e martë, mars 21, 2006

Historia e vrasjes që u fsheh për shtatë vjet!

Kujtim Boriçi


Oficeri Pal Mylyshi, me pseudonimin “Furtuna”, i infiltruar në një organizatë diversantësh të armatosur në malet e Pukës, ku bënin pjesë edhe pjesëtarë të arratisur të familjes së tij, u vra në vendin e quajtur Uj-Lurth, pas një përpjekjeje të armatosur me forcat e ndjekjes më 12 prill të vitit 1950. (Arkiva e Ministrisë së Brendshme, dosja ”Furtuna”)Vlerësimi i Mehmet Shehut:“Vetëm epopeja e Pal Mëlyshit do të donte volume të tëra dhe hapësira të mëdha për t’u ekspozuar, sepse e një gjerësie të tillë të pafund qe zemra e tij e re heroike. Në të ardhmen furtuna do të kalojë, dhe dëshmitari popull do t’i flasë me gojë të madhe historisë mbi këta heronj të heshtur”.(Muzeu i Ministrisë së Punëve të Brendshme, stenda e “Furtunës!”)Nesër do të lexoni:-Operacioni i përgatitur e drejtuar nga Kadri Hazbiu për rënjen në kurth të Hamit Matjanit.-Dy orët e përballjes me Matjanin pas hedhjes së tij me parashutë në pyjet e Lurës në Dibër.-Biseda e Kadri Hazbiut me Matjanin dhe vazhdimi i misionit..Oficeri i sigurimit “Furtuna”Ç’ndodhi në mesnatën e 12 prillit 1950Përplasja e armatosur në Uj-Lurth të Mirditës më 12 prill 1950, me viktima nga të dy palët, sipas dëshmitarëve të kohës, krijoi një panik te banorët dhe një alarm të pashfaqur te drejtuesit e lartë të sigurimit të shtetit. Mes të vrarëve, për disa orë, qëndroi e u verifikua dhe kufoma e Pal Mëlyshit, ku familja, i gjithë opinioni, e dinin “tradhtar”, që ishte arratisur e ishte bashkuar me ata që nuk donin pushtetin komunist. Por Pali, siç tregon për gazetën Mark Dodani, shoku i tij dhe oficeri i infiltruar i sigurimit të shtetit, nuk qëndroi gjatë në varret ku u futën të vrarët. Natën, -shton ai, - në fshehtësi të plotë, pasi u futën në dhe trupat e të vrarëve të tjerë, me urdhër direkt të Mehmet Shehut, persona të besuar marrin trupin e pajetë të oficerit Pal Mëlyshi dhe e sjellin në mjediset e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në një nga mjediset e saj, me pjesëmarrje të drejtuesve më të lartë të këtij institucioni, para arkivolit të “Furtunës”, mbështjellë me flamurin kombëtar kuqezi, kolegë që dinin të vërtetën e misionit dhe vrasjes së Pal Mëlyshi, kryen homazhe e derdhën lot. Atë natë, po në fshehtësi të plotë, u bë varrimi i “Furtunës” në varret e Bamit në Tiranë. Askush, me përjashtimin vetëm të pak vetave pjesëmarrës në operacion apo drejtues të tij, nuk mësuan vdekjen e të “arratisurit” Pal Mëlyshi. Për shumë arsye që kuptohen, as së ëmës e familjarëve të tij nuk u thuhet gjë, ndërkohë që ata vuanin pasojat e “arratisjes” së tij. Tregon shoku i tij, Dodani Vrasja aksidentale e Pal Mëlyshit, si pasojë e rikthimit të tij kur e dinim që kishte marrë urdhër për t’u larguar jashtë vendit, -tregon Dodani, (dhe ky i depertuar mes grupimit kundërshtar në male) -ishte një humbje e rëndë për shërbimin tonë sekret, ndërsa unë humba kolegun e një nga shokët e mi më të ngushtë, ndonëse për shumë kohë e urreja, duke ditur se ishte arratisur me të vërtetë. Dodani këmbëngul që të sqarojë diçka. “Në atë kohë, Pal Mëlyshi (“Furtuna”) nga unë, Mark Dodani (“Studenti”) njihej armik, kurse Pal Mëlyshi mezi priste ta takonte Dodanin, pa ditur se ç’mision kishte e pas çfarë pseudonimi fshihej!” –thote ai.Pas shtatë vjetësh, Pal Mëlyshi, nga tradhtar në hero Jo pak, por