e diel, mars 19, 2006

Strategjia e sigurimit të shtetit ndaj kundërshtarëve

Kujtim Boriçi

Dekada e parë e pasluftës së Dytë Botërore, veçanërisht vitet 1945-1954, sjellin një konflikt të ri të hapur e të armatosur mes strukturave të shtetit të ri komunist dhe nacionalistëve brenda e jashtë vendit, të cilët kundërshtonin prerë kursin lindor të udhëheqjes, me synim rreshtimin e Shqipërisë me perëndimin. Organizimi i nacionalistëve dhe njerëzve që kishin ëndërruar perëndimin në grupime aktive në zona të ndryshme të vendit, përforcimet e ardhura nga jashtë nga të ikur gjatë luftës dhe në përfundim të saj, si dhe mbështetja e tyre nga disa qarqe e zbulime perëndimore, solli një alarm te strukturat e shtetit të ri shqiptar, veçanërisht te strukturat e rendit e ato të mbrojtjes. Krahas përplasjeve me armë mes palëve, në këtë kohë udhëheqja e shtetit shqiptar shikon si më rezultativ sigurimin shtetit, veçanërisht infiltrimin e oficerëve të aftë të tij brenda grupimeve që ende rrinin të fshehura në male. Sigurisht, ndër më të besuarit për infiltrim e me mundësi më të mëdha për realizimin e kësaj detyre ishin persona me prejardhje nga familjet e njohura e që kishin kundërshtuar ardhjen e komunistëve në pushtet, sidomos persona komunistë të bindur që kishin të afërt të tyre të arratisur jashtë vendit apo dhe në këto grupime ilegale. Një prej tyre është dhe Pal Mëlyshi, nga familje e njohur e Mirditës, me baba, vëlla e xhaxha të arratisur si kundërshtarë të regjimit, por që vetë ishte me bindje të patundura te komunizmi e funksionar i regjimit të ri që u vendos në Shqipëri. Referuar dokumenteve origjinale të arkivës së Ministrisë së Brendshme dhe shënimeve që sjell në këtë numër të gazetës autori Mark Dodani, ish-oficer i njohur i sigurimit, shok i ngushtë i Pal Mëlyshit (pseudonimi “Furtuna”) dhe një prej të infiltruarve të kohës nga sigurimi i shtetit në grupimet kundërshtare, kjo periudhë ka qenë tepër e vështirë. Ishte një situatë që vuri ballas shqiptarët me armë kundër njëri-tjetrit, me një kosto në jetë njerëzish dhe me një thellim absurd e me pasoja në zgjerimin e hendekut të luftës së klasave. Figura e Pal Mëlyshit, oficerit të infiltruar mes kundërshtarëve e që më pas edhe vetë viktimë e një përpjekjeje, ashtu si dhe figura e Dodanit, autorit të këtyre shënimeve, është komplekse. Si protagonist dhe autor i asaj periudhe, Dodani sjell nëpërmjet shënimeve të tij fakte interesante e të panjohura deri tani, përfshi dhe një prej emrave të njohur e të kthyer në legjendë pas vdekjes, oficerit Pal Mëlyshi.Nesër do të lexoni:-Si u bind Mehmet Shehu deri në dhënien e miratimit për infiltrimin e Pal Mëlyshit-Takimi i fundit me Kadri Hazbiun e dhënia e detyrës. -Si nisi “Furtuna” jetën e malit.