e diel, mars 19, 2006

Si e rekrutuan Mehmeti e Kadri Hazbiu të deklasuarin Pal Mylyshi

Mark Dodani

Ekskluzive/Në këtë numër, ish-oficeri i sigurimit të shtetit, Mark Dodani, flet për rekrutimin e Pal Mëlyshit nga ish-ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, i cili, duke qenë nga një familje bajraktare e njohur e veriut, me baba, vëlla e xhaxha të arratisur si kundërshtarë të regjimit, shihet si më i përshtatshmi për infiltrim te kundërshtarët. Për “Heroin e Popullit” Pal Mylyshi apo të quajturin “Furtuna”, që infiltroi e qëndroi maleve gjatë mes grupimeve të armatosura, kundërshtare të regjimit të kohës, gjatë dekadave të fundit diçka është folur e shkruar, por për mjaft arsye ende nuk janë thënë shumë gjëra e, për më tepër, mes të thënave, ka dhe të pavërteta. Duke qenë shok fëmijërie, shok shkolle e lufte, më pas në armën e sigurimit të shtetit e ndjej detyrë që sot, pa dëmtuar të mirën e përgjithshme, ca gjëra të tjera duhet të publikohen. Ishte viti 1949, ku, siç është thënë në shënimet e mëparshme, provokacionet në kufirin jugor u shoqëruan me shtimin e numrit të bandave kriminale që vepronin në vend me suport agjenturat e huaja. U regjistruan disa vrasje të funksionarëve shtetërorë, përfshi dhe familjarë të Pal Mylyshit. Ishin disa arsye që do të çonin ndër të tjera dhe në infiltrimin e Palit mes grupimeve të armatosura në veri të vendit. . Dy motivet kryesoreMë 7 gusht të vitit 1949 kundërshtarë të regjimit komunist të grupuar në “Komitetin e maleve”, nëpërmjet të vetëquajturit organ “Shpagimi”, vrasin në Qafë të Valmarit Bardhok Bibën, funksionar i lartë shtetëror dhe partie në veri të vendit. Ndër shokët më të shtrenjtë të Bardhok Bibës ishte Pal Mëlyshi. Madje kujtoj se me humbjen e Bardhokut, Pali ndjen se ka humbur një pjesë të jetës së tij, një fakt që e bën atë të mbushet me urrejtje për shpagim direkt. Këtë e shfaqi publikisht e zyrtarisht deri tek krerët e lartë të shtetit shqiptar. Gjithashtu Pali, ndonëse komunist dhe funksionar shtetëror, kishte edhe një “kartë” tjetër besueshmërie te bandat, pasi ishte i biri i bajraktarit Nikoll Mëlyshit, arratisur jashtë shtetit, nipi i Ndue Mëlyshit dhe ky i arratisur jashtë vendit e një ndër drejtuesit e “Komitetit të maleve”. Pra, “autokritika” që do të bënte te krerët e bandës do të pranohej dhe ai (Pali), do të rreshtohej mes tyre kundër pushtetit të kohës. Ky skenar, i studiuar mirë nga specialistët, nën drejtimin Kadri Hazbiut, u përgatit të realizohej. Takimi me Mehmet Shehun dhe “arratisja” e Pal MëlyshitTakimi i Palit me Mehmet Shehun u bë në vjeshtën e parë të vitit 1949 në Shtëpinë e Partisë në Shkodër. Mbaj mend se kjo shtëpi ishte me oborr, në rrugën që asokohe mbante emrin “Badra”, ndërsa sot quhet rruga “Bardhok Biba”. Ishte mesnatë kur në këtë shtëpi, i lajmëruar, troket Pal Mylyshi. Aty e priste Mehmet Shehu së bashku me kolonelin e ministrisë, Rasim Dedja dhe Ilmi Seitin, ushtarak madhor i sigurimit. “Hyr! Jam në dijeni përse më ke kërkuar!” -i thotë Mehmet Shehu dhe i jep dorën përzemërsisht te porta. Ulen përballë në