plot 7 vjet, ”Furtuna”, oficeri që infiltrohet mes grupimeve kundërshtare të regjimit komunist që endeshin maleve, por që u vra në përpjekjen e 12 prillit 1950 në Pukë, vuante damkën dhe përbuzjen e armikut të regjimit komunist. Vetëm pak njerëz, tregon për gazetën Mark Dodani, e dinin që ai kishte kryer një mision tepër të vështirë. Sigurisht, për nënën e tij dhe ato pak njerëz të familjes që i kishin mbetur, ndonëse struktura të caktuara të shtetit përkujdeseshin që të kishin një jetë afër normales, ishte e pamundur të mos përballeshin me fyerjet, përbuzjet si familje tradhtarësh. Për më tepër, tregon për gazetën Dodani, kur dhe vetë nëna e tij nuk dinte gjë për të vërtetën e misionit dhe vrasjes së djalit të saj. “Këto vite që gjithçka u mbajt e fshehtë, ndonëse me një kosto njerëzore jo të vogël të cilën e mbajti kryesisht nëna burrëreshë e Palit, ishin vite ku sekreti i shërbente realizimit të detyrës, suksesit mbi grupimet kundërshtare që endeshin maleve, të mbështetura dhe nga jashtë”, -pohon Dodani. Në vitin 1963, pasi drejtuesit e shtetit e quajnë të përfunduar misionin e lojës ku protagonist ishte “Furtuna”, mësohet e vërteta dhe Pal Mëlyshi, ish-oficeri i sigurimit të shtetit, bëhet hero. Biseda e Mehmetit me Mark Dodanin dhe Ndreko RinonSipas dokumenteve që ruhen në arkivën e Ministrisë së Brendshme, është viti 1963, kur në Tiranë përurohet ekspozita e shërbimeve sekrete shqiptare, koha kur mësohet publikisht e vërteta rreth misionin dhe vrasjes së Pal Mëlyshit. Në përurimin kësaj ekspozite që u përgatit nën përkujdesjen e Kadri Hazbiut, sipas dokumenteve të kohës dhe shënimeve të Dodanit, merrte pjesë Mehmet Shehu, kryeministër i vendit. ”Ishim ngarkuar dy shokë përgjegjës, unë dhe Ndreko Rino, që do të prisnim e shoqëronim Mehmet Shehun në këtë ekspozitë”, -shton Dodani. Sipas tij, Mehmet Shehu shikonte me vëmendje të madhe çdo eksponat, duke u interesuar e dhënë mendime të ndryshme herë pas here. “Shumë mirë dhe shumë të varfër jemi akoma”, -ndërhynë Mehmeti. “Fjalët e Mehmetit, mua e Ndrekos, na ranë si kokrra breshëri, pasi nuk po dinim saktësisht si duheshin marrë ato fjalë të Mehmetit”, -thotë Dodani. Duke parë stepjen e Markut dhe Ndrekos, Mehmeti ndërhyn përsëri: ”E, ore! A nuk shikoni që jemi të varfër. Pse nuk është shkruar asnjë radhë për Pal Mëlyshin?” Më pas SHTON: “Ty, ty, Mark, të drejtohem, a jeni shokë arme, ideali, pse gjithë ky indiferentizëm?! Dodani tregon se në ato momente është zënë ngushtë, sikur ndodhej para një provimi të vështirë, në një lëndë të heriglifizuar në të cilën mund të rrëzohej si adoleshent, por gjithsesi merr kurajën dhe i përgjigjet: ”Fillojeni një herë lart ju shoku Mehmet, që të dimë si të përpiqemi edhe ne!”Duke iu drejtuar Markut me shprehjen “Hë, qerrata!”, Mehmet Shehu merr penën dhe në librin e ekspozitës shkruan:“Vetëm epopeja e Pal Mëlyshit do të donte volume të tëra dhe hapësira të mëdha për t’u ekspozuar, sepse e një gjerësie të tillë të pafund që zemra e tij e re heroike. Në të ardhmen furtuna do të kalojë, dhe dëshmitari popull do t’i flasë me gojë të madhe historisë mbi këta heronj të heshtur”. Ky nënshkrim i Mehmetit është pikënisja e nxjerrjes së të vërtetës për “Furtunën”, oficerin trim e të përgatitur të sigurimit të shtetit, i cili u bë model për qindra kolegë të tij ndër vite, duke u përjetësuar dhe në filma apo libra artistikë.