisë së oficerit Ndue Ukajt, që do të ishte “kartë” e fortë besimi te kundërshtarët në male. Njëkohësisht në rrugë tjetër, Mark Dodani kishte marrë porosinë nga Kadriu: ”Digjini shtëpinë, duke përhapur fjalë se ka ikur nga ushtria, ka tradhtuar e është futur mes armiqve!”. Kështu bëhet. Marku tregon se pas “arratisjes” së oficerit të ushtrisë Ndue (Anton) Ukaj, ai ka marrë rreth dhjetë ushtarë të ndjekjes, duke përhapur fjalët se “Nduja ka tradhtuar”, “ka ikur në mal e po na lufton”, i vënë zjarrin shtëpisë së tij. Sipas shënimeve të Dodanit, kjo thashethemnajë “ngjiti” menjëherë në opinion e më gjerë, falë edhe faktit se që gjatë luftës Ndueja ishte njohur me Nevenkën, një vajzë shqiptaro-maqedonase nga Struga e ish-Jugosllavisë, e më pas ishin martuar e vazhdonin të jetonin bashkë. Njohja e mëtejshme me Kadri HazbiunDo të kalonin pak muaj dhe unë do të thirresha në Ministrinë e Brendshme për probleme pune. Atë kohë, -shkruan në shënimet e tij Dodani, -ndonëse unë isha drejtues partie, problemi kryesor në atë kohë ishte organizimi i mbrojtjes nga grupimet kundërshtare që ishin hedhur në aktivitet për të kundërshtuar prerë kursin e ri komunist të Shqipërisë. Takimi i Dodanit me Kadriun shoqërohet me pyetjen e këtij të fundit: ”Si e ke Nduen”. Dodani tregon se në ato çaste, me një shikim përballazi, i është përgjigjur Kadriut: ”U bë oficer. Është shumë mirë dhe është në detyrë!”. Më tepër se sa aktiviteti i mëtejshëm i të “arratisurit” Ndue Ukaj mes grupeve në male, ky takim ballas i Kadriut me Mark Dodanin do të shërbente për hapa të tjerë të mëtejshëm në zbatimin e skenarëve të depërtimeve të oficerëve të shërbimit inteligjent shqiptar në grupimet e armatosura kundërshtare që vepronin në male. Muajt e ardhshëm, -kujton Dodani, -do të ishin muaj të një aktiviteti të ngjeshur të depërtimeve të oficerëve të shërbimit inteligjent mes grupimeve kundërshtare, një prej të cilëve do të ishte dhe ai. Sipas Dodanit, në këtë takim me Hazbiun, për të bindur plotësisht ”arratisjen” e oficerit të ushtrisë Ukaj te kundërshtarët, jepen dhe porosi të tjera. “Familja e Ukajt, pas djegies së shtëpisë si ndëshkim për arratisjen e djalit, internohet në Savër të Lushnjës, duke u përballur me një jetesë tepër të vështirë”. Sipas Dodanit, 17-vjeçari Nikollë Ukaj, vëllai i të “arratisurit” Ndue Ukaj, ndonëse ishte në internim, me cen në biografi, në një komunitet ku të gjithë e trajtonin familje tradhtari (dhe ai nuk dinte gjë për misionin e të vëllait), i ishte vënë punës për të mbajtur familjen me bukë. “Për shkak të angazhimeve të mia në vazhdim, nuk di se si, qysh edhe tek, por them vetëm kaq se ishte përkujdesja e Kadri Hazbiut, që Nikollën, punëtorin shembullor të deklasuar në Savër të Lushnjës, e bënë në atë kohë deri në anëtar të partisë së punës”. Në zyrën e Mehmet Shehut. Misioni që merr Mark DodaniDodani tregon se ishte fundi i vitit 1948 kur e kanë thirrur dhe është paraqitur me urgjencë në zyrën e Mehmet Shehut, që atë kohë ishte ministër i Punëve të Brendshme. ”Mendoja se më kishin thirrur për punën time në zonën në veri, gjë e cila m’u përforcua kur aty gjeta edhe Bardhok Bibën, por nuk dija se që në ato momente jeta ime do të merrte rrjedhë tjetër”, -pohon Dodani. Sipas shënimeve të Dodanit, fillimisht në hyrje është takuar me Mehmet Shehun, i cili, pasi i ka dhënë dorën, e ka pyetur për shëndetin, punën në zonë, i ka lënë të vetëm të tre; Kadri Hazbiun, Bardhok Bibën e Mark Dodanin. Ato momente, sipas Dodanit, Kadriu (ndonëse e kishte njohur shkarazi dhe më parë), i drejtohet Markut: ”Ti je Mark Dodani!”. “I thashë se unë jam”, - tregon Dodani. Pa e zgjatur, Kadriu i është drejtuar Bardhok Bibës: ”Mos e kërko më Mark Dodanin, ai do të punojë me ne”. Kështu nis rruga e vështirë e Mark Dodanit me kalimin në shërbimin inteligjent, ”arratisjen” në grupimet kundërshtare dhe zbatimin e detyrës që kishte marrë nga qendra