dy kolltukë të thjeshtë. Pali nis të flasë disi shpejt, duke i komunikuar shkakun e kërkesës pse donte të hakmerrej me infiltrim nëpërmjet “arratisjes”, planin që ishte përgatitur në detaje me përkujdesjen e Kadri Hazbiut. “E keni menduar mirë”, -thotë Mehmeti, duke vështruar sa nga Pali tek ushtarakët Seiti e Dede. Pali i thotë se është i gatshëm, se është përcaktuar hollësisht çdo gjë dhe se ka pasur një takim pak ditë më parë me Kadri Hazbiun. Këtë e miratojnë edhe dy ushtarakët e pranishëm, por Ilmiu ndërhyn e thotë: ”Në letër nuk kemi hedhur gjë! ”Vendoset dhe kjo, duke lënë një takim tjetër të shpejtë me Kadri Hazbiun. Në këtë kohë, ndërhyn Mehmet Shehu, duke iu drejtuar Palit: ”Mirë, dakord me këto që keni vendosur, mund ta fitosh besimin e tyre, po a ke siguri për jetën tënde! Për jetën tënde na siguro, të hysh mes tyre e të dalësh shëndoshë e mirë, ndryshe zor se mund t’i hymë kësaj odiseje!” Në këtë momente, Pali, që njihej për kontrollin e vetvetes në çdo mendim apo situatë që të ndodhej, sikur u vu në siklet. Jo aq për ndonjë fije dyshimi te vetja e tij për këtë garanci, por për faktin se a do të mundte që të bindte Mehmet Shehun... Para se të jepte miratimin, Mehmeti i drejtohet dhe njëherë Palit: ”Po, mirë, si do të bindësh qoftë dhe babanë tënd apo dhe xhaxhanë kur t’i takosh atje, se u arratise për të luftuar komunizmin mes tyre!?”Sekreti për të cilin Pal Mëlyshi i kërkon besën Mehmet Shehut Ato momente delikate, të panjohura deri tani, do të vendosnin gjithçka për realizimin e skenarit të parapërgatitur. ”Shoku Mehmet, shtëpia ime njihet si shtëpi bese, e unë po të kërkoj besën për një gjë, të cilën nuk e di askush, t’ua them, por të mos dal besëprerë me shokun tim, pasi besëprerja është më e rëndë se vdekja!”. Mehmeti ia konfirmon besën. Pali vazhdoi: ”Kur u arratis babai im, Nikollë Mëlyshi, në tremujorin e parë të vitit 1946, më ka rënë në dorë një sekret, e ky sekret do të jetë prova e besimit, përfshi dhe babanë e xhaxhanë tim”. Në këtë kohë Rasim Dedja shënon diçka në një bllok. Pali vazhdon: ”Një oficer madhor sot në ushtri ka qenë shok e mik i ngushtë i babait tim. Kur u vendos që ta arrestonin babanë, ai, oficeri, gjen rastin, e takon e i thotë që të arratiset se do ta pushkatonin. Ai oficeri që sot është kolonel, që ka qenë ushtarak i lartë dhe në kohën e Zogut, ishte mik dhe arratisjen babait ia tha si shok e në besë. Tani vonë, unë dhe ky ushtarak i lartë jemi miq, e në intimitet, por duke më kërkuar besën, më ka thënë se ai e ka ndihmuar tim atë në arratisje. Kështu që unë kur t’i çoj të fala se po ai njeri më tha dhe mua të arratisesha se do të më vrisnin komunistët se kisha humbur besimin e tyre, ata do të më besojnë”. Atë natë të vonë në një banesë në lagjen “Badra” të Shkodrës, në bisedën e Palit me Mehmet Shehun nuk është përmendur emri i kolonelit; as Pali nuk e tha dhe as Mehmeti nuk ia kërkoi. Vonë, pak prej nesh që punonim në shërbimin e fshehtë të shtetit e mësuan emrin e kolonelit të nderuar të ushtrisë, F. S., i cili ka vdekur para pak vitesh i nderuar dhe i respektuar.